Emisioni “Në Shënjestër”
Ajo ngjarje kriminale, është një nga masakrat më të pabesa që dora e zezë e vrasësve ka kryer në vitet e fundit në kryeqytet. Një krim që më pas i hapi rrugë edhe shumë të tjerëve të ngjashëm, ku plumbat, jo vetëm morën jetë të pafajshme, por nuk kursyen as fëmijët dhe gratë. Të cilët nuk kishin asnjë lidhje direkte apo indirekte me shënjestrat e vërteta të atentatit. Kështu duket të jetë edhe ajo që sot njihet si Masakra e ‘Don Boskos’, ngjarje kriminale e cila ka marrë emrin nga veta zona ku ndodhi krimi në Tiranë, më 4 Janar 2022.
Nga ngjarja, humbi jetën një i ri i pafajshëm, i identifikuar si Erjon Çela, dhe u plagosën katër persona të tjerë, tre nga të cilët ishin me të në tavolinë. Grupet e interesuara kriminale, jo vetëm ngatërruan objektivin, por treguan të gjithë ashpërsinë, duke mos kursyer askënd në arritjen e qëllimit për të eliminuar fokusin e tyre, pavarësisht se me kë do të ishte i ulur ky subjekt në tavolinë. Për ngjarjen, personi i vetëm i arrestuar është Kasandër Noga, një personazh i rëndësishëm i krimit në 30 vitet e fundit në Shqipëri, i përfshirë në shumë vrasje, por që rivali i tij deri në vdekje, mesa duket do të ishte Geron Hasanbelli, të cilit ai ishte vënë në ndjekje këmba këmbës. Atë e ndiqte kudo ku ai shkelte, bashkë me të vëllanë, Erjonin, alias Mikel Rakipllari. Këtë të fundit, Kasandër Noga, në mungesë të vëllait të tij Geronit, kërkoi ta eliminonte edhe atë pasdite, pas informacioneve që kishte marrë se ai ishte i ulur në lokalin ku më pas ndodhi edhe masakra. Më pas rezultoi se njerëzit që ai kishte paguar për të hequr qafe kundërshtarin e tij të përbetuar dhe nipat e tij, kishin gabuar shënjestër, dhe kishin hapur zjarr ndaj një tavoline, ku ishin të ulur persona që po pinin kafe dhe që nuk kishin asnjë lidhje me rivalin e tyre.
Për herë të parë emisioni ‘Në shënjestër’ do të përpiqet edhe njëherë nëpërmjet fakteve të reja, të hedhë dritë mbi këtë ngjarje kriminale dhe përfshirjen e Kasandër Nogës dhe nipit të tij Kevin Zeneli (Suçi) në këtë ngjarje të rëndë kriminale. Si njerëzit e Kasandër Nogës i ndoqën vëllezërit Hasanbelli dhe nipat e tyre? Dhe pse ata gabuan shënjestër, dhe qëlluan mbi persona që nuk kishin lidhje me hasmin e tyre të vjetër?
“Më datë 4 Janar 2022, rreth orës 16:10, në vendin e quajtur rruga ‘Don Bosko’, në Tiranë, persona të panjohur të cilët ishin në lëvizje dhe qarkullonin me automjetin e markës ‘Mercedez Benz’, me ngjyrë të zezë, me targa AA 125 UK kanë hapur zjarr me armë në drejtim të Bar Kafe ‘Focus’, në pronësi të shtetasit Elenian Adushaj. Ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka gjetur vdekjen Erjon Çela, si dhe janë plagosur shtetasit Blerim Çela, Edmond Crroj, Arben Dani dhe Azbi Selimaj”, thuhet në dosje.
Por siç rezultoi më pas, dhe që tashmë është e njohur, viktima Erjon Çela një shitës produktesh duhani pranë lokalit ku po pinte kafe dhe miqtë e tij në tavolinë, ishin objektivi i ngatërruar i atentatit. Në fokus të personave që qëlluan nuk ishin ata, por Erjon Hasanbelli dhe nipat e tij, të cilët në atë moment nuk ndodheshin në lokal, pavarësisht se ai ishte bari ku ata shikoheshin shpesh të frekuentonin.
