Problemi i ekonomisë shqiptare nuk është euroizimi, por niveli i lartë i informalitetit dhe i përdorimit të parasë cash në transaksionet ekonomike.
Artan Gjergji, ekspert i tregjeve financiare, thotë në një intervistë për “Monitor” se, në vend që të humbasim kohë me politika të panevojshme proteksioniste, institucionet duhet të fokusohen te lufta e fortë kundër përdorimit të parasë cash në ekonomi, pa lënë mënjanë edhe nevojën për përfshirje financiare dhe edukim financiar të qytetarëve.
Sipas tij, në këtë mënyrë, ekonomia do të jetë më e formalizuar, por edhe tregu i kursit të këmbimit gjithashtu, duke e ndihmuar Bankën Qendrore që të ketë një ide më të qartë me sasinë e parave jashtë sektorit bankar.
Si i vlerësoni rezultatet e deritanishme të strategjisë së deeuroizimit në sektorin financiar që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë?
Personalisht, për shkak të doktrinave liberale ekonomike që mbroj, nuk kam qenë shumë entuziast me politikën e diktuar të deeuroizimit të ekonomisë shqiptare.
Kjo, pasi besoj dhe mendoj se agjentët ekonomikë janë barometri më i mirë i një ekonomie të caktuar. Janë ata që me sjelljen e tyre u përshtaten më mirë dhe më shpejt karakteristikave të një mjedisi të caktuar ekonomik, apo edhe kushteve që ndryshojnë herë pas here dhe në kohë rekord (siç ishte rasti i fenomenit COVID).
Pikërisht për këtë arsye, as nuk kam pasur pritshmëri për një politikë efektive të deeuroizimit, sepse sidomos në ekonomitë e hapura dhe me tregje të lira, aplikimi i politikave të diktuara nga lart (top-down) është një instrument aspak efektiv.
Një politikë e tillë mund të jetë funksionale në ekonomitë e mbyllura, ndërkohë që në sistemet ku dominon ekonomia e lirë, politika të caktuara publike apo rregullatore thjesht mund të jenë orientuese.
Faktet kanë treguar që strategjia e deeuroizimit as orientuese nuk ka arritur dot të jetë, pasi trendi i përdorimit të ekonomisë cash nuk ka rënë (kjo është plaga kryesore që nxit edhe përdorimin në masë të valutave të huaja), edhe pse duhet pranuar se është bërë një punë e lavdërueshme nga Banka e Shqipërisë, Komiteti i Pagesave apo bankat e nivelit të dytë për të nxitur përdorimin e transaksioneve dhe pagesave elektronike (me kartë, e-banking, mobile banking, dhe deri diku, me para elektronike).
Deri tani, masat për uljen e nivelit të euroizimit janë të kufizuara në sektorin bankar. Besoni se do të ishte e dobishme që Qeveria të kufizonte përdorimin e Euros në transaksionet e brendshme ekonomike?
Jam krejtësisht kundër. Asnjë e mirë nuk i vjen ekonomisë të asnjë vendi nga kufizimet, për rrjedhojë çdo lloj kufizimi që mund të vijë në aktivitetin e agjentëve ekonomikë do të ishte kosto dhe barrë për zhvillimin e vendit.
Nëse shohim me kujdes sjelljen dhe veprimet e Bankës së Shqipërisë, as ajo vetë nuk ka qenë shumë ngulmuese në imponimin e përdorimit të monedhës kombëtare në transaksionet e përditshme, sepse kjo do të krijonte kosto të mëdha e të panevojshme për ekonominë e sidomos për biznesin e vogël.
Mjafton të përmendim politikën e Bankës së Shqipërisë për reduktimin në mënyrë drastike të kostove për transaksionet e pagesave të vogla në valutat e huaja (kryesisht EUR) sa kohë ato realizohen nëpërmjet kanaleve të sektorit financiar (bankë ose jo-bankë).
