Kishte dy pyetje të rëndësishme në prag të takimit ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që do të zhvillohet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor në Shkup.
E para, a do të shfaqet në të njëri prej 57 përfaqësuesve të vendeve anëtare – ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov? Dhe, e dyta, kush do ta marrë përsipër kryesimin njëvjeçar të OSBE-së, pas Maqedonisë së Veriut?
Dy pyetjet, në një mënyrë, janë të ndërlidhura. Por, në të dyja rastet, në prag të takimit, Rusia ka dalë në krye, sepse ka përdorur veton e saj për të siguruar edhe udhëheqësen që ka dashur, edhe praninë që i është dashur për t’i treguar audiencës vendore dhe asaj ndërkombëtare se ajo është ende një lojtare politike, në të cilën duhet llogaritur.
Ia vlen të kujtohet se në takimin e mëparshëm ministror të OSBE-së, që u mbajt dhjetorin e kaluar në qytetin polak, Lloxh, Polonia nuk e lejoi praninë e Lavrovit. Varshava, udhëheqëse e OSBE-së në vitin 2022, vuri në dukje se Lavrov ishte në listën e sanksioneve të BE-së, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, që kishte nisur në shkurt të atij viti. Polonia veproi kokë më vete dhe njoftoi disa javë më parë për qëllimet e saj – gjë të cilën Ministria e saj e Punëve të Brendshme kishte të drejtë ta bënte.
Kjo e drejtë vlen edhe për Maqedoninë e Veriut. Vendi kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian është përafruar deri tash me të gjitha sanksionet e BE-së kundër Rusisë – përfshirë këtu të gjitha masat individuale kundër zyrtarëve rusë dhe ndalimin e fluturimeve ruse. Por, në këtë rast, ekziston një vegëz: BE-ja vetëm ia ka ngrirë asetet Lavrovit dhe nuk i ka vendosur ndalesë vizash.
Edhe sikur të kishte ndalesë vizash, ajo do të mund të hiqej nga shtetet anëtare të BE-së dhe vendet aleate, si Maqedonia e Veriut, për pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare, siç është takimi ministror i OSBE-së. E njëjta gjë vlen edhe për fluturimet ruse nëse ato, për shembull, transportojnë diplomatë të rëndësishëm rusë. Me fjalë të tjera, Lavrov mund të mirëpritet në Maqedoninë e Veriut dhe ky vend të mos shkelë asnjë detyrim ligjor apo politik.
Maqedonia e Veriut konfirmoi se do ta lejojë uljen e avionit të Lavrovit, ndërsa Bullgaria i dha leje atij që ta shfrytëzojë hapësirën e saj ajrore në rrugën për në Shkup.
Burime nga OSBE-ja bënë me dije se delegacioni rus mund të ketë deri në 85 persona, përfshirë mjekun personal të ministrit të Jashtëm, zëvendësin e tij, Aleksandr Grushko, zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, personelin e sigurisë dhe 24 gazetarë rusë.
Shkupi e mori vetë këtë vendim, por është e qartë se ai plotëson dëshirën e shumicës së anëtarëve të OSBE-së, të cilët argumentuan se prania e Lavrovit kësaj radhe mund të jetë e dobishme.
Përveç përballjes së mundshme me të për Ukrainën, diplomatët e OSBE-së – në kushte anonimiteti – vunë në dukje edhe një arsye tjetër për ta pasur atë: zgjidhjen e çështjes se kush duhet ta marrë kryesimin vitin e ardhshëm dhe plotësimin e katër pozitave kryesore të OSBE-së, përfshirë atë të sekretarit të përgjithshëm, mandati i të cilit do të rinovohet në fund të vitit.
Estonia, prej kohësh, ishte kandidatja e vetme për të kryesuar në vitin 2024. Ajo aplikoi qysh në vitin 2020, por Rusia e refuzoi vazhdimisht dhe këtë gjë e bëri sërish këtë vit.
Argument i Moskës është se ajo nuk do që të kryesojë një vend tjetër i NATO-s, pas Maqedonisë së Veriut dhe Polonisë. Rusia thotë se dy vendet kanë ngritur gjatë gjithë kohës temën e ‘agresionit të vazhdueshëm të Rusisë kundër Ukrainës’ në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së – ku takohen ambasadorët – dhe se dyshja, në forume të ndryshme të OSBE-së, ka hedhur poshtë idenë se mund të ketë ‘biznes të zakonshëm’ për aq kohë sa vazhdon konflikti.