Ai që u bë i penduari i parë i kësaj ngjarje dhe rrëfeu planin për të vrarë vëllezërit Hasanbelli dhe nipat e tij, ishte Indrit Beqiraj. Ai i tregoi para grupit hetues se ai dhe vëllai i tij Gentjani, ishin paguar nga Kasandër Noga, nëpërmjet nipit të tij Kevin Zeneli (Suçi) për të vrarë fillimisht shtetasin Geron Hasanbelli dhe në mungesë të tij vëllain Erjonin, ose nipat e tyre. Rrëfimi i Indrit Beqiraj, lidhur mbi masakrën e ‘Don Boskos’ dhe përfshirjen në këtë krim të Kasandër Nogës, erdhi pas një tjetër ngjarje, ku Indriti dhe vëllai i tij Gentjani ishin marrë peng nga një tjetër personazh i rëndësishëm i krimit në Durrës, për të cilin ata ishin paguar për ta ndjekur nga pas dhe për ta vrarë, kundrejt pagesës. Ashtu sikur ishin rekrutuar edhe për të vrarë vëllezërit Hasanbelli dhe nipat e tij, po kundrejt pagesës, nga Kasandër Noga dhe nipi i tij Kevin Zeneli (Suçi).
“Më datë 2 tetor 2022, Prokuroria Durrës ka registruar procedimin në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal, në ngarkim të disa shtetasve ndër të cilët edhe Gentjan dhe Indrit Beqiraj dhe Kevin Zeneli (Suçi). Ku vëllezërit Beqiraj, kanë dhënë detaje me interes, në lidhe me ngjarjen e ndodhur më datë 4 Janar 2022, në Bar Kafe ‘Focus’, në lagjen ‘Don Bosko’, në Tiranë”, thuhet në dosje.
Sipas vëllezërve Beqiraj, personi i parë që i kishte kontaktuar për të vrarë Geron Hasanbelli, ishte Ilirian Feçi, i cili i kishte ofruar 100 mijë euro për ta kryer këtë vrasje, të cilën sipas tij e kërkonte me çdo kusht Kasandër Noga. Por ndërsa vëllezërit Beqiraj, nuk kishin mundur ta kryenin këtë vrasje, një ditë ata shikojnë në televizor, se puna që kishin marrë përsipër, ishte kryer nga një tjetër grup kriminal. Por, në vend të objektivit të vërtetë të atentatit, ishin vrarë persona të tjerë të pafajshëm.
“Pasi unë pashë në televizor më datë 4 Janar 2022, ngjarjen e ndodhur te lokal ‘Focus’ në rrugën ‘Don Bosko’, ku ishin qëlluar me armë disa persona, ndër të tjera konstatova nga pamjet filmike se automjeti tip ‘Mercedes Benz’ që ishte përdorur në krim, ishte i njëjti me atë që Kevin Zeneli (Suçi), na kishte sjellë fillimisht për të vrarë shtetasin Arben Mërkuri, njohur si ‘Maneci’. Automjet që më pas Kevini na e kishte marrë pa lajmëruar”, sqaron Indrit Beqiraj.
Indrit Beqiraj tha më tej se ai u përpoq të lidhej që nga ai moment me Kevin Zenelin, por kjo telefonatë ishte e pamundur, pasi Kevini e kishte telefonin të fikur. Ndërkohë që ai vetë filloi të dyshonte fort se autorësinë e krimit të ‘Don Boskos’ e kishte marrë përsipër dikush tjetër ose Kevini ia kishte dhënë një vrasësi të ndryshëm me pagesë.
Edhe pse nuk po kuptonte se përse nuk ishin vrarë objektivat që atij i ishin dhënë më herët nga Kevini dhe Kasandër Noga, por emra të tjerë për të cilët nuk ishte folur më parë. Ndërkohë, ata u takuan së bashku dy ditë më pas, ku Indriti e pyeti për atë çfarë kishte ndodhur. “Menjëherë sapo pashë ‘Benzin’, unë telefonova Kevinin, por ai nuk ma hapi telefonin. Gjatë kohës që ai po më shoqëronte me makinë, unë e pyeta për punën e ‘Don Boskos’, ndërsa ai mu përgjigj, se u ngatërrua informata. Më tej unë e pyeta Kevinin se më kë e kishte kryer ngjarjen e ndodhur, por ai nuk më tregoi emër, vetëm më tha që i kishte dhënë dikujt një shumë prej 50 000 eurosh”, thotë Beqiraj.
Më tej Indrit Beqiraj tha për grupin hetues se vetë Kevin Suçi, i kishte thënë se ai kishte qenë pasagjer në makinën që qëlloi ndaj tavolinës ku ndodheshin të ulur personat, që më pas rezultuan se ishin të gabuarit dhe se nuk ishte faji i vrasësit, por i informatorit të Kasandrit që kishte ngatërruar objektiv. Sipas Indrit Beqirajt, Kevini i kishte thënë se shënjestra e gabuar e atentatit mbante një kapele dhe një xhup të kuq të veshur. Por viktima nuk ishte Erjon Hasanbelli me nipat e tij, por dikush tjetër me të afërmit e tij.
