Projektligji “Për taksimin e pasurisë së paluajtshme” i hedhur për konsultim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, do të rrisë detyrimet e pronarëve të truallit që përdoret për qëllim banimi dhe tregtar, pasi ndryshon formulën e llogaritjes së taksës së truallit për të dyja kategoritë.
Sipas dokumentit “Reforma e taksës së pasurisë 2024-2028” ku paraqiten shembujt për llogaritjen e taksës për secilën kategori (duke përfshirë, ndërtesat e banimit, për qëllime biznesi, si dhe për truallin, tokën bujqësore dhe pyjore), detyrimet e pronarëve të truallit për qëllim banimi rriten deri 45 herë më shumë nga sa paguajnë aktualisht dhe detyrimet për truallin e përdorur për qëllim tregtar dhe industrial rriten 2 herë.
Aktualisht taksa për truallin përcaktohet sipas qëllimit të përdorimit dhe kategorive të bashkive. Niveli i taksës së truallit për banim varion nga 0,14 lekë/m2/vit deri në 0,56 lekë/m2/vit. Ndërsa shkalla e taksës për truallin për aktivitet tregtar varion nga 12 lekë/m2/vit deri në 20 lekë/m2/vit
Me draftin e ri “Për taksimin e pasurisë së paluajtshme” për të gjitha parcelat, që përfshihen në kategorinë e pronave rezidenciale, shkalla e taksës është propozuar të variojë në shkallët nga 0,1% deri në 0,3% sipas vlerës së truallit e llogaritur me çmimet mesatare referuese. Për kategorinë e pronave tregtare, shkalla e taksës së truallit mund të variojë në shkallët nga 0,15% deri në 0,3%.
Taksa për të gjitha kategoritë e pasurive të paluajtshme do të llogaritet mbi vlerën e re të pronës. Vlera do të përcaktohet në një hartë te re me çmime mesatare referuese, por e ndarë për njësitë e ndërtesave rezidenciale, të shërbimit, si dhe çmimet mesatare referuese të parcelave, duke përfshirë të truallit, tokës bujqësore dhe asaj pyjore.
Në Bashkinë Tiranë për truallin me sipërfaqe 500 m2 me nivelin e taksës prej 0,56 lekë për metër katror, sot detyrimi i pronarit është në vlera simbolike prej 280 lekë në vit.
Sipas shembullit “të një barre tipike tatimore për një taksapagues për parcela toke për qëllim banimi, në bashki të ndryshme, duke supozuar aplikimin e shkallës më të ulët të taksës për atë kategori” që sjell Ministria e Financave, vlera e truallit me çmim reference 26,073 lekë për metër katror është 13,036,500 lekë. Me taksën e re të propozuar prej 0,1% të vlerës pronari do të paguajë 13,036 lekë taksë në vit. Detyrimi për pronarin e truallit rritet rreth 45 herë.
Edhe për bashkinë e Durrësit sipas shembullit që sjell Ministria e Financave detyrimi vjetor i një pronari të truallit me qëllim banimi aktualisht është 280 lekë në vit. Me draftin e ri detyrimit vjetore parashikohen të arrijnë 7,500 lekë në vit. Detyrimet shtohet rreth 26 herë më shumë.
Drafti parashikon që 50% të detyrimit të ri, pronari i truallit të shtëpisë ta paguajë vitin e parë të zbatimit të ligjit dhe 50% të detyrimit të mbetur vitin e dytë.
Nëse për pronarët e shtëpive private apo vilave është që qartë që taksa vjetore për truallin di të paguhet prej zotëruesit të certifikatës së pronësisë, mbetet ende e paqartë se si do të paguhet taksa e truallit për ndërtesat shumëkatëshe të banimit, pasi certifikata e pronësisë zotërohet nga bashkia.
Burime nga Ministria e Financave sqaruan se modalitet për mënyrën e zbatimit të pagesave të taksës së truallit të ndërtesave rezidenciale do të diskutohen në vijim edhe me një grup më të gjerë vendim marrësish.
Sa rriten detyrimet për truallin për qëllim tregtar sipas shembujve të Financave
Detyrimet e një biznesi për truallin për qëllim tregtar sipas shembujve të Ministrisë së Financave do të rriten 2 herë më shumë nga sa paguajnë aktualisht.
Një biznes për një sipërfaqe truall 1,000 m2 me nivelin aktual të taksës që është 20 lekë për metër katror në vit paguan 20,000 lekë taksë në vit.
Me draftin e ri shkalla e taksës propozohet të jetë sa 0,15% e vlerës së truallit. Pra taksa nuk do të vlerësohet në lekë për metër katror. Vlera e truallit e llogaritur me çmimin referencë të supozuar prej 42,475 lekë për metër katror që jepet në shembujt e Ministrisë së financave është 42,475,000 lekë.
Detyrimi vjetor për këtë sipërfaqe trualli që përdoret për qëllim tregtar do të jetë 63,712 lekë.
Ndërsa për një sipërfaqe trualli prej 5,000 metër katror që përdoret nga biznesi për qëllim industrial detyrimet do të arrijnë 225,000 lekë në vit nga 100,000 lekë në vit që paguhet aktualisht. Detyrimet shtohen 1,2 herë më shumë.
Edhe për truallin që përdoret për qëllim tregtar drafti parashikon që 50% të detyrimit të ri, pronari i truallit të shtëpisë ta paguajë vitin e parë të zbatimit të ligjit dhe 50% të detyrimit të mbetur vitin e dytë.
Drafti i ri parashikohet të hyjë në fuqi nga 1 janari 2026 për ndërtesat, ndërsa për kategoritë që përfshin parcela, tokë bujqësore dhe truall nga 1 janari 2028.
SHKALLA E TAKSËS MBI TOKËN/TRUALLIN
Shkalla e taksës aktualisht:
Niveli i taksës për tokën bujqësore dhe truallin përcaktohet në lekë për metër katror
Niveli i taksës për tokën bujqësore përcaktohet sipas kategorive të tokës duke filluar nga 700 lekë/ha/vit në deri në 5,600 lekë/ha/vit.
Niveli i taksës për truallin përcaktohet sipas qëllimit të përdorimit dhe kategorive të bashkive, ku trualli për banim vlerat variojnë nga 0.14 lekë/m2/vit deri në 0.56 lekë/m2/vit; trualli për aktivitet tregtar vlerat variojnë nga 12 lekë/m2/vit deri në 20 lekë/m2/vit
Shkalla e taksës në të ardhmen:
Për të gjitha parcelat, që përfshihen në kategorinë e pronave bujqësore – blegtorale, shkalla e taksës mund të variojë në shkallët nga 0,1% deri në 0,3%;
Për të gjitha parcelat, që përfshihen në kategorinë e pronave pyjore, shkalla e taksës mund të variojë në shkallët nga 0,1% deri në 0,3%;
Për të gjitha parcelat, që përfshihen në kategorinë e pronave rezidenciale, shkalla e taksës mund të variojë në shkallët nga 0,1% deri në 0,3%;
Për të gjitha parcelat, që përfshihen që përfshihen në kategorinë e pronave tregtare, shkalla e taksës mund të variojë në shkallët nga 0,15% deri në 0,3%./ MONITOR