Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, paralajmëroi të hënën shtimin e trysnisë mbi Kosovën dhe Serbinë për zbatimin e marrëveshjes së arritur një vit më parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, zoti Borrell shprehu keqardhjen për moszbatimin e marrëveshjes për të cilën palët u pajtuan me 18 mars të vitit 2023 në Ohër.
“Më vjen shumë keq që kjo marrëveshje që u arrit me vështirësi nuk është zbatuar. Do të vazhdojmë trysninë mbi të dyja palët që të ecin përpara, por një vit me pas zbatimi nuk është i tillë çfarë kam pritur”, tha zoti Borrell.
Me 27 shkurt të vitit të kaluar kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, u pajtuan për një marrëveshje normalizimi mbi një plan i cili qe bërë i njohur si nisma franko gjermane.
Me 18 mars në Ohër ata u pajtuan për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjes e cila kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Marrëveshja u mirëprit nga diplomacia perëndimore dhe pati një shkallë optimizmi se zbatimi i saj do të fillojë menjëherë. Por, kjo nuk ndodhi dhe palët kaluan periudha tensionesh të larta që kulmuan me 24 shtator kur një polic i Kosovës u vra gjatë një sulmi serbësh të armatosur.
Më 21 tetor të dërguarit amerikanë dhe evropianë u dorëzuan palëve një dokument për zbatimin e marrëveshjes, pjesë e së cilës ishte edhe një propozim për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është edhe pika më e vështirë e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.
Me 26 tetor udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u takuan me udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, presidentin francez, Emannuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, në kuadër të përpjekjeve perëndimore për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se ishte i gatshëm të nënshkruante projektin e ofruar nga diplomacia perëndimore për themelimin e Asociacionit duke akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç se e refuzoi atë.
Presidenti serb tha se nuk është shtruar çështja e nënshkrimit apo mosnënshtrimit gjatë bisedimeve, ndërsa e cilësoi propozimin e 21 tetorit si një bazë të mirë për vazhdimin e diskutimeve në të ardhmen.
Me 27 tetor presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni në një deklaratë të përbashkët i kërkuan Kosovës të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërsa Serbisë që të njohë de-facto shtetësinë e Kosovës.
Por procesi i themelimit të Asociacionit ende nuk ka filluar, ndërsa Serbia tha se nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që çojnë në njohjen de facto apo de jure të Kosovës.
Të dielën zoti Borrell tha se Bashkimi Evropian u rikujtoi palëve vazhdimisht se “marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj sipas ligjit ndërkombëtar dhe çdo mungesë zbatimi rrezikon integrimin evropian të tyre”
Por, ndonëse është paralajmëruar disa herë që marrëveshja do të shndërrohet në pjesë të kuadrit negociues të Serbisë për anëtarësim në bllok dhe hapave të Kosovës drejt integrimeve, nuk ka pasur një vendim nga Bashkimi Evropian.
Të hënën, kryeministri shqiptar Edi Rama shkroi se ndërsa afrohet takimi i Këshillit Evropian që do të mabhet me 21 mars, është thelbësore të kujtohet se zbatimi i Marrëveshjes së vitit të kaluar “është i një rëndësie të madhe për ruajtjen e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe paqes në Ballkanin Perëndimor”.
Nuk mjafton vetëm pohimi se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme, shkroi ai duke theksuar se për të siguruar përparim ajo duhet të përfshihet zyrtarisht si pjesë përbërëse të proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE.
“Çdo vonesë për ta bërë këtë vetëm e forcon status quo-në. Dhe status quo-ja në lidhje me këtë çelës strategjik për një fqinjësi paqësore, të begatë dhe evropiane në mes të Evropës nuk i shërben sigurisë së vetë Evropës”, shkroi kryeministri Rama.
Zbatimi i marrëveshjes pritet të diskutohet të martën në takimin e kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë që pritet të takohen në Bruksel. Por takimi pritet të mbetet në hijen çështjes së përdorimit të dinarit serb, që është shndërruar në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.
Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit për pagesa të gatshme në Kosovë, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e perëndimit për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës, të cilët vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Serbia.
Diplomatët perëndimor i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë këtë rregullore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive./VOA