Do të ishin këto rrëfime të lidhura me gjetjet e grupit hetues në vazhdim, të cilat do të konfirmonin rolin e Kevin Suçit dhe Kasandër Nogës, në masakrën e ‘Don Boskos’ si edhe ndjekjen që vëllezërit Beqiraj, i kishin bërë Geron Hasanbelli dhe nipave të tij. Këto informacione, më pas Kevin Suçi dhe Kasandër Noga i kishin shfrytëzuar, për të mbajtur në kontroll lëvizjet e Erjonit, i cili në këto kohë ndodhej në Tiranë. Pavarësisht se në përfundim të aksionit të tyre, ata gabuan, dhe qëlluan ndaj personave të tjerë.
“Pas rrëfimeve të vëllezërve Beqiraj, të cilët treguan me gisht banesën e marrë me qira, në vijim ata treguan edhe lokalin ‘Focus’ në rrugën ‘Don Bosko’ që e kishin mbajtur në vezhgim si dhe vendin ku ata qëndronin në distancë, një lokal që gjendet përballë atij ‘Focus’. Po kështu vëllezërit Beqiraj, treguan edhe tabakinon që ishte objekti ku vinin dhe ruanin nipat e vëllezërve Hasanbelli, që është në zonën e ‘Astirit’ në Unazë”, thuhet në dosje.
Po kështu vëllezërit Beqiraj, treguan për grupin hetues edhe vendet e tjera të përdorura nga ta, për të fshehur makinat që ua jepte në dispozicion Kevin Suçi. Si edhe vendet ku ata lëviznin së bashku, qoftë për të qenë pranë objektivave të tyre, por edhe aty ku shkonin për të bërë planet se si mundeshin t’u afroheshin. Ku gjithmonë personi që i mbikëqyrte ishte Kevin Zeneli, që shpesh u përcillte porositë e Kasandër Nogës se si duhet të vepronin. Ku për herë të parë del në skenë edhe automjeti tip ‘Mercedes Benz’ që u përdor më pas në ngjarjen kriminale të ‘Don Boskos’.
“Gjatë hetimeve, vëllezërit Beqiraj, treguan edhe garazhin poshtë një pallati, ku Kevin Suçi kishte marrë një mjet ‘Hunday’ me qira dhe kishte lënë një tjetër. Si edhe itinerarin e lëvizjes që të çon në rrugën e ‘Lapidarit’ në kodrën e lagjes Sauk i Vjetër, aty nga ku kishin marrë mjetin ‘Benz’ me targa suedeze me ngjyrë blu të errët, që dyshohet se më pas është përdorur në ngjarjen e datës 4 Janar 2022 në rrugën ‘Don Bosko’”, thuhet në dosje.
Me interes për grupin hetues, ishin edhe dëshmia e nipërve të shënjestrave të vërteta të atentatit, vëllezërve Hasanbelli, të cilët konfirmuan se një nga dajat e tyre, Erjoni, ishte në lokalin ‘Focus’, vetëm një ditë para se të ndodhte ngjarja. Ata që ishin vënë në ndjekje të rreptë, por që deri më tani thjesht kishin pasur nuhatjen se diçka rreth tyre nuk shkonte. Por që nuk kishin nga ta dinin se kundërshtarët e tyre dhe njerëzit që ishin porositur për t’i vrarë, u ishin afruar aq pranë, sa mjaftonte një trokitje gishtash dhe ata të eliminoheshin.
“Dajat tonë Geron dhe Erjon Hasanbelli, me origjinë nga Patosi, janë në hasmëri të vazhdueshme me shtetasin Kasandër Noga. Me qëllim për t’ju shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme, ata jetojnë kryesisht jashtë Shqipërisë. Gjatë qëndrimit në vendin tonë ata kanë banuar kryesisht në Fier dhe Tiranë”, thotë Igli Hatia. Më tej një nga nipërit e vëllezërve Hasabelli, treguan edhe për kohën se kur dajat e tyre ishin në Shqipëri. Si edhe faktin që bashkërisht ishin frekuentues të rregullt të lokalit ‘Focus’, që ishte në pronësi të një miku të tyre dhe se një nga dajat Erjoni, ishte larguar nga aty vetëm një ditë para se të ndodhte krimi i pesëfishtë.
