Po zhvillohet këtë të mërkurë në Gjykatën Kushtetuese një tjetër seancë gjyqësore mbi kërkesën e tre organizatave (Shoqata “Për Mbrojtjen e Pronave dhe Mjedisit të Pellgut të Drinit të Zi”, Shoqata “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës” dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit), sa i takon shfuqizimit të ligjit dhe vendimit qeveritar për ndërtimin e hidrocentralit mbi Drinin e Zi në Skavicë, pasi pretendojnë se shkakton dëme të mëdha në ekonominë dhe mjedisin e Dibrës.
Këto organizata kërkojnë shfuqizimin e ligjit nr.38/2021 që i jep dritën jeshile kompanisë amerikane “Bechtel International Inc” të projektojë dhe ndërtojë hidrocentralin e Skavicës dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave që miraton kontratën e fazës së parë për shërbime teknike, teksa seanca e parë në Kushtetuese u mbajt më 12 Dhjetor dhe seanca e dytë po mbahet ditën e sotme.
Avokatët kanë parashtruar para gjykatës të gjitha pasojat që sjell hidrocentrali për zonën e Dibrës, teksa janë zbardhur dhe një pjesë e argumentave të paraqitur nga shoqata “Kundershtimi ndaj diges se Skavices”, ku kundërshtohet ndërtimi i hidrocentralit në fjalë.
Në kërkesë paraqiten nga kosotot, nivelet e prodhimit të energjisë, dëmet ekonomike dhe mjedisore dhe deri tek alternativat se si mund të prodhohet energji në një mënyrë më efikase.
Sipas Shoqatës, dëmi i parashikuar nga ndërtimi i hidrocentrali i Skavicës, nuk mund të rikuperohet, pasi, në përfundim të ciklit të jetës (parashikohet rreth 100 vite), zona që hidrocentrali ka përmbytur do të kthehet në një zonë, jo vetëm të pashfrytëzueshme nga aspekti energjitk, por e parikuperueshme dhe nga aspekti mjedisor.
Më tej thuhet se, Skavica, si një burim energjie nga uji, thjesht do të shtojë varësinë e Shqipërisë përkundrejt kushteve klimatike, dhe konkretisht prurjeve hidrike. Sipas tyre, energjia e parashikuar për tu prodhuar nga hidrocentrali i Skavicës, lehtësisht mund të prodhohet nga burime alternative, si ato diellore dhe eolike, të cilat nuk kanë asnjë kosto shpronësimi, pasi këto projekte zhvillohen, ose në tokë shtetërore, ose në toka private, nëpërmjet negociatave të bazuara në lirinë kontraktuale.
Shoqata shprehet se Shqipëria, si anëtare e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, janë iniciuar tre çështje të karakterit mjedisor, lidhur me mosrespektimin e parametrave dhe kërkesave ligjore të mjedisit, ku është evidentuar që ka dështuar të përmbushë kërkesat ligjore dhe mjedisore të acquis Communautair. Më tej shtohet se nuk ka asnjë garanci që Shqipëria, nëpërmjet zhvillimit të një procedure pa konkurrencë, pa asnjë transparencë, dhe, duke konsideruar precendentët negativ në trajtimin mjedisor të projekteve me karakter të ngjashëm, të respektojë kërkesat mjedisore përgjatë zhvillimit të projektit të hidrocentralit të Skavicës.
Vlen të theksohet fakti se shoqatat pretendojnë se hidrocentrali i Skavicës përmbyt së paku 30 fshatra dhe lë pa strehë mijëra banorë, ndaj të cilëve nuk po bëhet asnjë transparencë. Përfaqësues të qeverisë nga ana tjetër, e kanë cilësuar hidrocentralin e Skavicës si projektin më të rëndësishëm në sektorin energjitik.
Argumentet e paraqitura në Gjykatë Kushtetuese nga shoqata “Kundershtimi ndaj diges se Skavices”
- Zhvillimi i procedurave kompetitive
1.1 Ndërtimi i hidrocentralit “Skavica” ishte parashikuar nëpërmjet Western Balkans Investment Framework (tani e tutje WIBF), kodi i projektit PRJ-ALB-ENE-008, bankë e cila kishte dhënë grant në vlerën 1,507,500 Euro. Kontributi lokal ishte në vlerën prej 40,000,000 Euro, ndërsa projekti kishte siguruar dhe kredi nga Institucioni Financiar Ndërkombëtar EBRD, me kushte mjaft të favorshme, në vlerën prej 206,000,000 Euro.
