Një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës me kombësi serbe është arrestuar në Serbi.
Ndalimi i zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Dejan Jankovic, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, është bërë “me qëllim të vërtetimit të fakteve dhe kontrolleve të nevojshme lidhur me sigurinë e Republikës së Serbisë”. Përveç kësaj, nuk ka asnjë informacion tjetër zyrtar për arrestimin e Jankoviqit në Beograd.
Por, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabic, e pyetur nga Radio Evropa e Lirë në lidhje me këtë rast, tha se supozon se “populli më në fund iu përgjigj thirrjeve” për të mbrojtur rendin kushtetues të Serbisë.
“Pres lëvdata nga bashkësia ndërkombëtare për anëtarët tanë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe për prokurorinë tonë dhe të gjitha institucionet përkatëse”, tha Bërnabic.
Tri ditë para arrestimit të policit të Kosovës, presidenti serb, Aleksandar Vuçic, ka njoftuar se të gjithë ata që e shkelin rendin kushtetues të vendit do të “ndiqen penalisht dhe arrestohen”.
“Të gjithë ju që e shkelni rendin kushtetues të Serbisë, të gjithë ju që merrni pjesë në të në çfarëdo mënyre, me protesta, demonstrata, në çfarëdo mënyre – do të përgjigjeni për të, do të përgjigjen të gjithë shqiptarët që marrin pjesë në të”, tha Vuçiq më 14 prill në një ceremoni ushtarake në Beograd.
Njoftimin e Vuçiqit për arrestimin e të gjithë atyre që shkelin rendin kushtetues të Serbisë, Qeveria e Kosovës e sheh si “paralajmërim dhe kërcënim të drejtpërdrejtë për komunitetin shqiptar në Serbi, si dhe për qytetarët e Kosovës që kalojnë nëpër Serbi”.
Dushan Janjiq, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Etnike nga Beogradi, thotë për Radion Evropa e Lirë se arrestimi i zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës do ta thellojë edhe më shumë krizën në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
“Kur arrestohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës dhe merr përgjigje cinike (nga kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq) – urime, ky është një politizim”, thotë Janjic.
Dejan Jankoviq është nga Shtërpca, një nga gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, dhe është i punësuar në Policinë e Kosovës që nga viti 2000. Prej vitit 2009 mban postin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm në Policinë e Kosovës.
Gjatë së mërkurës, autoritetet në Prishtinë thanë se 10 zyrtarë policorë të Kosovës janë ndaluar në Serbi, porse tashmë vetëm zëvendësdrejtori Jankoviq ende është duke u mbajtur i ndaluar për 48 orë.
Jankoviq nuk do të mund të ishte zëvendësdrejtor i Policisë, siç tha Dushan Janjiq, nëse nuk do ta kishte kaluar kontrollin e sigurisë në Kosovë.
“Këtu e kemi atë problem. Kontrollin e sigurisë e kanë bërë autoritetet e Kosovës në bazë të informacioneve të Serbisë në bashkëpunim me EULEX-in. Pra, gjithçka është duke kërcitur”, thotë Janjic.
Më 17 prill, autoritetet e Kosovës njoftuan se edhe shtetasit e Kosovës që ishin duke kaluar transit, janë ndaluar në disa pika kufitare në Serbi “pa asnjë shpjegim”, ndërsa MPB-ja e Serbisë pretendoi se bëhej fjalë për “kontroll të intensifikuar dhe kontrolle të sigurisë për të gjithë pasagjerët”.
DASH: Ndalimet arbitrare të qytetarëve dhe policëve të Kosovës, veprime përshkallëzuese
Lëvdatat nga bashkësia ndërkombëtare që priste kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabic, nuk arritën.
Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Serbisë të vetëpërmbahet nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, dhe ka thënë se pret lirimin e menjëhershëm të zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankovic.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, DASH u bëri thirrje autoriteteve serbe të veprojnë me transparencë dhe në përputhje të plotë me ligjin në lidhje me qytetarët kosovarë të ndaluar në Serbi dje.