“Daja im Erjoni ka qenë në Shqipëri në muajin muajin mars ose qershor 2021 dhe është larguar nga këtu disa ditë, pas ngjarjes së ndodhur në ‘Don Bosko’. Ndërsa daja tjetër Geron Hasanbelli, gjatë kësaj periudhe kohore ka qenë në Belgjikë. Gjatë fundit të vitit 2021 dhe fillimit të vitit 2022, unë dhe vëllai im Ani Metushi takoheshim pothuajse çdo ditë me dajën tonë Erjonin dhe të tre frekuentonim rregullisht lokalin ‘Focus’, në rrugën ‘Don Bosko’, Tiranë”, thotë Hatija. Më tej në dëshminë e tyre, nipat e vëllezërve Hasanbelli, thanë se gjatë kohës së qëndrimit në kafenenë e mikut të tyre në zonën e ‘Don Boskos’, ata kishin parë shpesh lëvizje të dyshimta. Dhe kjo mesa duket i kishte bërë më të kujdesshëm në lëvizjet e tyre. Por ata nuk ishin ende të sigurt nëse dikush po i ndiqte për t’i vrarë, edhe pse ata lëviznin me masa të shtuara. Kjo për shkak të konflikteve të hapura që ata kishin me Kasandër Nogën. Por edhe faktin që ai dhe njerëzit e tij kohë pas kohe ishin përpjekur t’i dëmtonin, duke i sulmuar fizikisht.
Ashtu siç në fakt kishin bërë edhe vëllezërit Hasanbelli, që nuk kishin vonuar të përgjigjeshin, edhe gjatë qëndrimit të tyre në Belgjike ndaj Kasandër Nogës dhe njerëzve të tij. Duke i lënë edhe të vrarë.
“Për shkak të problemeve që dajat kanë, ne mundoheshim të ishim sa më të kujdesshëm dhe vigjilent. Ne makinat tona i parkonim te një parking përpara lokalit. Gjatë muajit nëntor-dhjetor 2021 ne vumë re që te lokali vinin persona të dyshimtë, të panjohur për ne, që qëndronin vetëm. Dhe po kështu pamë që sapo këta persona futeshin ose dilnim nga lokali, në rrugë lëviznin mjete me xhama të zinj. Çka na krijoi dyshimin se mund të na ndodhte ndonjë gjë e keqe”, thotë Hatija.
Duke iu kthyer edhe njëherë ditëve të fundit të qëndrimit në lokal ‘Focus’ në rrugën ‘Don Bosko’, një nga nipat e vëllezërve Hasanbelli, kujton se makinat ata i linin gjithmonë përballë lokalit. Ashtu si edhe ditën kur ndodhi krimi. Çka mund ti ketë çuar porositësit e vrasjes, në mendimin se shënjestrat ishin të ulur të gjithë bashkë në lokal. Një arsye me shumë gjasa që ata gabuan në skenarin e tyre për të vrarë Erjon Hasanbelli dhe nipat e tij.
“Për herë të fundit në lokalin ‘Focus’ ne ishim më datë 3 Janar 2022, një ditë para ngjarjes. Aty kemi gjetur edhe dajën tonë Erjonin. Më datë 4 Janar, unë dhe vëllai nuk shkuam te lokali në fjalë. Mesa di në këtë datë, nuk ka shkuar as daja jonë Erjoni. Ndërkohë që ditën kur ndodhi ngjarja, të gjitha makinat tona, ishin të parkuara te lokal ‘Focus’ në Don Bosko. Midis tyre edhe një ‘Citroen C4’ me të cilin lëvizte daja. Që nga ajo ditë, pasi ndodhi krimi, daja im dhe ne bashkë me të, vendosëm të mos lëviznim, pasi kuptuam se ishim objektivi i sulmit”, thotë Hatija.
Por ndjekja për të vrarë një nga vëllezërit Hasanbelli dhe mos arritja e qëllimit, duket se këtë herë është fokusuar vetëm te nipat e tyre. Të cilët thonë se nisën të shikonin lëvizje të dyshimta të dy personave, rreth tabakinos që ata sapo kishin hapur në zonën e ‘Astirit’ në kryeqytet. Në rrugë private ata siguruan edhe pamje filmike të një lokali, aty nga ku shfaqeshin dy vëllezërit që ishin gjithmonë pas tyre.
“Gjatë periudhës 15-20 janar 2022, unë së bashku me vëllain tim jemi marrë me hapjen e një ‘Tabakino’ te kryqëzimi i ‘Astirit’. Nga fillimi i muajit shkurt, në pamë që pranë biznesit tonë të kalonin shpesh herë në këmbë dy persona të moshës rreth 30 vjeç, të cilët ngjanin shumë me njëri-tjetrin. Të cilët më tej hynë në bisedë me ne. Ata na thanë se ishin nga Durrësi dhe vinin në Tiranë për të shitur peshk. Madje një ditë na ftuan edhe për kafe. Ne filluam të dyshonim te këta dy persona. Pasi sapo ne parkonim makinën tonë, pas nesh vinte gjithmonë një ‘Ford Focus’. Gjatë kësaj kohe në rrugë private ne siguruam pamjet filmike të një lokali, ku dalloheshin këta dy persona që ishin vëllezër”, tha Igli Hatija
Këta dy vëllezër që rezultuan se po i ndiqnin, ishin Indrit dhe Gentjan Beqiraj. Të cilët, nipat e shënjestrave të vërteta të atentatit, i njohën pas arrestimit të tyre në muajin tetor, kur u rrëmbyen dhe u dhunuan fizikisht në autostradën Tiranë-Durrës.
