Presidenti i Teutës në basketboll, Arqile Gorea, ka bërë akuza të forta për trukim të ndeshjes gjysmëfinale ndaj Vllaznisë nga arbitrat.
Durrsakët u mposhtën me rezultatin 86-81 në Shkodër, në gjysmëfinalen e dytë të “play off”-it për kampionatin kombëtar të basketbollit të meshkujve. Pas kësaj ndeshjeje Presidenti i bregdetarëve, Gorea, ka shfaqur pretendime për gjykimin, duke lëshuar akuza të forta në drejtim të arbitrave si dhe ndaj FSHB-së.
Kujtojmë që takimi u arbitrua nga treshja Edison Gjoni, Olti Kasmi dhe Ani Balliu, ndërsa komisioner i ndeshjes ishte Salvator Kurti.
Pas akuzave të presidentit të Teutës, Shoqata e Arbitrave dhe Vëzhguesve të basketbollit shqiptar, reagoi me anë të një deklarate, duke iu përgjigjur kreut të durrsakëve, ndërsa hidhte poshtë pretendimet e Goreas.
E menjëhershme ka qenë edhe përgjigjja e presidentit të Teutës, i cili me anë të një prononcimi për “Panorama Sport”, e konsideron tërësisht pa vend qëndrimin e Shoqatës së Arbitrave, ndërsa u përgjigjet atyre për çdo pikë.
Gorea fillimisht e quan të papranueshme një deklaratë të bërë pa emra:
“Flitet për një shoqatë, por të gjitha shoqatat kanë një kryetar ose president, kanë një Kryesi, kanë anëtarësi, ndërsa kemi ne një deklaratë nga Shoqata e Arbitrave dhe Vëzhguesve, por nuk shikoj asnjë emër. Çdo revoltë ka një emër, ka një zë. Kush është zëri i këtyre njerëzve, pasi unë jam shfaqur më zë e me figurë si presidenti i Teutës, Arqile Gorea, duke thënë pretendimet e mia. Mendoj që reagimi në përgjigjen e tyre është i njëanshëm dhe jo me kolektivitet, sepse unë nuk kam akuzuar të gjithë arbitrat, por e kam patur fjalën për persona të veçantë. Besoj se federata nuk duhet të ketë dijeni, pasi nëse ka dijeni për këtë reagim do të ishte e rëndë. Unë i jam drejtuar z.Ponari që të mbledhë arbitrat dhe kam pasur arsye për të cilat jeni dëshmitarë. Vazhdimisht e kam ngritur zërin që të ketë një komision që të funksionojë, të cilin këta e quajnë shoqatë. Ky komision duhet të jetë i pavarur, siç funksion një organ drejtësie. Kam propozuar që arbitrat të hidhen në bazë të një shorti. Pse arbitrat duhet të caktohen, ose të shpallen në momentin e fundit? Këtu ka dy arsye, ose federata nuk ka besim, sepse po të deklarojnë emrat, ata korruptohen. Ose bëhet pazar deri në momentin e fundit me trupën e arbitrimit, si një formë ankandi. Kështu që kjo gjë e përjashton pavarësinë e arbitrimit dhe këtu nuk kemi më një trupë të pavarur, pasi nuk ka pse t’i caktojë federata këta njerëz”.
DEKLARIM I PASURISË – Presidenti i Teutës edhe një herë tjetër ka përsëritur një kërkesë të tij të vjetër, që ka të bëjë me deklarimin e pasurisë nga arbitrat:
“Kam thënë që arbitrat kur fillojnë karrierën e tyre në federatë duhet që të deklarojnë pasurinë, siç ndodh me të gjithë gjyqtarët, sepse ka prej tyre që vijnë me biçikleta me goma të shpuara dhe largohen me vetura luksoze. Kështu që nuk ka asgjë të keqe që edhe këta njerëz të jenë transparentë, sepse në fund të fundit këtë e kërkoj me të drejtën e atij që kontribuon. Arbitrat paguhen nga ne dhe këta njerëz që paguhen nga ne, nuk e di a kanë ndonjë lloj përgjegjësia ndaj nesh…?! Këtu kemi një fenomen të çuditshëm, është njësoj si në një maternitet të dëgjosh të bërtiturat e mamive dhe jo të grave që lindin. Tani ne paguajmë paret dhe këta bërtasin, ne konstatojmë padrejtësi, këta janë të pakënaqur. Ne kërkojmë drejtësi, këta përmendin prokurorinë…”.
