Gjyqtari i Gjykatës së Lezhës, Artan Hajredinaj u përball të martën më 12 mars me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore që zgjati gjashtë orë, dha shpjegime për listën e gjatë të barrave të provave dhe gjetjeve të relatuara në kriterin e pasurisë dhe të profesionalizmit, duke i kundërshtuar ato.
Procesi i vetingut për gjyqtarin Hajredinaj po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Firdes Shulin dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.
Artan Hajredinaj ka punuar fillimisht si noter përpara se të emërohej gjyqtar në vitin 2007. Ai ka punuar në Gjykatën e Tropojës në vitet 2007-2016, ndërsa gjatë tetë viteve të fundit e ka ushtruar funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Relatimi i gjetjeve të hetimit administrativ evidentoi mungesë të burimeve për krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve, paqartësi e pasaktësi në deklarime, dyshime për fshehje pasurie, konstatimin e gjendjes në kushtet e konfliktit të interesit, si dhe cënim të etikës në kontaktet me dy persona të përfshirë në krimin e organizuar, për një prej të cilëve kishte vendosur moslejimin e ekstradimit drejt Italisë. Megjithatë, këto kontakte nuk u konsideruan nga Komisioni penalizuese në kriterin e pastërtisë së figurës, me argumentin se nuk kishin qenë të përsëritura.
Gjyqtari Hajredinaj i parashtroi vetë kundërshtimet për barrat e provës në kriterin profesional, ndërda për pasurinë u mbrojt nga avokatja Romina Zano.
Problemet për pasurinë
Subjekti ka deklaruar blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 113.1 m2 në vitin 2006, për vlerën 45 mijë euro dhe 30 mijë euro për punime të brendshme dhe mobilim. Si burim krijimi ka deklaruar të ardhurat nga puna si noter, nga shitja e dy sipërfaqeve tokë-vresht në Tropojë dhe një kredi.
Sipas Shulit, konstatohet paqartësi në deklarimet e subjektit, se sipas kontratës së porosisë çmi është shënuar 45 mijë euro, ndërsa ai ka deklaruar se i ka paguar shoqërisë shumën 40 mijë euro dhe se pesë mijë euro i janë falur.
Megjithëse Hajredinaj ka deklaruar se kredia është marrë për të kryer punimet e brendshme dhe mobilimin, ka rezultuar se vlera e disbursuar i është kaluar shoqërisë ndërtuese dhe për rrjedhojë, është konsideruar se çmimi apartamentit ka qenë shumën 74 mijë e 510 euro.
KPK konstaton se nga puna si noter rezulton të jenë fituar rreth 5.2 milionë lekë. Ndërkohë, nga analizimi transaksioneve të kryera me tokën, ka rezultuar se Hajredinaj i ka blerë dy pasuritë në vitin 2006 për shumën totale 1.5 milionë lekë dhe i ka shitur pas katër muajve për më shumë se 12.3 milionë lekë.
Nisur nga diferenca e madhe mes çmimit të blerjes dhe shitjes së këtyre pasurive në një hark kohor prej katër muajsh, si dhe nga fakti se subjekti nuk ka kryer ndonjë investim, KPK ngre dyshime se bëhet fjalë për transaksione fictive me qëllim krijimin e të ardhurave. Bazuar në këto konstatime, të ardhurat nga shitja e këtyre pasurive nuk janë konsideruar në analizën financiare.
Ndërkohë, është konsideruar si burim për apartamentin shuma 35 mijë euro e marrë kredi.
Nga analiza fianciare paraprake e kësaj pasurie, ka rezultuar bilanc negativ në shumën 1.8 milionë lekë para detyrës dhe 2.4 milionë lekë gjatë ushtrimit të funksionit.
Lidhur me pasaktësitë në deklarime, avokatja Zano shpjegoi se, megjithëse elementët e deklarimeve u përkasin formave të ndryshme, kanë të njëjtin rezultat. Ajo theksoi se nuk evidentohen probleme për vërtetësinë e transaksioneve dhe solli në vëendje se kontrata e porosisë është nënshkruar para fillimit të detyrës.
Sipas avokates, nuk ka pasur ndryshim të çmimit dhe se kredia ka shkuar për llogari të punimeve dhe mobilimit. Ajo shpjegoi se kalimi i kredisë për llogari të shoqërisë ishte bërë për shkak të mundësimit të përfitimit të kësaj huaje nga banka. Zano shtoi se shoqëria e kishte tërhequr cash vlerën e kredisë që më pas subjekti e ka përdorur për të kryer punimet shtesë.
Zano deklaroi se e kundërshtonin qëndrimin e Komisionit për të mos përfshirë në analizë të ardhurat nga shitja e dy ngastrave me vreshta në Tropojë. Ajo theksoi se transaksionet ishin të ligjshme dhe të kryera para noterit e për rrjedhojë duhej të konsideroheshin. “Pasuritë janë blerë dhe shitur para detyrës dhe nuk ka dyshime lidhur ushqtrimin e detyrës së tij”, pohoi Zano dhe shtoi se subjekti ka dashur të investojë dhe fitojë.
