Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë të përbashkët për mediat me komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi pas përfundimit të samitit Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor i mbajtur në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij, Rama i doli në mbrojtje procesit të Ballkanit të Hapur, ku sipas tij, të gjitha ato që janë dëgjuar për këtë janë gjepura.
“Kemi shumë njerëz që punojnë jashtë, duke ndihmuar familjet. Për çdo para që dërgojnë kostoja e transaksionit është 6 herë më e lartë krahasuar me transaksionet e vendeve të BE. Plani i ri do të na lejojë ta çojmë këtë kosto në të njëjtin vend me atë të shteteve anëtare. Kjo do të thotë se do të kursejmë me këtë gjysmë miliard euro. Do të kursehet nga xhepat e qytetarëve shqiptarë dhe do të kursehen nga kostot e bizneseve tona. Kjo është vetëm një prej këtyre gjërave, por ka shumë të tjera që janë pjesë e planit të rritjes që na jep mundësinë të kemi kushte dhe procese që janë krejt të njëjta me ato të shteteve anëtarë. Këto gjëra kanë ndodhur kur një vend bëhej anëtar. Tani po ndodhin para se të bëhemi anëtarë
Ana tjetër është financimi, më shumë financime, me projekte dhe për buxhetet tona. Jam i kënaqur që arritëm në këtë pikë. Nuk ka qenë e lehtë, por është mjaft shpërblyese. Nga ana tjetër dua t’ju them se të gjitha ato përpjekje që kemi bërë për të ecur drejt integrimit rajonal përmes planit të ri të rritjes tani më duhet të ndodhin, pa “por”, pa arsye politike për të bërë marrëveshje. Kur flisnim sesa e rëndësishme ishte të ecej më shpejt përmes rrugëtimit rajonal, për të arritur më pranë njëri tjetrit, tani më është e qartë që po të kishim bërë më shumë përpara do të kishim qenë më pranë tani. Pra integrimi evropian shkon përmes integrimit rajonal. Kjo s’ka diskutim, nuk është e diskutueshme dhe plani i ri e vulos këtë. Të gjitha gjepurat që kemi dëgjuar për Ballkanin e Hapur janë tashmë qartësisht të ekspozuara si gjepura”, tha Rama.
Për kreun e qevberisë shqiptare, është mendësia e rajonit pengesa më e madhe që do të duhet të kalojë Shqipëria për t’iu bashkuar Bashkimit Europian. Rama tha për planin e ri të rritjes se për diçka të tillë ishte rënë dakord edhe 10 vite më parë, por shkopinjtë nën rrota që fqinjët i fusin njëri-tjetrit dhe përplasjet me bazë politike e kanë mbajtur peng integrimin.
“Pengesa e vetme më e madhe së cilës mund ti trembemi është mendësia midis vendeve të rajonit sepse siç e thashë më parë, ky plan i ri i rritjes sa i takon çfarë duhet të bëjmë në planin rajonal është saktësisht ajo që kemi rënë dakord në parim 10 vite më parë. Është saktësish çfarë jemi përpjekur të çojmë përpara me Ballkanin e Hapur dhe arsyeja që në 10 vjet nuk arritëm të përparonim aq sa do të donim ishte mendësia dhe ndërhyrja e çështjeve politike dhe retorikës së politikave të brendshme kundër interesave tona. Pra pengimi i qarkullimit të kamionëve është krejt kundër frymës së Procesit të Berlinit dhe shkronjës së planit të ri të rritjes.” – tha Rama.
Sipas kryeministrit, tashmë ka vend për optimizëm pasi deklarata e samitit të sotëm është firmosur nga të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Rama tha se ajo çka duhet bërë në vijim është puna e përbashkët për të ecur më shpejt drejt BE-së. Kjo sipas Ramës duhet të ndërlidhet edhe me reformat e thella në përshtatje me direktivat dhe legjislacionin e bllokut, që Shqipëria dhe çdo vend tjetër në rajon duhet të zbatojë deri në 2027.
“Deri më tani shohim që ka vullnet të mirë, deklarata e përbashkët është miratuar nga të 6 vendet. Kemi rënë dakord të përqendrohemi fort te puna së bashku. Nëse do të jemi në gjendje ti bëjmë gjërat së bashku do të ecim shumë shpejt, nëse jo do të dështojmë të gjithë, sepse çdo gjë është e ndërlidhur. Nuk mund të pretendosh që të kesh një kosto transaksioni të njëjtë me vendet e Be dhe pastaj koston tjetër të transaksionit t’ia ngecësh fqinjit. Jo nuk funksionon. E dyta është puna e brendshme. Plani i rritjes nuk është i shkëputur nga reformat e vendeve anëtare. Plani i rritjes është një bashkudhëtar i procesit tonë të rezultateve në reforma. Si Shqipëri na duhet të ecim përpara me një valë të re reformash, që e kemi nisur.” – deklaroi kryeministri.
Rama tha më tej se pas 5 viteve ose pak më shumë Shqipëria do të anëtarësohet në BE.
“Ajo që ka të bëjë me thelbin jo me procedurën ne vazhdojmë të punojmë çdo ditë me komisionin. Sipas pikëpamje sonë është e rëndësishme pasi po bëjmë punën. Do ta vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë. Kemi nisur dhe jemi shumë të kënaqur me modelin e IA për përkthimin, i cili është shumë bindës. Kjo do të na bëjë të fitojmë shumë kohë. Kur procesi të hyjë në fazën tjetër do të kemi shumë të përparuar. Në planin e rritjes ka tregues të qartë. Më së shumti shteti i së drejtës, kemi ecur përpara sa i takon shtetit të së drejtës. Kjo na dha shumë avantazh. Mos harroni ne ishim të bllokuar dhe komisioni ka luftuar shumë me shtete anëtare për të nisur negociata, kemi humbur kohë. Ashtu siç tregon procesi i kontrollit kemi punuar ndërkohë. Kemi punuar, nuk jemi në momentin përfundimtar. Anëtarësimi do të vijë shpresoj uroj pas 5 apo pak më shumë viteve. Dhe pastaj mund të shqetësohemi se dikush na shqetëson. Për ne është e rëndësishme që be të funksionojë këtu.”- tha Rama.