Kërcënimet e presidentit rus, Vladimir Putin, për përdorimin e armëve bërthamore, nuk duhet të shkaktojnë panik, por duhet të merren seriozisht, thotë Hans Kristensen, drejtor i Projektit për Informacione Bërthamore në Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, Kristensen thotë se Perëndimi “duhet të komunikojë direkt me rusët për pasojat që do t’i kenë” nëse përdorin armë bërthamore.
Javën e kaluar, Putin paralajmëroi për rrezikun e një lufte bërthamore me NATO-n, nëse ajo do të dërgonte trupa për të luftuar në anën e Ukrainës.
Deklarata u bë pasi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, foli për mundësinë e dislokimit të trupave të NATO-s në Ukrainë, në të ardhmen.
Kristensen beson se Putin “do që ta trembë Perëndimin që të mos përfshihet direkt në luftën në Ukrainë” dhe thotë se me kërcënimet e tilla, deri më tash, “duket se ka pasur sukses”.
Radio Evropa e Lirë: Presidenti rus, Vladimir Putin, ka kërcënuar se do të përdorë arsenalin e armëve bërthamore së paku në tri raste në dy vjetët e fundit. Pse e bën këtë?
Hans Kristensen: Me sa duket, ai do që ta trembë Perëndimin që të mos përfshihet direkt në luftën në Ukrainë dhe beson se, duke kërcënuar me pasoja të rënda – përfshirë ato bërthamore – e parandalon atë.
Deri më tash, duket se ka pasur sukses, sepse Perëndimi vazhdimisht thotë se nuk do që të përfshihet direkt në luftën në Ukrainë, nga frika se mund të shndërrohet në një konflikt më të gjerë, shumë më të gjerë me Rusinë. Ky, pra, duket të jetë qëllim i tij.
E, nëse vërtet do t’i përdorë armët bërthamore dhe në cilat rrethana, është një çështje shumë e vështirë për t’u kuptuar.
Radio Evropa e Lirë: Sipas jush, cilat do të ishin ato rrethana?
Hans Kristensen: Kërcënimet bërthamore – ose gjuha e ashpër kur bëhet fjalë për çështjen e armëve bërthamore – nuk janë një gjë e re. Nuk kanë filluar me luftën në Ukrainë. Ato janë bërë edhe më herët. Për shembull, kur Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sistemin e mbrojtjes raketore në Evropë, rusët kanë bërë kërcënime bërthamore kundër vendeve perëndimore, si Polonisë, Danimarkës e të tjera. Pra, ky është stili i rusëve.
Strategjia e tyre bërthamore përmend disa situata që duhet të ndodhin, për t’u konsideruar përdorimi i armëve bërthamore. Një prej tyre do të ishte nëse Rusia do të sulmohej me armë të shkatërrimit në masë, përfshirë armët bërthamore.
Por, është pak e paqartë se ku është vija ndarëse, çfarë e përbën Rusinë… Për shembull, një nëndetëse raketore që është në det, supozohet të jetë ruse, edhe pse nuk është fizikisht brenda Rusisë. Pastaj, rajonet që Rusia i ka aneksuar ilegalisht nga Ukraina – a do të shihen ato si pjesë integrale e Rusisë? Nuk e dimë. Është shumë e paqartë.
Radio Evropa e Lirë: A do ta ndihmonte Rusinë përdorimi i armëve bërthamore?
Hans Kristensen: Që të ketë efekt ushtarak në Ukrainë, Rusisë do t’i duhet të përdorë një numër të konsiderueshëm armësh bërthamore.
Pra, për të pasur efekt në operacionet e betejës në një zonë të madhe, duhen përdorur dhjetëra armë bërthamore. Ky është një mësim që Shtetet e Bashkuara e nxorën gjithashtu në vitin 1991, kur po planifikonin luftën kundër diktatorit të Irakut, Saddam Husein. Ato studiuan nëse përdorimi i armëve bërthamore taktike do t’i shkatërronte forcat konvencionale irakiane në fushën e betejës. Konstatuan se po, por se do t’iu duhej të përdornin shumë armë bërthamore. Dhe, për shumë arsye, por përfshirë edhe këtë, ato e përjashtuan si opsion.
Kështu që, çfarë do të përfitonte Putini nga përdorimi i disa armëve bërthamore në Ukrainë? Ndoshta jo shumë, pos frikës që do të shkaktonte në fushëbetejë.
Por, një opsion tjetër është që ai t’i përdorë ato kundër qyteteve të mëdha. Në atë rast, do të ishte një lloj arme terrori dhe jo taktike. Megjithatë, Perëndimi e ka bërë shumë të qartë disa herë – madje edhe drejtpërdrejt para zyrtarëve rusë – se nëse ata do ta bënin këtë, do të kishin pasoja të rënda.
Me sa kam dëgjuar, nuk e ka specifikuar se çfarë pasojash, por lehtësisht mund të shohim një konfrontim të drejtpërdrejtë midis forcave të NATO-s dhe forcave konvencionale ruse në rajon.
Pra, ka shumë teori se çfarë do të mund të ndodhte, por qartazi është thënë se diçka e re do të ndodhte.
Radio Evropa e Lirë: A do të përgjigjeshin Shtetet e Bashkuara me armë bërthamore?
