Është mbajtur sot në Pallatin e Kongreseve në Tiranë samiti Ukrainë – Europa Juglindore, dedikuar tërësisht Ukrainës, vetëm disa ditë nga dyvjetori i nisjes së agresionit rus në Kiev.
Kjo ishte vizita e parë e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky në Shqipëri. Në samit kanë marrë pjesë liderët e Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor, mes të cilëve dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani apo presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Pas takimit “kokë më kokë” me kryeministrin Edi Rama, Zelensky reagoi në rrjetet sociale ku bëri me dije se kanë diskutuar mbi bashkëpunimin për prodhimin e mundshëm të armëve të përbashkëta.
“Që në ditët e para të pushtimit të plotë, Shqipëria ka mbështetur Ukrainën në luftën tonë për liri dhe integritet territorial. Gjatë takimit me kryeministrin shqiptar Edi Rama ne nënshkruam Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë. Ky dokument do të ndihmojë në forcimin e bashkëpunimit tonë me Shqipërinë dhe pozicionin e Ukrainës në Ballkan. Sot diskutuam gjithashtu nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe prodhimin e mundshëm të armëve të përbashkëta. I jemi mirënjohës qeverisë dhe popullit shqiptar. Nuk do ta harrojmë kurrë qëndrimin e ngrohtë të shoqërisë shqiptare ndaj ukrainasve” – shkruante Zelensky.
Gjatë fjalimit të mbajtur në samit, kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje vendeve më të fuqishme që të japin mbështetje financiare e ushtarake për Ukrainën, pasi sipas tij, Shqipëria është e vetëdijshme se nuk i ka këto kapacitete. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, nuk mund të lihet Rusia që të fitojë luftën, pasi në të kundërt Europa do të ishte në rrezik.
“Duam të ripërtërijmë thirrjen tonë ndaj Rusisë që të ndalë këtë luftë. Një paqe që respekton Ukrainën dhe të drejtën e saj. Mbetemi të vendosur ndaj Ukrainës. Pavarësisht asaj për të cilën ende nuk mund të mos biem dakord të shohim para. E ardhmja që ne në Shqipëri shohim është e ardhmja e përbashkët. Prania juaj na bën që të pranojmë diçka që na bashkon me popullin Ukrainas. Jemi këtu për të treguar mbështetjen për Ukrainën e popullin e saj. Duam të ripërtërijmë angazhimin tonë. Një paqe që respekton Ukrainën dhe të drejtat e saj. Mbetemi të vendosur përkrah Ukrainës. Jemi të vetëdijshëm për kufizimet tona! E them se sa të vetëdijshme jemi dhe nuk kemi kapacitetin për të ushtruar mbështetjen financiare e ushtarake, u bëj thirrje që të njohin rolin e tyre. Mbijetesa e Ukrainës si një shtet i lirë varet nga mbështetja financiare e ushtarake që ata ofrojnë. Kjo mbështetje nuk duhet të jetë peng i interesave dritëshkurtër. Mënyra për ti dhënë fund luftës është të ndalim agresorin. Të ndalosh Ukrainën në vend që të ndalosh Putin e shndërron paqen në një bazë legjitimimi të një agresioni të mëtejshëm.
Të mobilizojmë kapacitetet e burimet tona, ajo çka na bën bashkë, institucionet tona, organizatat tona, të bëjmë gjitha që mundemi për të mos e lënë agresionin të shpërblehet. Ne s’mund ta lëmë Rusinë të fitojë, e Ukrainën të humbasë, një rezultat i tillë do ishte i papërballueshëm, bashkësia europiane do ishte në rrezik, një ardhme që është shumë e dhimbshme. Kjo luftë është edhe për lirinë dhe dinjitetin tonë për një paqe të drejtë për Ukrainën dhe popullin e saj. Shqipëria ka bërë sa mundet dhe do vazhdojë të bëjë edhe më tej. Së fundi për shumë ato kombe të vogla, si ne që nuk duhen të kthehen ushqim për rolin imeralist të Rusisë, kemi nevojë për qartësi absolute rreth Ukrainës, solidaritet të palëkundur me Ukrainën.” – tha Rama.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Zelensky, gjatë fjalës hapëse në samit, ka propozuar që të krijohet një forum i posaçëm për industrinë e mbrojtjes mes vendit të tij dhe Ballkanit.
