E sotmja ishte protesta e vetme e Partisë Demokratike pa liderin e saj, Sali Berishën në shesh, gjithsesi ky i fundit e ka përcjellë mesazhin e tij përmes teknologjisë. Ai ka ngritur një podium në shtëpi, ku ndodhet nën masën e arrestit, teksa u është drejtuar protestuesve se janë uragani i lirisë.
Berisha deklaroi para protestuesve se sot në sheshin Skënderbej ne nuk kemi shtatoren e bronzit të diktatorit stalinist, por para nesh qëndron shtatorja e gjallë e diktatorit Edi Rama.
“Të dashur qytetare dhe qytetarë, të nderuar qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të vërtetë të shpresës dhe të ardhmes së Shqipërisë. Zonja dhe zotërinj, uragani juaj sonte është uragani i lirisë. Përshëndetjet më të përzemërta për ju që jeni mbledhur, keni mbushur sot Tiranën nga anekënd Shqipëria, nga të gjitha vendet e botës. Fitimtarë, fitimtarë, fitimtarë. Zonja dhe zotërinj, 20 shkurti është një ditë në të cilën shqiptarët kremtojnë ngadhënjimin e tyre. Çdo vit më 20 shkurt kemi nderuar një ditë, e cila ndau historinë tonë. Ndau epokën e barbarisë së luftës së klasës, tiranisë së mjerimit dhe izolimit ekstrem nga epoka e triumfit të njerëzve më të shtypur të Europës dhe ndëshkimit mbarëpopullor pas vdekjes së Enver Hoxhës, Hitlerit shqiptar të pas Luftës së Dytë Botërore. Duke përmbysur në Tiranë shtatoren e tij, zvarritur e copëtuar në rrugët e kryeqytetit, nderim përjetë guximtarëve, trimave, heronjve të 20 shkurtit për veprën e tyre të pavdekshme. Por sot, për herë të parënë 32 vite, ky 20 shkurt eklipson për nga rëndësia atë të vitit 1991 sepse sot nuk kemi përpara simbolet e një diktature të bazuar në doktrinën marksiste-leniniste, por përballemi me një lloj të re diktature, e cila bazohet në aleancën e pushtetit me krimin, në shndërrimin e votës në krim dhe krimit në votë, vjedhjen e lemerishme të qytetarëve nga pushtetarët dhe trafikun e qindra tonelatave drogë dhe narkoeuro. Sot në sheshin Skënderbej ne nuk kemi shtatoren e bronzit të diktatorit stalinist, por para nesh qëndron shtatorja e gjallë e diktatorit Edi Rama, pasardhësit të bllokmenëve hoxhistë, që njëlloj si diktatori tjetër, ka përqendruar në duart e tij të gjitha pushtetet dhe që do një Shqipëri pa opozitë, dhe që vjedh qytetarët shqiptarë, vret shpresën e tyre më shumë se askush në historinë tonë kombëtarë. Gjatë sundimit 10-vjeçar të tij, si kurrë ndonjëherë më parë, 1 milion shqiptarë u larguan nga Shqipëria dhe integrimi evropian i vendit u shndërrua në një horizont që largohet çdo ditë e më shumë nga shqiptarët. Por sot kjo ditë, për ju, për shqiptarët, është ditë besimi dhe guximi.” – tha Berisha.
Gjatë fjalimit, Berisha u ndal edhe tek “non grata” e vendosur ndaj tij, nga DASH, të cilën e konsideroi si termin “armiku i popullit” dikur.
Berisha deklaroi se pas tre vitesh hetime intensive në Shqipëri dhe kudo në botë, nuk kanë gjetur asnjë provë, asnjë fakt, apo dokument të provojë akuzën e tyre të rreme. Ai shtoi më tej se e gjithë kjo u bë për asgjesimin e opozitës, por sipas tij, nuk ia dolën.
