Sipas projektligjit më të fundit që pritet të miratohet në Parlament, adoleshentet mbi 16 vjeç do të mund të kryejnë abort pa lejen e prindërve.
Ndërkohë, në një nga pikat e këtij projektligji mbi shëndetin seksual dhe riprodhimin theksohet se në vendin tonë do të njihen nënat surrogato dhe ruajtja e qelizave riprodhuese përmes ngrirjes. Në një intervistë për “Panorama”, deputeti i PD-së, dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, e cilëson këtë ligj si kriminal dhe të lidhur ngushtë me trafikun e embrioneve. Ai thekson se ky projektligj duhet të tërhiqet nga MSH dhe të rrëzohet kategorikisht.
Si e vlerësoni projektligjin e ri mbi shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar, që përfshin edhe ligjshmërinë e nënave surrogato?
Ligji i ri që ka ardhur mbi shëndetin riprodhues e fertilizimin e asistur për mua është një ligj, i cili bie ndesh me parimet kryesore të shoqërisë, bie ndesh me drejtimet kryesore që duhet të kenë politikat shëndetësore në Shqipëri, në favor të mbrojtjes së shëndetit e dinjitetit të nënës, fëmijës, vlerave të familjes, si dhe të stimulojë natalitetin dhe jo abortet, i cili është elementi kryesor që duhet të mendojnë politikat tona. Por, në të vërtetë ky projektligj cenon dinjitetin e nënës, fëmijës, shëndetin e tyre e konceptin e vërtetë të familjes. Ky ligj kontestohet edhe në komunitetin ndërkombëtar, ku dua të theksoj se dy ditë më parë Parlamenti Europian miratoi një rezolutë që dënon si akt kriminal shfrytëzimin e uterusit surrogato apo “me qira” për gratë. Pra, në tërësi është një ligj i cili në pjesën më të madhe të vendeve nuk pranohet.
Cilat do të jenë pasojat e “dhënies së uterusit me qira”?
Pasojat? Ligji 9 në tërësi bie ndesh me parimet thelbësore të nënës, të fëmijës, lejon diskriminimin ndaj tyre. Bie ndesh me parimet e familjes, sepse realisht krijon një konfuzion të gjerë në familjes duke kaluar termat ‘gender’ në “nëna 1”, “nëna 2”, “nëna 3”. Pra, godet principin bazë të familjes, që është një nënë, një baba dhe me shpresë fëmijët. Por, ky ligj ka edhe elementë të tjerë të thellë, që janë kundër natyrës njerëzore, kundër fiziologjisë dhe kundër elementëve thelbësorë të rritjes së fëmijëve. Uterusi nuk është një kuti metalike bankare nga e cila mund të marrësh para; fetusi nuk është një send. Uterusi është një organ i madh biologjik, i cili ka një rëndësi të madhe për fetusin, për fëmijën e ardhshëm, nënën dhe marrëdhëniet e tij me atë. Midis nënës dhe fëmijës, pavarësisht aspektit gjenetik, që nga muaji i tretë fillon të krijohet një lidhje e fortë. Fëmija fillon të dëgjojë zërin e nënës, ka ndjeshmëri dhe fillon të ndryshojë pozicionin në funksion të zërit të nënës, rrahjet e tij të zemrës etj.. Fëmija krijon një lidhje psikologjike me nënën për të arritur në një lidhje shumë të fortë që krijohet nga muaji i gjashtë dhe nëna kthehet në faktorin, në instrumentin e kontaktit të lidhjeve të fëmijës me ambientin e jashtëm. E kjo lidhje vazhdon edhe më tej, nuk ndërpritet me kaq, por vazhdon edhe pas lindjes.
Si vazhdon kjo lidhje mes nënës dhe fëmijës pas lindjes?
