Prokurori i Durrësit, Ilir Hoxha u përball të enjten më 18 janar me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore që zgjati për më shumë se pesë orë dha shpjegime dhe kundërshtoi barrat e provës dhe gjetjet në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Procesi i vetingut për prokurorin Hoxha po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Genta Tafa Bungo. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Elka Ermenkova.
Ilir Hoxha e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 si oficer i Policisë Gjyqësore, të cilën e ka ushtruar pranë Prokurorisë së Pogradecit. Në vitin 2015, ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Sarandës, ndërsa në 2023-in u transferua në Prokurorinë e Durrësit, me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Hoxha u paraqit në seancën dëgjimore së bashku me avokaten Romina Zano. Megjithatë, ai i paraqiti vetë parashtrimet për të tre kriteret në mënyrë të detajuar.
Konstatimet për pasurinë
Komisioni nuk ka gjetur probleme për disa pasuri që subjekti posedon në qytetin e Pogradecit, konkretisht për një apartament të përfituar me privatizim; një trualll 80 m2; një objekt të llojit magazinë me sipërfaqe 30 m2 të ndërtuar me leje nga babai në vitin 1993; si dhe një objekt me leje në vitin 2000 dhe shtesë për shkak të tejkalimit të projektit të miratuar, pasuri të ndërtuara po nga i ati.
Ndërkohë, KPK konstaton pamundësi të subjektit për blerjen e një garazhi 4.5 milionë lekë në vitin 2007 në Tiranë, duke rezultuar me bilanc negativ në shumën 3.2 milionë lekë.
Prokurori Hoxha, e cilësoi objektiv hetimin e kryer nga Komisioni, megjithatë, ai i kundërshtoi barrat e provës duke pretenduar se kishte arritur të provonte të kundërtën. Subjekti shpjegoi se nuk kishte paguar ndonjë vlerë për garazhin, por se kishte qenë i detyruar të vijonte detyrimet kontraktore të lidhura nga babai i ndjerë, pasi ai kishte ndërruar jetë. Nga sa u relatua në seancë, u mësua se babai i subjektit, një ish-ushtarak në pension, kishte krijuar një aktivitet privat me veprimtari kryesore në sektorin e ndërtimit.
Sipas shpjegimeve të dhëna në Komision dhe gjatë seancës dëgjimore, kur babai kishte vendosur të transferohej për të jetuar në Tiranë, kishte rëndë dakord me pronarin e një trualli dhe një tjetër ortak në fushën e ndërtimit, për të ndërtuar një objekt me katër kate + papafingo, që përbëhej nga nëntë apartamente, dy njësi tregtare dhe dy garazhe.
Subjekti deklaroi se kur babai kishte ndërruar jetë në vitin 2011, ishte kontaktuar nga pronari i truallit ku ishte ndërtuar objekti se kishte mbetur pa shitur një garazh që i takonte të atit. Sipas Hoxhës, në vitin 2007 ishte dakordësuar mes babait, ortakut dhe pronarit të truallit se objekti do të ndërtohej pa leje dhe do aplikohej më vonë për regjistrim. Për këtë arsye, në kontratën e sipërmarrjes ishte përcaktuar mes të treve që procedurat e legalizimit t’i ndiqte pronari i truallit dhe pasi prona do të regjistrohej, do të ndahej ashtu si ishin dakordësuar.
Prokurori Hoxha deklaroi se pas regjistrimit të objektit në vitin 2013, pronari i truallit kërkonte të çlirohej nga pasuritë dhe ishte dakordësuar që kalimi i garazhit të realizohej me kontratë shitblerje.
“Kontrata e shitblerjes ishte i vetmi mjet ligjor për të përmbushur detyrimet e babait sipas kontratës së vitit 2007”, theksoi Hoxha dhe kërkoi që të interpretohet se cili ka qenë qëllimi i kontratës së shitblerjes të nënshkruar prej tij në qershor të 2013-ës, dy vjet pasi babai kishte ndërruar jetë.