“Le ta pranojmë miq. Fjala që unë po mbaj tani para jush ishte llogaritur që të mos mbahej. Ky uragan madhështor që ka pushtuar Tiranën, ishte llogaritur që të mos ndodhte. Bashkimi ynë në diversitet ishte llogaritur të mos ndodhte. Dhe Shqipëria ishte llogaritur që sot, në vitin 2024, të ishte një vend pa opozitë. Jo një kështjellë e socializmit si dikur, por një narkoshtet pa opozitë në brigjet e kaltërta të Adriatikut. Zonja dhe zotërinj e nisën kundër nesh bashkë këtë betejë dy vite me parë me dy fjalë famëzeza që përdorën si plumba kundër opozitës shqiptare, non-grata, një term i përdorur në të njëjtën mënyrë si dikur, armik i popullit. Menduan se do na asgjësonin. Asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument. Por gabuan! Sot pas tre vitesh hetime intensive në Shqipëri dhe kudo në botë, nuk kanë gjetur asnjë provë, asnjë fakt, apo dokument të provojë akuzën e tyre të rreme. Kurse vetëm katër ditë më parë, gjykata e Uashingtonit dënoi me 3 vjet burg McGonigalin, një lobist i korruptuar shpalljes time non-grata nga Edi Rama. Fill pas kësaj na grabitën vulën e partisë, ndonëse dy palë zgjedhje, tre votëbesime ju kishit shprehur vullnetin tuaj. E ndaluan emrin e Sali Berishës në fletën e votimit. Na mohuan financat, na mohuan komisionerët në qendrat e votimit. Qeveria, mediat më të fuqishme, diplomatë dhe ambasadorë të korruptuar nga narkoqeveria u frynë qëllimisht zjarrit të përçarjes dhe konfliktit midis nesh. Dhe së fundmi, njësoj si në Rusinë e Putinit, lideri i opozitës u arrestua si person nën hetim dhe u tentua t’i ndalohej fjala e lirë. Të gjitha këto vetëm e vetëm se ai, në mbrojtje të interesit publik dhe kombëtar, denoncoi fuqishëm korrupsionin qeveritar dhe atë ndërkombëtar. Denoncoi korrupsionin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij si armikun më të egër të qenies së qytetarëve shqiptarë. Të gjitha këto vetëm e vetëm pse ai mbrojti i palëkundur interesin e kombit shqiptar, denoncoi projektet antishqiptare, por edhe antieuropiane, serbo-ruse, të Aleksandër Vuçiçit, argatit të tij Edi Rama, të mbështetura fuqimisht nga Sergej Lavrov, por jo më pak edhe nga Aleksandër Soros. Dhe në fakt, për të gjitha këto sot, ne nuk duhej të ekzistonim politikisht. Por ne fituam miq! E gjithë kjo luftë kundër nesh u bë që sot ne të ishim të përçarë, të ishim të shtrirë përtokë, që sot ne të mos ishim këtu. Që Shqipëria sot të mos kishte opozitë. Por ne realizuam të pamundurën, ne realizuam atë që nuk e parashikonte asnjë njeri. Asnjë opozitë në planet nuk do ekzistonte pas sulmeve barbare që u bënë ndaj ndesh. Siç nuk ekziston opozitë në Rusi, Bjellorusi, Iran apo Uganda ku janë marrë masa të të njëjta si këto kundër nesh. Ndaj dhe ju vini sot në këtë shesh si heronj. Po, po. Si heronj të të vërtetës, heronj të guximit dhe dinjitetit njerëzor. heronj të pluralizmit, heronj të antikorrupsionit, heronj të atdhetarizmit. Ju vini si heronj të betejave të fituara. Nder paçi gjithmonë!” – u shpreh lideri demokrat.
Mesazhi kryesor që përcolli Berisha në fjalimin e tij ishte mosbindja civile e kërkuar ndaj shqiptarëve. Kreu i PD-së u shpreh se sot nisin betejën pa kthim të mosbindjes civile kundër diktaturës së dytë.
