Historia e abuzimeve me fondet në bujqësi, nuk është vetëm ajo e skandalit të zbuluar nga OLAF, me fondet IPARD, por dhe vetë shteti shqiptar ka shpërdoruar fondet e dedikuara për fermerët. Në këtë emision, PLUG do të sjellë historinë e miliona eurove të investuara nga disa bashki të vendit për ndërtimin e pikave të grumbullimit apo tregjeve lokale, të cilat sot nuk funksionojnë.
Janë pesë bashki, ajo e Tiranës, Belshit, Vaut të Dejës, Korçës dhe Bulqizës, të cilat si asnjë herë në historinë e subvencioneve, kanë përfituar miliona euro të dedikuara për fermerët me qëllim propagandën në prag fushate, dhe shpërdorimin e këtyre fondeve. 1.3 milionë euro të dhëna nga buxheti i shtetit dhe miliona euro të tjera nga grante apo të ardhurat e këtyre bashkive, janë shpërdoruar duke ndërtuar tregje dhe pika grumbullimi në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, por që sot nuk janë funksionale.
Viti 2023 shënon kulmin e një prej skandaleve më të mëdha financiare që ka ndodhur në vendin tonë me ndihmat e huaja. Në korrik të vitit të kaluar, Agjencia Kundër Mashtrimit Financiar në Bashkimin Europian, OLAF, njoftoi se kishte pezulluar zbatimin e dhënies së granteve IPARD II për Shqipërinë. Miliona euro donacione për fermerët shqiptarë, që në fakt përfundonin në xhepat e oligarkëve të rinj të resorteve turistike, u pezulluan nga BE. Vetëm pak muaj pas pezullimit të parë, Bashkimi Europian noftoi se Shqipëria nuk do të përfitonte as fondet e IPARD III, që kapnin vlerën e rreth 140 milionë eurove.
Me pak fjalë, OLAF zbuloi se Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia për Zvhillimin Bujqësor dhe Rural, kishin devijuar destinacionin e fondeve të dhëna për të ndihmuar fermerët nga taksat e qytetarëve Europianë, duke i çuar ato në projekte për ndërtim të të ashtuquajturve “Agroturizme”, por që në fakt, rezultuan se ishin restorante luksoze pa asnjë lidhje me konceptin e agriturizmit. Mes përfituesve të këtyre fondeve, rezultoi se ishin njerëz me lidhje të forta me politikën, përfshirë ish-kryebashkiakët socialistë të Kavajës, Elvis Roshin dhe të Divjakës, …….. apo dhe bosët e inceneratorëve etj.
Qeveria tentoi të justifikonte dhe sfumonte përmasat e skandalit, teksa kryeministri Rama dhe ish-ministrja e tij e bujqësisë, që më herët kishte drejtuar AZHBR-n, Frida Krifca dolën në publik duke treguar se bëhej fjalë për një episod.
Mirëpo nuk ishte ashtu. Frica Krifca u shkarkua në vjeshtën e vitit të kaluar nga detyra, ndërsa deri më tani, kur OLAF ka mbyllur hetimet dhe ka dorëzuar dosjen hetimore në organet përkatëse, nga SPAK nuk ka asnjë shenjë se po heton këtë skandal…
Por, për këtë skandal, që i shkakton dëm financiar direkt fermerëve shqiptar, do të flasin në një emision tjetër, ku do të sjellim me emra përfituesit e fondeve të BE dhe si i kanë shpenzuar ato para. Në këtë emision, “Plug”, do të sjellë një episod skandaloz ku vetë qeveria shqiptare shpërdoroi mbi 1 milion euro të destinuara për fermerët, duke ua dhuruar 5 bashkive të vendit si qokë elektorale dhe propaganda në prag të zgjedhjeve të 14 majit 2023.