Sipas subjektit, ishte e qartë se në këtë kontratë nuk mund të kishte ndonjë qëllim përfitimi pasi garazhi gjendet në bodrum dhe nuk kishte arsye për një investim të tillë. “Nuk mund të investoja për diçka që nuk mund të sillte të mira”, pohoi ai dhe ripërsëriti se ky transaksion ishte kryer për të përfunduar një proces të nisur nga babai.
Lidhur me mungesën e burimeve financiare për krijimin e kësaj pasurie, subjekti deklaroi se provohej më së miri se nuk ka vend për analizimin e burimeve të garazhit. Ai solli në vëmendje të trupës se garazhi ishte regjistruar para se të fillonte detyrën e prokurorit.
Hoxha kundërshtoi balancat negative të komisionit për blerjen e një automjeti në vitin 2007 kur ushtronte detyrën e oficerit të Policisë Gjyqësore në shumën 220 mijë lekë; për një depozitë kursimi në vlerën 6000 euro të çelur në vitin 2015; krijimin e një gjendje cash 1 milion lekë dhe dhënien e një huaje 7000 euro në 2014-ën. Subjekti pretendoi se kishte pasur burime financiare të mjaftueshme nga të ardhurat prej pagave të tij e të bashkëshortes për të mbuluar këto pasuri, investimet dhe shpenzimet me burime të ligjshme. Po ashtu, ai vërejti se një pjesë e këtyre transaksioneve ishin kryer përpara fillimit të detyrës si prokuror.
Sipas Hoxhës, pamundësia e cash-it rridhte si pasojë e një pasaktësie në deklarimin e kryer kur kishte qenë oficer i policisë gjyqësore.
Lidhur me mospasqyrimin në deklaratën “veting” të përdorimit të një automjeti, subjekti shpjegoi se kishte ndodhur për shkak të perceptimit të gabuar të formularit të deklarimit. Ai këmbënguli se dekarimet e mëparshme të përdorimit të këtij mjeti vërtetonin se nuk kishte pasur ndonjë qëllim fshehjeje.
Figura dhe profesionalizmi
Prokurori Hoxha i kundërshtoi konstatimet e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar që ngrinin dyshime për përfshirje në veprime të kundërligjshme.
Subjekti sqaroi se kishte bërë kërkesa të përsëritura për t’u njohur me çështjet për të cilat ngriheshin këto dyshime, por nuk kishte marrë përgjigje e për rrjedhojë, gjendej në kushtet e pamundësisë objektive për të dhënë shpjegime për Komisionin lidhur me këto konstatime. Ai e cilësoi si paragjykues dhe të paprovuar konkluzionin e arritur nga institucioni ndihmës.
Në vijim, subjekti paraqiti parashtresë të hollësishme lidhur me gjetjet në kriterin profesional, duke parashtruar rrethanat e ngjarjeve për çdo çështje, si dhe për veprimet hetimore e procedurale që kishte kryer.
Komisioni konstatoi se subjekti dukej se kishte favorizuar tre persona duke u lehtësuar atyre akuzën nga “vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim në “moskallëzim krimi”. Sipas subjektit, fillimisht të gjashtë të dyshuarit ishin proceduar për të njëjtën vepër penale, por nga hetimi kishte rezultuar se tre prej tyre nuk kishin pasur qëllim për të kryer krimin.
Po ashtu, ai kundërshtoi konstatime të tjera për favorizim në dukje të të hetuarve apo zvarritje të çështjeve.
Hoxha theksoi se çdo konkluzion i arritur prej tij gjatë ushtrimit të detyrës ishte produkti i analizave të hollësishme të provave dhe se zgjatjet e hetimit ishin të argumentuara.
Lidhur me shoqërimin e tij me disa persona të proceduar penalisht, subjekti tha se i kishte njohur prej vitesh, por nuk kishte pasur dijeni për këto rrethana. Relatorja Zhegu u shpreh se procedimet penale të miqve të subjektit nuk kishin të bënin me krimin e organizuar apo korrupsionin, megjithatë ajo shtoi se dukej se shoqërimi me persona të proceduar cënon etikën e magjistratit.
Në përfundim, prokurori Ilir Hoxha deklaroi se besonte se me shpjegimet dhe provat e tij kishte arritur të vërtetonte se plotësonte kriteret për konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 22 janar, në orën 09:50.
/Reporter.al/