Një anketë e realizuar nga UNDP rreth ndikimit të krizës së çmimeve në Kosovë nxjerrë të dhëna të frikshme mbi pasojat që pati tek shumë familje rritja e pakontrolluar e çmimeve në dy vitet e fundit.
Sipas anketës “Shqyrtimi i dinamikës së varfërisë së amvisërive përballë inflacionit”, 10% e ekonomive familjare në Kosovë ishin dukshëm më të varfra në mes të viteve 2023 dhe 2021.
“Krahasuar me vitin 2021, në vitin 2023, një shtesë prej 10% e familjeve të anketuara jetonin nën pragun prej 1.85 euro në ditë, kur përshtaten të dhënat për rritjen e çmimeve”, thuhet në anketë.
Duke i përdorur të dhënat e të hyrave dhe kufirin e varfërisë prej 1.85 euro për person në ditë, shkalla e varfërisë në vitin 2023 vlerësohet të jetë 16%, krahasuar me 17.6% në 2022 dhe 14.5% në 2021.
Si pasojë shumë familje në Kosovë u detyruan të hynë borxh në banka edhe për gjëra ushqimore.
“Inflacioni ka çuar në rritjen e borxhit në mesin e ekonomive familjare, duke u mbështetur në kredi dhe kartela krediti për t’i përmbushur nevojat financiare. Për t’i luftuar pasojat e inflacionit në vitin e kaluar 16.1% e të anketuarve kanë përdorur kartela krediti dhe 16.3% e të anketuarve kanë deklaruar se duhet të përdorin kartela krediti ose forma të tjera borxhi për t’i mbuluar shpenzimet e rritura të ekonomive familjare; Vështirësitë financiare janë evidente, me 29% të të anketuarve që i shkurtojnë shpenzimet dhe i vonojnë pagesat e faturave, thuhet në anketë.
Sipas anketës, inflacioni ka ndikuar në mirëqenien mendore dhe sociale, duke shkaktuar ndërprerje në aktivitetet rutinore dhe rritje të stresit, duke çuar në cilësi më të ulët të jetës; 46% deklaruan se stresi dhe ankthi i tyre rriten si rezultat i rritjes së çmimeve (një përqindje më e madhe në mesin e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptas të Kosovës); 36% raportuan ndikim në marrëdhëniet personale ose jetën shoqërore; dhe 23% janë të shqetësuar për mirëqenien e tyre mendore për shkak të inflacionit.
Kosova nuk ka të dhëna të përditësuara për varfërinë në vend.
Të fundit, të përpiluara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe Banka Botërore, janë të vitit 2017.
Sipas tyre, 18 për qind e popullsisë së Kosovës jeton në varfëri, përkatësisht me rreth 2 euro në ditë, kurse 5.1 për qind në varfëri të skajshme apo me më pak se 1.5 euro në ditë.
Një anketë e re e ASK-së është publikuar vitin e kaluar, sipas së cilës, një shpenzim i papritur prej 100 eurosh në muaj do të ishte i përballueshëm për 43% të familjeve në Kosovë. Ndërsa, shpenzimet për një javë pushim larg shtëpisë janë të papërballueshme për 42.7 për qind të familjeve.
Kosova e ka përmbyllur vitin 2022 me shkallë të inflacionit rreth 12%, nga 3.4% sa ka qenë në vitin 2021.
Në programin e Qeverisë së Kosovës për vitet 2021-2025 thuhet, mes tjerash, se mirëqenia qytetare do të synohet përmes mbështetjes së grupeve të cenuara dhe ristrukturimit të skemave sociale dhe pensionale.
Hapat që ka marrë deri më tash Qeveria aktuale, përfshijnë: rritjen e pensioneve të pleqërisë, ndarjen e shtesave për fëmijë dhe pagesën e pushimit të lehonisë për nënat e papuna.
Nëse shikohen të dhënat e ASK-së për Bruto Produktin Vendor (BPV), ato tregojnë rritje të standardit.
Sipas tyre, BPV-ja për kokë banori në vitin 2014 ka qenë 2.950 euro, ndërsa në vitin 2022 ka qenë 5.037 euro.
Po ashtu, numri i familjeve me asistencë sociale ka shënuar rënie. Sipas ASK-së, 20.810 familje kanë marrë asistencë sociale nga buxheti i shtetit të Kosovës në gusht të vitit 2023, që do të thotë 3.817 familje më pak se në periudhën e njëjtë të vitit 2022.
Asistencë sociale – nga 60 deri në 180 euro në muaj, varësisht numrit të anëtarëve – u jepet familjeve me kushte të vështira financiare dhe që nuk kanë asnjë anëtar të punësuar.
Me mbi 1.7 milion banorë, Kosova ka pagën më të ulët minimale në Evropë, që sillet nga 130 deri në 170 euro në muaj. Ndërkaq, paga mesatare në vend është 520 euro./Monitor