Mariglen Qato, ish drejtori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Tiranës ka reaguar përmes avokatit pasi GJKKO ka firmosur ndaj tij masë sigurie arrest në burg për Korrupsion pasiv dhe fshehje të pasurisë. Ai i ka mohuar akuzat, ndërsa shprehet se ka zbatuar ligjin gjatë ushtrimit të detyrës. Më tej Qato pretendon se SPAK ka rënë pre e presionit politik.
“Unë Mariglen Qato jam i pafajshëm. Nuk kam asnjë lidhje me akuzat dhe nuk kam bërë asnjë veprim të kundraligjshëm. Në ushtrimin tim të detyrës, kam punuar me përkushtim dhe kam zbatuar ne mënyrë rigoroze ligjin.
Ndjehem i keqardhur që SPAK ka rene pre e presionit politike te Ilir Metës, dhe Kelliçit qe kane nisur këtë sulm politik ndaj meje prej muajsh, pa asnjë fakt real. Mbetem besim plote qe ky proces te mbaroje sa me shpejt, drejtësia te bej punën e saj dhe e vërteta e pafajësisë time te dale ne drite”, është shprehur Qato.
Me kërkesë të SPAK, GJKKO firmosi sot 9 masa sigurie për zyrtarë dhe ish zyrtarë të bashkisë së Tiranës. Tre masa sigurie ‘arrest me burg’ u firmosën për Mariglen Qaton, ish drejtorin e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Tiranës dhe Redi Molla, ish drejtorin e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, e Taulant Tusha, ish-drejtor i Punëve Publike – Bashkia e Tiranës. (Ky i fundit aktualisht ndodhet në paraburgim për dosjen e inceneratorit të Tiranës dhe kjo është masa e dytë e sigurisë që firmos GJKKO ndaj tij).
Gjashtë masa sigurie “detyrim për t’u paraqitur’ janë firmosur ndaj Deborah Keçi, drejtuese e “Klubin Sportiv Tirana”, pranë Bashkisë Tiranë, e pezulluar nga ky post, Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku dhe Nestor Muhamellari.
Nga provat e mbledhura në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal SPAK thotë se janë krijuar dyshime të arsyeshme se Redi Molla dhe Mariglen Qato janë ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.
Po sipas SPAK, Redi Molla për gjatë kohës që ka ushtruar funksionin e Drejtorit në “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a dhe Mariglen Qato gjatë kohës që ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në UKT kanë shpallur fitues “5D Konstruksion” sh.p.k’ në 11 tendera. Gjithashtu ‘5 D’ u shpall fituese dhe u favorizua edhe në tendera të “Tirana Parking” dhe Klubi Sportiv “Tirana”
Të akuzuarit janë pjesë e dosjes për të cilën SPAK ka nisur hetimet në prill 2023 për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe në ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” si dhe kallëzimit që opozita bëri një muaj më pas, maj 2023. Të 2 procedimet penale u bashkuan në një procedim penal të vetëm, të numërtuar me nr.75 viti 2023.
Në njoftimin e SPAK thuhet se Molla dhe Qato e kanë zotëruar këtë shoqërinë tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k’ në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, shtetasit E.M., M.P. dhe N.M., si ortakë fiktivë në aktet e rregjistrimit dhe funksionimit të kompanisë.
Akuzat qe rendojne mbi ta dhe masat e sigurise
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin nr.28, datë 28.03.2024, ka vendosur:
Personat nën hetim
1- Redi Molla ish drejtor i Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a – Arrest me burg
Akuza – – I dyshuar për veprat penale: (i) “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në 7 (shtatë) raste, nga këto 4 (katër) raste të kryera në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 259 dhe 25 të Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021
– Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer në 5 (pesë) raste, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
2- Mariglen Qato – Ish drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a. Ka pasur ddhe detyrën e ish drejtorit të IMT-së – Arrest me burg
Akuza – I dyshuar për veprat penale: (i) “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në 7 (shtatë) raste, nga këto 4 (katër) raste të kryera në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 259 dhe 25 të Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021
– Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer në 5 (pesë) raste, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
3- Taulant Tusha – Masa e sigurise “arrest në burg”,
Akuza – I dyshuar për veprat penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021; (ii) “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, e kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
4-. Enton Punavija – detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”
Akuza – I dyshuar për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021;
“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, e kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal
5. Julian Zanaj – detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”
Akuza i dyshuar për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të kryer dy herë, të parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
6- Albano Janku – detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”
Akuza – i dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.
7- Nestor Muhamellari – detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”
Akuza -i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer dy herë, të parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.
8- Eglantina Zere – Drejtore e Drejtorise se Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit masë sigurie “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” të parashikuar nga nenet 234 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, duke e pezulluar nga funksioni publik “Drejtor” në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit, në Bashkisë Tiranë, e dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.
9. Deborah Keçi të masave të sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, duke e pezulluar nga funksioni publik “Drejtor” në “Klubin Sportiv Tirana”, pranë Bashkisë Tiranë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021.
Hetimet paraprake lidhur me këtë procedim penal ende nuk kanë përfunduar, vazhdojnë hetimet për fakte të tjera penale apo për persona të tjerë që mund të përfshihen në objektin e hetimeve të këtij procedimi penal.