I pyetur nga Komsioni dhe vëzhguesi ndërkombëtar lidhur me blerjen e këtyre pasurive për një çmim disa herë më të ulët nga sa i kishte shitur pas katër muajve, subjekti shpjegoi se shitësja ishte një e moshuar e ve që nuk kishte mundësi të investonte dhe donte të fitonte diçka për të mbuluar shpenzimet. Ai pohoi se kishin shkuar tek zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme ku kishin pyetur dhe për çmimin e referencës që sipas tij ishte 100 lekë për m2 dhe kështu ishin dakordësuar.
Hajredinaj tha se kishte dashur të investonte, por pasi kishte komunikuar me blerësin që ishte një biznesmen i suksesshëm që kërkonte të blinte tokë për të ndërtuar një punishte, ishin dakordësuar për çmimin 12.3 milionë lekë dhe i kishte shitur të dy ngastrat. Në seancë u shpjegua se investimi nuk ishte kryer as nga apal blerëse pasi ai kishte ndërruar jetë pak vite më vonë. Subjekti këmbënguli se të ardhurat ishin të ligjshme pasi ishin paguar dhe detyrimet tatimore dhe kërkoi që të përfshihen në analizë, që sipas tij e përmbysin bilancin negativ të konstatuar.
Hajredinaj ka deklaruar përfitimin e të ardhurave nga shitja e disa pasurive të paluajtshme, konkretisht të disa njësive në Tropojë. nga hetimi ka rezultuar se subjekti ka blerë një njësi në shumën 1.5 milionë lekë në vitin 2005 dhe në 2006-ën është miratuar leje për shesh ndërtimi. Po ashtu, ka blerë edhe dy troje në vitin 2006. Sipas aktit të kolaudimit të vitit 2008 janë krijuar dy njësi, që më pas janë ndarë në pesë njësi, tre prej të cilave subjekti i ka shitur dhe dy i ka dhuruar shtetasit F.Gj..
Relatorja Shuli shpjegoi se subjekti ka deklaruar se shtetasi F.Gj. i ka disponuar gjithmonë dy njësitë pasi ka qenë pronar i truallit dhe njësisë dhe se akti i dhurimit ka qenë për t’i rikthyer pjesën e tij.
Komisioni konstaton se gjyqtari Hajredinaj nuk ka pasur mundësi të kryej investimet për shtesat e nnjësie në shumën prej 1.7 milionë lekë në periudhën 2006-2007, para fillimit të detyrës dhe vlerën prej 11.3 milionë lekë në periudhën 2007 – 2008.
Po ashtu, KPK konstaton se subjekti nuk ka deklaruar njësitë në vitin 2009, se ka bërë deklarime të pasakta dhe të paplota ndër vite dhe gjatë procesit në lidhje me sipërfaqet e burimin e krijimit, si dhe se mbetet e paqartë arsyeja e dhurimit në vitin 2016, shtatë vite pas regjistrimit të këtyre pasurive. Shuli tha se ngrihen dyshime për dhurime fiktive, pasi pretendimet mbeten në nivel deklarativ.
Avokatja Zano tha se ato veprime janë kryer në kohën kur subjekti ka qenë noter. Sipas saj, njësitë ekzistonin dhe se Hajredinaj ka bërë vetëm një shtesë. ajo shpjegoi se shtetasi F.Gj. kishte hequr dorë juridikisht nga pasuritë me qëllim që të mund të realizohej zhvillimi lejes ndërtimore, por se kishte qenë gjithmonë pronari defacto i dy njësive që më pas i janë dhuruar prej subjektit.
Mbrojtja e Hajredinajt kundërshtoi edhe analizën financiare të KPK duke kërkuar që ajo të jetë kumulative dhe të konsiderohen një kredi 3 milionë lekë për të cilën është vendosur si kolateral një njësi.
Subjekti u përball me barrë prove dhe për një apartament në Shëngjin në pronësi të vëllait, të përdorur rregullisht prej tij gjatë muajve të verës. Sipas KPK, Hajredinaj nuk e ka shënuar në deklaratën veting përdorimin dhe burimin e kësaj pasurie, që rezutlon ta ketë porositur vetë në vitin 2007, por pa prokurorë përfaqësimi nga i vëllai.
Nga hetimi ka rezultuar se kontrata e energjisë elektrike ka qenë në emër të subjektit, ndërkohë që lidhjen e kontratës përfundimtare të shitjes, vëllai e ka bërë në vitin 2019, rreth 11 vite pasi kjo pronë është regjistruar në emër të shoqërisë ndërtimore. Po ashtu, është konstatuar se nuk është vërtetuar mundësia e vëllait për blerjen e kësaj pasurie në shumën 30 mijë euro.
Shuli tha se nga të dhënat e administruara ka rezultuar se administrator shoqërisë ndërtuese, me të cilin subjekti ka lidhur kontratën e porosisë në dhjetor të 2007-ës, ka qenë i proceduar dhe dënuar në Milano të Italisë për krim të organizuar dhe se po atë vit është lëshuar dhe urdhër arresti ndërkombëtar. Ndërkohë, sipas KPK, duket se gjyqtari Hajredinaj ka refuzuar lejimin e ekstradimit të ndërtuesit në kundërshtim me provat dhe me ligjin, duke e favorizuar atë. Komisioni ngre dyshime se apartamenti në Shëngjin është pasuri e fshehur e subjektit.