“Të dashur miq, këto dy vite ju zgjodhët të vështirën, zgjodhët të pamundurën, zgjodhët Davidin në betejën me Golian, vetëm e vetëm se pse ju besoni te e vërteta. Ju keni 10 vite në opozitë të pamerituar, topitëse, por edhe besëprerë. Ju keni fëmijë, ju keni 1001 derte dhe halle, me punë dhe pa punë, me para dhe pa para, të sëmurë, me ilaçe dhe pa ilaçe. Të gjithë ju në një moment kritik për kombin, ju zgjodhët të mbronit të vërtetën, bindjet e ndershme tuajat. Në një skenar të Edi Ramës dhe mafies ndërkombëtare, që synonte të asgjësonte opozitën e vërtetë, ju vendosët të sakrifikonit interesat personale dhe të luftoni me gjoks, ballëlartë për të vërtetën. Të bindur se kjo ishte rruga për të mbrojtur dinjitetin tuaj, për të mbrojtur opozitën, sovranitetin, pluralizmin, interesin kombëtar, të ardhmen e Shqipërisë. Ju jeni heronjtë e vërtetë. Nderim paçi gjithmonë. Shqipërinë e ndërtojnë shqiptarët dhe jo tradhtarët! Miqtë e mi, për ju Shqipëria moniste është e shkuara e zezë e saj, kurse korrupsioni i qeverisë është armiku më i pamëshirë, më i rrezikshëm për ju dhe për të gjithë shqiptarët. Dhe siç është faktuar tashmë, korrupsioni i Edi Ramës është rrezik real edhe për miqtë dhe partnerët tanë kudo në botë. Të dashur miq, duhet të kuptoni se sot është një ditë e shënuar për PD-në dhe jo vetëm. Sot është një ditë e shënuar për demokracinë. Sot është një ditë e shënuar për fatin e Shqipërisë. Ndaj e nisa fjalën time duke thënë se ky 20 shkurt është edhe më i rëndësishëm se 20 shkurti i rrëzimit të shtatores së diktatorit. Sepse ne inaugurojmë sot misionin tonë në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë, betejën pa kthim të mosbindjes civile kundër diktaturës së dytë, të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve. Betejën për çlirimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve nga narkodiktatura e shëmtuar e Edi Ramës. Ne inaugurojmë betejën popullore pa kthim për rikthimin e votës së lirë dhe çeljen e dyerve të integrimit evropian të Shqipërisë, të mbyllura nga regjimi i Tiranës. Ne në këtë protestë uragan përcjellim mesazhin për botën se populli opozitar do i rezervojë diktaturës së dytë, dmth narkoshtetin të Edi Ramës, fatin që meriton, fatin që i rezervuam diktaturës komuniste 33 vite më parë. Të dashur miq, ju jeni heronj të vërtetë të pluralizmit, sepse në ditët më të zeza për opozitën shqiptare, ju nuk u dorëzuat. Pasi u vodhën vulën, logon e partisë, ju ndaluan emrin e kryetarit të partisë në fletën e votimit, 600 mijë prej jush, nxorët përpara gjokset shantazhit dhe presionit të narkoregjimit, por edhe mafies ndërkombëtare, dhe thanë jemi të pamposhtur. Nderimi paçin gjithmonë mbështetësit tonë!” – tha Berisha.
Lideri demokrat u shpreh se sot është rikthimi i opozitës shqiptare, më e fortë dhe e orientuar se kurrë në betejën pa kthim kundër pushtetit monist të Edi Ramës. Ai u premtoi demokratëve se do të fitojnë.
