Programi i rindërtimit si i pari dhe më i madhi në aspektin e vlerës monetare duhet që së paku të kishte ndjekur disa parime që rrisnin eficiencën e shpenzimit të parasë publike.
Por procedurat e prokurimit dhe të ndjekjes së zbatimit të tij kanë shfaqur problematika të theksuara.
Për Aranita Brahaj, drejtore ekzekutive e Institutit Shqiptar të Shkencës (AIS), mënyra sesi është planifikuar që në fillim nga qeveria ka shfaqur mungesë të koherencës, teksa negocimi në tavolinë mes palëve ka kufizuar garën reale, duke rritur rrezikun për korrupsion.
Znj. Brahaj shprehet se problemet janë të dukshme në çdo hallkë dhe mënyra sesi është vepruar e ka bërë të vështirë sot për Bashkitë të kenë një inventar të qartë se sa punë ka zbatuar dhe se kur procesi mund të mbyllet.
Programi i rindërtimit nisi nga viti 2020, me planifikime të veçanta në buxhet dhe parashikohet të zgjasë edhe në vitin 2024, me një fond 7 miliardë lekësh. Nga ajo që keni parë këto vite sa u takon ndryshimeve që kanë pësuar buxhetet, si e gjykoni ecurinë e programit. A ka qenë ky një program i koordinuar, duke ndjekur një ecuri të harmonizuar apo flasim për një praktikë të ngadaltë dhe me probleme?
Ka mungesë koherence në Planifikimin e Qeverisë Shqiptare për këtë Projekt. Programi i Rindërtimit, i prezantuar në konferencën e donatorëve të mbajtur në shkurt 2020 në Bruksel, prezantoi dëme dhe nevoja për Ndërhyrje në vlerën 1.076 miliardë euro (ose rreth 131 miliardë lekë – kursi këmbimit shkurt 2020).
Kjo vlerë u përllogarit nga qeveria shqiptare si dëme dhe nevoja për ndërhyrje pas pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019. Këto nevoja u evidentuan si për Strehim, edhe për Infrastrukturë Urbane, Godina Publike kryesisht Shëndetësi dhe Arsim.
Në Konferencën e Donatorëve, qeveria shqiptare mori premtime për ndihmë dhe kreditim në vlerë 1.15 miliardë euro (ose 140 miliardë lekë).
Më me detaje, mbi rezultate të Vlerësimit të Qeverisë dhe Raportit të Konferencës, Open Data Albania ka publikuar në artikullin me titull “Financimi ndërkombëtar për rindërtimin e dëmeve dhe humbjeve nga tërmeti nëntor 2019”.
Por çfarë ndodh, qeveria ka planifikuar shumë më pak buxhetim në vitet 2020 deri në 2023 për këtë Program, ka ecur me ngadalësi në çeljen e programeve dhe ka një numër tenderimesh që janë shpallur fitues, por nuk kanë një Vendim Shtetëror për financim.
Pra serioziteti financiar dhe buxhetues i këtij programi lë për të dëshiruar.
Në vitin e katërt pas Fatkeqësisë, qeveria dhe shteti shqiptar kanë buxhetuar, alokuar dhe konsoliduar në total 75 miliardë lekë. Konkretisht
– në 2020 u konsoliduan 16.6 miliardë lekë
– në 2021 janë 29.5 miliardë
– në vitin 2022 janë 28.9 miliardë lekë shpenzime të realizuara.
– Viti aktual 2023 ka një plan të buxhetuar për programin e rindërtimit në masën 5 miliardë lekë.
Ndërsa Ligji për Buxhetin e Shtetit 2023, në tabelën Treguesit Fiskalë, planifikim afatmesëm, tabelë nr. 4 Shoqëruese e Buxhetit, zbardh faktin se viti 2023, është viti i fundit me planifikime dhe buxhet për këtë Program, çfarë bën të mendosh se qeveria po e mbyll buxhetimin e këtij Programi me 80 miliardë lekë.
Por shohim që edhe 2024 ka një vlerë buxhetimi të rishfaqur. Por ende mbetet pezull fati i tenderimeve që nuk janë mbuluar ende me alokim fondi nëpërmjet një VKM–je.
Kjo pasi evidenca e databazës Open Procurement Albania për Programin e Rindërtimit shfaq të dhëna për 856 Tendera me Fond Limit total Limit të tenderuar 96.65 miliardë lekë pa TVSH, nga të cilat tender që kanë shpallur fituesin kanë vlerë kontrate të fituar pa TVSH prej 84 696 357 271 lekësh (84.69 miliardë lekë).
Databaza për Bashki Rindërtimi dhe Fondi Shqiptar për Zhvillim (FSHZH).
Diferenca Vlerë Buxhetim me Vlerë Tenderim mbetet e paqartë në kontekstin e një Programi Buxhetor për të cilin Shteti kontrakton dhe planifikon me një Bazë Ligjore të ndryshme nga Ligji për Buxhetin e Shtetit dhe Ligji për Prokurimet Publike.
Diferenca bëhet më e madhe nëse nga Buxhetimi zbresim edhe 11.5 miliardë lekë të këtij programi të disbursuara direkt tek individët për rikonstruksione të dëmeve të lehta në banesa dhe godina.
(Grante individuale gjenden në Thesar me këto linqe: Link 1, Link 2, Link 3 – janë mbajtur në llogaritje vetëm Grantet Individuale).