“Gjatë kësaj lufte ne kemi vërtetuar se është e mundur t’i bësh ballë dhe të fitosh mbi një armik që duket si një nga më të fortët në botë. Çdo komb mund t’ia dalë përmes bashkëpunimit mes vendeve. Ne propozojmë që këto përpjekje tonat të gërshetohen dhe të fuqizohen. Jemi krenarë që kemi rreth 500 kompani në fushën e mbrojtjes që operojnë në Ukrainë, por kjo nuk mjafton të fitojmë mbi Putinin. Ne shohim probleme në ofertën sa i përket municioneve, ndaj jemi të interesuar në bashkëprodhimi ne municioneve me ju. Ekipi ynë do të prezantojë detajet dhe propozojmë që të organizohet një forum i posaçëm për industrinë e mbrojtjes mes Ukrainës dhe Ballkanit”, tha Zelensky.
Ndërsa, gjatë konferencës së përbashkët, pas përfundimit të samitit, kryeministri Edi Rama i ka rikonfirmuar dhe një herë presidentit të Ukrainës mbështetjen dhe përkrahjen e Shqipërisë, teksa sërish theksoi se duhet edhe “mbështetja e më të mëdhenjve dhe më të pasurve.” Rama theksoi se përkundër asaj që disa mund të pretendojnë, lufta nuk fitohet duke i ndaluar Ukrainës furnizimin me armë.
“E shohim me shqetësim që kjo mbështetje ndonjëherë ngecet. Se Ukraina shndërrohet në çështje e politikës së brendshme të një vendi. Ose se ndodhin vonesa burokratike… Nëse demokracitë kanë procedurat e tyre, demokracitë janë më të vështira dhe komplekse për të punuar dhe sjellë rezultate. Nga ana tjetër shohim një agresor që nuk ndalet për asnjë sekondë së godituri për të pasur më shumë territor, për të marrë jetët e pafajshme. Ata pretendojnë se ndalja e dhënies së armëve Ukrainës, do të sjellë paqen. Kjo është jo vetëm cinike, por edhe absurde. Nuk e ndal luftën duke ç’armatosur viktimën. E ndal luftën, duke ndalur agresorin. Dua të përfitoj nga ky rast, që t’u them të gjithë atyre që po dëgjojnë se Ukraina e meriton të mbështetet me të gjitha mjetet e nevojshme për t’u siguruar që ajo që do të vijë pas kësaj lufte të jetë një paqe e drejtë” – tha Rama.
Ndërsa, Volodymyr Zelensky, pasi falenderoi Shqipërinë për mbështetjen, deklaroi se vendet baltike dhe Ballkani janë nën kërcënim serioz, pasi sipas tij, Rusia do të bëjë gjithçka për destablizimin e rajonit.
“Fakti që gjendemi këtu në një tryezë kemi shembuj historikë të marrëdhënieve të ndryshme dhe është e rëndësishme që kemi ardhur të ulemi së bashku. Ajo çfarë po ndodh tani është shembulli i duhur. Samiti i sotëm ka të bëjë me bashkimin e shtetet e ballkianit duhet të jenë së bashku. Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar rajonin. Sot nuk duhet të bëjmë pauza por të forcojmë Ukrainën. Rusia do të destabilizojë më tej nëse do të ketë mundësinë e këtyre pauzave dhe të mbijetojë politikisht ndaj këtyre agresioneve e do të përpiqet të ushtrojë ndikim në ato vende të vogla që përfiton sukses shpesh. Vendet balltike e ballkani janë në kërcënim serioz, aty ku Bashkimi Sovjetik ka qenë I pranishëm” – tha Zelensky.
