Më datë 27 gusht të vitit 1995, Ervin Shahini, ka hipur në taksinë e Xhemali Alites nga Fieri, të cilit i ka thënë se kundrejt pagesës donte ta dërgonte deri në Durrës. Gjatë rrugës, konkretisht afër Shkëmbit të Kavajës, Shahini i ka kërkuar taksistit që të ndalonte mjetin, pasi do të dilte për nevoja personale. Në këtë moment e ka goditur disa here me thikë Xhemali Aliten. E ka nxjerrë nga automjeti duke kaluar vetë në timon dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Viktimën Xhemali Alite, e gjejnë të vdekur punonjësit e Policisë. Vajza e Alites ka qenë 13 vjeç në atë kohë dhe e kujton kështu atë moment:
Vajza e taksistit të vrarë, Xhemali Alite:
Si u informuat për ngjarjen?
“Policia na ka ardhur atë natë në shtëpi. Na thanë që babi ishte në spital, ka ndodhur një aksident. Mamaja ime ka hapur derën. Ka qenë shumë vonë. Në kohën e atëhershme nuk kishte as telefona. Babi mund të bënte edhe rrugë gjatë natës dhe ne nuk e dinim. Në përgjithësi ai vinte gjithmonë në darkë, nuk bënte rrugë gjatë natës, por atë natë nuk ka ardhur. Ne e kemi pritur, e kemi pritur dhe ai nuk ka ardhur. Ka qenë herët në mëngjes, ndoshta 3 ose 4 e mëngjesit, kur ka ardhur Policia në derë. Ne kemi jetuar në Fier në atë kohë. Ne kur kemi vajtur aty… pastaj këtë nuk e mbaj mend mirë plotësisht, por mami ka vajtur diku dhe i është thënë kjo gjë.”
Vetë autori i ngjarjes nuk e ka pranuar krimin, por vepra penale është provuar me shpjegimet e një dëshmitari, i cili ka qenë i pranishëm kur Ervin Shahini ka hipur në makinën e Xhemali Alites në Fier, për ta çuar në Durrës. Gjithashtu edhe me shpjegimet e një tjetër dëshmitari, i cili ka blerë taksinë e viktimës, mjetin tip “Benz”, për pjesë këmbimi, duke i paguar autorit shumën prej 800 mijë lekësh të vjetra.
Xhemali Alite punonte si taksist në Fier. Ai ishte i martuar dhe kishte dy vajza, 13 dhe 11-vjeçare. Vajza e madhe e tij, e cila jeton prej 20 vitesh në Amerikë, kujton gjithçka nga ajo ngjarje.
Vajza e taksistit të vrarë, Xhemali Alite:
“Unë e mbaj mend shumë mirë. Tani jam 42 vjeç dhe e mbaj mend shumë mirë. Unë kam qenë e rritur në atë kohë, plus ajo është diçka që ne e komentojmë, e flasim gjithmonë. Unë kam njohuri për çdo gjë, për atë se çfarë ka ndodhur atëherë.”
Sa fëmijë jeni ju?
“Dy fëmijë. Jam unë dhe motra ime.”
Keni kohë që jeni larguar nga Shqipëria?
“Po, ne jemi 20 vjet që jemi larguar nga Shqipëria.”
Ju jetonit në Fier në atë kohë?
“Po, në atë kohë babai im ka punuar si shofer, taksist, për një kohë shumë të gjatë. Gjashtë – shtatë muaj përpara sesa të ndodhte krimi, babai kishte blerë një makinë që për atë kohë ishte shumë e mirë. Ishte një Benz me vlerë monetare të mirë në atë kohë. Dhe ne na kanë thënë se ai (vrasësi) kur ka arritur te sheshi i taksive në atë kohë, ka kërkuar specifikisht për babain tim. Të paktën burimet që kanë qenë aty prezent dhe shokët e tij këtë kanë deklaruar. Ai kur ka ardhur aty ka kërkuar: Ku është Mili? Babai im e ka pasur emrin Xhemali. Ne mendojmë që ai ka qenë i shtyrë nga dikush sepse ai nuk ka vajtur thjeshtë ta merrte atë dhe të ikte, ai ka kërkuar specifikisht për babain tim. I kanë thënë që nuk është këtu për momentin dhe ai e ka pritur. Ai ka shkuar atje me një qëllim për ta takuar. Ndoshta i shtyrë nga dikush, ose ndoshta ka dëgjuar nga dikush.”
