Tetë vite pasi familjet dhe bizneset në Tiranë paguajnë taksën për arsimin, bashkia ka ndërtuar vetëm 9 nga 17 shkollat, që kishte premtuar. Kostot e 9 shkollave janë të barabarta me 92% të të ardhurave të mbledhura nga taksa deri më tani. Shpenzimet përtej planifikimit fillestar e kanë detyruar bashkinë, që ta shtyjë mbledhjen e taksës deri në vitin 2025, ndërsa koha dhe buxheti për t`i ndërtuar 8 shkollat e tjera, nuk janë në favor të bashkisë.
“Taksa e arsimit është një rëndesë e padrejtë për mua. Nuk përfitoj ndonjë gjë prej saj. Fëmijët i kam të rritur, e kanë mbaruar arsimin parauniversitar”, – shprehet Arbeni, banor në Njësinë Administrative nr. 2, në Tiranë. 61-vjeçari ka një dyqan, ku tregton bojëra, ndërsa e shoqja ka një rrobaqepësi. Këto dy biznese modeste janë burimet e të ardhurave për ta. Ata taksohen secili veç e veç si biznese dhe së bashku si familje. Në total paguajnë rreth 100 € në vit.
Banorët e kryeqytetit e paguajnë këtë taksë të përkohshme që nga 1 janari 2016, sipas Vendimit të Këshillit Bashkiak nr. 59, datë 30.12.2015. Taksës i nënshtrohen të gjitha familjet, por edhe personat fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj, që banojnë dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit të Bashkisë së Tiranës. Familjet taksohen 1,800 lekë në vit (me këste të barabarta, mujore) te fatura e ujit. Bizneset, sipas kategorive, paguajnë nga 4,000 lekë deri në 37,000 lekë në vit.
Shtrirja kohore dhe efikasiteti i taksës ka “provokuar” diskutime. “Taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore me aplikimin e saj për një kohë të gjatë po kthehet në një barrë për qytetarët dhe bizneset. Nga ana tjetër, kemi mungesë transparence për përdorimin e të ardhurave nga kjo taksë. Një biznes e paguan këtë taksë dy herë, një herë në faturën e ujit dhe një herë me taksat e biznesit dhe kjo shkakton rëndesë në taksim”, – thotë ekspertja e së Drejtës Kushtetuese, Prof. Dr. Migena Leskoviku.
Sipas Bashkisë së Tiranës, qëllimi kryesor i taksës ishte shmangia e mësimit me dy turne përmes ndërtimit të shkollave të reja. Studimi i fizibilitetit, i hartuar në nëntor të vitit 2016, përcaktonte ndërtimin e 17 shkollave të reja, nga të cilat, 10 shkolla 9-vjeçare dhe 7 të mesme.
Loti 1 | Loti 2 | Loti 3 | Loti 4 | |
Numri i shkollave | 5 shkolla janë ndërtuar | 4 shkolla s’janë ndërtuar | 4 shkolla s’janë ndërtuar | 4 shkolla janë ndërtuar |
Shkollat dhe vendndodhjet |
Shkolla 9-vjeçare “Vaçe Zela” Njësia Administrative 9 |
3 shkolla në Njësinë Kashar (Yzberisht) | 2 shkolla në Njësinë Administrative 2 | Shkolla 9-vjeçare “Bashkim Fino”
Njësia Administrative 2 |
Shkolla e mesme “Kristo Frashëri”
Njësia Administrative 9 |
1 shkollë në Njësinë Administrative 7 | 1 shkollë në Njësinë Administrative 5 | Shkolla 9-vjeçare “Kiço Blushi”
Njësia Administrative 8 |
|
Shkolla 9-vjeçare “Andrea Stefani”
Njësia Administrative 11 |
1 shkollë në Njësinë Administrative, Farkë | Shkolla e mesme “Sevasti Qiriazi”
Njësia Administrative 8 |
||
Shkolla 9-vjeçare “Nënë Tereza”
Njësia Administrative 11 |
Shkolla e mesme “Luan Hajdaraga”
Njësia Administrative, Dajt |
|||
Shkolla e mesme “John F. Kennedy”
Njësia Administrative 11 |
Pas 8 vitesh janë ndërtuar vetëm 9 prej tyre, 5 shkolla 9-vjeçare dhe 4 të mesme, sipas informacionit zyrtar nga Bashkia e Tiranës. Projektbuxheti afatmesëm, 2023-2025, përsërit po njësoj premtimin e vitit 2016, duke përdorur fjalën “vijon” për ndërtimin e 8 shkollave të mbetura.