Në datën 11 shkurt të vitit 2022, Ministria e Bujqësisë e drejtuar në atë kohë nga Frida Krifca, nxori Udhëzimin e parë të vitit. Udhëzimi Nr.1 i datës 11 shkurt 2022 “PËR KRITERET, PROCEDURAT DHE MËNYRËN E ADMINISTRIMIT TË FONDIT TË PROGRAMIT PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL”, përcaktonte rregullat dhe shumat e përfitimit të granteve dhe subvencioneve në bujqësi, nga fondet e buxhetit të shtetit dhe ndihmat e Bashkimit Europian nëpërmjet instrumetit IPARD.
Udhëzimi i 11 shkurtit të vitit 2022, nuk ndryshonte shumë nga ai i një viti më parë. Megjithatë, ndryshe nga udhëzimet e mëparshme, për herë të parë Ministria e Bujqësisë përcaktonte në pikën 10 të udhëzimit se përfitues të granteve të fermerëve, mund të bëheshin dhe kompani me aksioner dhe kapital publik.
Ja çfarë shkruhej në Emërtimet e Masës së përfituesve, në pikën 10 e udhëzimit të 11 shkurtit të vitit 2022:
Mbështetje për ndërtimin e tregjeve të produkteve bujqësore dhe/ose tregjeve të kafshëve të gjalla për shoqëritë me kapital 100% publik, në vlerën jo më shumë se 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë.
Kjo masë u shtua për herë të parë në historinë e shpërndarjes së subencioneve për fermerët dhe bujqësinë. Ky përcaktim, i hapte rrugën direkt bashkive të vendit të futeshin në tavën e fondeve që shpërndahen për fermerët. Në faqen 17 të udhëzimit, Ministria e Bujqësisë përcaktonte më hollësisht se si bashkitë do mund t`i përfitonin këto fonde. Një nga kriteret e përfitimit, dhe konkretisht pika (i) e kritereve, ishte që: Objekti të jetë funksional në përfundim të investimi…
Nuk ka të dhëna të hollësishme, të cilat të tregojnë se si bashkitë përfituese kanë dhënë garanci që këto tregje do të ishin funksionale në përfundim të investimit, por, faktet tregojnë se sot, gati dy vjet pasi u ideua dhe u dhanë 1.3 milionë euro para të fermerëve për pesë bashki, këto të fundit kanë ndërtuar objektet, por nuk i kanë vënë në funksion.
Le ti marrim me radhë bashkitë. Pesë njësitë e pushtetit lokal që përfituan për herë të parë grante të fermerëve, janë:
– Bashkia Tiranë 28,639,350 lekë
– Bashkia Vau i Dejës 30,000,000 lekë
– Bashkia Bulqizë 23,751,991 lekë
– Bashkia Korçë 24,755,991 lekë
– Bashkia Belsh 24,941,310 lekë
Shuma totale e fondeve për të pesta bashkitë fituese është 132,088,642 lekë, apo rreth 1.3 milionë euro. Bashkia e Tiranës, e cila përfitoi shumën e rreth 280 mijë eurove nga AZHBR, hapi garën për tenderimin e këtyre parave në datën 4 janar të vitit 2023. Tenderi qëndroi i hapur për vetëm dy javë, teksa në datën 24 janar të vitit 2023 u shpall fituese kompania KACEDJA SHPK. Në garën për këtë tender morën pjesë 7 operatorë ekonomik, ndërsa tenderi u vlerësua me flamur të kuq nga open data, pasi nga gara u skualifikuan të gjithë operatorët e tjerë pjesëmarrës përveç fituesit.
Në një përgjigje të bashkisë Tiranë, kthyer kohë më parë autorit të programit, thuhej se investimi parashikonte një sërë komponentësh, që si qëllim final kishin sigurimin e standardeve ushqimore për konsumatorët dhe uljen e çmimit për ta.
