Akuzat se Prokurorja e qarkut Fulton, Fani Willis kishte një marrëdhënie të papërshtatshme me prokurorin e posaçëm që ajo ngarkoi për hetimet ndaj ish presidentit Donald Trump dhe të akuzuarve të tjerë, për ndërhyrje në zgjedhjet në Xhorxhia në vitin 2020, kanë nxitur edhe një herë thirrjet për tia hequr asaj këtë çështje.
Zonja Willis ka mbrojtur vendimin e saj për të punësuar Nathan Wade, i cili ka pak përvojë në prokurori dhe nuk e ka mohuar në mënyrë direkte lidhjen romantike. Akuzat u bënë publike fillimisht në një mocion të paraqitur në fillim të këtij muaji nga avokati mbrojtës Ashleigh Merchant, i cili përfaqëson ish-punonjësin e fushatës së Presidenti Trump dhe ndihmësin e Shtëpisë së Bardhë, Michael Roman.
Avokati Merchant pretendon se zyra e zonjës Willis i ka bërë pagesa të mëdha prokurorit Wade dhe se më pas, ajo përfitoi në mënyrë të papërshtatme, kur prokurori pagoi që ata të shkonin bashkë me pushime. Ai nuk ka ofruar asnjë provë për marrëdhënien e supozuar. Por, një dokument i depozituar javën e kaluar nga bashkëshortja e prokurorit Wade në çështjen për divorc mes tyre, përfshin të dhënat e kartës së kreditit, që tregojnë se zoti Wade bleu bileta avioni për zonjën Willis për të udhëtuar bashkë me të në Majami dhe San Fransisko.
Zonja Willis, e zgjedhur nga demokratët, nuk ka dhënë sinjale se mundë të japë dorëheqjen, por ka mënyra se si ajo mund të largohet nga çështja.
ÇFARË MUND TË BËJË GJYKATËSI?
Në mocion, avokati Merchan kërkon nga gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Qarkut Fulton, Scott McAfee, të ndalojë prokurorët Willis dhe Wade, dhe zyrat e ndërsjellja të ndjekin më tej çështjen. Gjyqtari, McAfee ka fuqinë ta bëjë një gjë të tillë.
Në fakt, një tjetër gjyqtar, gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Qarkut Fulton, Robert McBurney, e ndërmorri një hap të tillë, në korrik 2022 kur ai gjykonte rastin që i parapriu ngritjes së aktakuzave për çështjen e zgjedhjeve.
Një prej 16 republikanëve të Xhorxhias, që firmosën një certifikatë në të cilën thuhej në mënyrë të rreme se zoti Trump kishte fituar zgjedhjet, me emrin Burt Jones, i ishte komunikuar se ishte objekt hetimi në këtë çështje. Ai argumentoi se zonja Willis ishte në konflikt interesi, sepse ajo kishte organizuar një fushatë për mbledhje fondesh për kundërshtarin e tij demokrat në garën për zëvendës guvernator.
Gjyqtari McBurney vendosi në favor të zotit Jones. Ai e ndaloi zonjën Willis dhe zyrën e saj të ndiqnin rastin e zotit Jones.
Nëse gjytari McAfee vendos të ndërmarrë veprime të ngjashme dhe t’ia heqë zonjën Willis dhe zyrës së saj hetimin e çështjes për zgjedhjet, do duhet që Këshilli i Prokurorisë të Xhorxhias t’ia caktojë çështjen një prokurori tjetër. Prokurori tjetër mund të ndjekë hetimet në vazhdën e hetimeve të zonjës Willis, mund të zgjedhë të ndjekë vetëm disa akuza ose mund ta pushojë çështjen.
Gjetja e një prokurori të gatshëm dhe të aftë për të marrë përsipër çështjen mund të jetë e vështirë, tha ish-prokurori i qarkut Gwinnett, Danny Porter.
A MUND TË TËRHIQEJ PROKURORJA WILLIS PËR TË SHPËTUAR ÇËSHTJEN?
Nëse zonja Willis do të tërhiqej, ka të ngjarë që e gjithë zyra e saj të tërhiqej nga çështja, tha ish prokurori Porter. Edhe në rast të një skenari të tillë, do të ishte në dorën e Këshillit të Prokurorisë të caktonte një prokuror tjetër.