Deri në shtator të vitit 2023, sipas të dhënave zyrtare nga Bashkia e Tiranës, janë mbledhur 5.4 miliardë lekë nga kjo taksë.
ACQJ përpunoi të dhënat e dy kontratave koncesionare për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë e Tiranës, për lotin 1 dhe 4. Në lotin 1 u ndërtuan 5 shkolla, kurse në lotin 4 u ndërtuan 4. Ndërtimi i këtyre 9 shkollave kushtoi rreth 4.9 miliardë lekë me TVSH.
Kjo shumë përbën 92% të të ardhurave të mbledhura deri në shtator të vitit 2023. Ndërtimi i një shkolle ka kushtuar mesatarisht 520-570 milionë lekë (5-5.4 milionë €), me TVSH.
Kostot e ndërtimit të shkollave me koncesion/partneritet publik-privat (lekë) | |||||||
|
Numri i shkollave | Vlera e investuar nga koncesionari (pa TVSH) | Vlera e investuar nga koncesionari për shërbimet e mirëmbajtjes (pa TVSH) | Marzhi i fitimit (6.28% mbi vlerën e mbetur të investimit direkt dhe koston e mirëmbajtjes) | Pagesa totale ndaj koncesionarit (pa TVSH) | Pagesa totale ndaj koncesionarit (me TVSH) | Kosto mesatare për një shkollë |
PPP e lotit 1 | 5 | 1,600,861,766 | 339,760,304 | 423,473,957 | 2,364,096,027 | 2,836,915,232 | 567,383,046 |
PPP e lotit 4 | 4 | 1,176,113,096 | 251,132,420 | 311,210,726 | 1,738,456,242 | 2,086,147,490 | 521,536,873 |
Totali | 9 | 4,102,552,269 | 4,923,062,723 |
*Shënim: *Kontrata e lotit 1 është pa TVSH. Vlera me TVSH është llogaritur nga redaksia
Një inxhiniere ndërtimi, në kushte anonimati, interpretoi për ACQJ koston e mësipërme.
“Me koston mesatare për ndërtimin e një shkolle, sipas këtyre 2 kontratave të tenderuara nga Bashkia e Tiranës, mund të ishin ndërtuar 2 deri në 3 të tilla”.
Teksa mbeten edhe 8 shkolla të tjera pa ndërtuar, bashkia e zgjati aplikimin e taksës deri në vitin 2025, duke planifikuar të mbledhë edhe 2.4 miliardë lekë, por edhe me këtë zgjatje të zbatimit të taksës paratë, që parashikohet të mblidhen deri në fund të këtij afati, nuk mjaftojnë për ndërtimin e 8 shkollave të tjera. Me ato pará mund të ndërtohen më pak se 5 shkolla, nëse i referohemi buxhetit të shpenzuar për ndërtimin e 9 shkollave të para (520-570 milionë lekë për shkollë).
Taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore vazhdon
Taksa fillimisht u parashikua të zgjaste 7 vite (2016-2022), por në dhjetor të vitit 2022 Këshilli Bashkiak vendosi ta vazhdonte taksimin e përkohshëm, duke përcaktuar kësaj herë një afat 3-vjeçar (2023-2025).
Ekspertja e ligjit, Prof. Dr. Migena Leskoviku, thekson: “Sipas Ligjit nr. 68/2017 për Financat e Vetëqeverisjes Vendore, një taksë, që është e përkohshme, nuk mund të aplikohet më shumë se 3 vite. Afati 7-vjeçar ka mbaruar në vitin 2022 dhe ndërkohë është shtyrë aplikimi i saj edhe për 3 vite të tjera, por kjo taksë është e përkohshme dhe ligji nuk parashikon raste, kur ky afat mund të shtyhet.”
Vitet | 2016 | 2017 | 2018 | 2019 | 2020 | 2021 | 2022 | 2023
(9 muaj) |
Shuma (në lekë) |
495,950,390 |
681,927,166
|
730,095,161
|
699,773,149
|
649,392,794
|
756,967,278
|
759,519,645
|
598,248,585 |
Vitet | 2023 | 2024 | 2025 |
Shuma e parashikuar (në lekë) |
747,727,133
|
926,500,000
|
971,850,000
|
Taksa do të mblidhet deri në vitin 2025, plot 1 dekadë që aplikohet. Në 2 vitet e ardhshme kostoja e taksës për qytetarët e Tiranës do të shtohet për shkak të rritjes së çmimit të referencës së apartamenteve. Vlera, që parashikohet të mblidhet në 10 vite, sipas Projektbuxhetit afatmesëm, 2024-2026, të Bashkisë së Tiranës, parashikohet të jetë 7.4 miliardë lekë (71.4 milionë €).
