Nga Boldnews.al
Enti Rregullator i Energjisë ka finalizuar tenderin për sigurimin privat të punonjësve, një nismë e çuditshme pasi këta zyrtarë hiqen sikur janë pjesë e pavarur e të gjithë administratës. Nëse të gjithë të tjerët shkojnë në spitale publike, punonjësit e ERE-s kanë trajtime të tjera. Madje, edhe punonjëset femra që lindin fëmijë.
Nëse punonjëset femra të administratës shtetërore marrin “shportën e bebes” nga Bashkia e Tiranës apo edhe 400 mijë lekë nga shteti për lindjen e parë, krejt e kundërta ndodh me punonjëset femra të ERE-s. Këto të fundit do të marrin “shportën e bebes”, 400 mijë lekshin e qeverisë (për lindjen e parë) dhe 500 mijë lekëshin e shpërblimit nga ERE. Ndërkohë, lista e përfitimeve të publikuara nga vetë ky institucion është e gjatë, me check-up falas në private, në trajtime spitalore brenda dhe jashtë vendit. Transportime me avionë e helikopterë. Ndërkohë që ERE do t’i tajtojë punonjësit edhe psikologjikisht. Të gjitha me paratë e buxhetit të shtetit!
Ditët e fundit, ERE ka shpallur fituesin e tenderit të tenderit me objekt “sigurimi shëndetësor privat (i jetës dhe i shëndetit) të punonjësve të ERE” me kohëzgjatje kontrate 12 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës. “Në këtë procedurë ka marrë pjesë vetëm një ofertues bashkimi i operatorëve ekonomikë ‘SIGAL UNIQA Group AUSTRIA’, ‘ALBSIG JETË’ dhe ‘SIGAL Life UNIQA Group AUSTRIA’” me një vlerë prej 21.579.960 lekë nga 20.000.000 lekë. Pra, vetëm 4.2 milionë lekë të vjetra më pak sesa fondi limit. Por, ajo që bie në sy në gjithë këtë procedurë janë benefitet e këtyre zyrtarëve ku përfitojnë mbrojte jete dhe shëndeti në gjithë botën. “Transporti për trajtim jashtë Shqipërisë. Shpenzimet për kirurgët, mjekët, specialistët, dhe anestezistët. Kujdesi intensiv. Teste diagnostifikuese, perfshire X-Ray, CT Scan, MRI, Pet Scan. Terapi fizike dhe rehabilitim. Radioterapi dhe kemioterapi. Tranplanti i organeve. Protezat dhe pajisje mjekësore të ngjashme. Trajtimi psikiatrik” janë disa nga benefitet.
Ndërkohë që lista vijon me check – up që mund të kryhet brenda ose jashtë vendit. Fizioterapi e rekomanduar, kontrolle diagnostifikuese me radiologji te avancuar, shërbimi i ambulancës në rrugë, trajtimi dentar emergjent. Në listë është edhe “shtatëzania dhe lindja”, ku do të jepen “50,000 lekë shpërblim monetar për nënën e siguruar pasi lind bebi”. Por, për të përfituar këtë shërbim, i siguruari duhet të ketë minimalisht 6 muaj i siguruar në këtë skemë.
Ky tender u denoncua disa javë më parë nga redaksia e BoldNews.al (lexo këtu), ku gjëja më e çuditshme është sesi mund ti sigurosh privatisht punonjësit shtetërorë! Një paradoks i madh, pasi shteti paguan njëherë për sigurime shëndetësore për këta punonjës, ndërkohë që vetë shteti (ERE) bën tender që t’i sigurojë privatisht këta punonjësit. Madje, duke shpenzuar qindra mijëra euro. Duket një shpenzim i kotë, pasi për vetëm 63 punonjës do të paguhen 220 milionë lekë të vjetra. Nga një llogaritje e thjeshtë rezulton se ERE për 1 punonjës do të shpenzojë plot 3.5 milionë lekë të vjetra. Por sigurimi është vetëm 1 vjeçar, çka do të thotë se kostoja është tepër e fryrë.