Projekti ka si synim ndërtimin e një strukture të dedikuar për fermerët lokal, si hapësirë brenda investimit që tashmë po zbatohet nga Bashkia për tregun agro-ushqimor. Projekti parashikon edhe financimin e standarteve të sigurisë ushqimore, struktura peshimi automatike dhe strukturë për përpunimin, gatimin dhe riciklimin e produkteve bujqësore. Objekti do të ofrojë hapësira tregtimi dhe magazinimi për tregtarët e shumicës si edhe hapësira tregtimi me pakicë për fermerët lokal. Fondi i përfituar nga AZHBR është 28 639 350 lekë pa tvsh. Dhe me to do të financohet nga vetë Bashkia shkon 34 367 220 lekë. Si në përgjigjen e pikës 2 edhe për pikën 4 ju informojmë se, nuk kemi të bëjmë me një pikë grumbullimi, por hapësirë tregtimi me shumicë dhe pakicë, pasi synimi ynë është shkurtimi i zinxhirit të produkteve bujqësore nga toka drejt tavolinës. Prandaj marrëdhënia me fermerët, sidomos ata lokal, do të jetë parësore në këtë aspekt të cilët do të kenë mundesine të marrin me qira hapësira edhe për të tregtuar nëpërmjet tregut dhe shkurtimit të zinxhirit është rritja e fitimit për fermeret dhe ulja e çmimeve për komumatorët
Këto para, Bashkia e Tiranës i mori dhe investoi në prag të fushaës elektorale të zgjedhjeve të 14 majit, me qëllim, investimin brenda tregut të ri agro-ushqimor të ndërtuar në Farkë, dedikuar si treg lokal ditor për fermerët nga zonat rurale. Ky treg, i cili sipas afateve të tenderit do të duhet të ishte ndërtuar brenda 3 muajve, rezulton sot se nuk është funksional, ose më saktë, nuk përdoret nga fermerët lokal për të cilin u investua.
Në 8 maj të vitit 2023, vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale, Erion Veliaj dhe ish ministrja e bujqësisë Frida Krifca organizuan një cermeoni pomoze duke inauguruar në tërsi këtë treg, i cili do të duhet të ishte përfunduar shumë kohë më parë, ndërsa ka kushtuar mbi 2 milionë euro deri më tani. Pothuajse të gjithë tenderat e ndarë në disa lote për ndërtimin e këtij tregu që ende nuk është funksional në mënyrë të plotë i ka fituar kompania KACDEDJA, EVEREST etj.
Emisioni PLUG pa nga afër pikërisht investimin prej rreth 280 mijë eurove me TVSH për ndërtimin e tregut lokal brenda tregut ushqimor Tirana Agro Park. Sipas projektit, tregu i ndërtuar do të duhet të ishte ky, pra një treg funksional, me tavolina, frigorifer dhe gjithë akseset ku fermerët e Tiranës do të shisnin çdo ditë prodhimet e tyre. Por, siç shihet nga punimet në terren, deri më tani, është krijuar vetëm kjo hapësirë e mbuluar me panele metalike ndërsa nuk ka asnjë kusht për ushtrimin e aktivitetit nga fermerët lokal. Pra, kur janë kaluar të gjitha afatet e përfundimit të punimeve dhe janë shpenzuar qindra mijëra euro të taksapguesve dhe fermerëve, ky treg ka rezultuar vetëm një premtim elektoral.
Dështimin e punimeve për këtë treg, i denoncoi edhe ish-kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet e 14 majit, Belind Këlliçi. Në atë kohë, në periudhë fushate, Këlliçi vizitoi këtë treg, për të cilin janë shpenzur mbi 2 milionë euro, duke treguar se ai është jo funksional. Edhe sot e kësaj dite, ky treg është pothuajse jo funksional.
Një tjetër bashki, që përfitoi fonde nga AZHBR për të ndërtuar sipas saj, një pikë grumbullimi për produktet bujqësore të fermerëve ishte, Bashkia Vau Dejës. Madje, kjo bashki, që deri në 14 maj 2023 drejtohej nga Mark Babani, përfitoi shumë e plotë të financimit nga ministria e Bujqësisë, prej rreth 30 milionë lekësh apo rreth 290 mijë eurosh.