Eksperti i ekonomisë, Dr. Rezart Prifti, tregon se ç’do të thotë për financën taksa për arsimin.
“Në Amerikë taksat e emëruara, pra taksat, të cilave iu është vendosur një emër, për shembull taksë për arsimin, quhen earmarked budget. Të ardhurat e përfituara prej saj duhet të shkojnë në masën 100% për atë që janë përcaktuar. Të ardhurave, që janë mbledhur nga taksa për arsimin, nuk iu dihet destinacioni dhe sa prej tyre janë përdorur realisht për arsimin”, – arsyeton ai.
Pikëpyetjet për formulën e ndërtimit të shkollave (PPP)
“Duke qenë se kapitali i nevojshëm për t’u investuar në këtë drejtim është mjaft i madh krahasuar me mundësitë aktuale të Bashkisë së Tiranës, alternativat e financimit si PPP duhen vlerësuar si mundësi për zgjidhjen e disa problemeve emergjente”, – shkruhej në studimin e fizibilitetit të Bashkisë së Tiranës në vitin 2016.
Ky argument mund të ishte i vlefshëm, nëse ndërtimi i shkollave do të kishte nisur menjëherë dhe njëkohësisht në të 4 lotet. Punimet nisën më 20 maj të vitit 2019, vit kur bashkia kishte mbi 3 vite që e aplikonte taksën dhe kishte mbledhur rreth 2.6 miliardë lekë (25 milionë €).
Studimi i fizibilitetit përcaktonte mënyrën e pagesës dhe formën e kontratës. Kontrata, e tipit Koncesion Partneritet Publik-Privat (PBOTM), e detyronte kompaninë që të projektonte, të financonte, të ndërtonte, të mobilonte, të mirëmbante, të mbikëqyrte dhe të kolaudonte objektet arsimore. Kontrata zgjaste 7 vite e 18 muaj. 18 muaj ishte koha për ndërtimin e shkollave. Pjesa tjetër, 7 vite, niste në datën e dorëzimit të shkollave dhe e ngarkonte koncesionarin për mirëmbajtjen e tyre. Gjatë këtyre 7 viteve koncesionari do të likuidohej nga bashkia për vlerën e plotë të investimit, me një marzh fitimi prej 6.28% në vit.
“Për punët publike, ndryshe nga investimet private, norma e fitimit priret të jetë një normë sociale (rreth 3%), pra më e ulët, dhe jo një normë e tregut, si në këtë rast (6.28%), pasi ato iu shërbejnë brezave dhe shlyerja e tyre shtrihet më gjatë në kohë”, – sqaron eksperti i ekonomisë, Prof. Assoc. Dr. Selami Xhepa.
4 koncesionet u shpallën në vitin 2017, por një vit më pas kontrata u lidh vetëm për lotin 1. Shoqëria koncesionare Z. M. A., e përbërë nga kompanitë: AGI KONS sh.p.k., MET ENGENEERING sh.p.k., ZENIT&CO sh.p.k., ndërtoi 5 shkolla. Sipas specifikimeve të kontratës, vlera e investimit ishte 1.6 miliardë lekë pa TVSH. Vlera e investuar nga koncesionari për shërbimet e mirëmbajtjes ishte 339 milionë lekë dhe 423 milionë lekë ishte marzhi i fitimit (6.28% mbi vlerën e mbetur të investimit direkt dhe koston e mirëmbajtjes). Vlera totale, 2.83 miliardë lekë me TVSH. Kostoja mesatare e ndërtimit të një shkolle në lotin 1 rezulton të jetë 567 milionë lekë.
2 vite më vonë hapet procedura për lotin 4, i cili iu besua shoqërisë koncesionare, të përbërë nga kompanitë: Alba Konstruksion sh.p.k., Fusha sh.p.k., Ed Konstruksion sh.p.k., A&E Engineering sh.p.k., Son Engineering and Construction sh.p.k., Erzeni sh.p.k. Në këtë lot u ndërtuan 4 shkolla. Sipas specifikimeve të kontratës, vlera e investimit ishte 1.17 miliardë lekë pa TVSH, Vlera e investuar nga koncesionari për shërbimet e mirëmbajtjes ishte 251 milionë lekë dhe 311 milionë lekë ishte marzhi i fitimit (6.28% mbi vlerën e mbetur të investimit direkt dhe koston e mirëmbajtjes). Vlera totale 2.1 miliardë lekë me TVSH.
