Belgjika ka arritur të ekstradojë nga Emiratet e Bashkuara Arabe të shumëkërkuarin nga Elbasani, 31-vjeçarin Franc Çopja, i njohur edhe si Franc Gergely, apo edhe me mbiemrin Bako.
Ai është ekstraduar të premten e 29 dhjetorit, sipas marrëveshjes së ekstradimit, të nënshkruar nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Mbretëria e Belgjikës, pas procesit të vendosur ligjor dhe gjyqësor, gjykimit dhe sipas vendimit të Ministrit të Drejtësisë së EBA-së, i cili miratoi ekstradimin më 13 dhjetor 2023.
Drejtësia belge e akuzon Franc Çopjan si porositësit e atenatit mafioz të ezekutimit të Ardit (Arjan) Spahiu, kunati i Endrit dhe Erjon Alibejt. Krimi është regjistruar më 27 nëntor 2020 në bulevardin “Edmond Machtens”, pranë lagjes së njohur Molenbeek të Belgjikës, teksa si ekzekutorët akuzohen Florenc Meçe Alias Gega i arrestuar në Spanjë, si dhe Elvis Murati, i arrestuar në Gjermani.
Vrasja e Ardit Spahiut, ose siç njihej ndryshe si “Arjani i vogël”, dyshohet se është kryer për shkak të prishjes së pazareve të drogës.
Franc Çopja njihet si pjesë e grupit të ashtuquajtur me nofkën “Sakati”, ku bëjnë pjesë dhe dy vëllezërti e tij Hajdar Çopja dhe Ervin Bako alias Çopja. Grupi ka marrë atë emër për shkak se njëri prej vëllezërve është invalid. Pjesë e grupit është dhe Mikel Qosja (Kamami) ose siç thirret ndryshe “Keli i Kiçit”. Ata dyshohet se qëndrojnë në Dubai.
Grupi i “Sakatit” ka patur një përplasje të vazhdueshme me grupin e “Tarzanit”, njihet me këtë emër pasi “Tino” ka qenë nofka në Itali e Endrit Alibejt, i ezkekutuar në Bradashesh më 29 dhjetor 2018, bashkë me xhaxhain Arben Dylgjerin dhe turkun Erdal Durunai, ngjarje e mbetur e pazbardhur. Përplasja mes grupit duket se zuri qetësi pas arrestimit të Erjon Alibejt, vëllai i Endrit Alibejt, si dhe arrestimi i Nuredin Dumanit.
Dy vëllezërit Alibej dyshohet se drejtonin një grup të trafikut të drogës nga Holanda, si dhe për trafikim dhe shpërndarje lënde narkotike në veri dhe në qendër të Italisë. Por, përplasja mes dy grupeve nis që në Britaninë e Madhe. Aty, ku një sasi e madhe droge e zhdukur, 50 kg kokainë, do të sillte me kalimin e kohës viktima të shumta midis dy grupeve.
Endrit Alibej u ekzekutua në dhjetor të vitit 2018 në afërsi të Kombinatit Metalurgjik, në Bradashesh bashkë me turkun Erdal Durunay dhe Arben Dylgjeri. Kjo masakër, brenda një kohe të shkurtër prodhoi edhe 6 të vrarë të tjerë.
Ekzekutime, të cilat dhanë për grupin hetues edhe një panoramë më të qartë të asaj që po ndodhte në Elbasan, ku tashmë kishte një shpallje lufte të deklaruar midis dy grupeve rivale.
Një vit më vonë, po në muajin dhjetor, në vitin 2019, u ekzekutua një tjetër ‘rob’ i ‘Tarzanit’. Këtë herë ishte djali i hallës së Endrit Alibejt, Andi Zylyfi, i cili kishte pak kohë që ishte kthyer nga emigrimi. Edhe pse pa preçedentë penalë, Zylyfi u vra në fshatin Përparim në rrugën nacionale Elbasan-Peqin, teksa ndodhej në makinë me Ardit Uruçin, mikun e tij që fatmirësisht i shpëtoi këtij atentati.
