Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që do të mbajë këtë post në këtë shtet.
Për zgjedhjen e ekzekutivit, që ka mandat prej 100 ditësh, votuan 65 deputetë, 3 ishin kundër dhe asnjë abstenim.
Qeveria teknike e Xhaferit ka mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.
Gjatë debatit parlamentar më herët gjatë 28 janarit, Xhaferi prezantoi programin e punës së Qeverisë, e cila do të ketë mandat prej 100 ditësh, për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.
Xhaferi, që më herët ka mbajtur postin e kryetarit të Kuvendit, tha se pa marrë parasysh se sa gjatë do të jetë në krye të Qeverisë, ai do të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet, në përputhje me Kushtetutën dhe pritjet e qytetarëve.
“Prioritet i parë do të jetë organizimi i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në mënyrë të rregullt dhe demokratike. Për mua si mandatar, pa marrë parasysh nëse do ta drejtoj këtë Qeveri një ditë apo 100 ditë, unë këtë detyrë, këtë përgjegjësi dhe besimin e dhënë do ta kryej me përgjegjësi, ashtu siç kam vepruar edhe me sfidat tjera që ishin para meje. Për asnjë moment nuk do të lëshoj pe nga ajo që nënkupton Qeveri efikase, funksionale dhe përgjegjëse. Unë dhe Qeveria do të vazhdojmë të punojmë për realizimin me sukses dhe efikasitet të plotë të politikave të qeverisë”, tha Xhaferi.
Mandatari për formimin e Qeverisë teknike tha se ekzekutivi që ai do drejtojë, do të mbetet e fokusuar në agjendën evropiane dhe zhvillimin ekonomik të vendit, rritjen e pagave dhe pensioneve, uljen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe uljen e inflacionit.
“Qeveria do të mbetet e përkushtuar në planin për rritje ekonomike, që është pjesë e planit për zgjerimin e Bashkimit Evropian…Lufta kundër ekonomisë joformale nuk do të ndalet. Do të jemi transparent në punën tonë dhe me financat publike. Problemet e qytetarëve në nivel lokal, pavarësisht se të cilës komunë i takojnë, do të kenë mbështetjen e plotë të pushtetit qendror”, u shpreh Xhaferi.
Kush është Talat Xhaferi?
Talat Xhaferi u lind më 15 prill 1962 në fshatin Forinë të Gostivarit.
Ka përfunduar akademinë ushtarake në Beograd dhe Sarajevë. Nga viti 1985 deri në vitin 1991 ka shërbyer si epror i lartë në Armatën Popullore të ish-Jugosllavisë. Ndërkaq, nga viti 1992 deri më 2001 ka qenë oficer i Armatës së Maqedonisë së Veriut.
Gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001 në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi i ishte bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që luftoi për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në këtë shtet.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002, Talat Xhaferi u zgjodh për herë të parë deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Nga viti 2004 deri më 2006, ai shërbeu në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes.
Në zgjedhjet parlamentare në vitin 2008, Xhaferi sërish u zgjodh deputet, ndërkaq në vitin 2013 u emërua ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Nikolla Gruevskit.
Nga viti 2014 deri në vitin 2016 sërish ushtroi postin e deputetit në Kuvendin maqedonas, ndërsa më 27 prill 2017 u zgjodh kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Këtë post Xhaferi e mbajti deri në caktimin si mandatar për formimin e Qeverisë teknike.
VMRO i cilëson “dezertorë” Xhaferin dhe Kovaçevskin
Partia maqedonase në opozitë, VMRO DMPNE, i cilësoi si “dezertorë” Xhaferin dhe ish-kryeministrin, Dimitar Kovaçevski.
Gjatë seancës së 28 janarit, deputeti i VMRO-së, Antonio Milloshoski, tha se qytetarët e Maqedonisë së Veriut “nuk duhet të kenë asnjë pritje nga Talat Xhaferi, ashtu siç nuk patën as nga Dimitar Kovaçevski”.
“Një dezertor iku, një tjetër dezertor po vjen. As ai që u ngrit nga kolltuku dhe as ky që do të ulet në të nuk kanë ndjenja të sinqerta ndaj Maqedonisë andaj sikur edhe Kovaçevski që ishte kryeministri më i keq deri më tani, mos prisni që as Talat XHaferi se do të jetë më i mirë dhe të punojë për shtet të suksesshëm dhe të përparuar”, tha Milloshoski.
Ai akuzoi partitë maqedonase në pushtet se kanë “tradhtuar shtetin e tyre”.
“LSDM-ja dhe partitë tjera të koalicionit, shërbëtorët e besueshëm të BDI-së për shkak të aferave korruptive, sot popullin maqedon e bënë qiraxhi në shtetin e tyre. Ne vend të premtimit për evropianizimin e Maqedonisë, sot këto parti maqedonase, i bënë një nënçmim të madh duke ja ofruar BDI-zimin e shtetit”, tha Milloshoski, deputet i VMRO DPMNE-së.
Ahmeti: Maqedonasit nuk duhet të kenë frikë nga barazia e popujve
Gjatë debatit, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, se maqedonasit nuk duhet të kenë frikë nga “barazia e popujve” që garantohet me Marrëveshjen e Ohrit, që ndaloi konfliktin e armatosur në vitin 2001.