Pasi ishin në aksion, duke kryer një tjetër punë me pagesë. Një aksion që u doli nga duart pasi dikush i tradhtoi. Po ku me t’u arrestuar ata do të tregonin me radhë për të gjithë krimet që ishin rekrutuar për të vrarë. Edhe pse vetë nuk kishin mundur të qëllonin mbi viktimat, për të cilët thanë se do të paguheshin mirë. Por ku krahas këtyre ngjarjeve, ku në njërën prej tyre objektivi ishte arritur, ata dekonspiruan edhe profilin e Kasandër Nogës dhe të nipit të tij Kevin Zeneli (Suçi) në Masakrën e ‘Don Boskos’
“Në muajin qershor 2022, dajës tim Erjon Hasanbelli, i është bërë një atentat me armë zjarri në Belgjikë, ku si autor të kësaj ngjarje, autoritetet belge kanë identifikuar Kasandër Nogën, si edhe një person tjetër”, thotë Hatija.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në ‘Don Bosko’, ku u vra një person dhe u plagosën katër të tjerë, në pyetje nga grupi hetues, u mor edhe Geron Hasanbelli. Që mendohet se ishte shënjestra e parë e atentatit. Njeriu që më shumë se kush do mund të dinte për Kasandër Nogën dhe që kurrë nuk kishte qetë nga përndjekja e tij. Që nga Masakra e ‘Sanatoriumit’ në vitin 2000, ku Noga dhe miqtë e tij hynë në këtë spital dhe qëlluan ndaj familjarëve të tij, duke lënë të vrarë dhe të plagosur dhe deri më sot, nuk i kanë kursyer plumbat ndaj njëri-tjetrit, jashtë dhe brenda Shqipërisë.
“Vëllai im, Mikel Rakipllari, alias Erjon Hasanbelli dhe nipat e mi Igli dhe Ani Metushi kanë qenë frekuentues të rregullt të lokalit ‘Focus’, në pronësi të shtetasit me emrin Eno (Enelian Adushaj). Unë jam në konflikt të vazhdueshëm me shtetasin Kasandër Noga, i cili ka vrarë babain tim në vitin 2000 në ‘Sanatorium’. Dhe në vazhdim ai është përpjekur vazhdimisht që të më eleminojë fizikisht mua dhe vëllain tim në vitet 2018, 2019 në Tiranë, Rrogozhinë dhe Fier. Ngjarje për të cilat nuk kam bërë kallëzim në organet e ndjekjes penale”, deklaronte Geron (Gentjan) Hasanbelli.
Geron Hasanbelli i vuri në dispozicion grupit hetues edhe pamje filmike të vëllezërve Beqiraj, të cilët vihen re teksa lëvizin në zonën e ‘Astirit’, pranë biznesit në pronësi të nipave të tij. Ndërsa grupi hetues, po nëpërmjet pamjeve filmike të marra nga lokali ‘Fokus’ ku ndodhi masakra e ‘Don Boskos’, mundi të konfirmojë faktin, se Erjon Hasanbelli dhe nipat e tij, ishin frekuentues të rregullt të këtij lokali, deri një ditë para ngjarjes.
“Gjatë këqyrjes së pamjeve filmike në lokalin ‘Focus’, në ambientet e jashtme dhe të brendshme, rezulton se në muajin dhjetor, shtetasi Erjon Hasanbelli, nipat e tij dhe një rreth i ngushtë shoqëror, vihen re shpesh në praninë e njëri-tjetrit. Po kështu evidentohet se këta shtetas, janë fokusuar nga kamerat e sigurisë në ambjentet e lokal Bar ‘Focus’ dhe në parkingun e automjeteve që ndodhet përballë tij, në ditë dhe intervale të ndryshme kohore duke filluar nga data 24 Dhjetor 2021, deri më datë 3 Janar 2022”, thuhet në dosje. Lidhur mbi rrëfimet e vëllezërve Beqiraj, se ata ishin kontraktuar nga Kevin Zeneli (Suçi) dhe Kasandër Noga, për të ndjekur dhe vrarë një nga vëllezërit Hasanbelli, si edhe nipat e tij, grupi hetues i ballafaqoi këto të dhëna edhe me ato të zbuluara në terren.
