Një ngjarje e rëndë u regjistrua paraditen e kësaj të hëne në Tiranë, ku u shkëput skela prej hekuri nga një pallat në ndërtim dhe plagosi rëndë dy qytetarë të rastit që po kalonin në trotuar.
Bëhet fjalë për kompleksin e pallateve me godina banimi dhe shërbimi 11, 12, 13 dhe 14 kate me 3 kate parkimi nëntoke, që po ndërtohet buzë lumit të Lanës, në bulevardin “Gjergj Fishta” nga kompania “Arlis-ndertim” sh.p.k. në pronësi të biznesmenit Armand Lilo.
Si pasojë e shkëputjes së skelës prej hekuri mbetën të plagosur babë e bijë, Hysen Lavdari, rreth 70 vjeç, dhe Imelda Shkëmbi, rreth 45 vjeçe.
Ata u transportuan me urgjencë në spital për të marrë ndihmë mjekësore, teksa në vendin e ngjarjes kishin mbetur dhe njolla gjaku.
Pas ngjarjes, Policia e Tiranës reagoi me një komunikatë për mediat, ku bëri me dije se ka shoqëruar në komisariat inxhinierin e pallatit, shtetasin K. S., dhe dy punëtorët me iniciale N. S., dhe A. P.
“Më datë 22.01.2024, rreth orës 10:10, në bulevardin “Gjergj Fishta”, janë rrëzuar skelat e nje pallati në ndërtim e sipër, dhe si pasojë janë dëmtuar 2 shtetas (kalimtarë) H. L., rreth 70 vjeç, dhe I. Sh., rreth 45 vjeçe. Dy të dëmtuarit ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Në ambientet e Policisë janë shoqëruar inxhinieri i pallatit, shtetasi K. S., dhe punëtorët N. S., dhe A. P., për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.” – thuhej në njoftimin e Policisë së Tiranës.
Ndërkohë, spitali në një njoftim për mediat bëri me dije se 70-vjeçari Hysen Lavdari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa vajza e tij, Imelda Shkëmbi është në gjendje më të stabilizuar.
“Ju informojmë se pacienti me inicialet H.L. është në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa pacientja me iniciale I.Sh. në gjendje shëndetësore stabël, po mbahet në monitorim nga stafi mjekësor.”, thuhet në njoftimin e spitalit.
Mbetet me interes të shihet se si do të shkojnë hetimet për këtë çështje, nëse a do të ketë drejtësi për të dënuar njerëzit e biznesmenit Armand Lilo, pasi dy personave u ra skela e hekurit në kokë duke kaluar në “gjysmë-trotuarin” e zaptuar nga “Arlis-ndërtim” sh.p.k. Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë raportuar as për arrestim dhe as për procedim të personave të shoqëruar, punonjës të kompanisë së Armand Lilos.
Biznesmeni Armand Lilo i “Arlis-ndërtim” sh.p.k. i paditur në SPAK dhe i akuzuar për kate pa leje
Armando Lilo, pronari i kompanisë “Arlis-ndërtim” sh.p.k., njihet si mik i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Në vitin 2017, ai u padit nga Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës, pas akuzave se i ka kërkuar ryshfet në këmbim të lejes së ndërtimit, kur Bashkia e Tiranës drejtohej nga Basha.
Gjithashtu emri i tij doli në skenë edhe në arrestimin e Orest Sotës, ku në makinën e të cilit u gjendën 863 mijë eurosh si dhe 2 patentat e lundrimit të Saimir Tahirit. Automjeti tip “Rang Rover” me targën AA718OS , rezultoi në emër të biznesmenit me origjinë nga Pogradeci, Armand Lilo.
Një tjetër ngjarje ku Armand Lilo del i implikuar është ajo e ndodhur më 29 Maj të vitit 2013. Ai ka pasur një konflikt në zonën e Yzberishtit. Policia në atë kohë tha se shkak i konfliktit ka qenë një garazh. Punimet që po kryente një në një garazh në katin e parë të pallatit janë konsideruar “pa leje” nga ana e ndërtuesit, dhe për këtë arsye ka nisur një konflikt i ashpër deri në përdorim armësh zjarri.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e datës 29 Maj në afërsi të Yzberishtit në kryeqytet dhe në konflikt janë përfshirë ndërtuesi Armand Lilo, një mik i tij, dhe babë e bir, pronarë të truallit ku ishte ndërtuar pallati, A.B e E.B, përkatësisht 57 e 22 vjeç, në atë kohë.
