Kryetari i PD-së, Sali Berisha foli këtë të mërkurë në një konferencë për mediat për procedurën me të cilën botuesi Karlo Bolino mori me qira simbolike 4900 m2 tokë përmes disa vendimeve të qeverisë Rama.
Nga selia blu, Berisha u ndal dhe te një reagim i Bolinos lidhur me çështjen parmës një artikulli publikuar në median e tij, që e cilësoi “mashtrim publik Rama-Bolino me dokumentarin ERTV për të mbuluar rrëmbimin e 4 900 metër katrorë tokë me katër VKM të personalizuara që të gjitha me kompaninë e Bolinos”.
Në këtë dokumentar të mashtrimit publik, shtoi ai, Rama dhe Bolino kanë konsumuar jo një, por disa vepra penale të rënda.
“Bilance të falsifikuara”
Ai hodhi akuza se janë falsifikuar bilancet e kompanisë së Bolinos që ka lidhur kontratën e qirasë me Ministrinë e Financave.
Berisha: Imagjinoni, Sali Berisha me ligjet që ka miratuar, ka rikthyer prona dhe objekte të konfiskuara nga regjimi komunist, mbi 320mijë qytetarëve shqiptarë në një total prej 1 miliard e 577 milionë e 400 mijë metër katrorë, nga të cilat 408 metër i përkasin me të gjithë dokumentat, Jamarbër Malltezit.
Kurse Edi Rama me Karlo Bolinon kanë rrëmbyer me 4 vendime të personalizuara, pra katër vendime, që të gjitha kushtuar kompanisë së Karlo Bolinos, 4900 metër tokë, vakëf i dhënë për sevap nga familjet pronare, për fëmijët e asaj zone që nuk kishin gjimnaz, për rreth 60 mijë banorë. Nga kjo tokë, Rama dhe Bolino, vetëm nga familja Begeja kanë marrë 3 herë më shumë tokë se sa ka marrë pasardhësi i Begejëve, Jamarbër Malltezi. Këtë le t’i gjykojnë qytetarët, unë jam këtu për t’i bërë gjyqin Edi Ramës, i cili pasi ka konsumuar një seri veprash penale me 4 vendime të personalizuara, prodhon me Bolinon një dokumentar fund e krye, trillime dhe mashtrime.
Rama dhe Bolino në dokumentarin e tyre, shprehen se ‘Shqipëria 1 euro’ është një nismë e qeverisë Berisha për të stimuluar investimet e huaja në vend, procedurat shtjellohen në VKM 54 të qeverisë Rama të vitit 2014, pra 5 vite përpara se Report TV të përfitojë. Dua të sqaroj këtu se nisma ‘Shqipëria 1 euro’ është nismë e qeverisë së PD, por është e vërtetë se ajo nuk e kishte imagjinuar si nismë për ndërtimin e televizioneve proqeveritare dhe për korruptimin e medieve. Ajo ishte ndërmarrë si një nismë që do nxiste investimet e huaja veçanërisht në zonat e varfra të vendit. Por është Edi Rama ai që shton në VKM-në e tij, përdorimin e kësaj nisme për ndërtim televizionesh.
Ajo çka mund të them se ndryshimi i VKM-së që përfitoi edhe për investime në televizione, është bërë nga qeveria e Ramës, pas miratimit fillestar të VKM 54 dhe është bërë në vitin 2015. Kemi sqaruar edhe ndryshimin e fundit të bërë, që i jepet e drejta për privatizim. Pra, me këtë ndryshim, Rama jo vetëm jep televizioneve, por në pikën 8, fraksion 4, VKM 54 të vitit 2014, thuhet: Në kontratat e qirasë apo emfeteozës, të lidhura për pasuri ku sipërfaqja e truallit është mbi 500 metër katrorë, në rastet kur shoqëria qiramarrëse ka kryer investime në masën 150 përqind të vlerës së truallit dhe ka respektuar kushtet e kontratës, subjekteve u lind e drejta e privatizimit të drejtpërdrejtë të objektit të kontratës sipas legjislacionit në fuqi. Pra, ky vendim vjen në shkelje flagrante të ligjit të kthimit dhe kompensimit të pronave, të cilat stipulojnë në pikën dy të nenit 31, se çdo tjetërsim i pronës shtetërore apo publike qoftë ajo, kalon automatikisht te i shpronësuari. Pas këtyre ndryshimeve në VKM, Rama-Bolino kanë hyrë në marrëdhënie kontrate me shtetin, me qeverinë.