“Ndalimet arbitrare apo padrejtësisht të gjata, posaçërisht nëse cak i tyre janë oficerët e Policisë së Kosovës, do të shihen si veprime përshkallëzuese që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë më 18 prill.
Edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Jankoviq “është dikush që e njohim prej shumë vitesh, serb etnik dhe pjesëtar i Policisë së Kosovës, i cili ka investuar shumë kohë dhe energji në polici, duke ndihmuar integrimin e komunitetit serb në Policinë e Kosovës”.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se ndalimi i policëve të Kosovës në Serbi është i papranueshëm dhe se kjo nuk mund të pritet nga kandidatët për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“De-përshkallëzimi tani! Kjo duhet të përfundojë menjëherë dhe presim që politikanët serbë të Kosovës të flasin edhe në emër të bashkëqytetarëve të tyre”, ka shkruar Rohde në rrjetin social X.
Çfarë thonë në Kosovë?
“Ndalimi i policëve të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, përfshirë zëvendësdrejtorin e Policisë, Dejan Jankoviq që vazhdon të mbahet në Serbi, është përpjekje për frikësim dhe presion kundër integrimit të serbëve në Kosovë”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Ai vlerësoi se “Serbia duket të jetë dëshpërimisht në kërkim të tensioneve”, dhe se sjellja e autoriteteve serbe ndaj qytetarëve të Kosovës është shkelje e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve dhe marrëveshjes për lirinë e lëvizjes së arritur në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar më 18 prill se një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës, të cilit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, akuzohet për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.
Kush dhe si po “shkel rendin kushtetues” të Serbisë?
Kabineti i presidentit serb, Aleksandar Vuçic, nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se kush dhe si e shkel rendin kushtetues, që Vuçiq ka paralajmëruar ta ndjekë penalisht.
Nuk janë përgjigjur as MPB-ja dhe as Prokuroria Supreme Publike, aktivitetet e së cilës i ka bërë të ditura presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic.
“Kur prokuroria jonë dhe Ministria e Punëve të Brendshme të jenë të vendosura të kryejnë plotësisht punën e tyre, dhe besoj se do të jetë nga java e ardhshme, të gjithë ata që shkelin rendin kushtetues të Serbisë dhe ndodhen aty ku kemi pushtet efektiv, do të jenë të ndjekur penalisht dhe të arrestuar nga autoritetet kompetente të Serbisë”, tha Vuçiq më 14 prill.
Profesoresha e drejtësisë, Vesna Rakic-Vodinelic, tha për Radion Evropa e Lirë se, edhe pse nuk është plotësisht e qartë se kujt i referohet Vuçiq, ajo “mund të merret me mend” nga përvoja.
“Unë besoj se do ta drejtojë zemërimin e tij tek opozita dhe tek ato, siç i quan ai, pakicat kombëtare antishtetërore, siç është minoriteti shqiptar. Ai nuk mund t’i arrestojë shqiptarët në Kosovë, sepse Serbia nuk ka juridiksion atje”, tha ajo.
Çfarë thonë shqiptarët në jug të Serbisë për njoftimin e Vuçicit?
“Shqiptarët në Luginën e Preshevës ndihen absolutisht të pasigurt”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ragmi Mustafi, zyrtar i lartë i Partisë për Veprim Demokratik (PDD) nga Bujanoci.
Përmendja e shqiptarëve në kuadër të arrestimeve për shkelje të rendit kushtetues, thotë Mustafi, ndikon në krijimin e një atmosfere, në të cilën ata shihen si armiq të shtetit.
“Bëhet fjalë për një presion të madh që nuk na lejon të mendojmë, të punojmë, të lëvizim lirshëm, aq më tepër kur e di që je një nga objektivat e tërhequr nga zyrtari më i lartë, presidenti i vendit”, thekson ai.