Sapo kaluan shtatë muaj, erdhi një tjetër viktimë. Mesnatën e 1 korrikut, Klevi dhe Aldo Baho, vëllezër u qëlluan me breshëri plumbash dhe njëri prej tyre vdiq. Klevi mbeti i vrarë, ndërsa Aldo u plagos rëndë, por sot fatmirësisht jeton.
Më pas u ekzekutuan dhe Emiljano Ramazani, Regis Runaj dhe Bujar Çela, të cilat dyshohen si hakmarrje për vrasjet më lart dhe porositë i ka dhënë Erjon Alibej.
Erion Alibej, i ndodhur tashmë pas qelisë, vendosi të zbërthehet për prokurorët belgë të ardhur në Shqipëri, të gjithë mekanizmin e vrasjës së Ardit Spahiut. Ai akuzon për të gjitha të këqijat që po i ndodhnin familjes së tij, bandën e Çopjave. Por nuk do të pranojë në asnjë moment se shkak është përfshirja dhe më pas prishja e pazareve të drogës me grupin rival, me të cilin siç e pranon edhe vetë, dikur vëllai i tij kishte patur shoqëri.
Erjon Alibej e akuzon Franc Çopjan si më të rrezikshmin mes tre vëllezërve.
Dëshmia e Erjon Alibejt për prokurorët belgë:
“Ardit Spahiu është vëllai i burrit të motrës time. Endriti vëllai im e kishte më të afërt, ndërsa unë kisha marrëdhënie normale.Kur ka ndodhur vrasja e Arditit unë kam qenë në burg dhe e kam marrë vesh nga kunati im në telefon. Kam marrë vesh që ai ishte në makinë me një shokun e vet. Mesa më kanë thënë ka bërë një ndalesë, po nuk e di se ku dhe aty ka shkuar paralelisht një makinë. Arditi ka dalë nga makina dhe ka ikur me vrap afër një parku, autorët e kanë ndjekur dhe e kanë vrarë më pas në park.
Ai më thoshte se po merrej me përzierjen e lëndës së kokainës kundrejt çmimeve që i jepnin persona që u bënte këtë shërbim. Jam i sigurtë që kanë paguar për vrasjen e tij sepse Arditi po zbulonte planet e tyre. Me punën që bënte Arditi dhe duke menduar një grup si i Çopjave që merrej me kokainë lidhjet që kanë ata dhe lekëve që disponojnë mund të kenë futur çdokënd në mes për të marrë informacion, po ashtu edhe ndonjë shokun e ngushtë të Arditit për të identifikuar atë dhe lëvizjet e tij. Unë di që Arditi ka qenë i rrezikuar sepse ai ka qenë njeriu i vetëm që ka hulumtuar nga radhët tona për të marrë vesh se si kanë ndodhur ngjarjet, kush ishin ata, si edhe që mësoi për veten e tij që po e kërkonin për ta vrarë.
Mesa më ka thënë Arditi dhe në biseda vërdallë flitet për miliona euro për vrasjet me pagesë.Për ne kundërshtarët tanë janë familja Çopja, sepse ne kemi investuar shumë nga vetja për ta marrë vesh këtë gjë.Franc Çopja është më i vogli, nga 3 vëllezërit por më i rëndësishmi pasi ka lidhjet me bizneset e lëndëve narkotike. Nga ai kanë ardhur pasojat e ngjarjeve që kanë ndodhur aktualisht, pasi ata mbështeten te një shoku i tyre që kanë 5 vite që e njohin, që quhet Mikel Qosja (Kamami).I cili është në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e vëllait tim. Ai jeton në Dubai me familjen, nusen dhe një vajzë. Franci ka miq marokenë dhe shkon shpesh në Marok ku thonë se ka investuar në atë vend. Marokenin e thërrasin “Baloti”. Ai është një person shumë i njohur në të gjithë botën dhe ky e ka ndihmuar shumë duke i hapur rrugët në trafikimin e drogës kokainë.Sot e kësaj dite ata ia kanë pranuar të gjithëve në Dubai që janë organizatorët e këtyre ngjarjeve.Mesa di unë një ngarkesë droge që atyre iu është kapur në Brazil diku më shumë se 600 kg kokainë, me logon e një skuadre futbolli në Elbasan dhe ajo është për financat e tyre. Ato gjithë këto para i investojnë në Dubai dhe mesa kam marrë vesh kanë blerë një shtëpi rreth 20 milionë euro në një vend të quajtur “Palma” dhe një shtëpi tjetër e kanë përballë një rrote të madhe tip karoseli në Dubai. Këta janë njerëz që nuk arsyetojnë si njerëz normal pasi nuk mund të bësh masakër para familjes dhe fëmijëve.