Ata ndoqën çdo detaj të dëshmisë së tyre, për të siguruar që ata ishin të vërtetë në thëniet që ata po jepnin. Çka u vërtetuan edhe nga gjurmët që ata dhe Kevin Zeneli (Suçi) si personi që i kishte marrë në angazhim, kishin lënë, kudo ku kishin lëvizur nëpër Tiranë, në ndjekje të vëllezërve Hasanbelli dhe nipave të tyre. “Në lidhje me deklarimet e vëllezërve Beqiraj se Kevin Zeneli (Suçi), ka banuar në një apartament në Tiranë, kjo provohet edhe nga kontrata e qirasë që ky shtetas ka lidhur në muajin nëntor 2021. Po kështu deklarimi i tyre se automjeti tip ‘Mercedes Benz’ që u përdor në krim ishte i njëjtë me atë që u ishte dhënë nga Kevin Suçi, për një tjetër ngjarje kriminale, u provuan edhe nga pamjet filmike të datës 4 Janar 2022”, thuhet në dosje. Sipas pamjeve filmike, u arrit të vërtetohej plotësisht i gjithë itinerari që makina e vrasësve kishte ndjekur që në mbërritjen në lokal ‘Focus’, deri në zhdukjen përfundimtare në fshatin Gjorm në Laç. Aty ku humbi gjurmët, bashkë me vrasësin, që edhe sot nuk dihet se kush është.
“Në orën 16:09 në rrugën kryesore përpara lokal ‘Focus’ shikohet një automjet ‘Mercedez Benz’, me ngjyrë të zezë, që lëviz nga Spitali Ushtarak në drejtim të rrugës ‘Don Bosko’. Dhe menjëherë, pas të shtënave ky automjet largohet nga vendi i ngjarjes, ku në orën 16:15 makina e autorëve është fokusuar nga kamerat e sigurisë në autostradën Tiranë-Durrës. Dhe më pas në lëvizje në rrugën e vjetër të fshatit Gjorm, në drejtim të Laçit”, thuhet në dosje.
Do të duhej atentati ndaj Erjon Hasanbelli në Bruksel në muajin qershor të vitit 2022, që Kasandër Noga, jo vetëm të arrestohej në Austri me kërkesë të autoriteteve belge, por edhe të zbulohej plani i tij për të vrarë vëllezërit me të cilën ishte në përplasje të vjetër. Një atentat që tronditi edhe vetë shtetin belg, ku këto personazhe ishin parë shpesh të ishin në përplasje. Ku këtë herë Kasandër Noga thuhet se e kreu krimin bashkë me nipin e tij. Të njëjtin që e kishte angazhuar edhe në Shqipëri për disa vrasje të tjera, disa prej tyre të cilat kishte mundur t’i arrinte t’i realizonte me sukses.
“Më datë 11 qershor 2022, është informuar se në qendër të Brukselit një person i dyshuar ka qëlluar me 6 plumba pas shpine, shtetasin Mikel Rakipllari alias Erjon Hasanbelli, i datëlindjes 1978, i cili pasi është dërguar në spital, i ka mbijetuar këtyre goditjeve. Si autor i dyshuar i këtij sulmi me armë është identifikuar shtetasi Kevin Zeneli (Suçi), datëlindja 1999, i cili ka qenë i shoqëruar nga Kasandër Noga”, thuhet në dosje. Por ndërsa Kasandër Noga u arrestua në Austri, si i dyshuar për plagosjen me armë në qershor të vitit 2022 në Belgjikë të Erjon Hasanbelli, ai nuk mundi të zhdukte dot provat nga aparati i tij celular. Prova që treguan se ai është një nga personat kryesorë që ka gisht edhe në Masakrën e ‘Don Boskos’ më 4 janar 2022, në Tiranë. Ku sërish objektivi ishte Erjon Hasanbelli. Por që mundi ta shënjestrojë vetëm 6 muaj më pas në Bruksel. “Gjatë kësaj kohe nga autoritetet belge është bërë e mundur hapja dhe deshifrimi i aparatit celular të shtetasit Kasandër Noga. Ku del se ky shtetas është i përfshirë edhe në disa fakte që kanë çuar në vrasjen e shtetasit Arben Mërkuri, më datë 18 maj 2022, në Sukth Durrës. Si dhe në fakte të tjera që kanë çuar në vrasjen e shtetasit Erjon Çela, ndodhur më datë 4 Janar 2022, në Bar ‘Focus’, në rrugën ‘Don Bosko’ në Tiranë”, thuhet në dosje. Ajo çka hetuesit belgë zbuluan në aparatin celular të Kasandër Nogës, ishte jo vetëm mënyra se si u përgatiti masakra e ‘Don Boskos’, pavarësisht mos arritjes së qëllimit, por edhe se si ai kishte ende lidhje të forta brenda strukturave të policisë, që vazhdonin ta informonin në lidhje me lëvizjet brenda dhe jashtë Shqipërisë të vëllezërve Hasanbelli, një polici që vazhdon të jetë e inkriminuar.