“Ju jeni heronjtë e vërtetë sepse nuk iu dorëzuat frikës kur u arrestua politikisht lideri juaj, por krijuat Rrugën e Shpresës, duke sjellë dritë në momentet më të errëta më zemrat e shqiptarëve. Ju jeni heronj të vërtetë dhe unë sot ndjehem më krenar se kurrë për secilin prej jush, sepse tentuan t’u zhdukin me armën e tmerrshme të korrupsionit transnacional, me gjykata të korruptuara, me McGonigalër dhe të tjerë, me sulme mediatike, por ju prapë jeni këtu më shumë se kurrë, më të bashkuar se kurrë, më të fortë se kurrë. Mirënjohje, mirënjohje, mirënjohje pa kufi për ju! Por sonte, më i fortë se kurrë është premtimi ynë se PD do të fitojë, se opozita do të fitojë, se Shqipëria do të fitojë. Rroftë opozita shqiptare! Zonja dhe zotërinj, Shqipëria do të fitojë sepse sot Shqipëria beson. Një histori epike kjo që kaluam këto dy vite të dashur miq. Sot është rikthimi i PD, sepse fituam kundër një agresioni që na u bë dhe u bashkuam. Sot është rikthimi i opozitës shqiptare, më e fortë dhe e orientuar se kurrë në betejën pa kthim kundër pushtetit monist të Edi Ramës. Por në fakt miq, sot është rikthimi i Shqipërisë, sepse sot në masivitetin tuaj, në energjinë tuaj, në bashkimin tuaj, ka ndezur besimi te të gjithë shqiptarët. Dhe besimi është kushti i të gjitha kushteve për çdo fitore. Historia na mëson se pushteti merret në momentin kur ti fiton besimin. PD erdhi në pushtet për herë të parë në vitin 1992. Por, po ky ishte vetëm realiteti i një procesi që nisi me besimin në fitore. Momenti i vërtetë që çdo demokrat e kuptoi se kishim marrë pushtetin, ishte një vit para se të fitonim zgjedhjet. Ishte pikërisht dita kur rrëzuam shtatoren e satanit 33 vjet më parë. Sepse duke rrëzuar shtatoren, rrëzuam një mit fals. Duke rrëzuar shtatoren, ne ndezëm besimin që mungonte në 47 vite. Dhe ishte ky besim që na solli fitoren, përballë të gjitha pengesave që na nxorën. Sepse kur beson në fitore, nuk ka forcë që mund ta vjedhë atë prej nesh. Kur beson në fitore, nuk ka sulm që nuk përballohet. Kur beson në fitore, edhe Zoti i madh rreshtohet në krahun tënd. Lavdi Zotit!” – tha lideri demokrat.
Kreu i PD-së shtoi më tej se sot, “Sali Berisha” është halli më i madh i Ramës, Vuciç, Xhorxh dhe Aleksit Soros, por shtoi më tej se po lufton për ‘fëmijën’ tim, duke iu referuar pluralizmit politik.
“Miqtë e mi, historia u përsërit sot. Prandaj PD sot ka fituar sepse sot kur shqiptarët na shohin bashkë, pas gjithë brutalitetit që na është bërë, kur shqiptarët na shohin bashkë pas konflikteve tona të brendshme, kur shqiptarët na shohin bashkë kaq shumë në numër, besimi rikthehet në çdo shtëpi, në çdo lagje, në çdo rrugë, në çdo fshat, në çdo qytet. Por më e rëndësishmja, besimi rikthehet në zemrat e çdo shqiptari, në zemrat e atyre 83 përqind të shqiptarëve që gjer sot shikonin si mundësi largimin nga Shqipëria. Besimi u kthehet atyre shqiptarëve që nuk shtyjnë dot muajin, që nuk mbushin dot shportat me ushqimet më jetike, atyre shqiptarëve që nuk sigurojnë dot ilaçet e tyre, atyre që shohin fëmijët t’u rriten në mjediset më të këqija, që shohin antivlerat që kanë zëvendësuar traditat tona, që shohin shqiptarin e sotëm të ushqehet më veset më të këqija të qenies njerëzore. Ju sot u bëtë shqiptarëve dhuratën më të çmuar, dhuratën e besimit, dhuratën e shpresës. Por më e rëndësishmja, dhuratën e fitores, sepse PD dhe opozita sot është