Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) është në kurrikulën e klasave të para në shkollat pilot të përzgjedhura në Shqipëri për vitin akademik 2022-2023. Por në të njëjtin vit, 91 institucione arsimore publike ishin të pajisur me kompjutera të amortizuar. Rritja e fondeve në kuadër të digjitalizimit të shkollave nuk është e mjaftueshme dhe mësuesit po përballen me vështirësi në punën e tyre.
Në nisjen e vitit shkollor 2022-2023 ish-ministria e Arsimit, Evis Kushi prezantoi si risi përfshirjen e lëndës së TIK-ut (Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit) në kurrikulën mësimore të klasave të para në 100 shkolla pilote . Në kuadër të digjitalizimit të shërbimeve mësimore, pasurimit të laboratoreve dhe bibliotekave shkollore për herë të parë në buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe të Sporteve do të akordohej edhe një shumë më e lartë monetare në krahasim me vitet e mëparshme.
“Këtë vit është akorduar një buxhet shumë i lartë, si asnjëherë tjetër, 5 milionë euro,”- tha Kushi.
Sipas të dhënave publike, 10 milionë lekë nga buxheti i Ministrisë së Arsimit për vitin 2023 kanë shkuar për blerjen e pajisjeve elektronike, kompjuterave për shkollat publike të arsimit bazë.
Ne ju drejtuam Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar për të mësuar nëse shkollat publike janë të pajisura me mjete teknologjike si kompjuterat, të cilat janë të domosdoshme në mësimdhënie në kuadër të përfshirjes së digjitalizimit në kurrikulat mësimore.
Në përgjigjen e ardhur për “Sinjalizo” nga kjo Drejtori thuhet se për vitin shkollor 2022-2023 numri i shkollave publike të pajisura me kompjutera të amortizuar, pra, jofunksionalë, shkon në 91.
“Nga informacioni i përpunuar(marrë nga DRAP-et) rezulton se numri i institucioneve arsimore me kompjutera funksionale është 1090 kundrejt 1181 institucioneve arsimore publike që kemi gjithsej,”- shkruhet në përgjigjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar.
Thënë ndryshe, në bazë të këtyre shifrave rezulton se në institucionet e arsimit bazë ndodhet më pak se një kompjuter funksional për shkollë.
Buxheti i MAS ka njohur sërish rritjen për vitin 2024. Ai u rrit me 10.7% në krahasim me vitin e kaluar duke arritur në vlerën prej 52 miliardë e 223 milion lekësh. Nga ky buxhet, është miratuar për t’u vendosur në dispozicion të blerjes së pajisjeve elektronike dhe kopjuterave për arsimin bazë 110 milionë lekë. “Buxheti do të financojë krijimin e klasave miqësore për instalimin e 216 Smart Labs, që do të mundësojnë zgjerimin e programeve nga klasa e parë, e dytë e më tej të kurrikulës së re të kodimit në shkolla dhe gjithashtu do vijojë mbështetja me pajisjet didaktike të laboratorëve shkencore në shkolla,”- thuhet në faqen zyrtare të MAS, ndonëse mësimdhënia e Teknologjisë së Informacionit për klasat e para ka nisur që vitin e kaluar akademik, 2022-2023.
TIK në shkolla pa kompjutera
Pavarësisht rritjes dhe parashikimit buxhetit të MAS për digjitalizimin e shkollave, mësuesit e lëndës së TIK edhe këtë vit akademik përballen me mungesën e infrastrukturës për të realizuar orën mësimore në mënyrën e duhur.
Gerta K. mësuese e TIK prej 5 vitesh në Tiranë pranon për “Sinjalizo” se edhe në rastet kur shkollat publike, 9-vjeçare apo Shkolla të Mesme, kanë salla informatike, jo gjithnjë kompjuterat janë funksionalë.
“Kanë salla informatike, por jo gjithmonë funksionojnë të gjithë kompjuterat. Nuk besoj se është e nevojshme vetëm me këto kushte, duhen më të perditesuara që do të thotë kompjutera funksionalë me bazë internetin, tabela elektronike, projektorë,”- thotë ajo duke shtuar se në rastet kur mësuesve u mungojnë pajisjet digjitale në shkolla zgjidhjen e gjejnë në mënyrë individuale. “Kur mungojnë pajisjet përdor kompjuter personal, laptop ose tekstin e nxënësit”
Mësuesit nuk kanë nguruar të ndajnë problematikën e mungesës së pajisjeve kompjuterike në shkollat publike as në platformat online. “Jam mësuese e lëndës TIK (Teknologji e Informacionit dhe komunikimit), kam një pyetje, si e bani orën mësimore të klasës së parë ju se nuk keni laboratorin e TIK-ut(pa kompjuterat). Ju lutem a më ndihmoni pak nga eksperienca juaj si po e bani orën mësimore”,- ky është një nga postimet e shumta anonime në platformën “Mësuesit për Mësuesit”, ku mësuesit kërkojnë ndihmë nga eksperienca e njëri-tjetrit për të realizuar orët mësimore në momentin kur në shkolla mungon infrastruktura e nevojshme.
