Pokurori i Beratit, Gentian Habazaj u përball të martën më 30 janar me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore u pyet dhe dha shpjegime për një depozitë dhe një apartament në përdorim, të krijuara me të ardhurat e prindërve, si dhe për disa çështje profesionale.
Hetimi administrativ për Habazajn po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relator Roland Ilian dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.
Habazaj e ka filluar karrierën e tij në prokurorinë e Durrësit dhe që nga viti 2010 e ushtron detyrën në prokurorinë e Beratit.
Pasuria
Relatori Ilia konstatoi se subjekti ka çelur në vitin 2016 një depozitë me vlerë 4.8 milionë lekë, me burim të deklaruar një depozitë të mëparshëme në masën 5.4 milionë lekë të krijuar në vitin 2003 me të ardhurat e prindërve nga puna e tyre dhe aktiviteti babait si avokat. Sipas Ilias, subjekti ka deklaruar se ky ka qenë një dhurim i prindërve i kryer para fillimit të detyrës.
Megjithatë, Komisioni ka kryer analizën financiare për burimet e kësaj depozite në vitin 2016. KPK ka analizuar dhe kursimet e bashkëshortes në masën rreth 1 milion lekë të krijuar para martese, shumë për të cilën ajo ka rezultuar me bilanc pozitiv.
Nga analiza e përgjithshme paraprake për krijimin e depozitës, është konstatuar balancë negative në shumën 2.6 milionë lekë.
Komisionerja Suela zhegu evidentoi në fund të seancës se subjekti e kishte tërhequr në vitin 2010 vlerën e depozituar në 2003-in dhe kishte çelur depozitën tjetër 6 vjet më vonë. Ajo i kërkoi subjektit të argumentonte se përse duhej që Komisioni të bindej se paratë e tërhequra nga depozita në vitin 2010, ishin ato të depozituara në 2016-ën, si dhe përse dhe ku ishin mbajtur për një kohë kaq të gjatë jashtë sistemit bankar.
Subjekti pohoi se ishte emëruar si prokuor 7 vjet pas krijimit të kësaj depozite. Sipas tij, prindërit kishin pasur burime të ligjshme për krijimin e vlerës që i kanë dhënë. Sipas tij, nëna i kishte treguar së fundmi për një vlerë prej 842 mijë lekësh që ajo e kishte përfituar nga një vendim gjyqësor si pasojë e shkurtimit të vendit të punës.
Ai kundërshtoi edhe konsiderimin nga Komisioni të dhënies së një huaje nga babai subjektit të rivlerësimit A.C.. Sipas subjektit, në të vërtetë kjo hua nuk ishte dhënë. Megjithatë, ai kërkoi që edhe nëse konsiderohen vendimet për vetingun e subjektit A.C, që e kanë përfshirë shlyerjen e huasë në vitin 2011, duhet që vlera 3 milionë lekë të jetë pjesë e analizës së atij viti.
Habazaj deklaroi se në vitin 2010 kishte vendosur të tërhiqte vlerën e depozituar në bankë për arsye të informacioneve që kishte marrë nga miq që punonin në sektorin financiar lidhur me rrezikun e falimentimit të bankave. Sipas tij, interesi ishte vetëm 30 lekë për vlerën 5 milionë lekë që kishte depozituar dhe për këtë arsye e kishte tërhequr për ta mbajtur më të sigurtë në banesë.
Në vijim subjekti shpjegoi se ishte fejuar e më pas martuar dhe për këtë arsye kishte menduar që të blinte një banesë, por vlera kishte qenë e pamjaftueshme. Ai sqaroi se meqënëse mund të përdornin apartamentin e prindërve të tij, kishin shpenzuar rreth 1 milion lekë për mobilimin dhe ishin sistemuar aty. Sipas shpjegimeve të subjektit, më vonë bashkëshortja kishte pasur në planë të invesotnte për krijimin e një klinike stomatologjike për të ushtruar profesionin, por ishte sëmurur rëndë dhe nuk e kishte realizuar. Pasi ishte shëruar kishte marrë klinikë me qira dhe për rrjedhojë, vlerën e kishte ridepozituar në vitin 2016. Habazaj sqaroi se kishte depozituar vetëm 4.8 milionë lekë, pasi rreth 1.5 milionë lekë të tjera i kishte mbajtur cash në shtëpi.