e pandalshme, është gati dhe në këmbë. Me këtë besim që ngjallëm sot, ne ndryshuam rrugën e fatit. Ne sot kemi rrugën e fitores. Rruga e fatit të Shqipërisë, nga sot ndryshoi. Nga rruga e shpopullimit, Shqipëria është sot në rrugën e shpëtimit. Kjo është forca e besimit. Me këtë forcë u rrëzua shtatorja e diktatorit. Me këtë forcë rrëzohen shtatoret e tyre të gjalla. Me këtë forcë rezistohet çdo sulm. Me këtë forcë fitohet në çdo zgjedhje. Miq, përfitoj nga atmosfera elektrizuese për t’i kujtuar çdo shqiptari se pse ne jemi në këtë shesh, pse ne po luftojmë? Për këtë duhet t’u them se pas këtij uragani lemeritës dhe të frikshëm për aleancën e qelbësirave, megafonët e tyre do të ushtojnë në të katër anët, të dezinformojnë, të shpifin, të shprehen se ju po luftoni për hallet e Sali Berishës. Kur në fakt edhe njeriu me naiv e kupton se të ashtuquajturat halle të Berishës, janë vetëm sulme politike ndaj meje dhe ndaj jush. Cilat halle ka Berisha? Ato halle që u shfaqën 10 vite pas ishte pa asnjë pushtet? Ato halle që unë denoncova projektet e serbomadhisë dhe rusomadhisë në rajon? Ato halle që unë denoncova çdo ditë vjedhjet më të mëdha të Edi Ramës? Ato fakte që unë denoncova lidhjet e tmerrshme të pushtetit me krimin. Ato fakte që nisën çuditërisht që unë kundërshtova bashkëqeverisjen e PD me aleancën e qeblësirave, me Rilindjen. Jo miq, Sali Berisha nuk ka halle. Por Sali Berisha është halli më i madh i Edi Ramës dhe miqve të tij, Vuciç, Xhorxh dhe Aleksit Soros dhe mafies ndërkombëtare. Prandaj dhe jam sulmuar politikisht. Sepse sot unë luftoj njëlloj si ju për opozitën e vërtetë, për dinjitetin e shqiptarëve. Luftoj kundër korrupsionit dhe për interesin kombëtar. Nesër do ju thonë se po luftoni për fëmijët e Berishës, kur në fakt njeriu më naiv e kupton se familja ime është goditur pikërisht se unë zgjodha të luftoj për shqiptarët. Dhe harrojnë mjeranët, se fëmijët e Sali Berishës janë fëmijët e shqiptarit. Ç’është e vërteta miq, Sali Berisha po lufton për një nga fëmijët e tij, por kësaj radhe jo për fëmijët biologjikë. Sot Sali Berisha po lufton për fëmijën e tij, fëmijën që së bashku e sollëm në jetë 33 vite më parë, pluralizmin politik.” – tha Berisha.
Sipas Berishës, bashkimi i PD e ka futur politikën shqiptare në një epokë të re, teksa premtoi se demokracinë e brendshme do e aplikojnë dhe në qeverisje.
“Është e rëndëisshme miq, që midis këtij tymi dezinformimi, ne të kujtojmë shqiptarët pse po luftojmë. Ne po luftojmë sepse e duam Shqipërinë. Po miq, ka njerëz që sot e duan shumë Shqipërinë. Po miq, ka politikanë që sot e duan shumë Shqipërinë. A jemi ne të pagabueshëm? Absolutisht jo. Por kurrsesi nuk jemi si ata. Jo, jo. Po të ishim si ata sot, do ishim në bashkëqeverisje me rilindjen. Po të ishim si ata sot, Brava do vazhdonte në krye të opoziëts false. Po të ishim si ata sot, familjarët tanë nuk do ishin të arrestuar dhe të persekutuar, por do merrnin tendera nga qeveria sepse ky është sistemi që ka ngritur Edi Rama. Berisha nuk do ishte non-grata dhe as në arrest shtëpie. Por ne së bashku ne zgjodhëm më të vështirën, sepse ne e duam Shqipërinë. Shqipërinë nuk e bëjnë tradhtarët, Shqipërinë e bëjnë njerëzit e ndershëm, nuk e bëjnë kurrë ata që e vjedhin atë. Ne sot luftojmë për Shqipërinë, luftojmë për dinjitetin e shqiptarëve, por kryesorja ne po luftojmë për të ardhmen në Europë të rinisë