Fabio Bego
Protokollet e nënshkruara nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni nëntorin e kaluar, sipas të cilave qeveria në Tiranë do të lejojë Italinë të ndërtojë kampe për emigrantët në territorin shqiptar, kanë gjeneruar reagime të ndryshme negative. Çështja përmban disa tipare politikisht të rrezikshme dhe moralisht të ulëta që meritojnë vëmendje. Njëri është arsyetimi i dhënë nga Rama për të justifikuar marrëveshjen. Sipas tij, arsyeja kryesore e dhënies së territorit kombëtar është një gjasme “borxhi” që shqiptarët kanë ndaj Italisë për mënyrën se si ajo i priti në fillim të viteve 1990. Dokumentet arkivore tregojnë se “mikpritja” e Italisë ishte një politikë jetëshkurtër që u shërbente interesave të kontingjentit shtetëror.
Emigrimi në Itali fillon në vitet 1980
Pas përfundimit të marrëdhënieve me Kinën në fund të viteve 1970, Shqipëria komuniste u hap me shtetet e Evropës Perëndimore si Italia. Vendet u shtynë të bashkëpunonin për arsye të kundërta. Për shqiptarët ishte një çështje domosdoshmërie ekonomike. Për Italinë ishte një mjet për të zgjeruar ndikimin e saj në Ballkan. Të dhënat arkivore tregojnë se mbi 2,000 italianë kanë udhëtuar drejt Shqipërisë në vitin 1983 si turistë, gazetarë, biznesmenë, profesionistë dhe diplomatë. Italianë dhe evropianë të tjerë perëndimorë u panë në Tiranë, Durrës dhe në vende të tjera turistike. Në atë kohë, si sot, regjimet e lëvizshmërisë ishin asimetrike. Për italianët ishte më e lehtë të shkonin në Shqipëri sesa anasjelltas.
Shqiptarët e parë që arritën në numër të madh në Itali ishin nga Kosova. Në prill 1984, gazeta e krahut të djathtë Il Tempo raportoi se autoritetet italiane kishin dhënë azil për shumë emigrantë nga Evropa Lindore, shumica e të cilëve, 444, vinin nga Shqipëria. Ministri i Jashtëm shqiptar Reiz Malile e përgënjeshtroi informacionin, duke pohuar se ata nuk vinin nga Shqipëria, por nga Kosova, ku ishin persekutuar. Ata deklaruan se kishin lindur në Shqipëri sepse druheshin se do të ktheheshin mbrapsht, duke pasur parasysh marrëdhëniet e mira midis Romës dhe Beogradit. Ngjarje të ngjashme u regjistruan në nëntor të vitit 1988, kur 43 kosovarë të strehuar në kampin e refugjatëve të Kapuas deklaruan se ishin me origjinë shqiptare.
Ndryshe nga qytetarët jugosllavë, shqiptarët nuk mund të merrnin viza nëse nuk kishin arsye të forta familjare ose profesionale. Kalimi i kufirit ilegalisht ishte i rrezikshëm sepse shteti reagonte me egërsi. Megjithatë, me vdekjen e diktatorit shqiptar Enver Hoxha në prill 1985, njerëzit u bënë më të guximshëm. Më 12 dhjetor 1985, gjashtë anëtarë të familjes Popa, katër gra dhe dy burra, shmangën kontrollet dhe hynë në ambasadën italiane, ku kërkuan azil politik. Ngjarja provokoi një krizë diplomatike. Autoritetet shqiptare deklaruan se Popët ishin ish-bashkëpunëtorë fashistë dhe nazistë dhe kërkuan që Italia t’i dorëzonte. Italianët nuk pranuan. Ministri i Jashtëm Giulio Andreotti përmendi mbrojtjen e “të drejtave të njeriut” si arsyen kryesore të refuzimit.
Situata qëndroi e tensionuar për muaj të tërë, pasi autoritetet shqiptare nuk lejuan që familja Popa të shkonte në Itali. Makinat e diplomatëve italianë u kontrolluan dhe u përndoqën nga frika se Popët mund të arratiseshin. Disa politikanë italianë donin një qëndrim më të vendosur nga qeveria e tyre. Eksponentët e Movimento Sociale Italiano neofashiste, MSI, e cila tashmë quhet “Fratelli d’Italia”, (Vëllezërit e Italisë) donin të prishnin marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, sepse ajo nuk i lejonte Popët të emigronin në Itali. Popët jetuan në ambasadë për gati pesë vjet. Më në fund ata u autorizuan të largoheshin në maj të vitit 1990. Kjo frymëzoi shumë shqiptarë të hynin në ambasadat e huaja në korrik 1990.