Ne me vëllezërit Çopja kemi patur lidhje dhe vëllai im Endriti ka pas shkuar me ato.Në bazë të analizave të mia, duke filluar nga ngjarja e parë kur u vra vëllai im dhe sot e kësaj dite, mendoj se përplasja ka lindur si pakënaqësi dhe inate të brendshme apo sedre të atyre, që kur vëllezërit Çopja bënë një tentativë vrasje në Elbasan ndaj disa personave të tjerë.Ngjarje e cila është hetuar nga policia e Elbasanit, midis vëllezërve Çopja dhe një personi të quajtur Ervis. Endriti nga grupi tjetër i Ervisit, njërin nga vëllezërit e tij e kishte shumë shok. Njëri nga ato persona i ka kërkuar Endritit para borxh, diku te 30 mijë euro. Në momentin që familja Çopja e mori vesh nuk i erdhi mirë dhe filloi të fliste që Endriti nuk bëri mirë që ua kishte dhënë paratë. Kam dëgjuar se familja Çopja ka qenë ortake me një anglez. Ato e kanë bërë vetë lojën që ti merrnin anglezit 25 kg nga 50 sa ishte sasia. Nëpërmjet një personi,‘Liçja’ që çuan tek anglezi me pretendimin qëky ishte personi që kishte mallin dhe ky e humbi. Liçja mesa di unë quhet Ilir Lloshi nga Elbasani, është gjallë dhe është moshatar me Çopjat.
Unë shtroj pyetjen si ka mundësi qëLiçja është gjallë dhe njerëzit e mi janë vrarë kur supozohet se zanafilla e vrasjeve është 50 kg i kokainës.
Atentati tjetër është bërë ndaj një shoku tim të fëmijërisë dhe ka patur një viktimë dhe një të plagosur që janë dy vëllezër, Aleksandër Baho dhe Klevi Baho, ku ky i fundit u vra. Pas kësaj ata vranë edhe djalin e dajës tim, Andi Zylyfi. Si edhe Ardit Spahiun.Këtu në Shqipëri çdo organizim e ka bërë Mikel Qosja ose Kamami.Sipas të dhënave që kemi dhe ato që ka zbuluar Arditi, njëri nga këto organizator është edhe Talo Çela nga Elbasani. Për të cilin unë besoj se ka qenë në të gjitha atentatet e vrasjeve. Unë e pyeta Arditin si e gjete këtë informacion dhe mbaj mend se më ka thënë se ato kanë bërë një takim, dmth Mikeli dhe Talo si dhe një djalë tjetër me emrin Altin, të cilët kanë takuar një person që mua më ka ardhur dhe në varrim për respekt dhe quhet Dorjan Dule ose Duli. Sipas Arditit, Mikel Qosja, Talo Çela dhe Altini, kur kanë shkuar në takim me Dorjanin, e kanë provokuar duke i thënë se të kemi përgjuar kur ke qenë në varrim të Endrit Alibej dhe ne dimë që do të na vrasësh ne, por sa para do ti dhe na vrit Erjonin dhe Ardit Spahiun ose në të kundërt hiq dorë dhe largohu.Talo Çelën unë se kam njohur kurrë personalisht por figurën e tij unë kam filluar ta njoh kur filloi të dilte emri i Çopjave, nga ku doli edhe emri i tij.”