Sipas policisë, Lilo dhe miku i tij kanë rrahur, duke e goditur me grushte shtetasin A.B , pronarin e truallit, i cili po kryente punime në një pallat. Më pas kanë qëlluar në armë në drejtim të tij, por aty ndodhej edhe djali i pronarit, E.B, i cili ka mbetur i plagosur.
Kompania “Arlis-ndërtim” sh.p.k. është dhe ndërtuesja e kompleksit “SQUARE 21” tek ish-parku i Autobusave në rrugën e Kavajës në kryeqytetit. Në lidhje me ndërtimin e këtij kompleksi Armand Lilo është paditur në SPAK nga ish-deputeti i PD-së Belind Këlliçi, pasi sipas këtij të fundit, ai është favorizuar nga kryebashkiaku i tiranës Erion Veliaj dhe nga ish-ministri i brendshëm Fatmir Xhafaj.
Në sipërfaqen ku aktualisht ndodhet“SQUARE 21” në Rugën e Kavajës, kanë qenë të regjistruara disa ndërtesa në pronësi të shtetit, të cilat kanë kaluar me VKM në pronësi të Bashkisë së Tiranës.
“Më 21 shtator të vitit 2017, Erion Veliaj i ka dhënë kompanisë “Arlis ndërtim-shpk” një leje ndërtimi për projektin famoz në rrugën e Kavajës SQUARE 21, pronë mbi të cilën janë të regjistruara disa ndërtesa në pronësi të shtetit. Për të mbuluar lejen që Veliaj jep për Arlis-Ndërtim mbi godinat shtetërore dhe për të shtuar fitimet e Armand Lilos, disa muaj më vonë, me propozim të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, miratohet VKM Nr. 285, datë 21.05.2018, që kalon në pronësi të Bashkisë Tiranë 13 prona dhe ndërtesat mbi to, për zhvillim ekonomik. 5 muaj më vonë, me anë të vendimit të Këshillit Bashkiak Nr. 146, datë 15.11.2018, Bashkia Tiranë dhe Arlis Ndërtim nisin negocimin për ndërtimin e një godine disakatëshe në funksion dhe favor të Bashkisë Tiranë, dhe në këmbim Bashkia do ti jepte kompanisë Arlis Ndërtim trojet e lartpërmendura si dhe do të miratonte prishjen e të gjitha godinave të kaluara me VKM në pronësi të saj. Bëhet fjalë për pasurinë truall 6399.78 m2 dhe 5903.39 m2 ndërtesa mbi të, por që më pas, bashkia i deklaron të shembura totalisht. Bashkia Tiranë do të miratonte dhe shembjen e godinave të administratës së Bashkisë Tiranë, me drejtorinë e taksave dhe Policinë Bashkiake. Nga ana tjetër, Arlis Ndërtim do të ndërtonte për llogari të Bashkisë Tiranë një godinë 5-katëshe, me sipërfaqe 4400 m2.” -deklaroi Këlliçi kur denoncoi rastin.
Ish-deputeti i PD-së shtoi më tej se kjo histori vijon me disa vendime të tjera të Këshillit Bashkiak, në kohën kur ishte e gjitha në duart e socialistëve, të cilat shtojnë sipërfaqen e truallit, dhe zvogëlojnë sipërfaqen e godinave mbi të.
Gjithashtu, Armand Lilo është akuzuar në Prokurori dhe për ndërtimin e 7 kateve pa leje tek “Eyes of Tirana – Syri i Tiranës” i ndërtuar në sheshin “Skënderbej”, midis rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës.
Ndërkohë së fundmi, PD ka denoncuar se kompania “Arlis-ndertim” sh.p.k. e Armand Lilos qëndron dhe pas projektit buzë liqenit të Pogradecit, në pjesën qendrore të qytetit, ku do të ndërtohen kulla të mëdha.
Boldnews.al raportoi pak ditë më parë se projekti ka kaluar në KKT, ku tashmë është vetëm për firmë të Edi Ramës. Mësohet se kullat do të ndërtohen mbi lulishten e zonës së ish-hotel Turizmit të vjetër. Projekti paashikon një sipërfaqe prej 22 mijë m2 dhe është buzë Liqenit të Pogradecit. Nga të dhënat e siguruara nga redaksia jonë, bëhet fjalë për ndërtimin e 5 kullave të larta. Më e madhja parashikohet të jetë 25 kate dhe më e ulta 13 kate.
Boldnews.al ka mësuar nga burime pranë KKT-së se bëhet fjalë për një mori biznesmenësh, koncesionarësh që bashkëpunojnë me politikanë qendrore dhe lokalë që qëndrojnë pas ndërtimit të këtyre kullave.