Presidenti ukrainas gjithashtu tha se mbështet rrugëtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ndërsa theksoi se edhe këto vende duhet të mbështesin Ukrainë.
Rrezikun real që i kanoset Ballkanit, nga agresioni rus, e konfirmoi edhe kryeministri Edi Rama, ku sipas tij, nuk duhet “luajtur me zjarrin”.
“Po ka një rrezik të qartë e real për Ballkanin perëndimor për shkak të agresionit rus. Të gjithë duhet ta shohin se ajo që po ndodh atje mund të përsëritet në mënyra të ndryshme duke vënë në pikëpyetje themelet e rendit botëror të mbështetura në rregulla. Kjo është mesjetë! E shoh Ukrainën lidhjen me këtë komunitet vendesh që aspirojnë të futen ën BE si një vlerë e shtuar. Lufta mund të ndodhë nuk duhet të luajmë me zjarrin. Duhet të ruajmë një mendim të qartë. Nuk ka të bëjë vetëm më Ukrainën por me ne.”– tha Rama.
Volodymyr Zelensky gjithashtu u ka bërë thirrje shteteve aleate që mos të vonojnë armatimet dhe municione, ku sipas tij duhet t’i sjellin ato në kohë sepse duhet të mbijetojnë. Ai e krahasoi presidentin rus Vladimir Putin me Adolf Hitlerin. Ai tha se të gjithë duhet të përgatiten se Rusia mund t’i hedhë raketa.
“Së pari kam patur një takim shumë të mirë me Macron dhe ishte një takim me shumë nisma. Jo një nismë, por shumë dhe do të flas për të gjitha ato, koalicioni për artilerinë. Gjëra shumë konkrete. Ne duhet të mbrohemi dhe do të thotë që duhet të kemi vendime konkrete. Prandaj nuk mund të ndajë shifrën për artileri apo armatime, pra ne na duhet që të mbijetojmë, kjo do të thotë që gjithçka, çdo lloj ndihme duhet të na arrijë në kohë. Kjo është nisma më e mirë e të gjithëve, që të na i sillni armatimet në kohë. Nëse është marrë vendimi që do na mbështesni, nëse do fitojmë apo jo kjo varet nga kjo pikë. Ne folëm shumë për çështje të inteligjencës, dronë, bashkëprodhim. U fol për disa ide se si mund të fuqizohej Ukraina dhe tha se do i ndajë me mua kur të vijë në Ukrainë, në mes të këtij muaji, në mes të marsit. Ai do i ndajë këto ide me mua kur të takohemi sepse do njoh me hollësi planin e tij. Kur ne ndajmë me njëri tjetri, nisma iniciativa, këto janë hapi i dytë i katërt, por hapi i parë është mbrojtja. Ne kemi disa pyetje për këto paketa, europianë dhe SHBA. E falënderojmë SHBA, BE dhe Mbretërinë e bashkuar, por duhet të qëndrojmë të fortë se s’kemi alternativë, se të gjithë ne duhet të përballemi me një vrasës. Hitleri part 2, nëse po flasim për Netflix. Është një rrezik i madh që i kanoset jetës sonë. Të gjithë ne duhet të përgatitemi për luftë apo për paqe, të përgatitemi për hapat e tjerë që do të marrë Putin, nëse ne duam që ai të mos ja dalë mbanë. Që ai të zbrapset, do të përgatitemi për luftë. Kryeministri tha se lufta nuk ka distancë sepse mendoni sikur të ju luftojnë në mes të natës. Ju duhet të jeni të përgatitur në rast se ju hedhin raketa. Ne Putinin do ta mundim, kjo është nisma që ne kemi dhe nëse ka iniciativa që e fuqizojnë Ukrainën, janë të mira për të gjithë botën.”, tha Zelensky.
Ndërkohë, Rama tha se Shqipëria ka dhënë mbështetje për Ukrainën pasi ndihet e kërcënuar për të ardhmen e vetë.