Sipas të dhënave publike të Open Data, bashkia Vau Dejës, hapi garën për ndërtimin e pikës së grumbullimit në datën 27 shtator të vitit 2022, ndërsa vendosi si vlerë të fondit limit shumën e 28 milion lekëve, apo rreth 12 mijë euro më pak se granti i fituar nga AZHBR. Në fakt, për tenderin u shpall fituese kompania KOMBESA SHA në datën 13 tetor të vitit 2022, ndërsa vlera e kontraktuar me TVSH ishte shuma e 30 milion lekëve apo 300 mijë eurove.
Plotë 300 mijë euro, para të destinuara për fermerët shqiptarë, i mori bashkia e Vaut të Dejës, e cila i ka shpenzuar për të ndërtuar këtë godinë që shihni në ekran. Sot, godina është jo funksionale, ajo nuk është hapur kurrë dhe asnjë nga fermerët e zonës së Vaut të Dejës nuk e ka përdorur atë deri më sot.
Madje, ngrihen dyshime se ndërtimi i kësaj magazine, nuk është bërë i plotë. Sipas projektit, do të duhet të ishte ndërtuar dhe një parkim, por, siç shihet dhe nga pamjet, parkim nuk ka. Nga të dhënat e publikuara nga Open Data, rezulton se bashkia Vau Dejës, në datën 24 korrik ka bërë një rishikim dhe modifikim të kontratës duke shtyrë afatin e punimeve me 27 ditë kalendarike për shkak se sipas bashkisë projekti nuk kishte përfunduar për shkak të problemeve nga moti. Megjithatë, projekti fillestar do të duhet të kishte përfunduar së paku në muajin maj të vitit 2023, dhe do të duhet të ishte vënë në funksion për fermerët e zonës. Por siç shihet, bashkia ka pranuar se projekti nuk kishte përfunduar as në muajin korrik të vitit 2023, e ndërsa deri më tani, nuk ka asnjë të dhënë për inaugurimin e këtij tregu nga kryebashkiaku aktual.
Një tjetër bashki, që përfitoi fonde direkte nga AHBR për të ndërtuar një treg lokal ishte dhe Bulqiza. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, të siguruara nga emisioni Plug, bashkia Bulqizë përfitoi financim nga AZHBR në masën e 23,751,991 lekë apo rreth 230 mijë euro.
Sipas vetë bashkisë, përgjigjur për programin, ky treg i mungon qytetit dhe do të shërbente si një vendtakim për fermerët e zonës, në çdo ditë të vitit.
Bashkia Bulqizë ka synuar përmes mbështetjes nga AZHBR, ndërtimin e një tregu bujqësor dhe agroushqimor brenda në Njësinë Administrative Bulqizë, i cili do të shërbejë si vend takim për fermerët e zonës. Ky treg i munguar do të jetë për fruta-perime, produkte agro- ushqimore do të jetë ditor dhe i menaxhuar nga Bashkia Bulqizë. Projekti i dërguar nga ana jonë kap vlerën e 28,502,389 lekësh të reja nga të cilat AZHBR ka financuar rreth 80% te projektit pra 23.751.991 lekë.
Ndryshe nga bashkitë e tjera, Bulqiza, hapi dy herë garën për të ndërtuar tregun me paratë e fermerëve. Fillimisht, u hap gara në 22 shtator të vitit 2022, ky u shpall fituese për ndërtimin e tregut kompania EGLAND SHPK. Por çuditërisht, pasi u shpall fituese kjo kompani në një garë ku u skualifikuan të gjithë kompanitë e tjera, bashkia e Bulqizës rihapi procedurat e tenderit nga e para në muajin nëntor të vitit 2022, ndonëse nuk pati asnjë ankesa nga operatorët e tjerë ekonomik për parregullësi.
Mbetet enigmë anullimi I tenderit të parë të bashkisë bulqizë për këtë projekt.
Megjithatë, në tenderin e dytë, morën pjeë vetëm dy kompani në garë, Selami SHPK që u shpall fituese me vlerën e 270 mijë eurove me TVSH. Nga vëzhgimi I bërë në terren, rezulton se ky treg është ndërtuar, por ashtu si në rastet e tjera, ai është jo funksional. Këtë e tregojnë dhe vetë banorët e Bulqizës, të cilët nuk dinë të japin një përgjigje mbi arsyet pse tregu është jo funksional.