shqiptare. Zonja dhe zotërinj, shpopullimi është kërcënimi më ekzistencal për kombin tonë në historinë tonë mijëravjeçare. Kanë ikur 1 milion shqiptarë në 10 vite. 87 përqind e atyre që kanë mbetur, e kanë mendjen të ikin Me këto ritme, Shqipëria do mbetet pa shqiptarë. Kjo do sjellë humbjen e saj, të traditave tonë, gjuhës, flamurit tonë. Prandaj miq, përballë këtij kërcënimi, i bëj thirrje çdo shqiptari sot të mos shohë veten si demokrat, si socialist, por vetëm si shqiptar. Sepse pikë së pari, ne jemi shqiptarë e pastaj jemi demokratë, socialistë apo pa parti. Dhe shembullin më të mirë për të dalë mbi veten tonë, e ka dhënë PD, duke shembur tabunë më të rëndë të trashëguar nga komunizmi, tabunë e politikës së konfliktit, tabunë se nëse nuk je me mua, je armiku im. Atë tabu që sot e ka kthyer PS-në në një organizatë kriminale të Rilindjes. Atë tabu që sot burgos liderin e opozitës sepse e di se nëse ai është i lirë, ti e di se nuk fiton kurrë zgjedhje më. Dhe harroje Edi Rama se do fitosh më zgjedhje në Shqipëri. Zonja dhe zotërinj, bashkimi i PD e ka futur politikën shqiptare në një epokë të re. Ne faktuam me bashkimin tonë se demokracia jonë e brendshme është e njëjtë me partitë e mëdha bashkëkohore, të cilat i kemi frymëzim. Është ky unitet në diversitet që shqiptarët nuk e kishin arritur njëherë në 33 vite. Është ky unitet në diversitet, dhurata më e çmuar e PD për shqiptarët. Është kjo demokraci e brendshme që do e aplikojmë në qeverisjen tonë. Prandaj kjo qeverisje, do jetë më e shkëlqyera që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Prandaj dhe kjo qeverisje do shpëtojë pluralizmin. Prandaj dhe kjo qeverisje do shpëtojë demokracinë. Prandaj dhe kjo qeverisje do ripopullojë Shqipërinë.” – tha Berisha.
Lideri demokrat duket se sot nisi fushatën elektorale edhe për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, ku për herë të parë foli për një program qeverisës së PD-së.
“Motoja jonë në qeverisje nuk do jetë ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’, por do jetë ‘Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’. Si do e arrijmë ne këtë? Cili do jetë programi i PD? Një pyetje shumë e drejtë. Programi i PD është bazuar në një koncept të thjeshtë, tërësisht inovator. Zonja dhe zotërinj, të dashur miq! Përpara ne kemi problematika shumë komplekse, të vështira, të krijuara nga regjimi i Edi Ramës. Këto probleme janë politike. Shqiptarët nuk votojnë, pluralizmi politik është në agoni, janë ekonomike, 10 vite korrupsion, vjedhje dhe grabitje të shqiptarëve, kanë rrënuar financat e shtetit dhe të qytetarëve. Korrupsioni është kthyer në sinonim të qeverisë. Ne përballemi sot me katastrofën e shkatërrimit, janë një sërë kushtesh të kalkuluara që detyrojnë shqiptarët të largohen nga Shqipëria. Sot nuk ka më ëndërr shqiptare, ëndërr që ka bërë dhe do të bëjë Shqipërinë. Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka për kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate emergjente, pothuajse katastrofale të krijuar nga Edi Rama. Për këtë ne kemi një program, i cili mund të përmblidhet në dy fjali; Program që bazohet, investim tek qytetari, program që bazohet në zbatimin e ligjit, program që bazohet në liritë e qytetarit, garantimin e dhe respektimin e tyre. Me shpejtësi dhe brenda një mandati ne do të ja dalim të dyfishojmë rrogat, pensionet, të vendosim minimumin