Analisti Andi Bushati ka komentuar implikimin e shtetit në aferën e inceneratorëve. Në studion e lajmeve në MCN TV, ai u shpreh se SPAK po vepron sipas direktivave politike të Ramës.
Ai tha se SPAK po vepron me dy standarde dhe në këtë mënyrë nuk ka drejtësi. Sipas tij, Rama ka qenë në dijeni të kësaj afere dhe inceneratorët ishte banka e pisët e pushtetit për të blerë kundërshtarët, mediat, zgjedhjet.
Ndërsa lidhur me Veliaj, Bushati tha se ai është i implikuar te inceneratori i Tiranës dhe këtë e tregojnë dokumentet.
Intervista e plotë
1.Z.Bushati 15 urdhër arreste për inceneratorin e Tiranës. Urdhëra të lëshuar ditën e Kongresit të PS-së. Mendoni se afera po shqepet nga SPAK për të zbardhur akuzat për korrupsion, apo është një çështje që do të mbyllet këtu, pra me këta zyrtarë?
Nuk mendoj se po shqepet por po qepet për të mos bërë drejtësi sepse po të shikosh të gjithë mënyrën se si është sjell SPAK me inceneratorët është direktivë politike e Ramës. Ai ka thënë se djegësit janë një vepër e mirë, por ka disa peshq të vegjël që kanë vjedhur pas kurrizit tim. SPAK këtë po bën, po zbërthen këtë direktivë politike, që Rama është i pastër por ka disa njerëz pas tij që kanë vjedhur. A mundet që të gjithë këta, Lefter Koka, Ahmetaj, Bllako, krahu i djathtë i Veliaj të ngrinin gjithë këtë vepër të madhe korruptive pa ditur ai gjë, sigurisht që jo. Nëse Edi Rama është përgjegjës për këtë punë, pse s’vepron SPAK siç veproi me klubin Partizani. Dhëndri nuk mund të vidhte pa vjehrrin kryeministër, nëse Malltezi ka përfituar, ka përfituar se ka pasur ndihmesën e Berishës, ndërsa te inceneratorët SPAK thotë, Malltezi në thonjza ka përfituar por Berisha s’ka ditur gjë, pra kemi dy standarde dhe kur ka dy standarde s’ka drejtësi.
2. Nga leximi i atij materiali të SPAK rezulton se Klodian Zoto ka qenë person që duket se e ka patur Ministrinë e Mjedisit si shtëpinë e vet duke patur parasysh komunikimet elektronike dhe kohën e tyre në raport me paraqitjen e letrës së interesit për inceneratorin. Mendoni se kjo situatë e rëndon pozitën e z. Koka dhe sidomos Ballko?
Jo, unë mendoj se po ti hyhet kësaj, kjo padyshim që rëndon pozitën e Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos, por rëndon pozitën e të gjithë qeverisjes sepse nuk kishte mundësi Lefter Koka të urdhëronte nga Alqi Bllako. E zëmë se Lefter Kokën dhe Bllakon e korruptoi Zoto, po 9 vendime qeverie brenda ditës si u bënë me vullnetin politik të Kokës dhe Ahmetaj. E zëmë se ka qenë Ahmetaj truri i inceneratorëve, por ka me dhjetëra shkresa që Tiranën e kundërshton por jo kjo u bë, sepse ka pasur një njeri më të fuqishëm se Ahmetaj. Unë shpesh kur e bëj këtë bisedë me kolegë u them ktheni pak filmin në 2016 kur ne denonconim inceneratorët, si e mbronte Rama, Zoton dhe Mërtirin. Mirë Rama s’paska ditur gjë, por si nuk i bënte përshtypje firmosja e këtyre milionave. Një njeri që është i pastër, do pyeste ore ka diçka për të hetuar këtu, por jo gjithçka është dashur të mbyllet sepse inceneratorët ishte banka e pisët e pushtetit për të të blerë pushtetin.
3. Kemi një drejtor të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës, z. Tusha që është arrestuar. E implikon kjo drejtpërdrejt z. Veliaj, i cili duhet thënë se nuk ka folur deri më tani?
Besoj se kush është marrë sado pak me politikën e di që Tusha ishte dora e djathtë e Veliaj dhe ai nuk bënte asgjë pa marrë bekimin e Erion Veliaj dhe ne nuk na mjafton arrestimi i Tushajt për të çuar vëmendjen te Veliajt, por ne kemi në dorë dokumente që implikojnë Veliajn.
4. Opozita kërkon me ngulm kokën e Veliajt nëse mund të shprehemi kështu. Ju besoni se ka të dhëna mjaftueshëm për ta thirrur z. Veliaj si të pandehur?
Duhet të ndajmë dy gjëra, opozita bën politikë, mund të kërkonte përpara dhe kokën e Ahmetaj dhe Kokës, por sapo mbarojnë del një kokë tjetër, por në këtë rast vetë faktet, dokumentet e nxjerra na tregojnë se po, Veliaj është i implikuar tek inceneratori i Tiranës dhe mjafton vetëm fakti i thjeshtë shikoni ku kanë shkuar publicitetet dhe reklamat e inceneratorit tek ato media që i bëjnë mesana Veliajt.
5. Një nga të arrestuarit është I afërm I bashkëshortes së z. Veliaj, me pozicion drejtor në Bashki. Të kujton precedentin e “baxhanakut të Berishës” në dosjen “Gërdeci”. Cfarë tregon kjo sipas Jush, apo një rastësi?
Ky në fakt është populizëm. Berisha ka qenë përgjedgjës në Gërdec, i biri po ashtu, por ama fakti që kishte punësuar një baxhanak nuk e shton përgjegjësinë prandaj dhe kjo s’do të thotë asgjë. Veliaj mban përgjegjësi për aktet e tij. Dihet që këta në punë fusin ose militantët, ose familjarët ose patronazhistët por e keqja nuk qëndron tek familjari bashkëpunëtorë por tek ai që është në krye, që ka bërë dhe familjarin të shkojë drejt një krimi.
6. Pse shfaqen familjarë dhe të afërm në afera të tilla z. Bushati dhe këtu pyetja mund të zgjerohet: Berisha përflitet me të dy fëmijët, z. Rama me bashkëshorten dhe atë që z. Berisha e quan Thjeshtra, Meta me bashkëshorten.
Nuk e di, gjithmonë kam besuar se jo domosdoshmërish kur del fjala për një familjarë kjo është e rreme. Ka shumë familjarë që kanë dalë të papërlyer dhe kur bashkëshortët, vëllezërit e tyre kanë qenë në funksione të larta. Prandaj nuk duhet të marrim për bazë thashethemet, por dhe ku ka zë nuk është pa gjë.
7. Ka një tezë në media se z. Rama po ruan disa nga goditjet e SPAK: flitet për z. Beqja, apo ish-ministren e Mbrojtjes. Ju besoni në këtë tezë, pra të kontrollit të SPAK dhe goditjeve të tij për llogari politike?
Me përjashtim të rastit Beleri nuk besoj se kemi një SPAK që ka kaluar komplet si mashë për të bërë goditje të kundërshtarëve politikë. Por nga ana tjetër që të themi se SPAK është i pavarur dhe s’ka agjendë politike nuk e themi dot. SPAK merr bën spektakël, prandaj këtë drejtësi që po bën SPAK e quaj drejtësi me leje, marrin leje diku më lartë dhe pastaj fillojnë të veprojnë. Boll rasti Beqaj dhe Ahmetaj tregon se kur Rama hap dritën jeshile SPAK hapet pak më shumë, kur ndez dritën e kuqe SPAK zbythet.