Ky projekt, jo vetëm që nuk përmbyt sipërfaqen e përcaktuar për tu përmbytur nga projekti i ri i Sklavicës, por, më e rëndësishmja, është në përputhje të plotë me legjislacionin ndërkombëtar (MSA) por dhe me atë shqiptar lidhur me konkurrencën. Gjithashtu, ka një grant të alokuar si dhe një kredi të garantuar.
WBIF është një partner institucional i Shqipërisë, ku, nga 2009 ka mbështetur 44 projekte me një vlerë prej 3.2 miliard Euro si dhe ka dhënë 62 grante me vlerë 355,6 milion Euro.
Nga aspekti ligjor, shteti shqiptar nuk ka pasur asnjë arsye për të anulluar këtë projekt, i cili bazohet në praktikat më të mira Europiane, për ta zëvendësuar me një projekt tjetër, i cili, jo vetëm përmbyt sipërfaqe më të madhe, por dhe nuk i nënshtrohet marrveshjejeve ndërkombëtare të cilat ka nënshkruar vendi jonë, duke shmangur thelbësisht konkurencën dhe transparencën.
- Humbjet në sistemin e shpërndarjes
2.1 Një ndër komponentët më kryesorë që ndikon në konsumin e energjisë elektrike në Shqipëri, është niveli i lartë i humbjeve në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Për vitin 2022 humbjet në systemin e shpërndarjes ishin në nivelin prej 1,457,840 MWh, apo 19.7%.
Duke konsideruar që vlera normale e humbjeve në sistemin e shpërndarjes është poshtë nivelit prej 10%, rezulton që, në rast se vlera e investuar për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, në kombinim dhe me uljen e humbjeve në sistemin e shpërndarjes në nivelet e pranueshme të industrisë, do të passillte kursimin e një sasie vjeçare prej të paktën prej 717,819 MWh, sasi e cila është më e lartë se sasia e energjisë elektrike që do të prodhohej nga hidrocentrali i Skavicës.
- Respektimi i acquis communautaire mbi mjedisin
3.1 Ndaj Shqipërisë, si anëtare e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, ratifikuar nëpërmjet ligjit Nr. 9501, datë 3.4.2006 “Për ratifikimin e Traktatit të krijimit të Komunitetit të Energjisë”, janë iniciuar tre çështje të karakterit mjedisor, lidhur me mosrespektimin e parametrave dhe kërkesave ligjore të mjedisit, specifikisht çështja ECS-03/19, çështja ECS-06/19 dhe çështja ECS-13/21. Në të treja këto çështje, është evidentuar që Shqipëria ka dështuar të përmbushë kërkesat ligjore dhe mjedisore të acquis Communautaire, specifikisht të Direktivës 2011/92/EU të 13 Dhjetor 2011 “Mbi vlerësimin e efekteve të disa projekteve publike dhe private mbi mjedisin”, transpozuar në legjislacionin tonë nëpërmjet Vendimit të Këshillit Ministerial Nr. 2016/12/MC-EnC të 14 Tetor 2016.
3.2 Sa më sipër, nuk ka asnjë garanci që Shqipëria, nëpërmjet zhvillimit të një procedure pa konkurrencë, pa asnjë transparencë, dhe, duke konsideruar precendentët negativ në trajtimin mjedisor të projekteve me karakter të ngjashëm, të respektojë kërkesat mjedisore përgjatë zhvillimit të projektit të hidrocentralit të Skavicës. Siç qartësisht përcaktuar në Raportin Vjetor të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, 2022, Shqipëria ka dështuar të transpozojë një nga garancitë më të forta mjedisore, përkatësisht Direktivën 2004/35/EC të 21 Prill 2004 mbi përgjegjësinë mjedisore lidhur me paralandalimin dhe kurimin e dëmtimeve mjedisore.
- Përmbushja e Detyrimit të Shërbimit Publik të KESH sh.a.
