Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka lëshuar 15 urdhër-arreste për aferën e inceneratorit të Tiranës. Për disa prej tyre është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie” dhe për disa të tjerë “arrest me burg”.
Burime bëjnë me dije se nuk ka urdhër-arresti për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, por mes urdhër-arresteve është dhe Taulant Tusha, Drejtori i Përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës.
Gjithashtu, urdhër-arreste ka edhe për biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët janë në kërkim ndërkombëtar edhe për aferat në dy inceneratorët e Elbasanit dhe të Fierit. Sërish rëndojnë akuza dhe ndaj Alqi Bllakos, ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, të dënuar për korrupsionin në inceneratorin e Fierit. Po ashtu urdhër-arresti ka edhe për Lefter Kokën, i dënuar për aferat e inceneratorit të Elbasanit dhe Fierit.
Burime bëjnë me dije se 4 persona janë vënë në pranga dhe të tjerë janë ende në kërkim. Mësohet se GJKKO vendimin për urdhër-arrestet e lëshuara nga SPAK e ka marrë dy ditë më parë.
Më herët SPAK ka vendosur sekuestro ndaj inceneratorit të Tiranës, pasi nga hetimi paraprak zbuloi se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët e vërtetë të projektit dhe se kompania ka lëshuar miliona euro fatura të falsifikuara, të paguara nga taksapaguesit e Tiranës, Durrësit e bashkive fqinje me të.
EMRAT e urdhër-arresteve:
Lefter Koka- arrest në burg
Alqi Bllako– arrest në burg
Pëllumb Abeshi– arrest në burg
Mirel Mërtiri- arrest në burg
Klodian Zoto- arrest në burg
Erjon Murataj- arrest në burg
Bledar Karoli- arrest në burg
Alba Thoma- arrest shtëpie
Valbona Ballgjini– arrest shtëpie
Taulant Tusha– arrest në burg
Namik Simixhiu- arrest në burg
Sidita Kopliku– arrest shtëpie
Etleva Kondi– arrest shtëpie
Jetmir Llapaj– arrest në burg
Sidita Tola– arrest shtëpie
Kush është Taulant Tusha?
Taulant Tushe ka qenë “syri dhe veshi” i kryebashiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në Komisionin e Koncesionit për landfillin e Sharrës në Tiranë. Ai ka qenë ngjitur me Veliaj, që në ditët e para të pushtetit të Rilindjes. Në vitin 2013, Taulant Tusha mbante postin e Drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë për Çështje Sociale dhe Rinisë, të drejtuar nga Veliaj.
Ai emërohet Drejtor i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, sapo Veliaj u zgjodh kryebashkiak, dhe vijon ta mbajë ende këtë detyrë. Ndërkohë, Taulant Tusha ka drejtuar edhe Bordin Drejtues të Ujësjellësit të Tiranës. Pas këtyre benefiteve profesionale, Tusha emërohet si “mëkëmbës” i Erion Veliajt në komisionin e koncesionit për landfillin e Sharrës, një procedurë tejet e dyshimtë.
“Boldnews.al” ka raportuar më herët për “firmën inkriminuese” të Veliajt, i cili u shpreh “parimisht dakord” për koncesionin e Sharrës, megjithëse ky qëndrim ishte në tagrin e Këshillit Bashkiak dhe kërkohej miratimi i të gjithë bashkive të Qarkut Tiranë.
Në “dakordësinë në parim” të Veliajt, me shumë mundësi ka një rol të dorës së parë edhe Taulant Tusha.
LEXO EDHE: Sharra/ Taulant Tusha, “siguresa” që do të digjet për të shpëtuar përkohësisht Veliaj
Historia e aferës së Sharrës
Në datën 23 Qershor 2016, tre kompani, përkatësisht “Energy Recuperator S.P.A.”, “Paul Wurth Italia S.P.A.” dhe “Integrated Technology Services” (në pronësi të Klodian Zotos), i drejtuan Ministrisë së Mjedisit, një shkresë me lëndë “Letër interesi për projektpropozimin”, ku ato shpreheshin të interesuara për rehabilitimin e landfillit ekzistues të Sharrës, ndërtimin e landfilleve të reja dhe inceneratorit për prodhimin e energjisë elektrike.
Pas 5 ditësh, ministri i Mjedisit, Lefter Koka e konsideron të pranueshme kërkesën dhe fton kompaninë që të paraqes projektin e detajuar.
Njëkohësisht, Lefter Koka vë në dijeni për propozimin edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, fakt që dëshmon se kryebashkiaku ishte në dijeni që në fillim të procedurës.
Në shtator 2016, shoqëritë transferohen në Hollandë dhe nga aty sjellin propozimin e tyre bashkë me një studim, pra shoqëria koncesionare “Integrated Energy B.V.” vë në dispozicion të Ministrisë së Mjedisit dokumentacionin shtesë për propozimin e pakërkuar, duke informuar gjithashtu se kjo shoqëri ishte formuar nga kompanitë nismëtare të projektit dhe kishte për qëllim një implementim të rregullt të projektit për Zonën e Trajtimit të Mbetjeve Tiranë.