Në dokumentarin e tyre të mashtrimit publik, ata thonë se ndryshe nga sa shpif Berisha, Report TV nuk është bërë pronare e asgjëje, mbajeni mend këtë, por ka nënshkruar vetëm një kontratë qiraje në këmbim të qirasë simbolike 1 euro, ligji dhe qeveria e detyrojnë të punësojnë një numër të konsiderueshëm punonjësish dhe të realizojnë një investim të kushtueshëm, pjesa më e madhe e të cilit mbetet pronë e shtetit. Ky është një mashtrim tjetër i dyshes Rama-Bolino, pasi në bilancet e kompanisë MTSC SHPK, për vitet 20-22 është pasqyruar vlera 265 milionë lekë si aktive afatgjata në proces në bilancin e vitit 2022.
Çfarë janë këto? Është ndërtimi, i cili nuk ishte absolutisht në pronësi, ishte pronësi e shtetit. Vetë Bolino e pohon se nuk kishte asgjë në pronësi, veç aparaturave të televizionit. Pra, çfarë ka raportuar tjetër? Ky është bilanc tjetër, i vitit 2019. Janë raportime në tatime këto. Po të mos i konsideronte të vetat, ka zë të veçantë, por jo me aktivet afatgjata materiale. 45 milionë sepse kaq ka qenë në atë kohë investimi në ndërtesë. Më vonë, investimi ka arritur në 265 milionë.
Pra, sipas standardeve kombëtare të kontabilitetit, në zërin aktiv regjistrohen: Njësia ekonomike njeh koston e një zëri të AAM-ve vetëm si një aktiv, nëse dhe vetëm nëse aktivi kontrollohet nga njësia ekonomike, është e mundur që nga përdorimi i aktivit, do të hyjnë në njësinë ekonomike përfitime ekonomike dhe kostoja e aktivit mund të matet me besueshmëri. Regjistrimi fillestar i AAM-së bëhet zakonisht në momentin e përfitimit të tij nga blerja apo prodhimi.
Përfundimisht, nëse Rama-Bolino e kanë të qartë se nuk janë pronarë të godinës, i bie që ata kanë falsifikuar bilancet e deklaruara në administratën tatimore dhe kanë kryer një vepër të rëndë penale. Për tre vite me radhë ky falsifikim dhe kjo është e dënueshme ligjërisht.
“Rama dhe Bolino mashtruan edhe me tërmetin, shteti u vu në dispozicionin e pronës që do grabisnin ata”
Berisha: Rama-Bolino në dokumentarin të mashtrimit të tyre publik, thonë se Berisha e ka etiketuar si skandal të madh faktin se pas firmës së kontratës për të marrë me qira një godinë të vjetër për të cilën ishte përcaktuar si detyrim, rikonstruksioni total, godina u prish dhe u rindërtua.
Ajo që Berisha nuk tregon, thonë në dokumentarin e tyre Rama-Bolino, është se në datën 26 nëntor 2019, tërmeti e dëmtoi në mënyrë fatale strukturën e godinës dhe godina u rrëzua. Instituti i Ndërtimit urdhëroi prishjen dhe për shkak se ishte godinë shteti, për ta shembur duhej një VKM se kështu e përcakton ligji. Prishja u krye totalisht me shpenzimet e Report TV. Ja pse fjala rikonstruksion total edhe në kontratë u ndryshua me fjalën rindërtim jo më pak se sipërfaqja e godinës ekzistuese. Dhe në fund të kontratës thuhet t’ia kthejë shtetit ose t’ia kthejë xhepit, thotë mashtrimi i Ramës dhe Bolinos në dokumentarin e tyre. Dokumentet thonë diçka tjetër.