4.1 Korporata Eletroenergjitike Shqiptare (tani e tutje KESH sh.a) është përfituesi i projektit për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. KESH sh.a., në alternim të nenit 5, të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 456, datë 29.6.2022 “Për miratimin e kushteve për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik, që do të zbatohen ndaj të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike, të cilët ushtrojnë aktivitetin e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike” (tani e tutje VKM Nr. 456), dhe aneksit 1, të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 872, datë 27.12.2022 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin Nr. 519, datë 13.7.2016, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e modelit të tregut të energjisë elektrike”(tani e tutje VKM 872) ka detyrimin për furnizimin me energji elektrike vetëm të klientëve tariforë të Furnizuesit të Shërbimit Universal sh.a. (tani e tutje FSHU sh.a.).
4.2 Portofoli i FSHU sh.a. përbëhet nga konsumatorët shtëpiakë dhe konsumatorët e lidhur në tensionin e ulët (0.4 kV). Nga viti 2024, ky portofol parashikohet në vlerën prej 4,887,058 MWh.
Duke konsideruar që rritja e konsumit të energjisë elektrike në Shqipëri është në nivelin mesatar prej 1.7% në vit, rezulton që KESH sh.a ka detyrim ligjor për të përmbushur kërkesat e FSHU sh.a. në sasinë e energjisë elektrike prej 5,784,383 MWh në vitin 2033. Në çdo rast, në këtë analizë nuk është marrë në konsideratë ulja e konsumit të energjisë elektrike si rrjedhojë e fillimit të prodhimit të energjisë elektrike nga vetëprodhuesit, të cilët, bazuar dhe në parashikimet e ligjit Nr. 24/2023 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, parashikohen që të marrin një zhvillim edhe më të rëndësishëm në vitet në vijim, duke përfshirë dhe konsumatorët e lidhur në tension të ulët në funksionimin e tyre si pjesë të komuniteteve energjitike.
Duke konsideruar që prodhimi mesatar shumëvjeçar i KESH sh.a. është në vlerën prej 3,800,000 MWh, ndërsa, në vitin 2022 ishte në vlerën prej 3,859,730 MWh (mesatarja e viteve 2009 – 2022 është 4,443,140 MWh), sasia shtesë që kërkohet është në vlerën prej ~ 1,000,000 MWh ose 2,000,000 MWh në vitin 2033.
4.3 KESH sh.a, për përmbushjen e detyrimit të shërbimit publik, ka kontraktuar energji elektrike dhe/ose ka në plan projektet, si më poshtë vijon:
- a) në vitin 2023 futen në punë dy anijet lundruese në afërsi të TEC Vlora, me kapacitet 114 MW;
- b) në vitin 2024 shtohen dhe 140 MW të shoqërisë Voltalia, projekti Karavasta;
- c) në vitin 2025 futen në punë dy modulet e reja të TEC Vlora, me kapacitet 250 MW;
4.4 KESH sh.a, duke u bazuar në projektet e mësipërme, rezulton që në vitin 2025 të prodhojë/ketë në dispozicion si rrjedhojë e aseteve të reja dhe/ose kontratave afatgjata, sasinë e energjisë elektrike, si më poshtë vijon:
– dy anijet lundruese = 898,776 MWh;
– projekti Karavasta = 196,000 MWh;
– TEC Vlora = 1,971,000 MWh.
Prodhimi total i KESH sh.a., në vitin 2025, parashikohet në vlerën prej 6,865,776 MWh.
Kjo vlerë tejkalon ndjeshëm detyrimin e shërbimit publik të KESH prej 5,784,383 MWh në vitin 2033, duke e klasifikuar projektin e Skavicës si projekt me karakter të pastër tregtar, jashtë kuadrit të detyrimeve ligjore të KESH sh.a.
- Potenciali i energjive të rinovueshme
5.1 Shqipëria ka nje potencial jashtëzakonisht të madh lidhur me energjitë e rinovueshme. Gjithashtu, ka një nevojë imediate të diversifikimit të prodhimit të energjisë elektrike, për arsye të aplitudës mjaft radikale të prodhimit të energjisë elektrike nga kaskada e lumit Drin (2,917 GWh në vitin 2017 dhe 7,014 në vitin 2010), dhe jo vetëm. Prodhimi i energjisë elektrike nga HEC-et e kaskadës së lumit Drin kanë potencialin e tyre maksimal jashtë periudhës së stinës së verës, ndërsa, teknologjia fotovoltaike e ka pikun e saj (~70% të prodhimit vjetor) në këtë stinë.