Në finale asnjë planifikim apo alokim buxhetor nuk qëndron dhe nuk jep një pasqyrim bindës mes planit për rindërtim, planit buxhetor, tenderimeve për infrastrukturë, pagesave përmes granteve individuale dhe alokimeve buxhetore me Vendime të Këshillit të Ministrave.
Nëse i referohemi listës së tenderimeve dhe vlerës së kontratave rezulton se Programi nuk mbyllet as me vitin buxhetor 2024.
Si është menaxhuar ky program nga njësitë vendore që kishin detyrimin e prokurimeve të vetme dhe nga njësi të tjera të përzgjedhura, siç ishte Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Cilat janë problematikat që vihen re lidhur me procedurat?
Rindërtimi është zbatuar sipas një Legjislacioni të veçantë josektorial.
Janë planifikuar zona të detyrueshme për rindërtim e më tej janë bërë grantime individuale dhe tenderime me Ligj Akt Normativ të 2019.
Institucionet lokale kishin kompetenca të limituara, pasi projektet e tyre varen në çdo rast nga buxhetimi i qeverisë qendrore.
Kjo e fundit çdo vit ka caktuar një vlerë buxhetimi, por nuk ka listuar veprat, objektet e zbatuara të vitit apo bashkinë përfituese.
Për pasojë, shumë Objekte Ndërtimi janë zvarritur dhe shumë forma zbatimi janë ndryshuar me fleksibilitet.
Sot, asnjë nga bashkitë nuk ka një inventar të qartë se sa punë ka zbatuar dhe se kur procesi mund të shkojë në mbyllje.
Si një strukturë që në të gjithë aspektet që mbulon ka në bazë të dhënat, ju më shumë se kushdo mund të keni një ide mbi transparencën e këtij projekti. A ka qenë rindërtimi sa u takon shifrave dhe ecurisë transparent në këndvështrimin tuaj? Cilat janë ngërçet që mendoni se vërehen në këtë aspekt dhe pasojat që sjell një situatë si kjo?
Procedurat për kontraktim për veprat pjesë e programit të rindërtimit nuk janë transparente, ato janë bërë me procedurë të limituar (kufizuar, jo e hapur), ofertat janë pranuar dhe vlerësuar jashtë sistemit elektronik në tryezë biznesi dhe shteti.
Kjo për shkak të Ligjit Korruptiv që u zbatua për këtë Program. Kjo ka bërë që rreziku për klientelizëm dhe korrupsion të jetë tepër i lartë.
Procedura e prokurimeve publike në fazën e parë është njëra anë dhe lidhja e kontratës dhe ndjekja e saj për zbatimin është ana tjetër. Cilat janë disa nga problematikat e vërejtura në këto faza pra zbatim, njoftim për përfundim të kontratës, marrje në dorëzim. A mendoni se ka funksionuar siç duhet sistemi i ndjekjes dhe kontrollit të zbatimit të kontratave?
Në rastin e Rindërtimit, ka edhe një fazë tjetër, pasi shpallet projekti, procedura dhe fituesi nga autoriteti kontraktor, projekti mund të mbetet vendnumëro.
Kjo sepse asnjë objekt i tenderuar nuk ka buxhet të drejtpërdrejtë të alokuar.
Pas njoftimit të fituesit, qoftë autoriteti kontraktues bashki, e qoftë biznesi fitues, duhet të presin Ministrinë e Rindërtimit dhe Qeverinë të bëjë alokim fondi përmes VKM-së.
Kjo formë e konkurrimit pa buxhet dhe pritjes për buxhet pa afat të paracaktuar ka dëmtuar ecurinë e punës në disa bashki e në finale ka shënuar një formë jo shumë transparente dhe me kosto të keqpërdorimit të kontraktimit dhe financimit me para publike.
Ka gjasa që kjo të jetë edhe arsye e shumë konflikteve të ish-ministrit Ahmetaj me të tjerë eksponent politikë.
Mendoj që buxhetimi i deritanishëm për projekte rindërtimi ka nevojë për 10 deri në 15 miliardë lekë të tjera për të mbyllur të gjitha procedurat ku është njoftuar një Biznes Fitues.
Ju keni listuar numrin e subjekteve që kanë përfituar më shumë kontrata nga programi i rindërtimit dhe vlerën për secilën. Çfarë tregojnë shifrat që kanë rezultuar nga ky hulumtim i juaji?
Së pari, tregon përqendrim të fondeve në pak duar, Konkretisht 22% e vlerës së kontratave të Rindërtimit janë fituar nga 10 Big Biznese, ndërsa 30 Bashkime operatorësh kanë fituar 42% të vlerës totale.
Së dyti, kontraktime me vlera të larta dhe njoftime për procedura ndërkombëtare, ku asnjëherë nuk mori pjesë dhe nuk shfaqi besim në proces asnjë kompani e huaj serioze.
Së treti, siç po tregojnë edhe evidencat e dy dosjeve hetimore serioze në SPAK, tenderët për rindërtim kanë bërë që biznese të zotëruara nga individë me rekorde kriminale ia kanë dalë që bizneset e tyre t’i certifikojnë si kontraktorë publikë të rindërtimit.
Kjo hedh hije të rënda dyshimi se procedura të tilla kanë shërbyer edhe për pastrim të aseteve të krimit./Monitor