Dhe që del herë pas here në dosje kriminale, duke ndihmuar personazhe të kësaj bote për të arritur qëllimet e veta. Ashtu sikundër duket se ka ndodhur edhe në ndjekjen që Kasandër Noga, i ka bërë vëllezërve Hasanbelli dhe nipave të tyre.
Ku pa këtë informacion të dalë nga Policia e Shtetit, Kasandër Noga do ta kishte të pamundur t’i ndiqte, në momentin kur ata futeshin dhe dilnin nga Shqipëria.
“Nga bisedat e kryera nga shtetasi Kasandër Noga me nipin e tij Kevin Zeneli (alias Kevin Suçi) dhe me persona të tjerë, del se arma e zjarrit ‘Makarov’, e përdorur nga Kevin Zeneli, në ngjarjen e Brukselit, është blerë prej tij në Tiranë. Ndërkohë që rezulton se Kasandër Noga të ketë marrë informacione nga sistemi TIMS, që prej datës 20 Nëntor 2020”, thuhet në dosje. Po kështu nga analiza e mëtejshme e telefonit të Kasandër Nogës, u gjetën edhe foto të rivalëve të tij. Si edhe të ambienteve që ata frekuentonin në rrugën ‘Don Bosko’.
Që dëshmonin për përgatitjen që Kasandër Noga dhe të tijtë, po bënin, për të larë hesapet me vëllezërit Hasanbelli dhe të afërmit e tyre. Foto të cilat ishin realizuar në vende dhe pozicione të ndryshme, çka tregonin për survejimin e rreptë që Kasandër Noga dhe njerëzit e tij, u kishin bërë rivalëve të tyre.
“Në seksionin ‘Screenshots’ u gjendën foto të personave të ndryshëm, në dukje të nxjerrë nga sistemi TIMS, i Policisë së Shtetit, si dhe foto të lokal ‘Focus’. Më konkretisht foto e një automjeti në dukje ‘Mercedez Benz’ me ngjyrë gri me shënimin ‘Frateloo’ 26 Dhjetor 2021, i ndaluar në një parkim që ndodhet përballë Bar ‘Focus’ në rrugën ‘Don Bosko’, Tiranë.
Foto me shënimin ‘Cucu’ ku vërehen portretet e dy personave në dukje të nxjerra nga sistemi i policisë TIMS, të identifikuar si shtetasi Igli Hatia (Metushi) dhe Ani Rapaj (Metushi)”, thuhet në dosje.
Në fotot e tjera të gjetura në telefonin e Kasandër Nogës, nuk mungojnë edhe ato të Erjon Hasanbelli. Ku miqtë e Nogës dalin se ishin të informuar shumë mirë mbi oraret e lëvizjes së tij. Ku lokal ‘Focus’ duket se ishte i rrethuar nga paparacët e Nogës, që fotografonin gjithçka dhe këto foto më pas ia dërgonin atij.
“Foto portret i një personi të seksit mashkull me shënimin ‘Frateloo’ 11 Qershor 2021, i identifikuar si shtetasi Mikel Rakipllari. Foto ku shfaqen dy automjete tek një parking ku automjeti me targẽ AA 008 ZC, shihet i markuar me rreth. Foto e një personi të seksit mashkull me kapele në kokë identifikuar si shtetasi Mikel Rakipllari alias Erjon Hasanbelli, duke qëndruar në këmbë në trotuarin përpara lokal ‘Focus’, në rrugën ‘Don Bosko’, Tiranë”, thuhet në dosje. Por një e dhënë me interes për grupin hetues, është edhe një video që vetë Kasandër Noga, ka xhiruar vetëm pak minuta pas ngjarjes kriminale të ndodhur në ‘Don Bosko’, ku ai është i shqetësuar pasi në titra, nuk po dalin emrat e viktimave.
“Në kategorinë ‘Video’ ndër të tjera u gjet edhe një regjistrim video ku shfaqet shtetasi Kasandër Noga në ambjentet e një banese, duke filmuar veten. Pas tij në sfond duket televizori që është në kanalin ‘News 24″, duke raportuar për ngjarjen e ndodhur në një lokal në rrugën ‘Don Bosko’, në Tiranë. Gjatë kësaj video Kasandër Noga, dëgjohet teksa thotë: ‘Shoku si kalove? Ja në shpi jam vlla, po shof këtë. Kam merak për ty vlla e kupton. Po shoh këtu, po nuk po jep emra’”, thuhet në dosje.