Pas lindjes, fëmija ka si pikë orientimi pikërisht nënën që e ka mbajtur në bark dhe kjo është arsyeja pse menjëherë pas lindjes, fëmijën e porsalindur ia vendosin nënës në duar, sepse është pika e lidhjes së fëmijës, është elementi që fëmija njeh zërin, erën, cilësitë e nënës nga jeta uterine nëpërmjet lëngut amiotik apo dhe mediatorëve të ndryshëm kimikë, të cilët qarkullojnë në trupin e nënës dhe fëmijës. Pra, lidhja është një lidhje e fortë, organike, biologjike, imunologjike dhe padyshim shkëputja e kësaj lidhjeje krijon trauma psikologjike, probleme psikiatrike në një shumicë rastesh si te nëna, ashtu edhe te fëmija, dhe kur them nëna e kam fjalën për atë grua që mban fëmijën në barkun e saj. Pra, të konsiderosh fëmijën si objekt, uterusin si një kasafortë metalike, nënën si një send është diçka që bie ndesh me natyrën njerëzore, me parimet dhe me vlerat e shoqërisë njerëzore. Pra, ky ligj dhe kjo pjesë e ligjit në tërësi është krejtësisht në kundërshtim me atë që duhet të bëjë shoqëria njerëzore pikërisht për të mbrojtur nënën, fëmijën, për të mbrojtur fetusin. Ky ligj duhet kundërshtuar në parim, në thelbin e tij, në esencën e tij, sepse është një akt i cili dëmton rëndë nëë mënyrë pluri dimensionale dhe krijon precedenca të rrezikshme.
Pse në Shqipëri pikërisht në këtë moment vjen ky projektligj nga Ministria e Shëndetësisë?
Është një pyetje reale dhe unë ia kam bërë edhe vetes këtë pyetje. Shqipëria ka kaq shumë probleme me legjislacionin shëndetësor, me farmaceutikën, me sigurimet shëndetësore; probleme të mprehta që prekin dhe shqetësojnë rëndë publikun shqiptar, handikapojnë rëndë eficiencën e sistemit shëndetësor shqiptar. Dhe unë nuk shikoj të ketë asnjë projektligj në kuadër të problemeve të sipërpërmendura, por vjen pikërisht ky projektligj, që dy kapituj të tij bien ndesh me interesat, me politikat dhe kanë elementë kriminalë brenda tyre. Pra, pse vjen ky projektligj sot? Opinioni publik nuk e ka kërkuar një projektligj të tillë, nuk ka kërkuar diçka të tillë për uterusin me qira, por as për abortet, siç është pjesa e dytë e ligjit që vazhdon më tej. Ky është një ligj që nuk i intereson opinionit publik dhe unë nuk besoj dhe nuk gjykoj se do të ketë interes nga gratë shqiptare që të kërkojnë të marrin “me qira” uterus të tjerë. Këto gjëra nuk përbëjnë një fenomen për vendin tonë. Atëherë pse? Për mua ky projektligj ka një element të rëndësishëm, ky projektligj ka një bazë mafioze dhe kriminale. Mendoj se ky projektligj është i lidhur me grupe kriminale në Shqipëri dhe jashtë saj, që kërkojnë të kthejnë dhe të krijojnë në vendin tonë “një fermë uterusesh” që prodhojnë fetuse për përfitime të mëdha financiare.
A duhet të rrëzohet ky projektligj?
Për mendimin tim, ky ligj lidhet me interesa, të cilat bien ndesh me politikat shëndetësore, bien ndesh me dëshirën e qytetarëve, bien ndesh me vlerat dhe dëmtojnë pikërisht ato gjëra, të cilat janë thelbësore në një shoqëri njerëzore. Unë mendoj dhe gjykoj që ky ligj duhet kundërshtuar në mënyrë absolute në parim; nuk është çështja këtu për elementë të tillë apo për ca fjali gjasme kufizuese që kanë vendosur në ligj, të cilat nuk është se kanë ndonjë rëndësi dhe nuk është se ndryshojnë sensin dhe kolonën kryesore të ligjit. Ky duhet rrëzuar dhe duhet hedhur poshtë në mënyrë kategorike. Unë gjykoj dhe shpresoj që ky ligj do të rrëzohet dhe më mirë akoma shpresoj që Ministria e Shëndetësisë ta tërheqë dhe të mos vijë fare në Parlamentin shqiptar, sepse një ligj i tillë do të krijonte dëme të mëdha në vendin tonë.
Sa mendoni se do të implementohet ky nen apo projektligji ne tëresi në Shqipëri?
Unë mendoj se implementimi i ligjit do të krijonte dëme të mëdha, një bazë mafioze për keqpërdorimin e grave, përdorimin e fëmijëve të porsalindur, keqpërdorimin e gjithë këtij mekanizmi për të realizuar trafiqe biologjike, pavarësisht se në ligj thuhet se nuk lejohet trafikimi i embrioneve. Në këtë mënyrë, siç theksova, ky ligj do e kthejë Shqipërinë në një fermë uterusesh në prodhimin e fëmijëve. E gjithë kjo, sipas koncepteve të këtij ligji, që janë koncepte jashtë vlerave natyrore, jashtë vlerave të etikës dhe jashtë asaj që realisht ka nevojë Shqipëria sot. Dhe jo vetëm vendi ynë, por për gjithë njerëzit në tërësi.