Avokati Norm Eisen, i cili shërbeu si Këshilltar i Posaçëm i ish Presidentit Obama për Reformën Etike dhe në Qeverisje, tha në një konferencë për shtypin të shtunën, se në dijeninë e tij deri tani, “nuk ka absolutisht asnjë bazë ligjore” që prokurorët Willis ose Wade të largohen nga çështja.
Por, avokati Eisen, tha se “veprimi i mençur në këtë pikë do të ishte që zoti Wade të largohej vullnetarisht nga hetimi i kësaj çështjeje.”
A MUND TA LARGOJË PROKUROREN WILLIS NJË KOMISION MBIKËQYRËS?
Shumë republikanë do të donin ta shihnin prokuroren Willis të hetohej nga Komisioni i ri i Kualifikimit të Prokurorëve në Xhorxhia. Ky organ u krijua vitin e kaluar për të marrë masa disiplinore dhe larguar prokurorët. Por ai u përball me pengesa, pasi Gjykata e Lartë e shtetit refuzoi të miratonte rregullat e komisionit.
Këtë vit, ligjvënësit po kërkojnë të heqin mekanizmin që parashikon miratimin nga ana e gjykatës , për të bërë të mundur funksionimin e komisionit. Ky i fundit do të jetë në gjendje të shkarkojë prokurorët e qarkut nga detyra ose të marrë masa disiplinore ndaj tyre në rast të konfliktit të interesi, për “sjellje të dëmshme ndaj administrimit të drejtësisë duke shkaktuar diskreditim të zyrës” ose për “sjellje të pahijshme në detyrë, me dashje “.
Megjithatë, nuk ka gjasa që komisioni të mund ta largojë prokuroren Willisin vetëm nga çështja në ngarkim të ish Presidentit Trump, përjashtuar rastin kur ajo do të vendoste vetë që të tërhiqej, pas një marrëveshje të negociuar.
A MUNDET QË LIGJIVËNËSIT SHTETËROR TË HETOJNË PROKUROREN WILLIS?
Disa ligjvënës kanë propozuar hetimin dhe shkarkimin e prokurores Willis, një ide që zoti Trump e mbështeti gjatë verës. Sidoqoftë, Asambleja e Përgjithshme e Xhorxhias nuk ka shpallur askënd fajtor në më shumë se 50 vjet. Për shpalljen fajtor, nevojitet një shumicë prej dy të tretash në Senatin e shtetit. Kjo është një pengesë e madhe sepse republikanët aktualisht kanë më pak se dy të tretat në Senatin me 56 vende.
Po ashtu, ligjvënësit e Xhorxhia synojnë rizgjedhjen këtë vit. Nisja e hetimit do t’i mbante larg nga fushata.
A KA PASOJA TË TJERA?
Një komisioner i qarkut Fulton, republikani Bob Ellis, i dërgoi prokurores Willis një letër të premten duke kërkuar informacion mbi shpenzimet dhe “në rast se ndonjë pagesë nga fondet e qarkut për zotin Wade u kthye në përfitimin tuaj personal (të prokurores Willis) në formën e pagesës për udhëtim ose dhuratave të tjera”.
Komisionerët mund të shkurtojnë buxhetin për prokuroren Willis në të ardhmen, por demokratët kanë shumicën në komision. Qeveria e Qarkut Fulton ka një kod etike, por kodi nuk duket se i ndalon marrëdhëniet konsensuale. Bordi i Etikës së qarkut mund të gjobisë dhe t’i tërheqë vëmendjen zonjës Willis, por nuk ka fuqinë për ta shkarkuar atë.
Greg Dolezal, anëtar republikan i Senatit në shtetin e Xhorxhias, propozoi të hënën ngritjen e një komisionit të posaçëm për të hetuar prokuroren Willis, duke thënë se një “shqyrtim i plotë dhe i paanshëm” do të “siguronte transparencë, llogaridhënie dhe ruajtjen e integritetit të sistemit të drejtësisë”.
Rezoluta e propozuar nga zoti Dolezal sugjeron se hetimet mund të shoqërohen me ndryshime ligjore ose ndryshime në buxhet.