A.T., mësuese e ciklit fillor në një prej shkollave 9-vjeçare të Beratit, thotë për “Sinjalizo” se numri i kompjuterave në shkolla nuk është i mjaftueshëm për çdo klasë.
“Përsa i përket TIK-ut, një kabinet është. Dy herë i kam dërguar nxënësit atje që nga fillimi i vitit akademik. Arsyeja është se janë të zëna me klasat e 9-vjeçares. Janë nga 3- 4 paralele s’u bie rradha klasave të katërta dhe të pestave”,- thote ajo, duke shtuar se një tjetër problematikë është përditësimi i librave të Teknologjisë së Informacionit në shkolla.
“Unë, si prind i kërkoj fëmijës sim llogari pse merr këtë notë në TIK e më përgjigjet se programi i përfshirë në libër nuk është i përditësuar si në kompjuter. Këtë përgjigje kam marrë para tre vitesh dhe nga një nxënës i imi në fillore, se haste vëshirësi mes infromacionit në libër për programin dhe asaj që shihte në ekran”.
Miliona lekë për digjitalizimin që nga 2015
Prej gati një dekade digjitalizimi i shkollave, krijimi i klasave inteligjente dhe ofrimi i shërbimeve arsimore digjitale janë cilësuar si parësore nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Në vitin 2015, ministrja e atëhershme e Arsmit dhe e Sporteve, Lindita Nikolla deklaronte se nëpërmjet projektit 3.5 milionë dollarësh të gjithë gjimnazet në vend do të mund të kishin klasat e tyre digjitale.
“Falë investimit prej 3.5 milionë dollarë të qeverisë shqiptare, tashmë në 60 gjimnaze në gjithë vendin është realitet kjo metodologji e re në klasat inteligjente dhe besoj që rezultatet e nxënësve do të jenë model suksesi. Ne jemi të vendosur që jo vetëm ta bëjmë efikase këtë metodologji edhe në lëndët e tjera, por ta shtrijmë në të gjitha gjimnazet,”- shprehej Nikolla duke theksuar se klasat inteligjente ishin jetësim i programit të qeverisë, ndërsa nuk do të mbetej mbrapa as krijimi i regjistrave online SMIP (Sistemi i Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar).
Gjithashtu, edhe Kryeministri Rama gjatë daljes publike në gjimnazin “Sami Frashëri” u shpreh asokohe se brenda vitit 2018 të gjitha gjimnazet në vend do të kalonin në fazën e digjitalizimit.
“Në tre vjet, të gjitha gjimnazet e vendit tonë do të kalojnë nga faza ku gjenden sot, në këtë fazë të re të modernizimit të sistemit të dijes”,- deklaronte Kryeministri. Pas gati 4 vitesh që nga 2018-a ende digjitalizimi nuk është shtrirë në të gjitha shkollat e mesme të vendit, ndërkohë që në shkollat pilote të cilat u përfshinë në këtë projekt gjatë vitit 2015, klasat digjitale kanë përdorim të kufizuar.
Bukurija, ish-maturante e shkollës “Dhaskal Todri” në Elbasan tregon se klasat digjitale gjejnë përdorim nga nxënësit vetëm në rastet kur duhet të prezantojnë projektet në lëndë mësimore të caktuara.
“Janë 2 klasa digjitale dhe përdoren nga nxënësit kur prezantojnë projektet në fund te tremujorit ose në fund të vitit. Varet nga rëndësia që detyra e dhënë prej mësuesit”,- shpjegon ajo.
Ndërkohë që buxheti në kuadër të digjitalizimit rritet, institucionet arsimore vazhdojnë të përballen me mungesën e infrastrukturës teknologjike. Krahas vështirësive të zhvillimit të lëndës së TIK-ut, sipas Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve “PISA 2022” për nxënësit 15-vjeçarë, Shqipëria rendite e 62-ta në renditjen e 80 vendeve pjesëmarrëse në vlerësim.
Sipas rezultateve të vlerësimit të njohurive të nxënësve, Shqipëria ka rënë me 47 pikë në lexim nga viti 2018 duke marrë 358 pikë. Ndërkohë që në shkencë njohuritë e nxënësve janë vlerësuar me 376 pikë, 41 pikë më pak nga viti 2018.
/Qendra për Gazetari Cilësore