Vajzat e mitura të grupmoshës 16-vjeçare mund të kryejnë abort edhe pa dijeninë e prindërve. Kështu citohet në një nga nenet e projektligjit për shëndetin seksual dhe riprodhues, që është hedhur për konsultim publik nga Ministria e Shëndetësisë. Si e vlerësoni këtë nen?
Ligji ka paraqitur edhe pikën e dytë që lidhet me abortin, duke tentuar të krijojë mekanizma për të shtuar e stimuluar abortin, qoftë nëpërmjet kalimit të moshës së shtatzënisë nga 12 janë në 14 javë, që mund të bëhet abort, qoftë nëpërmjet zvogëlimit të procedurave që parashikon ligji aktual të dialogut e bindjes së gruas që dëshiron të bëjë abort deri në 12 javë, për të munduar që ta evitojë atë. Një problem tjetër i madh është dhe e drejta që u jepet vajzave të mitura, 16-vjeçare, për të bërë abort pa miratimin e familjes së tyre.
A do të sjellë kjo rritjen e numrit të aborteve në tërësi dhe në radhët e minoreneve?
Politikat kryesore në Shqipëri nuk duhet të lidhen me abortin, por me natalitetin. Në Shqipëri duhet të krijohen kushte që nënat të lindin fëmijë. Në fund të fundit, e drejta universale e gruas nuk është ajo e abortit, por është e drejta për t’u bërë nënë. Aborti është një mjet vrasës, një mjet i cili heq dhe shkatërron jetën. Të mos harrojmë se aborti është një element i cili godet fetusin që në jetën intrauterine, në një kohë që fetusi që në krijimin e tij krijohet si një qenie e gjallë. Pra, aborti është e kundërta e asaj që duhet. Të mos harrojmë që në Shqipëri, të dhënat e abortit janë shumë tragjike. Në Shqipëri ne kemi humbjen e 3000 jetëve fetale në 5 vitet e fundit, në Shqipëri ne kemi 220 aborte për 1000 lindje. Fatkeqësisht në vendin tonë kemi një rënie të madhe të natalitetit llogaritur sot në 1.4 lindje për një grua nga 2.1 që është niveli i kufirit të ekzistencës së shoqërisë. Por gjithashtu ka edhe një fenomen tjetër shumë të rëndësishëm. Aborti është kthyer në mjetin kryesor vrasës të femrave, të femrave në fetus. Nga viti ‘90 deri më sot janë kryer 33 mijë aborte apo vrasje fetusesh femërore selektive, në mënyrë të paligjshme, gjë që ka bërë që raporti meshkuj-femra në Shqipëri nga 105 me 100 që është norma të kthehet në 112 me 100, gjë e cila deformon rëndë demografinë e shoqërisë sonë. Pra, politikat që kërkon të bëjë kjo qeveri, duke stimuluar më shumë abortin, duke e bërë abortin më atraktiv dhe më të lehtë për gruan; janë politikat e kundërta të asaj që duhet të realizohet. Ndërsa stimulimi i abortit për minorenet është një tjetër veprim absurd e i rrezikshëm.
Cilat janë politikat që duhet të realizojë vendi ynë me qëllim vazhdimësinë e shoqërisë?
Ne duhet të realizonim politika pronataliste të mbrojtjes ekonomike, sociale, kulturore, shoqërore, të punësimit të gruas dhe të mbështetjes së fëmijëve më tej, nëse duam të mbajmë të gjallë shoqërinë dhe vendin tonë. Shtimi me 2 javë i moshës së abortit nga 12 në 14 javë është absolutisht një gabim i thellë pasi nga 12-javëshi fillon pjekja e plotë e fetusit, fillon komunikimi i tij me nënën dhe ai kthehet një faktor shumë i rëndësishëm në bashkëjetesën nënë-fëmijë. Por gjithashtu sa më shumë zgjerohet kjo hapësirë, aq më shumë fillojmë të arrijmë në nivelin ku mund të identifikohet seksi i bebit dhe bëhet kështu shkas për legalizimin e aborteve selektive, të cilat godasin fetusin femër dhe krijojnë probleme të mëdha. Pra në të gjitha prizmat, ky ligj është kriminal dhe realisht bie ndesh me vlerat e shoqërisë, bie ndesh me nevojat tona, bie ndesh me atë që duhet të bëjë Shqipëria sot, e cila nuk ka pse të bjerë në këtë vorbull si uterusi me qira apo aborti, që shkel të drejtën universale të gruas.