Kjo marrëveshje, sipas Ahmetit, ka sjellë stabilitet në Maqedoninë e Veriut, që tani është “shtëpi e përbashkët e të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në të”.
“Varet nga të gjithë ne nëse këtë shtet do ta çojmë përpara apo do ta kthejmë pas. Këtë ia kam thënë të gjithë partnerëve. Unë punoj për interesa e këtij shteti”, tha kryetari i BDI-së.
Ahmeti kundërshtoi deputetët e opozitës të cilët thanë se “BDI-ja e bëri Maqedoninë shtet qira për maqedonasit, ndërsa ata drejtuan edhe akuza ndaj zyrtarëve të BDI-së për përfshirje në “krim të organizuar dhe korrupsion”.
“Do të doja që ne të mos bëjmë këtu fjalime politike pasi zgjedhjet janë më 8 maj. Nuk duhet të luajnë rolin e gjykatësit dhe prokurorit. Ky është Kuvend ku sillen vendime të mëdha për të ardhmen e vendit, ndërsa për çështjet tjera duhet të merren organet e ndjekjes”, tha Ahmeti.
Ai gjithashtu theksoi nevojën e një uniteti në shtet për të arritur integrimin e tij në Bashkimin Evropian, ndërsa kujtoi rreziqet që vijnë nga Rusia, e cila sipas tij, punon për destabilizimin e rajonit.
“Moska ka uzurpuar Ukrainën. Ka shkelur sovranitetin e Ukrainës, andaj duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë politikash do të udhëheqim”, tha kreu i BDI-së.
Xhaferi në postin e kryeministrit pason Dimitar Kovaçevskin, i cili dha dorëheqje bazuar në Ligjin për zgjedhje, i cili parasheh që në 100 ditë para zgjedhjeve të zgjidhet një Qeveri teknike, e cila ka mandat për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Pjesë e Qeverisë teknike është edhe partia maqedonase opozitare, VMRO DPMNE, e cila do të udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Punës dhe Politikës Sociale. Në ekzekutivin teknik, kjo parti ka edhe tri zëvendëskryeministra, me kompetenca të veçanta.
Ndryshime në postet e tjera ministrore nuk do të ketë. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojnë të udhëheqin ministritë që aktualisht kanë nën drejtim.
Xhaferi në postin e kryeministrit teknik është caktuar nga BDI-ja, e cila seancën e ka cilësuar si “ditë historike”, për shkak se për herë të parë në këtë shtet një shqiptar do të udhëheqë ekzekutivin.
“Kryeministri shqiptar” ishte premtuar nga kryetar i BDI-së në zgjedhjet e vitit 2020, të cilat u fituan nga Lidhja Social Demokrate, dhe për rrjedhojë kryeministër ishte zgjedhur Zoran Zaev, që atëkohë drejtonte LSDM-në.
Por, në marrëveshjen për formimin e Qeverisë në vitin 2020, Ahmeti dhe Zaev ishin pajtuar që në 100 ditët e fundit të mandatit, Qeveria teknike të drejtohej nga një kuadër i propozuar nga BDI-ja.
Pavarësisht se u bë pjesë e Qeverisë, VMRO-ja deklaroi më herët se nuk do të votonte për Xhaferin “për shkak të shkeljeve të shumta që ka bërë derisa ishte kryetar i Kuvendit”.
“Ai është njeriu i cili nga fillimi i tij e deri tani në fund si kryetar i Kuvendit ka bërë shumë veprime kundërkushtetuese dhe kundërligjore, pavarësisht se të gjitha iniciativat e ngritura u rrëzuan nëpër gjykatat dhe prokuroritë e kurdisura. Por, një ditë kur ato institucione do të lirohen nga prangat politike, do të ketë përgjegjësi për çdonjërin që ka shkelur ligjet”, ka thënë më herët drejtuesi i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Kundër zgjedhjet së Talat Xhaferit është shprehur edhe opozita shqiptare, e bashkuar në Lidhjen Evropiane për Ndryshim.
Edhe ajo e ka akuzuar Xhaferin për “shkelje të shumta” gjatë punës në cilësinë e kryetarit të Kuvendit maqedonas.
“Talat Xhaferi është zgjedhja më e keqe që ka mund të ofrojë BDI-ja. Pas 20 vjetësh në Qeveri, BDI-së në pozita të larta i kanë mbetur njerëzit më të korruptuar dhe njerëzit që më së shumti i kanë bërë dëm çështjes shqiptare. Derisa ishte në krye të Kuvendit, [Xhaferi] ka udhëhequr vetëm politika të partisë së tij dhe jo ato që ishin në interes të qytetarëve”, ka deklaruar më herët Bilall Kasami, përfaqësues i Lidhjes Evropiane për Ndryshim.
Për votimin e Qeverisë teknike kërkohej që të votonin së paku 61 nga 120 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Edhe pa votat e VMRO DPMNE-së, shumica aktuale kishte numrin e nevojshëm për të miratuar ekzekutivin e ri.
/REL/