Pra ju mendoni që ngjarja nuk ka qenë thjeshtë një grabitje?
“Kjo ka qenë grabitje, absolutisht, ka qenë e paramenduar. Të paktën me ato burime që kemi pasur ne, që e kemi diskutuar, ai nuk ka ardhur thjeshtë të merrte taksistin e parë dhe të ikte. Ai ka ardhur, ka pyetur për Milin, ka pritur babin, sepse babi nuk ka qenë aty. Në atë kohë ka qenë duke ngrënë drekë dhe ka mbaruar drekën dhe ka shkuar. E ka marrë atë në makinë dhe i ka kërkuar që ta çonte diku në Durrës me sa mbaj mend unë.”
Ku ka ndodhur ngjarja?
“Tek Shkëmbi i Kavajës.”
Familja e Xhemali Alites ka ndjekur në atë kohë gjyqin që zhvillohej ndaj Ervin Shahinit në Gjykatën e Tiranës. E teksa bashkëshortja dhe vajzat e tij, u duk sikur gjetën paqe pasi autori mori atë që meritonte, duke u dënuar me burgim të përjetshëm, vjen viti 1997 dhe ai arratiset nga burgu. Familja e taksistit të vrarë nisin të interesohen për vendndodhjen e tij, madje arrijnë edhe të bien në gjurmët e tij në Amerikë. Por duke mos pasur besim tek Policia nuk flasin me askënd dhe ai zhduket sërish.
Vajza e taksistit të vrarë, Xhemali Alite:
Sa vjeç keni qenë në atë kohë?
Kam qenë 13 vjeç.
Autori i ngjarjes u arrestua në atë kohë dhe u arratis në ’97…
“Po sepse ndodhi ’97-a. Ne e dinim që ai kishte shkuar në Amerikë. Familja e tij jeton në Amerikë. Përveç martesës që ai ka bërë në Kore, mesa di unë ai nuk ka qenë ndonjë herë i martuar, me ato informacione që kemi dëgjuar ne. Familja e tij jeton në Miçigan.”
Këto informacione i kishit para se të mësonit që ai ishte arrestuar për t’u ekstraduar?
“Po.”
Kishit komunikuar gjatë kësaj kohe me Policinë shqiptare?
“Nuk kemi komunikuar, sepse të them të drejtën nuk e kam besuar asnjëherë që ai do të kapej. E kisha dëgjuar që ai kishte qenë në Amerikë, nga Amerika më pas ka lëvizur dhe unë nuk kisha dëgjuar më për këtë njeri. Mua më duket absolutisht si një ëndërr kjo që ai të jetë kapur, sepse unë as nuk jam interesuar më për atë njeri. Unë kam familje, kam fëmijë dhe nuk doja që të merresha më me këtë gjë, sepse e di që nuk e kisha atë fuqi që të gjeja këtë person.
Unë i jam borxhlie tërë jetën zotit ministër për këtë që ka bërë.
Unë nuk e di si të ta shpreh, por unë ndihem njeri tjetër. Për mua drejtësia e babait tim është vendosur në vend. Kjo ishte diçka që unë nuk e prisja kurrë që të ndodhte. Kjo ishte diçka që unë ndoshta do vdisja dhe do vdisja me një brengë, që ai njeri nuk e shleu dënimin e tij. Ai njeri nuk e pagoi atë veprim që bëri ndaj babait tim.”