Në këtë sqarim të gjatë, Rama dhe Bolino sërish gënjejnë. E para, leja e ndërtimit është miratuar më 13.1.2020, vetëm 48 ditë pas tërmetit të datës 26.11.2019. Pra, të gjithë strukturat ishin në dispozicion të këtij biznesi, që nuk kishte lënë njeri pa strehë. Të tjerët rrinin në çadra dhe janë edhe sot, kurse shteti i tërë përqendrohej te prona që do grabiste Rama dhe Bolino. Pra u kryen të gjitha procedurat e vlerësimit të dëmit, të shpalljes së godinës nga Instituti i Ndërtimit si DS5, bërja e projektit nga arkitektët pasi ndryshon plani i biznesit, vlerësimi nga Ministria e Financave si pronar i godinave dhe në fund miratimi i lejeve. Të gjitha këto në harkun kohor 48 ditor, gjë e cila nuk gjendet kurrë në analet e shtetit. Kohë rekord ndërkohë që shteti ishte në emergjencë, pasi edhe sot ka fatkeqë që janë në çadra.
Vetë Rama dhe Bolino thonë se ose do ia kthejnë shtetit, ose xhepit. Pra e pranojnë se amendamenti i bërë nga Edi Rama kishte për qëllim grabitjen e pronës.
Nuk mund t’ia kthejnë xhepit, sepse ligji i kthimit dhe kompensimit të pronave, ligje bazë në fushën e pronësisë, e kanë laksative, tjetërsimi i pronës e kalon atë menjëherë te të shpronësuarit. Pra, u kthehet familjeve që iu grabit toka që kishin lënë për shpirt, për sevap për fëmijët e lagjes. Në dokumentarin e tyre të mashtrimit publik, Rama dhe Bolino thotë se tërmeti i detyroi të bëheshin procedura ligjore me një VKM për prishjen e godinave, por e vërteta qëndron ndryshe pasi qeveria pas tërmetit bëri këto hapa:
A-Miratoi lejen e ndërtimit më 13.1.2020.
B-Miratoi VKM me numër 157, 19..2.2020, për dhënien e miratimit për një shtesë, po ç’punë kishte shtesa prej 870 metër tokë me tërmetin? Asnjë punë, kjo kishte të bënte me etjen e tyre për të pushtuar sa më shumë tokë. Një shtesë në kontratën e qirasë me tarifën 1 euro, duke i dhënë katin e dytë të njërës prej godinave, e kuptoni apo jo, ky më sipër thotë godinat u rrafshuan nga tërmeti, tani i jep katin e dytë të një godine, këta janë mashtrues të rrezikshëm publikë.
C-Miratimi i VKM 368 për shembjen e tre objekteve të dhëna me qira.
Pra, pas tërmetit që i bëri gjëmën Ramës dhe Bolinos, qeveria fillimisht u kujdes të miratonte lejen e ndërtimit për një godinë të re dhe për të dhënë një shtesë kontrate prej 872 metra. Ajo që Rama dhe Bolino fshehin është se në momentin që ato godina u prishën, nuk ekziston më qëllimi i kontratës. Kur godinat u prishën, kontrata është nul sepse kontrata jepte tre godinat për rindërtim dhe përdorim. U shembën godinat nga tërmeti, iku kontrata se në tender ishin dhënë godinat dhe ishte përcaktuar qiraje 63 mijë euro në muaj që u katandis më pas në 1 euro.
