Shqipëria humbi tre vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias gjatë vitit të kaluar në vlerësimin e dhënë nga organizata Reporterë pa Kufij, duke rënë në këtë mënyrë në vend të fundit në rajonin e Ballkanit. RSF, e cila vlerëson gjendjen e lirisë së medias mbi një metodë të hollësishme për të marrë parasysh si statusin e ligjeve që prekin lirinë e medias ashtu edhe situatën praktike, e konsideroi gjendjen në Shqipëri si “të vështirë”. Po kështu u vlerësua gjendja edhe në Serbi, dy vendet e vetme në Evropë me përjashtim të Turqisë, Rusisë dhe Bjellorusisë për të cilat jepet vlerësimi “i vështirë.”
Serbia dhe Shqipëria kanë ndryshuar kategori në hartën e Indeksit, duke kaluar nga “problematike” – e cila është kategoria e tretë nga 5 të tilla – në zonën “e vështirë”, që është kategoria e katërt. Në kategorinë më poshtë, në të pestën, gjenden shtetet me qeveri diktatoriale apo ato me diktatura totalitare.
Mes fqinjëve tanë, Kosova, Bosnia, Bullgaria dhe Kroacia janë vendet ku liria e medias vlerësohet se është “problematike” ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi konsiderohen si dy vendet e vetme në këtë zonë ku liria e medias është “e kënaqshme”.
Gjendja e Shqipërisë vlerësohet ndjeshëm më keq se sa në vitin 2022 veçanërisht për shkak të treguesit të gjendjes së sigurisë së gazetarëve. Rënia në këtë tregues lidhet veçanërisht me ngjarjen e pazbardhur të atentatit me armë ndaj Top Channel në mars të vitit të kaluar, në të cilin, një roje humbi jetën. Që nga ajo kohë, autoritetet shqiptare nuk kanë qenë në gjendje të identifikojnë autorët dhe motivin e sulmit, gjë që në vetvete përbën një pasiguri të shtuar për gazetarët dhe punonjësit e medias.
Shënimi për Shqipërinë vëren se politikanët kufizojnë pavarësinë editoriale të medias ndërsa shënjon si veçanërisht shqetësuese politizimin e rregullatorit të medias nga qeveria “Rama” përmes zgjedhjes së Armela Krasniqit si kryetare dhe politizimit të mëtejshëm të televizionit publik shqiptar përmes emërimit si drejtor të ish-deputetit socialist Alfred Peza.
“Gazetarët kritikë shpesh bëhen shënjestër sulmi që synon t’i diskretitojë ata dhe që organizohen si nga qeveria ashtu edhe nga opozita,” thotë RSF. “Gazetarët kanë vështirësi në sigurimin e informacionit të mbajtur nga shteti, aksesi në të cilin mund të jetë kufizuar edhe më shumë nga një centralizim i kohëve të fundit të komunikimeve të qeverisë”, vëren më tej organizata duke iu referuar krijimit të Agjencisë së Medias dhe Komunikimit nga qeveria e kryeministrit Edi Rama në vitin 2022.
RSF shënjestron me kritikë jo vetëm qeverinë dhe opozitën por edhe Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK. Puna e SPAK u konsiderua si shqetësuese për lirinë e medias për shkak të kërkesës së prokurorisë dhe urdhrave të gjykatës së posaçme për sekuestrimin e materialeve të punës të gazetarit Elton Qyno. Raporti cilësoi gjithashtu si “kontrovers” dhe të pavend vendimin e një prokurori për të urdhëruar median të mos raportonte mbi sulmet kibernetike kundër institucioneve shtetërore në vitin 2022. Në atë rast, prokuroria njoftoi se ka shpallur “sekret hetimor” të gjitha materjalet e rrjedhura online nga hakerat e dyshuar iranianë. Urdhri, i cili gjerësisht u injorua dhe injorimi i të cilit nuk u pasua nga akuza për shkelje kundër gazetarëve, u konsiderua si një tejkalim kontrovers i autoritetit të prokurorisë.
Liria e medias është në përkeqësim në shkallë globale për shkak të ringritjes së forcave autoritariste në shumë vende, si në lindje, ashtu edhe në perëndim.
Sipas raportit, krahas luftës kundër Ukrainës, Rusia ka ndjekur edhe një kryqëzatë kundër gazetarëve. Mbi 1,500 gazetarë janë arratisur nga vendi. Ndërkohë, gjendja në Ukrainë duket se është përmirësuar ndërsa vendi përqafon me forcë lirinë përkundrejt luftës.
“Megjithëse shteti i së drejtës nuk shtrihet në të gjithë vendin që nga koha e pushtimit rus, gjë që ka ndaluar autoritetit ukrainase nga garantimi i lirisë së shtypit në territoret e pushtuara, ndikimi politik në Ukrainën e lirë është pakësuar,” vëren raporti.
Ndryshe nga Ukraina, vende si Italia kanë pësuar rënie të ndjeshme, ndonëse vlerësimi për të është shumë më i lartë se sa për Shqipërinë. Shqetësimi kryesor për lirinë e medias në Itali njihet me emrin legge bavaglio i cili u miratua vitin e kaluar nga maxhoranca qeverisëse e kryeministres Giorgia Meloni, i cili ndalon gazetarët të citojnë në raportimet e tyre urdhër-arrestet e policisë apo prokurorisë.
Gazetarët në Itali janë në përgjithësi të lirë, por sipas RSF, detyrohen të ushtrojnë herë pas here vetëcensurën për të shmangur rrezikun e padive abuzive të njohura si SLAPP apo procese të tjera gjyqësore. Italia u rrëzua për këto arsye nga vendi 41 në renditjen botërore në vendin 46./ Reporter.al