Paralelisht, me kërkesë të Ministrit të Mjedisit, ngrihet komisioni për procedurat koncensionare, i përbërë nga 2 anëtarë nga bashkia Tiranë, 2 nga ATRAKO dhe një nga MIE, Komisioni përbëhet nga kryetare znj. Valbona Ballgjini dhe anëtarë Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Namik Simixhiu dhe Taulant Tusha.
Në një nga mbledhjet, komisioni ngre shqetësim (përkatësisht anëtarët e bashkisë Tiranë) se Bashkia Tiranë nuk ka mundësi financimi për të përballuar kostot e implementimit të projektit.
Kjo do të thotë që komisioni nuk ka ndjekur rrjedhën ligjore të punës, duke vendosur të mos vlerësojë nga ana financiare më pas duhet t’ia dërgonin Ministrisë dhe pas aprovimit të saj duhet të riniste diskutimi për pjesët e tjera.
Ministri Lefter Koka nis komunikimin me institucionet e tjera, lidhur me procedurën dhe financimin e projektit koncensionar për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve në Tiranë.
Ministrja e Shtetit, Ermonela Felaj, tregohet fillimisht tejet dyshuese për integritetin dhe kapacitetet financiare të kompanisë që kishte paraqitur “ofertën e pakërkuar”.
Por, vetëm një javë pas këtyre dyshimeve, Felaj, shpreh dakordësinë e saj nëpërmjet stafit të saj, në një komunikim via e-mail me ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe disa zyrtarë të tjerë, përfshirë Drejtorin Juridik të Këshillit të Ministrave, Artur Metani.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i sugjeron ministrit Lefter Koka që të ndjekë një procedurë jo-tradicionale, atë të financimit nga Buxheti i Shtetit, për shkak të tejkalimit të limiteve buxhetore dhe duke e orientuar që të organizojë procedurën duke përdorur fondet e alokuara për Bashkinë e Tiranës.
Megjithë pikëpyetjet e shumta, kompania “Integrated Energy bv” fiton bonusin prej 8 pikësh nga 10 përmes një Vendimi të Këshillit të Ministrave.
Firma “inkriminuese” e Veliajt
Ministria e Mjedisit, nëpërmjet një shkrese të nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i asaj kohe, Alqi Bllako, i drejtohet kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke i kërkuar dakordësinë për projektin, për të cilin ky i fundit ishte informuar që në Qershor 2016 – Të mos harrojmë që Veliaj ishte në dijeni të projektit që në qershorin 2016.
Kryebashkiaku Veliaj, pa thërritur Këshillin Bashkiak (sikundër ia kërkon Ligji për Pushtetin Vendor) dhe pa e miratuar këtë projekt në të, jep dakordësinë e tij shoqëruar me një tabelë ku paraqiteshin detyrimet e bashkisë Tiranë për këtë projekt.
Kjo firmë e Veliaj, në kundërshtim me ligjin, i dha mundësi projektit të impiantit të mbetjeve në Tiranë që të financohej jo nga Buxheti i Shtetit në mënyrë të drejtëpërdrejtë, por në mënyrë indirekte, nga Buxheti i Shtetit përmes Transfertave të Pakushtëzuara drejtuara Bashkisë Tiranë.
Ndërkohë që po organizoheshin procedurat, Ministri Arben Ahmetaj ka marrë një shkresë përgjigje nga Ministria e Mjedisit që i bashkangjit shkresën aprovuese të bashkisë Tiranë.
Fatura e fryrë për shërbim të pjesshëm
Prej të paktën 5 vitesh, Bashkia e Tiranës paguan tarifën 29 euro për ton mbeturina të depozituar në landfillin privat të “Integrated Energy bv” në Sharrë.
Kjo tarifë përfshin procesin e depozitimit, ndarjes dhe incenerimit të mbetjeve urbane. Më së paku njëri prej këtyre shërbimeve-ai i incenerimit- nuk kryhet. Kjo, për faktin e thjeshtë se në landfillin e Sharrës nuk është ndërtuar impianti i përpunimit të mbetjeve urbane. Megjithatë, Bashkia e Tiranës vijon të paguajë tarifën e plotë prej 29 euro/ton mbeturina.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim të kryer në vitin 2022, me titull ‘Inceneratori i Tiranës”, kërkoi nga autoritetet qeveritare dhe Bashkia e Tiranës që të negocionin me kompaninë koncesionare për të zbritur nga tarifa vlerën e procesit të incenerimit, përsa kohë ai nuk kryhej.
Rekomandimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit është injoruar dhe Bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj vijon të paguajë faturën e plotë për një shërbim gjysmak.