Futja në përdorim vitin që shkoi e sistemit AIPS Euro nga Banka e Shqipërisë është një gur themeli mjaft i rëndësishëm në zhvillimin pozitiv të tregut, i cili sipas raportimeve të vetë Bankës Qendrore i ka kursyer biznesit të vogël me dhjetëra miliona euro komisione të panevojshme.
Për kujtesën e publikut, pagesat në monedhën Lek kishin një kosto tavan prej jo më shumë se 500 lekë, ndërkohë që e njëjta kundërvleftë pagese në valutën Euro kishte një komision prej më e pakta 25 euro, sepse transaksioni procesohej jashtë vendit.
Tashmë pas politikës së BSH dhe funksionimit të sistemit të klerimit në kohë reale (sistem RTGS) pagesat e vogla në valutë të huaj që ndodhin në kanalet e sektorit financiar kanë një komision tavan prej 5 euro.
Në vitin 2023, kur Shqipëria pati një rritje të konsiderueshme të turizmit, statistikat e transaksioneve në valutë të huaj nëpërmjet instrumenteve të pagesave elektronike teorikisht duhet të jenë disafishuar (presim statistikat zyrtare në fund të vitit 2023), kryesisht për shkak të sjelljes konsumatore që kanë turistët e huaj që refuzojnë të paguajnë cash, sidomos kur vizitojnë vende të panjohura për ta.
Në këtë mënyrë, politika lehtësuese e Bankës Shqipërisë për uljen e kostove të pagesave në valutë të huaj (politikë në kah të kundërt me deeuroizimin) ka rezultuar të jetë mjaft e suksesshme dhe përfituese për biznesin shqiptar.
Pra, me fjalë të tjera, edhe pse në dukje ashtu si çdo Bankë Qendrore në botë, edhe BSH do të dëshironte një përdorim sa më të gjerë të monedhës kombëtare, sepse në këtë mënyrë do rritej më shumë ndikimi i politikave të saj monetare brenda kufijve, përsëri Banka Qendrore nuk mund të çedojë as nga roli i saj i rëndësishëm i ruajtjes së stabilitetit financiar dhe makroekonomik të vendit e i duhet të shohë interesin e agjentëve të saj ekonomikë të vendit.
Në këtë mënyrë, pavarësisht orientimit për përdorimin e monedhës kombëtare, vetë Banka e Shqipërisë ka ulur kostot e transaksioneve në valutë të huaj (dhe mirë ka bërë), pasi logjika ekonomike e ftohtë është favorizuese e rritjes së volumit të të bërit biznes në mënyrë eficiente (më pak kosto dhe më shumë të ardhura).
Çfarë problemesh krijon niveli i lartë i euroizimit të ekonomisë shqiptare dhe përdorimi paralel i dy monedhave në transaksionet ekonomike dhe tregtare?
Siç e përmenda edhe më lart, i vetmi problem që ka përdorimi në masë i një valute të huaj është fakti që politika monetare e Bankës Qendrore për të luftuar inflacionin apo për të rritur/zvogëluar sasinë e parasë në qarkullim zbehet në mënyrë të dukshme.
Thënë më thjesht, në një ekonomi ku vetëm 60% e transaksioneve kryhen në monedhë kombëtare, vetëm mbi këtë sasi monetare është efektive politika që aplikon Banka Qendrore.
Pra nëse rriten normat e interesit të monedhës kombëtare Lek, vetëm 60% të parave në qarkullim do të ndikonte, pasi nuk do kishte asnjë ndikim mbi sasitë e parasë në euro.
Por, ajo që nuk thuhet në diskursin publik është se ekonomia e vendit tonë nuk e ka sfidën me llojin e valutës që përdorim në transaksionet brenda vendit.