Hans Kristensen: Jo. Nuk mendoj se kjo do të ndodhte për disa arsye. Para së gjithash, është vështirë të shihet se çfarë do të nxirrnin nga përdorimi i tyre, ndërsa rusët do ta shihnin si sulm bërthamor kundër Rusisë. Një gjë e tillë, sipas të gjitha gjasave, do ta përshkallëzonte shpejt konfliktin. Kështu që, mendoj se Shtetet e Bashkuara nuk janë të interesuara ta ndjekin atë rrugë bërthamore.
Por, me siguri se do t’i konsideronin sulmet konvencionale kundër forcave ruse në rajon. Është vështirë të thuhet se cila do të ishte gjëja më e mençur për t’u bërë, por ndoshta do ta sulmonin njësinë që ka përdorur armën bërthamore, ose do të sulmonin forcat sulmuese ruse në Krime, ose në ndonjë vend tjetër si ai.
Është vështirë të parashikohet, por çfarëdo që të ndodhë, rrezikon ta përshkallëzojë luftën në një zonë më të gjerë, jo vetëm në Ukrainë, por në një zonë më të gjerë.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Putini i kupton implikimet e luftës bërthamore?
Hans Kristensen: Po, mendoj se i kupton. Putini ka qenë i ashpër sa i përket retorikës, por në terren nuk kemi parë shumë ndryshime. Nuk është se ai ka ndryshuar mënyrën se si i operon forcat bërthamore. Nuk është se ai i ka vendosur forcat që kanë aftësi bërthamore pranë Ukrainës, për të sinjalizuar se po bëhet serioz. Pra, është një lojë që po e luan me retorikë, tani për tani.
Por, sigurisht, ka forca strategjike në gatishmëri. Pastaj, forcat bërthamore jostrategjike, me rreze të shkurtër veprimi, mund të sillen në një lloj statusi të plotë operacional, brenda disa ditësh ose javësh… Pra, gjërat mund të ndryshojnë me shpejtësi.
Radio Evropa e Lirë: A është kërcënimi i fundit ndryshe prej rasteve të mëparshme? Vjen në kohën e frikës në Evropë rreth angazhimit të SHBA-së për sigurinë e saj.
Hans Kristensen: Kërcënimet, fillimisht, kanë qenë të paqarta dhe jospecifike. Pastaj, pas aneksimit të katër rajoneve [ukrainase nga Rusia], ato janë bërë më eksplicite. Putin, në mënyrë shumë eksplicite, e ka përdorur fjalën bërthamore.
Por, retorika ruse për këtë është paksa e ngatërruar, sepse i kemi dëgjuar këto gjëra, këto kërcënime që vijnë nga shumë anë të ndryshme të Rusisë. Putin, natyrisht, është një personazh që thotë diçka, por janë edhe zyrtarët ushtarakë, mediat… Të gjithë lejohen të thonë gjëra në publik dhe, qartazi, duan ta trembin Perëndimin, që të mos përfshihet direkt në Ukrainë.
Por, e përsëris, unë mendoj se Putini është i vetëdijshëm për pasojat e luftës bërthamore. Nuk mendoj se fjalimi i fundit ka sjellë diçka të re ose ndryshe. Ai është lidhur me atë që ka thënë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, për dislokimin e mundshëm të trupave të NATO-s në Ukrainë. Putin e ka shfrytëzuar këtë mundësi për të thënë diçka në lidhje me armët bërthamore, por nuk ka thënë diçka të re nga ajo që kemi dëgjuar më herët.
Radio Evropa e Lirë: Atëherë, sa seriozisht duhet ta marrim atë?
Hans Kristensen: Problemi është se kur bëhen shumë kërcënime bërthamore, në një moment, njerëzit fillojnë të mos ju marrin seriozisht. Kjo mund të jetë mirë dhe keq.
Nëse Putini ka shumë nevojë për t’i përdorur kërcënimet bërthamore, kjo tregon, në njëfarë mënyre, se ai është i dobët. Por, në anën tjetër, mund të rezultojë që njerëzit në Perëndim të relaksohen dhe të thonë: ai po e bën të njëjtën gjë, nuk duhet ta marrim seriozisht.
Kështu që, ka rreziqe nga të dyja anët e kësaj. Unë mendoj se nuk duhet të bëjmë panik, por se duhet ta marrim seriozisht dhe të komunikojmë direkt me rusët për pasojat që do t’i kenë [nëse përdorin armë bërthamore].
Radio Evropa e Lirë: Si duhet t’i adresojnë Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja këto kërcënime?
Hans Kristensen: Kjo bëhet në nivele të ndryshme. Një është diplomacia. Ata i thërrasin zyrtarët rusë, i takojnë… Ju kujtohet në vitin 2022, kur këto kërcënime bërthamore kanë qenë veçanërisht të fuqishme, është zhvilluar një takim mes shefit të CIA-s dhe inteligjencës ruse. Pas këtij takimi, Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një nëndetëse me raketa balistike bërthamore në Mesdhe. Ajo ka vizituar Gjibraltarin dhe ka qëndruar atje për pesë ditë, për të treguar flamurin. Ky ka qenë një sinjal shumë i qartë se SHBA-ja ka forca bërthamore në mbështetje të NATO-s.
Kemi parë edhe shembuj të tjerë të këtyre operacioneve, përfshirë disa vizita në Evropën veriore.
Po ashtu, kemi parë se si [Perëndimi] ka nisur të flasë më shumë për rolin e forcave jostrategjike bërthamore të NATO-s në Evropë./REL