Bashkia e Belshit, ishte një tjetër bashki me fat që mori pjesë në tortën e parave të fermerëve shqiptarë, falë bujarisë së AZHBR. Kjo bashki përfitoi 24,941,310 lekë ose rreth 240 mijë euro. Tregu i parshikuar në projekt, u ndërtua në aksin rrugor Belsh-Berat, pranë liqenit të Merhojës. Tregu ndodhet rreth 3 km larg qytetit të Belshit.
Sipas të dhënave të projektit, pasi bashkia nuk është përgjigjur kurrë zyrtarisht për këtë treg, rezulton se tenderi u hap në datën 31 gusht dhe fituesi u shpall në datën 7 tetor të vitit 2022. Në garën për të fituar 240 mijë euro për ndërtimin e këtij tregu që shihni në ekran, morën pjesë 16 operator, por fitues u shpall kompania LTE Concstuktion INFINIT, me vlerën e rreth 180 mijë eurove.
Punimet kanë zgjatur rreth tre muaj, ndërsa tregu ka përfunduar në prag të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar. Megjithatë, emisioni Plug ka kryer dy herë në kohë të ndryshme vëzhgim në këtë treg. Njëherë në muajin tetor të vitit 2023 dhe tashmë në janar të vitit 2024. Në të dy vëzhgimet e kryera, rezulton se tregu bujqësor në Belsh nuk është funksional. Këtë e dëshmojnë dhe vetë banorët, të cilët thonë se tregu nuk u inaugurua kurrë.
Siç shihet dhe nga pamjet, tregu është ky, një hapësirë boshe e mbuluar me tjegulla, dhe një godinë disa dhjetëra metra katror, pas një mobilim apo strukturë që do të shërbente për fermerët. Madje, në të gjitha rastet, duket se investimet edhe po dëmtohen për shkak të mungesës së mirëmbajtjes.
Por historitë e dështimit dhe shpërdorimit të parave me pika grumbullimi apo tregje në bashkinë e Belshit, nuk përfundojnë me kaq. Gjatë punës për realizimin në terren në tregjet e braktisura por të financuara me para publike, gazetarët e emisionit Plug zbuluan edhe një tjetër pikë grumbullimi, po në Bashkinë Belsh, e ndërtuar me donacione të huaja e cila nuk është hapur kurrë.
Kjo pikë grumbullimi për produkte bujqësore, është ndërtuar në fshatin Seferan, me donacion të qeverisë italiane nëpërmjet IACA-s. banorët thonë se prej ndërtimit, pika dhuratë e qeverisë italiane në shërbim të fermerëve të Dumresë, nuk është vënë kurrë në funksion.
Këtë e pranojnë dhe vetë zyrtarët e bashkisë Belsh, të cilët për emisionin Plug, u shprehën se bashkia nuk mund të bëjë rolin e grumbulluesit, duke treguar gjithashtu se magazine do të jepet në përdorim për subjekte apo shoqata private.
Në fakt, ky pohim tregon kontradiktën e madhe në të gjithë këtë sipërmarrje të bashkive, të cilat kanë krijuar pika grumbullimi për produktet bujqësore, duke u futur në një sektor që e kryen zakonisht sipërmarrja private. madje, sot në shqipëri, siç tregojnë dhe ekspertët janë me qindra pika grumbulli që menaxhohen nga biznesi privat dhe që kanë krijuar mundësi që fermerët të shesin prodhimet e tyre bujqësore.
Bashkia Korçë, ishte gjithashtu një ndër pesë bashkitë që përfitoi para të destinuara për fermerët, për të përmirësuar kushtet e tregut ekzistues të gjësë së gjallë në fshatin Turan. Nga qeveria, bashkia e Korçës përfitoi rreth 240 mijë euro, nga të cilat rezulton se ka shpenzuar rreth 180 mijë euro.