Bilanci | E mbledhur tashmë në vitet 2016-2023 (3 tremujorë) | E parashikuar për vitet 2016-2025 (në total) |
Taksa e Përkohshme për Infrastrukturën Arsimore | 5,371,874,168 lekë | 7,419,702,716 lekë |
Kostoja e PPP për Lotin 1 (investim+interesa), me të cilën u ndërtuan 5 shkolla | 2,836,915,232 lekë | 2,836,915,232 lekë |
Kostoja e PPP për Lotin 2 (investim+interesa), me të cilën u ndërtuan 4 shkolla | 2,086,147,490 lekë | 2,086,147,490 lekë |
Kostoja e 2 PPP në total, me të cilën u ndërtuan 9 shkolla | 4,923,062,723 lekë | 4,923,062,723 lekë |
Vlera e mbetur, me të cilën supozohet të ndërtohen 8 shkolla | 448,811,445 lekë | 2,496,639,993 lekë |
Bashkia nuk e argumentoi shtyrjen e aplikimit të taksës deri në vitin 2025, por nga të dhënat rezulton se të ardhurat prej saj janë të pamjaftueshme për ndërtimin e 8 shkollave të tjera, sipas mënyrës “së kripur” të përdorur nga Bashkia e Tiranës për ndërtimin e 9 shkollave të para.
“Bashkia e Tiranës për sa i përket kësaj takse nuk është në rregull me përcaktimin kohor dhe fizibilitetin, si dhe ka shkelur premtimet politike, etikën dhe në fjalë të fundit ka shkelur ligjin. Ka shkelur ligjin, sepse ka marrë një buxhet, që e ka pasur të targetuar për një fushë të caktuar dhe e ka shpenzuar s’dihet se për çfarë”, – përmbyll arsyetimin e tij eksperti i ekonomisë, Dr. Rezart Prifti.
Në dhjetor 2023, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Tedi Blushi, i kërkoi Kontrollit të Lartë të Shtetit nisjen e një auditimi të thelluar në Bashkinë e Tiranës, në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore, si dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Menaxhimit Financiar mbi mënyrën e menaxhimit të të ardhurave nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi ai nuk ka marrë asnjë përgjigje nga KLSh-ja.
Historia nis, por nuk mbaron me Tiranën
Taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore, pas Tiranës, joshi edhe 5 bashki të tjera. Bashkitë Kamëz, Kavajë, Berat, Dimal dhe Gramsh aplikuan një taksë apo tarifë për arsimin, por me afate kohore e përcaktime të ndryshme kostosh dhe subjektesh të detyruara për ta paguar.
Juristja, Prof. Dr., Migena Leskoviku, vë në dukje se, bashkitë përmes mbledhjes së këtyre të ardhurave si “tarifë” dhe jo si “taksë” i shmangen disa procedurave të detajuara, që parashikon Ligji Nr. 68/2017, “Për Financat e Vetëqeverisjes Vendore”, në rastin e vendosjes së taksave të përkohshme.
Në përgjigje të kërkesave për informacion, bashkitë sqaruan se të ardhurat e siguruara nga taksa për arsimin janë përdorur kryesisht për të bërë blerje, për të shlyer detyrime (energji, ujë) dhe për shërbime mirëmbajtjeje. S’kanë ndërtuar asnjë objekt arsimor me to, pasi shuma e mbledhur është cilësuar si “modeste”, “e papërfillshme” dhe “e pamjaftueshme” nga vetë bashkitë në përgjigjet e tyre, zyrtare.
5 bashkitë e tjera
- Bashkia Kamëz
Viti | 2018 | 2019 | 2020 | 2021 | 2022 | 2023 |
Shuma
(në lekë) |
14,744,874 | 14,486,378 | 16,313,568 | 12,578,882 | 17,412,586 | 16,520,495 |
Bashkia Kamëz: “Ky fond është përdorur për shërbime dhe për mirëmbajtjen e objekteve arsimore.”