Ragmi Mustafi, i cili është edhe këshilltar politik i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, beson se deklaratat e presidentit të Serbisë u referohen të gjithëve nga komuniteti shqiptar që janë kritikë ndaj zyrtarëve të lartë të Serbisë.
Ai shton se shqiptarët nuk janë një pakicë e madhe kombëtare që mund të ndryshojë qeverinë në Serbi apo të ndikojë në çfarëdo mënyre dhe se presidenti i Serbisë duhet të jetë president i të gjithë qytetarëve.
“Askush tjetër nuk e cenon rendin kushtetues, por vetëm presidenti duke synuar në këtë mënyrë shqiptarët dhe kështu shkel Kushtetutën”, vlerëson Mustafi.
Ai shton se e gjithë atmosfera i kujton vitet e 90-ta.
“Është njësoj si kur Sllobodan Millosheviqi shpalli të gjithë në botë si armiq të Serbisë. Nxitja e luftës, shënjestrimi, përjashtimi i të tjerëve. Vendi i Serbisë është vetëm i serbëve dhe të gjithë të tjerët janë armiq të saj”, thekson ai.
Ai, gjithashtu, vlerëson se në këtë mënyrë Serbia po “i afrohet një modeli të qeverisjes që i ngjan Rusisë”. Sipas regjistrimit të vitit 2022, 61.687 shqiptarë jetojnë në Serbi, gjë që i bën ata pakicën e katërt më të madhe kombëtare.
Shqiptarët në Serbi jetojnë kryesisht në komunat në jug të Serbisë – Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Çfarë përbën shkelje të rendit kushtetues?
Veprat penale kundër rendit kushtetues përcaktohen me Kodin Penal në Serbi.
Profesoresha e drejtësisë, Vesna Rakic-Vodinelic, shpjegon për REL-in se një nga mënyrat është keqpërdorimi i autoritetit.
“Vepra e dytë penale që mund të jetë shkelje e rendit kushtetues mund të jetë tradhtia, e treta, për shembull, kapitullimi, sulmi antikushtetues ndaj rendit kushtetues e kështu me radhë”, thekson ajo.
Ajo shton se shkeljet e rendit kushtetues nuk duhet të sjellin vetëm përgjegjësi penale, por edhe përgjegjësi politike për vendimet që merren, të cilat cenojnë rendin kushtetues:
“Siç është shkelja e betimit të dhënë nga zyrtarë të ndryshëm se do të respektojnë Kushtetutën dhe ligjin”.
Ajo shpjegon se “më të rrezikuarit për të shkelur rendin kushtetues janë ata që janë në krye të shtetit”.
Siç thotë Rakiq-Vodineliq, një nga shkeljet e Kushtetutës është shkelja e parimit të ndarjes së pushteteve, kur ato vendime i merr dikush që nuk është i autorizuar për të marrë vendime të caktuara.
Ajo sheh shkelje të rendit kushtetues në vetë deklaratën e Vuçicit.
“Ai tha se nga java e ardhshme prokuroria dhe policia do të fillojnë të bëjnë punën e tyre, së pari nga e di këtë kur bëhet fjalë për organet ekzekutive që janë të pavarura nga autoriteti dhe urdhrat e presidentit të republikës dhe e dyta, pyetja është pse nuk e kanë bërë deri më tani”, tha ajo.
Ajo beson se kuptimi i gjithë kësaj është “tregimi i muskujve” dhe kërcënimi me “autoritarizëm edhe më të madh”.
Tensionet e fundit mes Serbisë dhe Kosovës kanë ndodhur në prag të votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill, për rekomandimin që Kosova të bëhet anëtare e kësaj organizate. Vendimi duhet të konfirmohet nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, në mes të majit.
Edhe para këtij vendimi, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian, ka ngecur, ndërsa të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për mospërmbushje të obligimeve nga Marrëveshja e Ohrit.
Kjo marrëveshje u arrit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fillim të vitit 2023 në Ohër, të cilët ranë dakord për hapat drejt normalizimit të marrëdhënieve./REL