Avokatja Zano sqaroi se subjekti kishte nënshkruar kontratën e porosisë, pasi i vëllai nuk gjendej. Lidhur me mungesën e prokurorës së përfaqësimit, ajo solli në vëmendje lidhjen e gjakut mes tyre. Ldhur me burimet e krijimi, Zano konstatoi se bashkëshortja e vëllait të subjektit kishte marrë pak ditë para nënshkrimit të kontratës së porosisë një kredi që e kishte dërguar në Shqipëri. Sipas saj, në përshkrimin e qëllimit të marrjes së kredisë, thuhej se do të përdorej për blerjen e një shtëpie pushimi. Lidhur me librezën e energjisë elektrike në emër të subjektit, Zano shpjegoi se kishte qenë një pasaktësi që ishte korrigjuar më vonë.
Nga analiza financiare e përgjithshme paraprake e kryer në KPK, ka rezultuar bilanc negativ në shumën 4.2 milionë lekë për periudhën 1998 – 2007 dhe 14.2 milionë lekë në vitet në vijim deri në 2016-ën, kur ka ushtruar detyrën e gjyqtarit – pamundësi që u kundërshtuan nga subjekti i cili kërkoi ndër të tjera konsiderimin e vlerave të përfituara nga shitja e pasurive dhe kursimet cash ndër vite.
Figura dhe profesionalizmi
Komisioni ka vlerësuar se subjekti ka pasur vetëm një kontakt me administratorin e shoqërisë ndërtuese të dënuar për krim të organizuar me të cilin ka nënshkruar kontratën e porosisë për apartamentin në Shëngjin në vitin 2007. Shuli tha se kontakti ka qenë vetëm në momentin e nëshkrimit të kontratës së porosisë dhe jo i përsëritur. për rrjedhojë nuk është konsideruar si kontakt i papërshtatshëm.
Hajredinaj nuk është gjetur në kontakt të papërshtashëm as në një udhëtim të kryer me një person të dënuar fillimisht për krim të organizuar, pasi Gjykata e Lartë e kishte rikualifikuar veprën penale duke e përjashtuar nga krimi organizuar.
Në aspektin profesional, Shuli renditi një sërë gjetjesh e barra prove të konstatuara në raportin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, në 54 denoncimet nga publikua të depozituara kundër tij, si dhe nga fakte të zbuluara gjatë hetimit administrativ, të cilat u kundërshtuan nga gjyqtari Artan Hajredinaj.
Ai vërejti se vendimet për të cilat janë konstatuar mangësi, janë lënë në fuqi nga Apeli.
Lidhur me konstatimin e KPK, se në pesë raste ka pranuar kërkesa për ulje dënimi jo në përputhje me kriteret ligjore, subjekti dha se ai i kishte pranuar pjesërisht ato dhe jo në uljen maksimale prej 90 ditësh.
Për denoncimet, ai tha se ishin kryer nga persona anonimë dhe jo nga palët duke i konsideruar si dashakeqe, kundër karrierës së tij.
Lidhur me konstatimin e gjendjes në konflikt interesi të mundshëm me shoqërinë me të cilën ka nënshkruar porositjen e apartamentit në vitin 2007, subjekti tha se me personin e dënuar në Itali për krim të organizuar kishte kryer vetëm nënshkrimin e kotratës. Ai theskoi se nuk kishte pasur ansjë njohje apo lidhje me pronarët e shoqërisë ndërtuese.
Shuli tha se subjekti kishte shqyrtuar dy çështje civile me palë këtë person, kun ë njërin rast kishte kërkuar dorëheqje, ndërsa herën tjetër jo. Hajredinaj shpjegoi se krkesa e parë nuk i ishte pranuar dhe prandaj nuk ishte drejtuar sërish me kërkesë për heqje dorë.
Shuli tha se nga aktet e administruara duket se autoritetitet e drejtësië italiane, kanë dhënë garanci pr rishikimin e vendimit. Por subjekti pohoi se ishte shënuar vetëm baza ligjore që mundësonte apelimin e dënimeve të kryera në Itali pa praninë e të panehurit apo avokatit të tij.
Sipas Hajredinajt, shteti Italian nuk kishte garantuar rishikimin e çështjes që nga shkalla e parë, por mundësohej vetëm kryerja e apelimit. Po ashtu, solli në vëmendje se dhe prokuroria ishte tërhequr nga kërkesa për ekstradim dhe prandaj kishte vendosur moslejimin e ekstradimit të atij shtetasi.
Sipas KPK, subjekti duket se ka cënuar etikën e gjyqtarit për shkak të favorizimit të pronarit të shoqërisë ndërtuese me vendimin e moslejimit të ekstradimit të tij, me fshehjen në dukje të apartamentit në Shëngjin, si dhe me kontaktet me personat e proceduar.
Hajredinaj u qëndroi deklarimeve të tij për këto gjetje dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 19 mars, në orën 09:45./Reporter.al