- Bashkia e Kavajës
Viti | 2017
|
2018 | 2019 | 2020 | 2021 | 2022 | 2023 |
Shuma
(në lekë) |
2,040,000 | 2,438,316 | 2,634,503 | 3,368,000 | 4,275,098 | 6,504,300 | 4,468,363 |
Bashkia e Kavajës: “Të ardhurat nga tarifa e arsimit janë pothuajse të papërfillshme.
Ky fond është bashkuar me fondet e deleguara nga ministria përkatëse për likuidimin e plotë të disa zërave buxhetorë, si:
1-Blerje materialesh për mirëmbajtjen e konviktit dhe të shkollave
2-Riparim dhe blerje enësh kuzhine
3-Materiale për pastrim
4-Shërbime për energji+ujë
5-Mirëmbajtje e kaldajave dhe e sistemeve hidraulike.”
- Bashkia e Beratit
Viti | 2020 | 2021 | 2022 | 2023 (11 muaj) |
Shuma (në lekë) | 6,743,000 | 9,339,000 | 8,452,000 | 8,005,000 |
Bashkia e Beratit: “Zërat buxhetorë, të cilët kanë shpenzuar taksën e arsimit:
1-Shërbime mirëmbajtjeje (materiale hidraulike, marangozi, materiale ndërtimi, lyerje, elektrike)
2-Shërbime mirëmbajtje kaldaje
3-Blerje materialesh pastrimi për institucionet arsimore
4-Likuidimin e kontratave të energjisë dhe të ujit të institucioneve arsimore
5-Blerje pajisjesh (elektroshtëpiake, soba zjarri, karrige druri për kopshte, çerdhe.)”
- Bashkia e Dimalit
Viti | 2017 | 2018 | 2019 | 2020 | 2021 | 2022 | 2023 | |
Shuma (në lekë) | 388,550 | 3,537,139 | 3,028,799 | 3,624,731 | 3,945,353 | 4,002,179 | 3,516,701 |
Bashkia e Dimalit: “Tarifa arsimore është një shumë modeste, e cila në të ardhurat vjetore është sa kostoja e faturave të ujit dhe të energjisë elektrike në të gjitha institucionet arsimore në territorin e Bashkisë së Dimalit. Po aq sa tarifa arsimore, e mbledhur për një vit, është edhe shpenzimi i bashkisë, që shkon për paga (sanitare dhe roje në institucionet arsimore).”
- Bashkia e Gramshit
Viti | 2020 | 2021 | 2022 |
Shuma (në lekë) | 883,409 | 1,176,818 | `1,492,332 |
Bashkia e Gramshit: “Të ardhurat, që mblidheshin, ishin të pamjaftueshme për të bërë të mundur mbulimin e të gjitha shpenzimeve të detyrueshme, si edhe kryerjen e investimeve të nevojshme, qofshin këto të reja apo rikonstruksione”.
Për eksperten e ligjit, Prof. Dr. Migena Leskoviku, shqetësim është mungesa e identifikimit të investimeve specifike nga njësitë e qeverisjes vendore lidhur me të ardhurat e mbledhura nga taksa dhe kështu krijohen paqartësi për mënyrën e menaxhimit të taksës ose tarifës për infrastrukturën arsimore.
“Edhe pse taksa e përkohshme, arsimore në Bashkinë e Tiranës dhe në bashki të tjera ka sjellë investime shtesë gjatë viteve të fundit, mungesa e transparencës i bën ato vështirë të matshme. Çështja e mungesës së transparencës çon edhe në problemin e konsultimeve publike si detyrime ligjore, të vendosura nga legjislacioni shqiptar për njësitë e qeverisjes vendore në Shqipëri”, – përfundon ajo.
Tirana, sot
“Në Astir nuk ka pasur as shkollë 9-vjeçare e as gjimnaz. Nuk e di si është gjendja tani”, – tregon 22-vjeçarja Orjada, dikur banore në Astir, e cila nuk e di se fatkeqësisht situata ka mbetur njësoj, siç e la ajo para 4 vitesh, kur u largua për të ndjekur studimet e larta jashtë territorit shqiptar.
Në Astir nuk u bë asnjë shkollë nga Bashkia e Tiranës, pavarësisht planeve dhe e njëjta histori ka ndjekur edhe zonën e Farkës, të Saukut dhe të Liqenit të Thatë, që presin në radhë për PPP-në fatlume. Vërtet do iu kushtojë miliarda lekë, por do iu kursejë 30 minuta a më shumë shëtitje me autobus për të aksesuar arsimin publik.
/Qëndra për Gazetari Cilësore (ACQJ)