Komisioni konstatoi pamundësi të prindërve të subjektit dhe për blerjen e apartamentit që ai ka në përdorim. Kjo pasuri është porositur në vitin 2014 nga prindërit për çmimin 72 mië e 210 euro. Sipas KPK, para blerjes së kësaj banese, prindërit kanë investuar dhe në tre pasuri të tjera në një vlerë totale rreth 253 mijë euro. Nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi e prindërve në shumën rreth 3 milionë lekë për blerjen e apartamentit që përdor subjekti.
Habazaj tha se qëndrimi i tij për këtë pasuri është procedural. Ai u shpreh se nuk ishte i detyruar të jepte shpjegime, përderisa KPK nuk i kishte kaluar barrë prove për fshehje pasurie. Për të mbështetur qëndrimin e tij ai solli në vemendje jurispudencën e Kolegjit. Subjekti theksoi se nuk kishte ndonjë mardhënie interesi pasuror dhe shtoi se prindërit nuk mund të konsideroheshin si persona të tjerë të lidhur.
I pyetur nga vëzhguesi ndërkombëtar, Francesco Ciardi lidhur me burimin e të ardhurave të prindërve që kishin shërbyer për blerjen e tre pasurive të tjera në vitet 2010-2012, subjekti vërejti se kishte vërtetuar me dokumentacion se babai kishte lënë testament që ato t’u kalojnë dy motrave dhe nënës.
Sipas tij, babai i kishte lënë vetëm shtëpinë e vjetër në Vlorë të fituar me privatizim dhe një shtesë aty. Për apartamentin në Tiranë, ai tha se jo pa qëllim ishte vendosur ne emër të nënës. Kjo, sipas subjektit, me qëllim që ai të kujdesej si duhej për nënën gjatë gjithë jetës.
Ai shtoi se vetë KPK kishte konstatuar se pasuritë e prindërve rridhnin kryesisht nga aktiviteti i babait si avokat në kushtet e informalitetit. Habazaj vërejti se i ati kishte ndërruar jetë shtatë vjet më parë dhe se e kishte të vështirë të siguronte të dhëna për të ardhurat e tij. “Nuk mund të penalizohem për gjera të prindërve të mij”, theksoi Habazaj.
Profesionalizmi
Prokurori Habazaj theksoi se kishte punuar gjithmonë me përkushtim. Ai vërejti se kishte zbardhur tre dosje vrasjesh të vitit 1997 dhe një një vrasje të ndodhur jashtë, për të cilat të pandehurit kishin marrë fajësi.
Në vijim subjekti u ndal në gjejtet për çështjet e denoncuara nga publiku. Ai cilësoi të pavërteta pretendimet e denoncuesit S.B., se autori i aksidentit me vdekje të bashkëshortes së tij ishte liruar. Sipas Habazajt, që në fillim ai kishte kërkuar “arrest në burg” dhe se kishte ankimuar zëvendësimin e masës nga gjykata në “detyrim paraqitje”, që Apeli e kishte caktuar sërish në qeli. Ai pohoi se çështjen e kishte dërguar për gjykim dhe se e kishte njoftuar shtetasin S.B. për çdo hap procedural. “I pandehuri është deklaruar fajtor dhe ka vuajtur dënimin”, tha subjekti.
Ai kundërshtoi edhe pretendimet e denoncuesve H.B. dhe L.J, për moshetimin e një falsifikimi, pasi ishte vendosur mosfillim pa kryer më parë verifikimet e nevojshme. Habazaj shpjegoi se nuk e kishte pranuar ekspertimin e palëve, pasi ishte kryer mbi një fotokopje dhe jo mbi origjinalin.
Subjekti dha shpjegime dhe për dy vendime mosfillimi duke vërejtur se vendimarjet e tij ishin lënë në fuqi.
Në përfundim ai deklaroi se kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet të mërkurën më 31 janar, në orën 09:50.
/reporter.al/