Nga Boldnews.al
Gjykata Kushtetuese mbajti në fuqi Hartën e re Gjyqësore, të miratuar pas një bashkëpunimi të Ministrisë së Drejtësisë në emër të qeverisë shqiptare nga njëra anë dhe Këshillt të Lartë Gjyqësor nga ana tjetër.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit kishin kërkuar shpalljen anti-kushtetuese të Hartës Gjyqësore, të vënë në zbatim në mars të këtij viti.
Sipas ankimuesve, Harta cënon parimin e lirisë ekonomike, aksesin e drejtë të qytetarëve në gjykatë, si edhe barazinë para ligjit.
Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, rrëzoi padinë këtë të Mërkurë (27 dhjetor 2023).
Njoftimi i shpërndarë nga Gjykata Kushtetuese mbi këtë vendimmarrje i ngjan shprehjes së vjetër ironike shqiptare: “Nusja është vetëm pak me barrë!”
Për të vendosur shenjën e ngjashmërisë mes gurrës popullore dhe vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, mjafton të përmenden disa nga paragrafët, mbi të cilët garantët e Ligjit Themeltar kanë argumentuar qëndrimin e tyre.
“Në lidhje me pretendimin për cenimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike, Gjykata, pasi e vlerësoi atë në këndvështrim të neneve 11 dhe 17 të Kushtetutës arriti në përfundimin se edhe pse ka kufizim të kësaj lirie, ai respekton kriterin kushtetues të proporcionalitetit të ndërhyrjes”.
“Për sa i përket pretendimit tjetër për cenimin e parimit të barazisë para ligjit, Gjykata, në këndvështrim të përmbajtjes së neneve 11 dhe 18 të Kushtetutës, vlerësoi se edhe pse akti i kundërshtuar ka sjellë një diferencim, në rastin konkret ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive”.
“Në lidhje me pretendimin për cenimin e së drejtës së aksesit të individit në gjykatë, e parë në këndvështrim të përmbajtjes së neneve 42 dhe 17 të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se ka kufizim, por kjo ndërhyrje nuk cenon parimin e proporcionalitetit”.
Harta dhe bojkoti
Harta e re gjyqësore u miratua në Korrik të vitit 2022 dhe zbatimi i saj në praktikë përfundoi në mars 2023.
Sipas Hartës së re, u shkrinë gjykatat në nivel Apeli në Shkodër, Durrës, Vlorë, Korçë dhe Gjirokastër dhe u mblodhën të gjitha në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.
Po ashtu, u shkrinë 9 gjykata të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm (Tropojë, Pukë, Kavajë, Lushnje, Krujë, Përmet, Kurbin, Mat dhe Pogradec).
Ndryshime pati edhe në radhën e gjykatave administrative, ku u shkrinë ato në Vlorë, Gjirokastër, Shkodër dhe Korçë. Harta e re parashikonte vetëm dy gjykata administrative të shkallës së parë-në Tiranë dhe në Lushnje.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe qeveria e Edi Ramës e justifikuan miratimin e Hartës së re Gjyqësore si një mekanizëm për të rritur efikasitetin e sistemit të drejtësisë dhe organizimin më të mirë të trupës së gjyqtarëve.
Ndërkohë, e vërteta ishte shumë larg këtij deklarimi. Procesi i diskutueshëm i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (Vetingu) krijoi boshllëqe të shumta e, në disa raste, edhe paralizim të punës në gjykata të caktuara.
E gjendur në këtë situatë emergjente, qeveria dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor organizuan Hartën e Re Gjyqësore, e cila mblidhte në një njësi më të vogla gjyqtarët që ishin në detyrë.
Miratimi i Hartës së re Gjyqësore shkaktoi reagimin e fuqishëm të Dhomave të Avokatisë në qytete të ndryshme, të cilat nxitën Dhomën Kombëtare të Avokatisë që të shpallte bojkot të përgjithshëm të seancave gjyqësore.
Bojkoti zgjati mbi një muaj, megjithëse pati raste që avokatë të ndryshëm refuzuan të dilnin kundër vendimit të qeverisë.
Sipas avokatëve, por jo vetëm, Harta e re Gjyqësore më së pari do të rriste kostot për qytetarët, si edhe do të ulë ndjeshëm aksesin e tyre në sistemin e drejtësisë, më së paku për shkak të largësisë me gjykata.
Problematikat
“Boldnews.al” ka raportuar më herët se Harta e Re Gjyqësore, e cila është produkt i situatës skandaloze të krijuar në sistemin e drejtësisë, pritet të shoqërohet me një seri të gjatë problematikash.
Mijëra qytetarë nga qytetet, të cilat nuk do të kenë më gjykata në qytetet e tyre, do të duhet të shtojnë kostot e udhëtimit, por edhe të hotelerisë, për të kërkuar të drejtën në sistemin e drejtësisë.
Qytetarët nga Mati do të duhet t’u duhet të drejtohen në gjykatën e Dibrës, duke përshkuar një rrugë të gjatë e të mundimshme.
Po ashtu, edhe banorët e Pukës duhet të shkojnë në Shkodër për çdo seancë gjyqësore ose ata të Tropojës duhet të shkojnë në Kukës.
Vizatimi i hartës gjyqësore në zyrat e KLGJ-së është një proces i thjeshtë, mbi një maket të territorit të Shqipërisë. Por, zbatimi në praktikë i saj do të rëndojë mbi të ardhurat e qytetarëve.
Edhe më tej. Reduktimi i gjykatave të shkallës së parë në juridiksionin e përgjithshëm pritet të shtojë ndjeshëm kostot e autoriteteve policore, të cilat do të duhet të transportojnë të paraburgosurit në çdo seancë gjyqësore nga një qytet në tjetrin.
Elementi që mund të rëndojë akoma më shumë situatën është reduktimi në vetëm një gjykatë Apeli për të gjithë republikën.
Një eksperiment i ngjashëm me Apelin Administrativ ka rezultuar i dështuar, pasi proceset gjyqësore pranë saj vijojnë me vite.
Një situatë e ngjashmë pritet të dublikohet edhe me Apelin e juridiksionit të përgjithshëm, i cili edhe aktualisht është një një kolaps dosjesh.
Vetëm Gjykata e Apelit të Tiranës ka mbi 12 mijë dosje, të cilat presin të shortohen, ndërkohë që këtyre pritet t’u shtohet edhe back-logu i krijuar në gjykatat e tjera të shkallëve të dyta në rrethe.