Ndërkohë që në telefonin e Kasandër Nogës, janë gjendur edhe biseda audio, që vërtetojnë lidhjen e tij me ndjekjen që i është bërë vëllezërve Hasanbelli, kohë pas kohe, ku në këto biseda del një person i dytë, i cili e mban të informuar për çdo lëvizje të tyren. Person që nuk është bërë i njohur për grupin hetues. Por që mesa duket ka informacion të plotë mbi aktivitetin kriminal të Kasandër Nogës dhe qëllimeve të tij për të qëlluar mbi Hasanbellit dhe njerëzit e tij të ngushtë të rrethit familjar.
“‘Nuk ishte objektiv i vështirë burazer e kupton, se atë po e pe në rrugë trak i vete në anësore bërrrr një ashtu dhe iku mbaroi, puna është si do dalim në përballje e kupton’. ‘E shikon rrugën ‘Don Bosko’ vlla, aty tek kthesa kur merr për në Laprak është bërë një lokal i ri, aty më thanë sikur e kanë parë nja dy herë’. ‘Fratelo nuk e di tani sa e vërtetë është por tani një informacion unë e kam. Unë jam i bindur për vete se ai personi që ma dha është shumë i afërt me Fushkrujsit edhe unë ngaqë po kërkoj grupe për vete më tha’”, thuhet në audio-regjistrim.
Po kështu nëpërmjet zbërthimit të telefonit të Kasandër Nogës, u arrit të provohej edhe lidhja e tij me Kevin Zenelin (Suçi), si personi që ishte dërguar prej tij, për të mbaruar punë me vëllezërit Hasanbelli në Shqipëri. Ndërkohë që Kasandër Noga, rezulton se për plagosjen me armë ndaj Erjon Hasanbelli, në muajin qershor të vitit 2022, është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Bruksel me 15 vite burgim, Po kaq edhe Kevin Suçi i cili është ende në arrati. Por pas dështimit për të vrarë Erjon Hasanbelli në Tiranë, Kasandër Noga dhe Kevin Zeneli, bëhen gati ti japin goditjen e duhur armikut të tyre në Bruksel, aty ku ai ndodhej aktualisht.
“Nga zbërthimi i telefonit të shtetasit Kasandër Noga, rezulton se ai dhe Kevin Zeneli janë takuar me njëri-tjetrin më datë 14 Janar 2022 dhe datë 21 Janar 2022 në Kroaci. Ku po në këtë datë Kevin Zeneli niset për në Shkup, dhe bën përpjekje për të marrë një pasaportë kroate për çmimin 10 000 euro. Më datë 30 Maj 2022, Kevin Zeneli ka marrë armën ‘Makarov’ dhe do ia lërë dikujt”, thuhet në dosje. Por pasi duket se Kevin Zeneli ka siguruar armën e tip pistoletë ‘Makarov’ në Tiranë dhe Kasandër Noga e ka pëlqyer, ai niset për ta takuar në Bruksel, aty ku 10 ditë më pas do të qëllojnë mbi Erjon Hasanbellinë, të cilin mesa duket e kanë pikasur se ku qëndron në kryeqytetin belg.
“Më 31 Maj ai konfirmon se ndodhet në Tiranë. Ai i dërgon fotografi Kasandër Nogës, ku i thotë të zgjedhë. Nga biseda rezulton se është një person me emrin ‘EMI’ ai që duket se ka komunikuar me anë të një personi të tretë vendndodhjen e Mikel Rakipllarit, më datë 11 qershor 2022 në Belgjikë”, thuhet në dosje. Janë të gjithë këto prova që kanë çuar në bindjen e grupit hetues, se Kasandër Noga, i cili aktualisht ndodhet në një burg në Belgjikë, por që nuk ka marrë ende një dënim nga autoritetet e drejtësisë në Shqipëri, lidhur me masakrën e ‘Don Boskos’ të ndodhur më 4 Janar 2022, dhe nipi i tij Kevin Zeneli (Suçi), janë personat kryesorë që kanë organizuar atë krim ku u vra një njeri i pafajshëm dhe u plagosën katër të tjerë. Por sa kohë që dikush është jashtë qelive, askush nuk mund të ndihet i qetë. Ashtu si edhe vëllezërit Hasanbelli, sa kohë njerëzit e Kasandër Nogës, janë ende të lirë për të qëlluar në çdo kohë.