Sfidën reale në ekonominë tonë (si të gjithë vendet në zhvillim, se nuk jemi të vetmit) e kemi me përdorimin e gjerë të cash-it në ekonomi, pasi ky fenomen është burimi i të gjithë të këqijave të mundshme, duke filluar që nga ato më bazë si kostoja e transportit të parasë, e mirëmbajtjes, e magazinimit, rreziqet e vjedhjes, humbjes, djegies, falsifikimit e deri te problemet që vijnë nga informaliteti, mungesa e transparencës dhe rreziku i pastrimit të parave që origjinojnë nga burime të paligjshme.
Pikërisht kjo është Thembra e Akilit, gjykoj unë. Në vend që të humbasim kohë me politika të panevojshme proteksioniste (deeuroizimi është një e tillë), duhet të fokusohemi te lufta e fortë kundër përdorimit të parasë cash në ekonomi, pa lënë mënjanë edhe nevojën për përfshirje financiare dhe edukim financiar të qytetarëve.
Reduktimi i cash-it në ekonomi do të formalizonte të gjithë transaksionet mes agjentëve ekonomikë, si në nivel individual Biznes-Konsumator (B2C) dhe individ-individ (C2C), ashtu edhe në nivel biznesi (B2B).
Në kushtet kur pagesat janë formale, nuk ka rëndësi shumë monedha në të cilën kryhen ato, pasi nëse kemi të bëjmë me biznes, mjafton detyrimi ligjor që fatura të pritet në monedhën kombëtare me kursin ditor mesatar të Bankës së Shqipërisë.
Në këtë mënyrë, formalizohet jo vetëm ekonomia, por edhe tregu i kursit të këmbimit ka volumet e sakta të transaksioneve të deklaruara, duke e ndihmuar Bankën Qendrore që të ketë një ide më të qartë me sasinë e parave jashtë sektorit bankar.
Njohja me saktësi të plotë e sasisë së parasë në qarkullim brenda dhe jashtë sistemit bankar do t’i jepte dorë Bankës Qendrore të rriste efikasitetin e instrumenteve të ndryshëm të politikës monetare për të arritur qëllimin bazë, ruajtjen e nivelit të çmimeve (inflacionit) brenda kufijve të synuar.
Në vitet e fundit, Leku po shfaq një tendencë graduale mbiçmimi në kursin e këmbimit me Euron, por kjo nuk duket të ketë ulur nivelin e euroizimit të ekonomisë. Pse po ndodh kjo?
Nëse u referohemi statistikave të Bankës së Shqipërisë, oferta monetare (sasia e parasë në qarkullim) në monedhën vendase nuk ka shënuar rritje (nuk ka emetime të reja).
Ndërkohë që kemi një rritje të konsiderueshme të prurjeve në valutë të huaj e më konkretisht rritje të investimeve të huaja (direkte, apo në pasuri të patundshme), rritje të remitancave, rritje të flukseve nga turizmi, rritje modeste të eksporteve, e pse jo edhe rritje të prurjeve nga kanale informale të parave (pa paragjykuar origjinën e përfitimit të tyre).
Në këto kushte, kur oferta monetare në Lek ka qenë statike për shumë kohë, ndërkohë oferta në valutë të huaj është rritur, mekanizmi i tregut padyshim që të çon në vlerësim të monedhës kombëtare (sasia e bollshme e valutës në qarkullim, i ul vlerën kësaj valute).
Për më tepër, fillimi i një politike shtrënguese monetare të BSH nëpërmjet rritjes së normave të interesit, me qëllim frenimin e inflacionit, pritet që shumë shpejt ta përshpejtojë rritjen e mbiçmimit të Lekut, sepse do të reduktohet edhe më shumë sasia e Lekut në qarkullim.
Pavarësisht ndërhyrjeve të herëpashershme të BSH në tregun valutor për blerje, përvoja ka treguar që ndikimi në kursin e këmbimit ka qenë pothuaj i papërfillshëm dhe në një fraksion kohor disaditor.
Besoni se një regjim me kurs të fiksuar të këmbimit valutor mund të jetë një zgjidhje për të shmangur problemet që shkaktojnë luhatjet e kursit në ekonomi?