“Rama dhe Bolino manipuluan edhe për kredinë! Kontrata nuk ekzistonte pasi u shembën godinat”
Berisha: Për këto paligjshmëri, Rama dhe Bolino sot na mashtrojnë se është ndryshuar edhe objekti i kontratës, nga rikonstruksion total, në rindërtim jo më pak se sipërfaqja e godinës ekzistuese- Pretendojnë ata,r mashtrojnë- duke publikuar edhe një foto të kësaj pike në kontratë. Ky është një mashtrim publik, për të cilin ata do përgjigjen rëndë. Pra, trillimi i Ramës dhe Bolinos në dokumentarin ERT-Report TV nuk ekziston në asnjë akt ligjor dhe VKM përfundimtar i korrikut flet për rikonstruksion minimalisht total, term qesharak për të mbuluar vjedhjen, por një term që nuk ekziston në fjalorët e ligjeve dhe kontratave. Nuk ka fjalë rindërtim, ka në VKM, rikonstruksion minimalisht i totalit. Ditën që u shembën ato godina, theksoj edhe njëherë se objekti i kontratës nuk ekzistonte dhe kontrata duhej të pushonte së ekzistuari. Ministria e Financave duhej të shpallte tender dhe të çlironte tokën për gjimnazin e parashikuar. Sa për shpenzimet që deklarojnë se kanë mbuluar shembjen e godinës, se thonë se ato i ka mbuluar Report TV, atëherë shkoni dhe kontrolloni pak te djegësi i Tiranës sa kanë paguar për inertet që kanë depozituar ata nga tre godinat?
Nga kontrolli që kemi bërë, rezulton se nuk kanë paguar asnjë qindarkë dhe ne e marrim edhe këtë deklaratë si një mashtrim publik, vepër penale.
Rama dhe Bolino në dokumentarin e tyre të mashtrimit publik, thonë se godina është financuar 100 përqind nga Report TV, duke kërkuar edhe një kredi bankare. Ju lutem këtu kërkoj vëmendjen tuaj, është thjesht qesharake shpikja e Berishës, thonë, pretendimet sipas të cilave, godina shtetërore, pra thonë godina shtetërore, është vendosur si kolateral te kredia, pasi nuk ka bankë në botë që mund të pranojë si kolateral një godinë, ndërkohë që qiramarrësi nuk e ka certifikatën e pronësisë. Sqarim, marrëveshja me bankën e përcakton fare qartë: Mbi të gjitha pasuritë/asetet e shoqërisë kredimarrëse, duke përfshirë asetet e tashme dhe të ardhme të shoqërisë MTSC SHPK. Ndërkohë ju e keni parë se në bilancet tatimore, Bolino ka paraqitur si aktive afatgjata materiale ndërtesën, e cila nuk duhej, pra ka falsifikuar bilancin për këtë qëllim, për të mashtruar edhe bankën.
Ai nuk mund të merrte kurrë kredi me ndërtesën që ishte e shtetit, të cilën Bolino thotë vetë se do e blinte centimetër për centimetër. Pra pronari i vërtetë i ndërtimit është ABI Bank, derisa Karlo dhe Rama të paguajnë qindarkën e fundit të kredisë që kanë marrë. Pra, ky është superkandali, me të cilin ERTV dhe Report TV, u përpoqën të mashtrojnë qytetarët sikur janë duarjashtë, por faktuan se janë përgjegjës fund e krye, dhe kanë konsumuar jo një, por disa vepra penale të rënda me këtë mashtrim publik. Edhe njëherë e mbyll këtë me qytetarët, shtroni edhe njëherë pyetjen, si ka mundësi që një njeri, i cili ka marrë midis 325 mijë ish-pronarëve, 408 metra tokë të trashëguar, ka marrë gjithsej 8 përqind të tokave që i përkisnin familjes së tij, pa asnjë vendim të personalizuar, të gjitha me ato ligje, që kanë bërë të mundur të përfitojnë 1 miliard e 577 milionë e 400 mijë metër katrorë tokë, me kthim ose kompensim pronarët e ligjshëm të tyre, apo dy persona, dy hajdutë, që firmosin për të rrëmbyer pronën rreth 5 mijë metër katrorë në mes të Tiranës. 4 vendime të personalizuara vetëm për Bolinon dhe asnjë qytetar tjetër. Si është e mundur që një kryeministër dhe një ministër, firmosin lejen e ndërtimit të një godine 3-katëshe, kjo në planet nuk ndodh kurrë. Ju garantoj se as Kim Jong-Un në Korenë e Veriut nuk firmos leje ndërtimi për një banesë. Po këtë e bën Edi Rama me Bolinon për pronën e tyre.