“Ne e kemi mbështetur Ukrainën edhe me paketa mbështetjeje të cilat nuk janë hua. Nuk janë as pjesë e ndonjë biznesi, nuk u kemi kërkuar të paguajnë mbrapsht nga mundësitë tona modeste. Jemi të vetëdijshëm që kjo është diçka shumë e vogël, sepse po e bëjmë për veten tonë. Drejtpërdrejtë. Ky nuk është kërcënim ekzistencial vetëm për Ukrainën, por për gjithçka që ne mendojmë se duhet të jetë e ardhmja jonë. Nëse duam një të ardhme në BE, duam BE-në, nuk duam ta shohim të shpërbërë pasi të hyjë në një luftë të brendshme për vlerat apo veprimet e justifikuara apo jo. Ka pasur shumë sanksione ndaj Rusisë. Problemi është se nëse i merr një të varfri diçka nuk është se kjo do e bëjë të ndryshojë mendjen, por nëse ia merr të pasurit ai do të humbasë mendjen. Për ne ky është çelësi, ne kërkojmë të bashkohemi me BE, por në të njëjtën kohë kërkojmë bashkëpunim të plotë me rajonin. Ne jemi brenda BE fizikisht, por jashtë politikisht, ndaj duam të integrohemi plotësisht dhe nuk duam që ky organizëm të shpërthejë ose nuk do të kemi një të ardhme. BE nuk është parajsë, por nuk ka dyshim që është një ferr i gëzueshëm, jo një ferr i përgjakshëm”, u shpreh ai.
Vlen të theksohet fakti se liderët e vendeve të Europës Juglindore kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët pas samitit të mbajtur në Tiranë për Ukrainën, ku theksohet se agresioni ushtarak i Rusisë përballë Ukrainës mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane dhe paqen ndërkombëtare.
Në deklaratën ku ka firmosur edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç theksohet se shtetet e Europës Juglindore dënojnë me forcë përpjekjet e Federatës së Rusisë për të mbajtur zgjedhje presidenciale në territoret e pushtuara të Ukrainës. Me kërkesë të Serbisë, në deklaratë është hequr pika ku thuhej se Rusia ka “influencë malinje” në rajonin e Ballkanit.
Deklarata e përbashkët e liderëve të Europës Juglindore:
Ne, Presidentja Vjosa Osmani, Presidentja Maia Sandu, Presidenti Jakov Milatović, Presidenti Stevo Pendarovski, Presidenti Aleksandar Vuçiq, Presidenti Volodymyr Zelenskyy, Kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Këshillit të Ministrave Borjana Kristo, Kryeministri Nikolay Denkov, Kryeministri Andrej Plenković, Kryeministri Ion-Marcel Ciolacu u mblodhëm në Tiranë më 28 shkurt 2024 dhe lëshuam deklaratën e mëposhtme:
Agresioni ushtarak i paprovokuar i Rusisë kundër Ukrainës mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane dhe paqen ndërkombëtare. Ky akt agresioni është i papranueshëm; është një shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Kartën e OKB-së, dhe një krim kundër popullit ukrainas.
Ne përsëritëm mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht që nga viti 1991 dhe mbetemi të përkushtuar për t’i ofruar Ukrainës mbështetjen e nevojshme për të mbizotëruar kundër luftës së agresionit rus për aq kohë sa duhet për të të arrihet një paqe gjithëpërfshirëse, e drejtë dhe e qëndrueshme në përputhje me Kartën e OKB-së dhe në bazë të Formulës së Paqes të Ukrainës.
Ne i bëjmë thirrje të gjithë komunitetit ndërkombëtar që të rrisë fuqishëm mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj të vazhdueshme për liri, pavarësi dhe integritet territorial.
Ne dënojmë me forcë synimet e Federatës Ruse për të mbajtur zgjedhje presidenciale në territoret e okupuara përkohësisht të Ukrainës, gjë që paraqet një shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare. Theksojmë natyrën e paligjshme të zgjedhjeve të ardhshme në Republikën Autonome të Krimesë dhe qytetin e Sevastopolit dhe në territoret e pushtuara nga Rusia të rajoneve Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhya dhe Kherson të Ukrainës.