PROKURORIA – Gorea më pas komenton edhe padinë që sipas Shoqatës së Arbitrave dhe Vëzhguesve është bërë ndaj tij:
“Unë mendoj që Prokuroria nuk është mirë që t’i hyjë federatës dhe basketbollit, por nëse është e nevojshme, pse jo! Frikë duhet të kenë ata që bëjnë para nga basketbolli dhe jo ne që harxhojmë para për basketbollin. Frikë duhet të kenë ata që kontribuojnë për frenimin e këtij sporti kaq popullor dhe të bukur dhe jo ne që kontribuojmë për zhvillimin e tij, duke sakrifikuar kohë, para, emocione, adrenalinë dhe këtyre t’u shtohet një buzëqeshje cinike e atyre që japin padrejtësi”.
ALIBIA PËR HUMBJET DHE PAZARE – Shoqata e Arbitrave ngriti gjithashtu dyshimin se akuzat ndaj tyre mund të jenë alibi për të mbuluar humbjet apo edhe pazaret me ndeshjet, qëndrim të cilin Gorea e komenton kështu:
“Pazari nuk është me humbje është me fitim dhe ai që shpenzon humbet. Ne na dhemb xhepi, na dhemb sakrifica, na dhemb pasioni që nëpërkëmbet nga këta pazarxhinjtë. Unë e kuptoj shumë mirë që mentori, ose kontribuuesi i deklaratës së tyre është një nga ata pelivanët që merren me të gjitha, sepse prandaj dhe u shkon mendja aty, te pazaret. Nuk dua të bëj heroin, por di që kam marrë një ekip basketbolli në fund të tabelës së klasifikimit në kategorinë më të ulët dhe e kam çuar kampion, fitues Kupe, Superkupë, deri në vendin e dytë të Ligës Ballkanike. Natyrisht, përveç Bashkisë së Durrësit që gjej rastin ta falënderoj është edhe mundi dhe sakrifica ime. Është i neveritshëm ky lloj argumenti nga këta njerëz”.
PROBLEME KONKRETE – Presidenti i bregdetarëve radhit disa prej absurditeteve në basketbollin shqiptar:
“Ne kemi raste konkrete dhe ta nisim që nga takimi i fundit në Shkodër, ku komisari ishte shkodran. Kjo është e papranueshme, pasi ai njeri do të bëjë relacionin e ndeshjes, pra që në fillim unë dyshoj që arbitrave u ka dhënë garanci, bëni çfarë të doni sepse relacioni do të jetë pozitiv. Jo si në ndeshjen e sezonit të rregullt, ku u dënuan arbitrat për takimin që ne patën në Shkodër, ku vetë federata e pranoi që u arbitrua keq. Ne kemi pasur raste të tjera, ku zv.trajneri i Partizanit ishte komisar në ndeshjen tonë kundër Partizanit. Në këtë kampionat kemi raste ku babai është komisar, ndërsa djali arbitër, babai është komisar ndërsa djali lojtar në parket, gjithashtu kemi dy vëllezër që janë të njëjtën trupë arbitrimi. Pse nuk e ngrenë zërin këta njerëz që rrinë ngrohtë në moçalin e padrejtësive, të shkeljes së rregullores, që në fund të fundit e gjitha kjo bie në kurriz të basketbollit shqiptar, që tani dihet çfarë rezultatesh ka. Atëherë e kujt është e drejta e revoltimit?! Këta në përmendin prokurorinë, në një kohë kur ne flasim për rregulloren e basketbollit shqiptar që nuk zbatohet dhe shkelet. Prokuroria nuk do të merret me ne që bërtasim kur na dhemb, nuk kam dëgjuar ndonjëherë kështu akuze. Sepse akuza e tyre e tillë është, që pse bërtet kur të dhemb, pasi në të bëjmë që të dhembë edhe më shumë”.
THIRRJA PËR PONARIN – Arqile Gorea e mbyll me një apel për presidentin e FSHB-së:
“I drejtohem edhe një herë z.Avni Ponari, që duhet ta marrë në dorë këtë çështje dhe të tregojë vullnetin e mirë për të vënë drejtësi në gjykimin e ndeshjeve. Kjo që po ndodh është tepër e çuditshme, kush harxhon dhe kush akuzon?! Kujt u shpohen xhepat dhe kujt i fryhen xhepat?! Në ankesën e tyre shikoj që përmenden shumë ekipe që janë të pakënaqur nga arbitrimi dhe kjo tregon që është krijuar një mjedis jo pozitiv, prandaj edhe njerëzit ankohen. Unë vetëm para pak kohësh kam thënë që ka përmirësim në arbitrim dhe shpresova shumë që mund të ketë ndryshime, por nuk ma kishte marrë kurrë mendja që do të më kërconin me prokurori. Por prokuroria le ta fillojë, pasi fillimi dihet, ndërsa fundi jo. Unë shpresoj, pasi kemi ndeshjen tjetër nesër (sot), që z.Ponari porosinë numër 1 që t’u japë arbitrave, tu thotë: ‘Gjykoni drejt dhe mos u bini në qafë ekipeve dhe basketbollit shqiptar’”, përfundon Gorea.