Pëllumb Seferi: Të them të vërtetën unë këtë informacion e kam marrë nëpërmjet postimeve që ministri i Brendshëm, z.Taulant Balla kishte bërë në rrjetet sociale, e kam lexuar me kujdes dhe sinqerisht ishte një letër, e cila ishte me shumë domethënie dhe me shumë kuptim. Sepse, nëse ne do ta lexojmë me kujdes dhe do të nxjerrim konkluzione, mund të them që konkluzioni është ky që: Drejtësia ndoshta vonon, por nuk harron.
Vajza e taksistit të vrarë, Xhemali Alite:
“Babai im rezistoi. Unë e njihja babain tim. Ne i bënim këto biseda sepse këto ngjarje ndodhnin shpesh në atë kohë, në 95-ën. Kishte edhe taksistë të tjerë që u ishte marrë taksia. Madje jo shumë kohë përpara se t’i ndodhte babit tim, i kishte ndodhur një taksisti që babi e njihte. Ne kemi qenë duke ngrënë drekë dhe biseda e babait tim ka qenë që, i kishin marrë taksinë një personi. Dhe mami që i thoshte që po t’i ndodhte kjo gjë edhe atij, duhej ta linte makinën, nuk duhet të rrezikosh jetën tënde. Por ai kishte 7 muaj që e kishte blerë atë makinë me gjithë kursimet që ai kishte, sepse ai atë punë kishte. Dhe fjalët e babait tim ishin: “Unë me jetë e lë taksinë. Unë nuk e lë taksinë“ dhe fatkeqësisht ashtu ndodhi.
Babai im rezistoi dhe ai prandaj e goditi. Ai e ka goditur me bajonetë. Është gjuajtur në zemër. Është gjuajtur disa herë në zemër. Po të kishte ikur, t’ia kishte lënë çelësin dhe të kishte ikur, nuk besoj se ai do ta vriste. Por atë gjë e di vetëm ai dhe babai im.”
Ju keni qenë e vogël në atë kohë, por ndoshta mamaja juaj mund ta ketë ndjekur gjyqin që zhvillohej ndaj tij…
“Unë kam qenë në gjyq bashkë me mamanë time. Ishte shumë e vështirë. Asnjë lloj keqardhje. Ai nuk ka treguar kurrë asnjëherë pendesë. Ai nuk ka kërkuar kurrë falje. Unë kam qenë aty dhe e kemi dëgjuar procesin e gjyqit. Unë kam qenë vetë në një seancë gjyqi dhe mamaja ime ka qenë shumë e revoltuar dhe ka vajtur e ka kapur nga gryka. E kanë mbajtur policët. Ai vetëm është ulur dhe nuk ka thënë asnjëherë asnjë gjë. Nuk ia kemi dëgjuar kurrë zërin atij njeriu.”
Po personat e tjerë, me të cilët ai ka bashkëpunuar, a ishin të pranishëm në sallë?
“Me sa mbaj mend unë po, kanë qenë. Por unë sytë i kisha vetëm te ky. Të tjerët kanë qenë grup. Ata kanë qenë grup që e kanë bërë këtë gjë, me sa mbaj mend, por unë nuk i mbaj mend. Vetëm fytyrën e këtij mbaj mend. Nuk e harroj kurrë. Ai ka ndryshuar shumë nga ajo kohë. Ka qenë shumë i imët, i vogël. Është e çuditshme sepse ky vjen nga një familje shumë e mirë, me sa kemi dëgjuar. Babai i tij ka vdekur këtu në Amerikë. Motra e tij është shumë njeri i mirë, me aq sa kemi dëgjuar. Ky ka qenë një fëmijë që u ka shkarë atyre nga duart.”
Arrestimi dhe ekstradimi i Ervin Shahinit nga Korea e Jugut, u publikua edhe në faqen zyrtare të Interpolit.
Me ekstradimin e Ervin Shahinit, që arriti të fshihej për 27 vjet, u dëshmua se në fakt asgjë nuk harrohet. Për Policinë dhe autoritetet ligjzbatuese ky quhet sukses. Ndërsa për familjen e viktimës duket se është më shumë se kaq. Është drejtësi e vendosur në vend.
/Emisioni “Gjërat Tona”