Edhe pse në afatshkurtër, duket sikur kjo është një zgjidhje për të rregulluar disbalancimin e tregut valutor (mbiçmimin e Lekut karshi valutave të huaja), përsëri nuk mendoj se kjo do të ishte një zgjidhje e qëndrueshme afatgjatë.
Në tregjet e lira dhe të hapura (ku ka shumë aktorë dhe instrumente financiare) është pothuaj e pamundur që të mbash tregun nën kontroll. Nëse mund të bëj një paralelizëm të thjeshtë është njëlloj si një notar, i cili edhe pse i stërvitur mirë, nuk mund të notojë pafund kundër rrjedhës së një lumi.
Aplikimi i një norme fikse në dukje do të qetësonte tregjet, por në të vërtetë do të thellonte edhe më tej disbalancën për shkak të ndryshimit të rrjedhës së kërkesë-ofertës për mallra (importet do bëheshin më të shtrenjta).
Kjo do të sillte një presion më të madh mbi deficitin e llogarisë korrente në vend, duke e detyruar Bankën Qendrore pas njëfarë kohe që të hiqte dorë dhe të linte kursin të ishte i lirë.
Kjo do të përkthehej në më shumë kosto për aktorët e tregut.
Edhe vendet që e aplikojnë të parat kanë një fizionomi tjetër të ekonomisë së tyre, kanë ndjekur politika afatgjata, kanë një nivel më të ulët të përdorimit të cash-it, si dhe nuk kanë këtë bollëk, deri diku, të pajustifikueshëm të valutës së huaj në tregjet e brendshme.
Disa vende fqinje, me rrethana politike të ndryshme, kanë adoptuar Euron si monedhë të vetme. Besoni se Shqipëria mund të bëjë të njëjtën gjë? Çfarë përfitimesh dhe rreziqesh do të kishte adoptimi i Euros si monedhë e vetme?
Kjo është një politikë që ndodh në mënyrë dypalëshe dhe të mirëkoordinuar me Bankën Qendrore Europiane (BQE) dhe ndodh në një periudhë që zgjat nga 5-15 vite bashkëpunim dhe harmonizim politikash të dyanshme, kur vendi është pjesë e procesit të integrimit në BE.
Ose ndodh në kushte të veçanta historike, në mënyrë të njëanshme. Aktualisht në Europë janë vetëm dy vende që e përdorin euron në mënyrë të njëanshme: Mali i Zi dhe Kosova.
Të dyja këto, në kushte të caktuara historike, u krijuan si dy shtete të reja të shkëputura nga një sistem monetar i caktuar (ai i ish-Federatës Serbi-Mali i Zi).
Shqipëria është një vend i përfshirë intensivisht në procesin e integrimit me BE-në dhe në gjykimin tim, vendimmarrja sa i përket aspektit ligjor të fjalës për përdorimin e njëanshëm të monedhës Euro, nuk është fare subjekt diskutimi, për shkak të angazhimeve të marra.
Sa i përket implementimit të dyanshëm (pra, me bekimin e BQE-së), ky është një proces i gjatë e sfidues për ekonominë e vendit dhe institucionet rregullatore financiare.
Në aspektin praktik ama, asgjë nuk e pengon Shqipërinë në përdorimin e saj ‘de facto’ të çdo lloj monedhe që gjen besim dhe pranueshmëri (dy kritere të rëndësishme për përdorimin e instrumenteve të pagesave) tek agjentët ekonomikë në vend.
Siç e thashë edhe më lart, problemi me ekonominë tonë nuk vjen nga përdorimi në konsum i llojit të valutave, por nga informaliteti dhe përdorimi i gjerë i parasë fizike (cash).
Sa më shpejt të ecet në drejtim të reduktimit të këtij problemi, aq më shpejt tregu do të amortizojë disbalancat e përkohshme./ MONITOR