Partia Demokratike u bëri sërish thirrje fermerëve që të ngrihen në protesta dhe mosbindje civile.
Kreu i Departamentit të Bujqësisë në PD, Gjok Vuksani tha se fermerët janë lënë në mëshirë të fatit nga qeveria.
Madje sipas tij, mbështetja financiare për fermerët është reduktuar me mbi 45 përqind këtë vit.
DEKLARATA E PLOTË
Bujqësia siguron punën dhe jetesën e 40% të shqiptarëve. Bujqësia është sektori më i prapambetur i ekonomisë shqiptare sepse në shtatë tre-mujorët e fundit ka një rritje afër zeros. Qeveria Rama nuk ka marrë asnjë masë për ndryshimin e kësaj situate. E vetmja anti-masë është ulja e buxhetit të bujqësisë për 2024 me 11.6% krahasuar me një vit më parë.
Skema e mbështetjes për fermerët, për këtë vit është buxhetuar me rreth 45,3 % më pak se viti 2023.
Nga 141 milion euro që janë buxhetuar për bujqësinë shqiptare vetëm 24% shkojnë direkt për fermerët, ndërsa 76% e buxhetit shkon për shpenzime operative, dieta, rroga etj. Sa për krahasim Kosova i mbështet fermerët me rreth 120 milion euro për vitin 2024. Slogani “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa” sa i takon qeverisë Rama mund të shndërrohet në :Ta bëjmë Shqipërinë si Kosova”.
Më 6 mars 2024 doli VKM për “Përcaktimin e kritereve bazë të mbështetjes për bujqësinë e zhvillimin rural, për vitin 2024.
Vonesa në shpalljen e kritereve për skemën kombëtare të mbështetjes do të pasohet edhe me një vonesë të dytë, hartimin e udhëzimit të përbashkët ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financës gjë e cila ka penguar fermerët për të planifikuar kulturat bujqësore që do të mbjellin.
VKM e vitit 2024 është një copy-paste e skemave mbështetëse të vitit të kaluar edhe pse ka muaj të tërë që ministrja e re trumbetoi me fjalë të mëdha “konsolidim”, “kooperim”, “bashkim” etj, etj…
Megjithëse blegtoria po shkon drejt shfarosje,s me përgjysmimin e numrit të lopëve të qumështit gjatë 10 viteve të fundit, dhe reduktimin e 700 mijë krerëve të të imtave në pesëvjeçarin e fundit, skema mbështetëse vazhdon të mbetet e njëjtë prej një dekade.
Janë ruajtur të njëjtat pagesa për blegtorinë, 10 mijë lekë për çdo lopë dhe 1200 lek për çdo dhi dhe dele.
Ndërkohë në Kosovë blegtorët subvencionohen me 180 euro për çdo lopë dhe 30 euro për çdo dele apo dhi.
Janë ruajtur në mënyrë identike kufijtë e poshtëm të financimit prej 10 lopë dhe 100 dele, megjithëse studimi i FAO i 2022 thekson se kjo skemë mbështetëse për blegtorinë ka ndikuar në reduktimin e numrit të bagëtive.
Është ruajtur e njëjta pagesë prej 200 mijë lekë (një vlerë qesharake) për mbështetjen e kultivimit të perimeve në serë, por është vendosur një vizë e kuqe që nuk mund të kapërcehet nga shumica e fermerëve, sepse duhet të mbjellin jo më pak se 1 hektar.
Është ruajtur e njëjta skemë për naftën falas për fermerët, duke vendosur si kufi minimal sipërfaqen prej 1 ha, duke eliminuar automatikisht pothuajse të gjithë fermerët në zonat veriore dhe lindore të Shqipërisë që disponojnë pak tokë.
Nga mungesa e certifikatave të pronësisë mbi token, shpeshherë, nafta nuk shkon tek ai që e punon tokën por tek ai që disponon letrat.
Është hequr, pa asnjë studim, skema për mbështetjen e peshkimit, megjithëse direktivat e Bashkimit Europian e konsiderojnë si prioritet zhvillimin e “Ekonomisë Blu”.
Është hequr skema për “Tregjet e produkteve bujqësore, tregjet e kafshëve të gjalla dhe thertoret”, megjithëse tregtimi i produkteve bujqësore është një nga problemet më të mprehta që ka bujqësia shqiptare.
Fermerët e shesin kastravecin dhe domaten me 20 lekë, ndërsa grosistët e shesin te konsumatorët me 10 fish, kur 90 % e transaksioneve janë informale, dhe në këtë situatë Ministria e Bujqësisë heq dorë nga mbështetja e tregut të produkteve bujqësore.
Ndërsa fakti më skandaloz është pika 3 e VKM, ku fondi në dispozicion rezulton më i vogël se totali i kërkesës së aplikimeve, vlera e financimit që përfitohet për njësi (krerë, zgjua apo hektar), reduktohet në përputhje me këtë fond.
E thënë më thjeshtë, kur fondi në një skemë është i pamjaftueshëm për të gjithë aplikuesit, ai ndahet sipas parimit komunist “nga një thërrime për të gjithë”.
Pra, një blegtor nuk do të marrë 10 mijë lekë për një lope, sipas VKM, por 5 apo 6 mijë lekë, në varësi të fondit që jep qeveria.
Në politikat mbështetëse të qeverisë shqiptare nuk ka asgjë për mekanizimin dhe automatizimin, si i vetmi instrument për zhvillimin e bujqësisë në kushtet e shpopullimit të fshatit.
Gjithashtu nuk jepet asnjë mbështetje për eksportet, si një nga prioritet e bujqësisë shqiptare, nuk mendohet fare për sigurimin e kulturave bujqësore në kushtet e ndryshimeve klimatike të theksuara dhe riskut të madh që ka VENDI YNË.
Partia Demokratike nuk e shikon subvencionin si qëllim në vetvete, por si mekanizëm që mbi bazën e studimeve paraprake, mund të orientojë fermerët drejt kulturave dhe teknologjive fitimprurëse.
Partia Demokratike ka gjithashtu një program ambicioz për Bujqësinë, ku si pika kryesore mund të theksojmë:
-Financimi i bujqësisë si sektor prioritar, duke synuar 3.5% të buxhetit të shtetit, në përputhje me peshën që sjell ajo në GDP kombëtare.
-Barazimin e vlerës së TVSH për prodhimet bujqësore, si në shitje ashtu edhe në blerje.
-Mbështetja financiare për fermerët do të jepet për njësi prodhimi, dhe aty ku është e domosdoshme për sipërfaqe apo krerë, pa hallka të ndërmjetme burokratike, por direkt mbi bazën e faturave të gjeneruar nga sistemi digjital i drejtorisë së tatimeve.
U bëjmë thirrje fermerëve dhe blegtorëve t’i bashkohen protestës dhe mosbindjes civile. Në vend që të hidhni në kanale prodhimet tuaja, duhet të hidhni në kosh këtë qeveri pushtuese, që i sheh fermerët e vendit të vet si të huaj dhe mall për eksport, pra për emigrim!
Koha për tu ngritur: o sot, o kurrë!