jetik që të mos ketë më lot mjerimi në sytë e shqiptarëve. Pasi të nxjerrim shqiptarët aty ku ishin, në krye të rajonit për rroga dhe pensione. Pasi të ulim taksën e sheshtë ne 10%, do të ecim të sigurtë drejt mesatares së rrogës në BE. Ku do ti gjejmë këto para? Më thoni mua. Këto para janë të gjitha, nuk janë as 40% të atyre që vjedh rilindja duke ndërtuar rrugë me 10-15 fishin e çmimit që ndërtohen në Europë. Që vjedh rilindja me djegësat, sterilizatorët, PPP-të, luksin e shfrenuar. Miqtë e mi! Rrogat e trefishta nuk janë fantazi, utopi, janë rrogat që duhej të kishit ju sot, duhej të kishin shqiptarët sot nëse nuk do të ishin vjedhur në mënyrë më të papërmbajtur. Kështu që ne e nisim me investimin tek shqiptari, duke besuar në aftësitë e tij, duke besuar se paratë në kontot e tij janë më të vlefshme se në kontot e shtetit. Të dashur miq! Në rast se ndalemi në dramën 10 vjeçare të Shqipërisë, një nga dramat më të mëdha që ka njohur Europa, një vend i cili nga vendi në krye i rajonit për rrogat dhe pensionet, zbriti në mënyrë të rrufeshme në fund. Një vend i cili rritej në popullatë nga vitit në vit, humbi gjatë këtyre 8 viteve të fundit, më shumë se çdo vend tjetër i planetit, në luftëra, konflikte apo fatkeqësi natyrore. Më shumë se çdo vend tjetër në çdo luftë botërore, dhe askush nuk ndalet, bëjnë sikur nuk ka ndodhur. Jo miqtë e mi, Shqipëria është tokë e bekuar. Në të gjithë kontinentin, nga Mesdheu në detërat e veriut nuk gjenden kund 28 mijë kilometra katrorë që të kenë pasuritë përrallore që ka toka shqiptare. Por Edi Rama, ky Pashiq i Tiranës, kreu një gjenocid të vërtetë, me arrestimet e tij, me dhjetëra mijëra në vit për çështje civile, me shkatërrimin e banesave dhe bizneseve, i trajtojnë shqiptarët si pushtues i egër. U vrau atyre shpresën në çdo votër, duke u rrëmbyer votën, kontrolluar vullnetin njëlloj si në diktaturën hoxhiste. Demokratë e demokrate! Sot ne nisëm betejën para së gjithash dhe mbi të gjitha të mosbindjes civile për votën e lirë. Pa zgjedhje të lira Shqipëria nuk do të ketë kurrë paqe dhe stabilitet. Beteja jonë pa kthim për votën e lirë është betejë për jetën, ose vdekjen e demokracisë në Shqipëri. Ne do të fitojmë. Beteja jonë pa kthim për votën e lirë është betejë për dinjitetin tonë njerëzor, vota e lirë është thelbi i lirive tona. Ne do të fitojmë. Beteja jonë pa kthim për votën e lirë është betejë për dinjitetin kombëtar. Vota e lirë është dallimi themelor mes kombeve të lira dhe kombeve të shtypura. Shqiptarëve do u kthejmë votën e lirë. Ne do të fitojmë. Beteja jonë pa kthim është betejë për votën e lirë, sepse është kushti i të gjitha kushteve për vendosjen e shtetit ligjor, garantimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne do të fitojmë. Beteja jonë pa kthim është betejë për votën e lirë, sepse është kushti më kryesor për rikthimin e shpresës tek shqiptarët. Ne do të fitojmë. Beteja jonë pa kthim është betejë për votën e lirë, sepse vota e lirë është çelësi kryesor për hapjen e dyerve të mbyllura të Europës për Shqipërinë. Ne do të fitojmë. Beteja jonë pa kthim është betejë për votën e lirë, sepse është kushti i të gjitha kushteve për fitoren e opozitës. Rrofshi ju, Rroftë Partia Demokratike, Rroftë opozita, Rroftë Shqipëria, Zoti e bekoftë Shqipërinë, flamurin, kombin shqiptar. Fitore, fitore, fitore.” – përfundoi fjalimin e tij, Sali Berisha.