Gjatë diskutimeve të sotme në Tiranë, ne rikonfirmuam solidaritetin tonë me Ukrainën dhe popullin e saj në mbrojtjen e tyre heroike të lirisë së tyre dhe vlerave tona të përbashkëta dhe shprehëm gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në zbatimin e Formulës së Paqes të Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, e cila është në përputhje me Qëllimet dhe Parimet e Kartës së OKB-së dhe të marrë pjesë në Samitin inaugurues të Paqes, duke siguruar pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme ndërkombëtare në këtë proces.
Ne jemi të bindur se lufta në shkallë të plotë të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës ka treguar nevojën kritike dhe rëndësinë thelbësore të një Evrope të bashkuar dhe të fortë, e aftë për t’u përballur me sfidat globale për paqen dhe prosperitetin e popujve tanë. Theksuam se na bashkojnë vlerat e përbashkëta evropiane dhe vizioni i zhvillimit të tyre të mëtejshëm brenda një Evrope të bashkuar.
Ne riafirmuam vendosmërinë tonë për të intensifikuar përpjekjet e përbashkëta për të siguruar përparim të mëtejshëm dhe mbështetje të ndërsjellë drejt anëtarësimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës, Republikës së Moldavisë dhe Gjeorgjisë në Bashkimin Evropian.
Ne mbështesim plotësisht të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur masat e veta të sigurisë. Aleatët e NATO-s dhe vendet aspirante lavdërojnë hapat e ndërmarrë drejt anëtarësimit të saj të ardhshëm në NATO dhe mbështesin Ukrainën që të bëhet anëtare e Aleancës sapo ta lejojnë kushtet e sigurisë.
Ne nënvizuam angazhimin tonë të vendosur për të sjellë para drejtësisë ata individë përgjegjës për krimin e agresionit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e tjera mizori sipas ligjit ndërkombëtar të kryera në lidhje me luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, përmes hetimeve dhe ndjekjeve të duhura, të drejta dhe të pavarura në nivel kombëtar ose ndërkombëtar, duke përfshirë punën e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës dhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të siguruar që pretendimet për krime lufte dhe krime të tjera ndërkombëtare të hetohen plotësisht dhe në mënyrë të drejtë nga mekanizma të pavarur, efektiv dhe të fuqishëm ligjor.
Ne ramë dakord të bashkëpunojmë dhe të fokusojmë përpjekjet tona në kthimin e fëmijëve ukrainas të dëbuar dhe zhvendosur me forcë në mënyrë të paligjshme dhe të paligjshme.
Ne zotohemi të rrisim përpjekjet tona bashkëpunuese për të luftuar dezinformimin, duke përfshirë narrativat e rreme rreth luftës, dhe të mbetemi të përkushtuar në luftimin e luftës hibride dhe sfidave të sigurisë kibernetike, duke kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë e komunitetit ndërkombëtar.
Sot në Tiranë, ne riafirmuam solidaritetin dhe mbështetjen tonë për Ukrainën, shprehëm angazhimin tonë për të marrë pjesë në rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Ukrainës pas luftës, në mënyrë që t’i mundësojmë popullit ukrainas të rindërtojë vendin e tij, duke angazhuar të gjithë partnerët përkatës, duke përfshirë kompanitë private dhe ndërkombëtare. institucionet financiare, me synimin për të siguruar mbështetjen financiare, investimet dhe njohuritë e nevojshme për të siguruar një të ardhme të begatë për Ukrainën. Ne nënvizojmë rëndësinë e çminimit në kontekstin më të gjerë të rimëkëmbjes së Ukrainës, si hapi fillestar i rëndësishëm drejt kthimit të sigurt të njerëzve dhe rifillimit të aktivitetit ekonomik dhe bujqësor.
Ne, miqtë e Ukrainës, konfirmojmë besimin tonë të fortë se vetëm duke u bashkuar do të jemi në gjendje të rivendosim paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e drejtë në kontinentin evropian.