Në “Planin e Konsoliduar Kombëtar të Veprimit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë, 2019–2020”, miratuar nëpërmjet Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 580, datë 28.08.2019 (tani e tutje VKM Nr. 580), përcaktohen politikat e energjisë së rinovueshme. Në këtë plan, përcaktohet qartë domosdoshmëria e diversifikimit të burimeve të prodhimit energjitik:
… 2.5. Kjo shpjegon edhe një herë faktin se Shqipëria bazohet kryesisht në prodhimin hidro të energjisë elektrike, prodhim i cili ka një impakt të konsiderueshëm në paqëndrueshmërinë e Objektivit Kombëtar të BRE…
3.1.3. Lidhur me prodhimin e energjisë elektrike, në rajon Shqipëria përbën një rast të veçantë, sepse sot, prodhimi në vend realizohet 100% nga hidrocentralet e mëdhenj, të mesëm dhe të vegjël. Por, fakti që Shqipëria mbështet bazën e konsumit të energjisë elektrike, në energjinë hidrike, e bën atë vulnerabël ndaj ndryshimeve të kushteve hidrologjike, dhe kjo gjë ka zvogëluar ndjeshëm sigurinë e furnizimit me energji elektrike…
Pavarësisht sa më sipër, Shqipëria ka tejkaluar ndjeshëm përqindjen e kontributit të energjive të rinovueshme në konsumin e energjisë, në 45.01% përkundrejt objektivit të 38%.
5.2 Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet fotovoltaike, specifikisht 1,900 MW në toka jo-pjellore.
Vetëm në rast të shfrytëzimit të këtij potenciali, Shqipëria lehtësisht mund të kthehet në vend eksportues, pasi prodhimi i energjisë elektrike vetëm nga kjo teknologji, do të arrinte vlerat e 2,660,000 MWh.
Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës ka publikuar shprehjen e interesit për zhvillimin e procedurave konkurruese për ndërtimin e parqeve fotovoltaike me kapacitet të instaluar prej 1,000 MW. Këto kapacitete parashikohen që të instalohen përpara vitit 2028, vit i parashikuar për ndërtimin e HEC Skavica.
5.3 Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm të prodhimit të energjisë elektrike nga teknologjia eolike. Enti Rregullator i Energjisë ka licencuar 16 shoqëri, me kapacitet të parashikuar për instalim prej 4,029.6 MW.
Duke konsideruar koefiçentin e shfrytëzimit prej 35% (standardi i industrisë), rezulton që vetëm nga kjo teknologji, Shqipëria mund të prodhojë 12,088,800 MWh në vit, sasi e cila tejkalon nevojat e të gjithë vendit.
- “Domosdoshmëria” e ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës
Në pikën 3.7, të VKM Nr. 580, qartësisht përcaktohet detyrimi për diversifikimin e burimeve të energjisë elektrike.
Skavica, si një burim energjie nga uji, thjesht do të shtojë varësinë e Shqipërisë përkundrejt kushteve klimatike, dhe konkretisht prurjeve hidrike.
Energjia e parashikuar për tu prodhuar nga hidrocentrali i Skavicës, lehtësisht mund të prodhohet nga burime alternative, të cilat janë parashikuar dhe në “Planin e Konsoliduar Kombëtar të Veprimit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë, 2019–2020”.
Energjia e parashikuar për tu prodhuar nga burimet diellore dhe eolike, nuk ka asnjë kosto shpronësimi, pasi këto projekte zhvillohen, ose në tokë shtetërore, ose në toka private, nëpërmjet negociatave të bazuara në lirinë kontraktuale.
Dëmi i parashikuar nga ndërtimi i hidrocentrali i Skavicës, nuk mund të rikuperohet, pasi, në përfundim të ciklit të jetës (parashikohet rreth 100 vite), zona që hidrocentrali ka përmbytur do të kthehet në një zonë, jo vetëm të pashfrytëzueshme nga aspekti energjitk, por e parikuperueshme dhe nga aspekti mjedisor.