Familja Popa e solli çështjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri në qendër të vëmendjes në Itali. Në vitin 1987, shoqatat italiane dërguan peticion në Tiranë duke kërkuar lirimin e të burgosurve politikë dhe futjen e lirive të tjera. Kjo atmosferë politike mund të ketë inkurajuar të tjerë të kërkonin strehim në shtetin fqinj. Në gusht të vitit 1988, një këngëtare lirike që studionte në Konservatorin e Torinos njoftoi ambasadën se kishte vendosur të qëndronte në Itali sepse donte të martohej me një italian. Në fund të shtatorit 1988, Elvira Gjezi, e cila më pas u bë e njohur me pseudonimin e saj Elvira Dones, u zhduk nga hoteli i saj në Milano. Ajo ishte atje për të marrë pjesë në një panair filmi me kolegët e kompanisë së prodhimit të filmit “Kinostudio”.
Tendencat migratore në Adriatik rrallë kanë qenë një proces i njëanshëm: njerëz nga vende të ndryshme përpiqeshin të hynin në Shqipëri. Për shembull, në gusht 1982, një djalë 15-vjeçar nga Maroku u fsheh brenda një anijeje shqiptare në portin e Nadorit dhe zbarkoi në Durrës. Në fund të viteve 1980, disa italianë donin të transferoheshin në Shqipëri për arsye politike. Autoritetet shqiptare i konsideruan si të sikletshme këto kërkesa dhe i refuzuan ato.
Në fund të viteve 1980, punëtorët në portin e Durrësit hapën rrugën për emigrimin me anije të viteve 1990. Në shkurt dhe mars 1987, dy marinarët e anijeve Teuta dhe Korabi zbarkuan në portin e Ravenës dhe ia mbathën. Qeveria e Tiranës u kërkoi italianëve t’i kthenin ata. Italianët e shpërfillën kërkesën. Më vonë ata informuan qeverinë shqiptare se marinarët kishin emigruar në SHBA. Më 20 dhjetor 1988, punëtorët në portin e Ravenës gjetën një burrë të fshehur brenda anijes shqiptare 6 Shkurti. Ai kishte një pasaportë me vete. Punëtorët denoncuan ekuipazhin e anijes sepse ata e detyruan burrin të kthehej në bordin e anijes pasi ai kishte zbritur në tokë. Policia e pyeti burrin se çfarë ndodhi. Ai, ndoshta i kërcënuar nga ekuipazhi i anijes, u përgjigj se kishte rënë aksidentalisht poshtë kuvertës sepse ishte i dehur. Autoritetet italiane lejuan që anija të kthehej me personin në fjalë në bord.
Më 6 janar 1989, nëntë persona rrëmbyen anijen Dukati dhe u nisën drejt bregdetit italian. Plani u realizua nga kapiteni Enver Meta dhe marinari Bardhyl Vogli. Rrëmbyesit sekuestruan shtatë anëtarë të ekuipazhit që nuk donin të emigronin dhe i mbajtën në robëri për të gjithë udhëtimin. Pasi mbërritën në Brindisi, ata aplikuan për azil politik. Qeveria shqiptare u përpoq të bindte autoritetet italiane që t’i lironin të arratisurit, duke i portretizuar ata si terroristë, shpërndarës droge dhe mafiozë. Megjithatë, vetëm njëri prej tyre kishte precedentë penalë dhe nuk kishte lidhje me terrorizmin apo drogën. Autoritetet italiane arrestuan kapitenin dhe marinarin për rrëmbimin e anijes dhe të njerëzve në të. Gjashtë të tjerët u strehuan te Caritas-i.
Kapiteni Enver Meta ekspozoi për mediat lokale kushtet e këqija sociale dhe mungesën e lirive politike në Shqipëri. Më 20 janar 1989, Meta dhe Vogli u liruan nga gjykata e Brindisit dhe u transferuan në një kamp refugjatësh. Gjykatësit argumentuan se mungesa e lirive politike të Shqipërisë ishte një fakt i njohur dhe se vendi nuk i përmbahej marrëveshjeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Gjykata pohoi se Meta dhe Vogli kishin shpëtuar nga një situatë që cenonte të drejtat e tyre individuale, si liria për të mërguar, liria e mendimit dhe liria e besimit. Avokati i punësuar nga shteti shqiptar dyshonte se dënimi ishte një “vendim politik”.
Politika për emigrantët shqiptarë ashpërsohet pas rënies së diktaturës
Në korrik të vitit 1990, mbi 800 shqiptarë hynë në ambasadën italiane në Tiranë. Të gjithë u transferuan në Itali. Në dhjetor 1990, diktatura shqiptare ra zyrtarisht. Midis shkurtit dhe marsit 1991, mbi 20,000 persona arritën në brigjet italiane me anije nga porti i Durrësit. Në atë kohë, qëndrimi i Romës ndaj emigrantëve shqiptarë filloi të ndryshojë.
Në mars 1991, mbi 18,000 shqiptarë aplikuan për azil, por vetëm 672 u pranuan. Në qershor 1991, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme italiane pohoi se Shqipëria kishte ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt demokratizimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Ndryshimi në kuadrin politik justifikoi politika më kufizuese ndaj emigrantëve shqiptarë. Megjithatë, ky vlerësim nuk mori parasysh situatën aktuale në terren. Shqipëria u sfidua atëherë nga kriza më e keqe politike dhe ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore. Shteti nuk mund të mbronte “të drejtat e njeriut”. Migrimi i ligjshëm ishte thuajse i pamundur për shumicën e shqiptarëve pasi ata nuk plotësonin kërkesat që nevojiteshin për të marrë viza.