Çështja, së voni, doli në pah në Vjenë, ku OSBE-ja ka selinë. Disa burime thanë se përfaqësuesi rus u shfaq atje pa kravatë, duke u dhënë leksione njerëzve të pranishëm se si duhet të drejtohet organizata.
Normalisht, për kryesimin e OSBE-së vendoset së paku një vit përpara, me unanimitet midis shteteve anëtare. Do të ishte e paprecedentë që OSBE-ja të hynte në një vit të ri pa një vend në krye – gjë që do të mund të çonte në shkatërrimin e gjithë organizatës.
Për vitin 2025 tashmë është vendosur që Finlanda ta kryesojë OSBE-në, për të shënuar 50-vjetorin e Aktit Përfundimtar të Helsinkit të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që ka qenë paraardhëse e OSBE-së. Por, ky ka qenë një vendim që është marrë shumë kohë përpara se Finlanda të bëhej anëtare e NATO-s.
Estonia, për një kohë të gjatë, nuk e tërhoqi kandidaturën e saj, pasi kishte mbështetjen e plotë të 26 vendeve të tjera anëtare të BE-së – duke përfshirë edhe atë të ministrave të Jashtëm të bllokut, kur ata u takuan në Bruksel më 13 nëntor.
Në fund, Talini u desh të dorëzohej dhe Malta shprehu gatishmërinë e saj për ta marrë përsipër kryesimin.
Frika për të hyrë në vitin 2024 pa vend kryesues u rrit në Vjenë, sidomos kur kihet parasysh se vendi në këtë pozicion ka një rol mjaft të rëndësishëm në punët e përditshme, duke ndërmjetësuar konsensuse, duke udhëhequr takime të të gjitha niveleve dhe duke vendosur prioritete.
Vështirësitë për Talinin u bënë më të dukshme kur një notë politike e SHBA-së, drejtuar vendeve anëtare të BE-së, thoshte se ‘SHBA-ja e vlerëson gatishmërinë e Estonisë për të shërbyer si kryesuese në vitin 2024 dhe e mbështet Estoninë si kandidate parimore dhe të aftë për një kryesim të ardhshëm’. Por, në dokumentin e parë nga REL-i thuhej po ashtu se ‘Rusia e ka bërë të qartë se nuk do t’i bashkohet konsensusit për një anëtar tjetër të NATO-s si kryesues’.
‘OSBE-ja duhet urgjentisht ta identifikojë një vend të aftë që fiton konsensus për të shërbyer si kryesues në vitin 2024. Një dështim për ta bërë këtë, është fitore për Rusinë’, thuhej në dokument.
Dhe pyetja është: a i dhanë vendet perëndimore Rusisë një apo dy fitore, duke u dorëzuar para dëshirave të saj për praninë e nivelit të lartë dhe për heqjen e kandidaturës së Estonisë?
Kremlinit nuk i pengon kryesimi i Maltës, por ai do të donte që Lavrov ta konfirmonte këtë në takimin ministror në Shkup. Ai, po ashtu, nuk ka thënë ende ‘po’ për plotësimin e katër pozitave kryesore të OSBE-së edhe për një vit – diçka që do të donte ta bënte në kryeqytetin maqedonas, por, sipas gjasave, jo pa kërkuar diçka në këmbim. Se çfarë mund të jetë ajo, është supozim i kujtdo. Por, zvogëlimi i kritikave të OSBE-së për luftën e Rusisë në Ukrainë, nuk do të ishte ndonjë supozim i egër.
Në fund, duket se OSBE-ja – e vetmja organizatë ndërkombëtare në Evropë në të cilën Rusia është ende anëtare – do të jetojë edhe një vit. Por disa, përfshirë tri shtetet e pakënaqura baltike, Poloninë dhe Ukrainën, do të pyesin se me çfarë çmimi dhe do të vënë në dukje se Moska ka prishur punën e OSBE-së në disa raste në vitet e fundit, duke bllokuar, për shembull, tri misione të saj në terren në Ukrainë dhe gjithë buxhetin e OSBE-së në dy vjetët e fundit – gjë të cilën ka të ngjarë të vazhdojë ta bëjë.
Sidoqoftë, pamja në Shkup nuk do të jetë e mirë për Kievin dhe mbështetësit e tij më të mëdhenj, pasi Rusia do të kthehet në nivelin më të lartë politik në një organizatë, ku ende mund të diktojë çdo lëvizje të rëndësishme. Si rezultat, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka njoftuar tashmë se nuk do të marrë pjesë dhe të tjerë mund ta ndjekin shembullin e tij./REL