Sipas projektit, dhe përgjigjes së kthyer kohë më parë për programin, paratë janë shpenzuar për asfaltimin e rrugëve hyrëse dhe dalëse, parkingut, hapësirave të gjelbërta dhe vendqëndrimit të kafshëve në këtë treg.
Në fakt, ky treg që shihni në pamje, rezulton sot se është i vetmi treg funksional, nga pesë tregjet apo pikat e grumbullimit, që janë ndërtuar tërësisht apo pjesërisht nga fondet e destinuara për fermerët.
Sot gati dy vjet pasi qeveria i hapi rrugë bashkive të përfitonin fonde të destinuara për fermerët, rezulton se pesë bashki kanë përfituar në total 1.3 milionë euro, me pretendimin e ndërtimit të tregjeve lokale. Nga vëzhgimi në terren, i programit “Plug”, rezulton se të paktën 4 nga pesë tregjet e ndërtuara, janë jashtë funksionit dhe nuk u shërbejnë as fermerëve dhe as qytetarëve.
Ekspertët Alban Çakalli dhe Eduard Sharka, e cilësojnë këtë si abuzim me fondet që duhet të shkonin për fermerët. Sipas tyre, është e gabuar që bashkitë kanë përfituar para të destinuara për mbështetjen e bujqësisë, pasi ligji i ngarkon me përgjegjësi bashkitë që të ndërtojnë tregje lokale nga të ardhurat e tyre.
Nga të dhënat e siguruar nga emisioni Plug, për vitin 2022, qeveria subvencionoi një nga zonat më të mëdha bujqësore të vendit, Divjakën, me një shumë prej rreth 1.3 milionë euro. Nga të dhënat rezulton se 1.3 milionë euro, që qeveria dha për fermerët e Divjakës, u shpërndanë në rreth 1700 fermerë të zonës. Pra, nëse 1.3 milionë euro që qeveria ua dha 5 bashkive, do të shpërndaheshin direkt për fermerët, nga ato do të përfitonin së paku 1700 fermer në vend.
Por, ky është rasti I rrallë, që qeveria qendrore u jep fondet e fermerëve bashkive, të cilat I përdorën ato vetëm për qëllime propoagandistike pasi siç ka faktuar tashmë emisioni “Plug”, këto tregje apo pika grumbullimi janë jashtë funksionit. Sa herë që në Shqipëri ka diskutim për mbështetjen e fermerëve, referencë si model suksesi është Kosova.
Emisioni Plug, intervistoi një prej fermerëve të Kosovës, Smajl Balaj, një i ri i cili ka vendosur të qëndrojë në vendlindjen e tij Drenas, teksa kultivon Luleshtrydhet.
Smajli tregoi se në Kosovë, jo vetëm që pushteti lokal nuk merr fondet e fermerëve, por ndryshe nga Shqipëria, komunat në Kosovë, japin subvencione krah pushtetit qëndror për të ndihmuar fermerët.
Ai tregon rastin e disa komunave, të cilat, subvecionojnë jo vetëm qumështin për litër, por edhe sipërfaqet e mbjella me grurë, bagëtitë apo kultura të tjera bujqësore, në varësi të interesit ekonomik të zonës.
Sipas Eduart Sharkës, këto tregje të krijuara nga bashkitë nuk do të funksionojnë kurrë, pasi fermerët, sipas tij, janë të lidhur me pikat e grumbullimit apo tregtarët e mëdhenj.
Ekspertët thonë se këto tregje janë një skemë abuzimi, me qëllim final privatizimin e këtyre pikave të grumbullimit.
Kjo është vetëm një copëz e historisë së abuzimit, këtë herë të vetë shtetit, me fondet që duhet të shkonin në mbështetje të fermerëve. Shqipëria është rast i rrallë, ku qeveria qëndrore, financon me paratë e fermerëve qeverinë lokale, e cila në fakt, me fuqinë që i jep ligji, duhet të ishte pararojë e mbështetjes së fermerëve me subvencione sikundër ndodh në pjesën tjetër të kombit, Kosovën….
/SYRI.net/