“Mikpritja” për shqiptarët filloi në fund të viteve 1980, me disa raste të shpërndara personash që shkuan në Itali dhe që në shumë raste emigruan në SHBA apo gjetkë. Kjo fazë zgjati deri në shkurt-mars 1991, kur një numër i madh shqiptarësh shkuan në Itali me anije. Shqiptarët që u përpoqën të emigronin në muajt në vijim, si ata që udhëtuan me anijen Vlora, nuk u mirëpritën. Shumica e pasagjerëve u çuan në stadiumin e vjetër të Barit, ku u mbajtën pa akses në ujë, ushqim dhe tualete. Ndërsa policia u përpoq t’i mbante brenda stadiumit, sipas disa burimeve, njerëz të thjeshtë organizuan fushata “gjuetie” (caccia all’albanese) për të kapur ata që ia mbathnin. Shteti italian mori vendimin “e dhimbshëm” për të riatdhesuar të gjithë personat që erdhën me anijen Vlora.
Figura të opozitës kritikuan qeverinë për mënyrën se si ajo i trajtoi emigrantët shqiptarë. Bianca Gelli, nga Partia Komuniste, dërgoi një raport në OKB për të ekspozuar “trajtimin çnjerëzor” të tyre. Pino Rauti, i MSI-së, u shqetësua nga pamjet e shqiptarëve në stadium, sepse kjo i risolli në kujtesë përvojën e tij si i burgosur në një kamp përqendrimi. Në vitet e para të tranzicionit, shqiptarët shiheshin si viktima të komunizmit dhe kishin keqardhjen e politikanëve të ekstremit të djathtë me ndjenja nostalgjike si Rauti. Mirko Tremaglia, një tjetër eksponent i MSI-së, bëri një propozim me nëntone neo-koloniale. Ai përmendi një plan investimi në Afrikën e Veriut dhe Shqipëri të konceptuar nga partia e tij për të parandaluar emigrimin. Këto synime të këtij plani tingëllojnë të ngjashme me nismën e fundit të kryeministres Meloni, Piano Mattei. Duke evokuar të kaluarën koloniale të Romës, Tremaglia pohoi se Italia kishte lidhje të forta me Shqipërinë përpara komunizmit. Ai sugjeroi se Italia duhet të kishte marrë një mandat për menaxhimin e ndihmës në Shqipëri, sepse ngjarjet në Somali – një tjetër ish-koloni italiane – treguan se nuk mund t’u besohej qeverive vendore.
Ngjarjet në Bari përcaktuan tonin për trajtimin e shqiptarëve në Italinë e viteve 1990. Shfaqja e skandaleve të korrupsionit në vitin 1992 spastroi shumë politikanë italianë që merreshin me Shqipërinë në vitet e para të tranzicionit. Megjithatë, situata e emigrantëve shqiptarë nuk u përmirësua. Qeveritë e reja, qofshin ato të majta apo të djathta, vazhduan të zbatonin politika të rrepta migratore dhe shqiptarët u detyruan ta kalonin detin me mjete të paligjshme duke e vënë jetën e tyre në rrezik ekstrem. Shtypi dhe policia shtuan mbikëqyrjen ndaj tyre dhe i përdorën shqiptarët si koka turku. Shqiptarët punonin dhe ende punojnë me rroga më të ulëta dhe shpesh pa kontribute shoqërore. Në shumë raste, shteti nuk i mbrojti ata nga punëdhënës dhe trafikantë lakmitarë, sepse nuk pranoi t’u jepte dokumente.
Një mit i krijuar për ta paraqitur Italinë si “shpëtimtare”
Narrativa e “mikpritjes” synon të nxisë mitin e vjetër të Italisë si “shpëtimtarja” e shqiptarëve. Ky mit shërben për t’i bërë shqiptarët të ndihen fajtorë dhe në borxh ndaj shtetit italian dhe në të njëjtën kohë për të fshehur e harruar shfrytëzimin të cilit i është nënshtruar shumica e tyre.
Askush nuk duhet të ndihet borxhli ndaj Italisë apo të dëgjojë se çfarë thonë liderët demagogjikë si Rama dhe Meloni për marrëdhëniet shqiptaro-italiane. Është Italia ajo që duhet të ndihet borxhlie ndaj shqiptarëve, duke pasur parasysh kostot njerëzore dhe materiale të politikës imperialiste dhe luftërave që ajo bëri në Shqipëri. Kampet dhe kuadri ekspansionist i politikës së jashtme të Italisë rrezikojnë të helmojnë marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe italianëve. Përveç reflektimit të qëndrimit racist të ekstremit të djathtë italian ndaj shqiptarëve dhe emigrantëve të tjerë, ata evokojnë kampet e përqendrimit që Italia ndërtoi gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Unë mendoj se shqiptarët dhe italianët duhet ta kundërshtojnë ndërtimin e tyre.
/Reporter.al/