Shpresat se shqiptarët do të hanë me “lugë floriri” u ndezën dhe njëherë në hapjen e siparit të sezonit të ri të qeverisë. E mbytur në një hulli skandalesh me zyrtarë të lartë dhe afera të kapura apo që po hetohen ende nga Prokuroria e Posaçme, fabula e nëntokës së pasur me naftë të Shpiragut u rikthye sërish.
Premtimet dhe entuziazmi për naftën në Shpirag duken të tepërta, pasi akoma dhe sot, një muaj e gjysëm pas deklartës së kryeministrit Edi Rama, kompania gjigande në tregun ndërkombëtar Shell nuk ka bërë asnjë deklaratë se çfarë është gjetur në Shpirag, cili është rezultati i testeve të naftës dhe a është instaluar teknologjia që do të nxjerrë nga 6400 metra thellësi naftën në këto puse.
Realiteti në terren me atë që ka thënë dhjetra herë kryeministri është ndryshe. Në pusin Shpiragu 5 sasitë e gjetura të naftës janë të mëdha dhe presioni dalës është në nivele të kënaqshme, por nëse sasitë për puset Shpiragu 4 dhe 5 krahasohen me kapacitetet e fushave naftëmbajtëse të Patoz Marinzës, sasia e naftës që projektohet të dalë nuk e kalon atë të 3 mijë fuçive në ditë. Vetë Bankers Petroleum që operon në zonën e Fierit, ka prodhuar në vitet e saj më të mira dhe mbi 4 mijë fuçi në ditë.
Për të bërë të mundur nxjerrjen nga nëntoka të naftës bruto, Shell-it i duhet një plan ambicioz investimi, ku sipas marrëveshjes së firmosur me autoritetet shqiptare shkon në total në vlerën 2 miliard euro për fazën e kërkimit dhe zhvillimit. Që të arrijë të marrë paratë që do të investojë për të nxjerrë naftën, do t’i duhen që të shesë nga kjo lëndë të paktën 10 vjet, ndaj për momentin Shpiragu nuk duket një zonë fizibël për një kompani gjigande siç është Shell, e cili është spostuar për të bërë kërkime në Golemaj.
“10 deri në 15 vite më parë, tregu i prodhimit të naftës brendshëm ishte 25%, ndërsa tani është i dominuar nga importuesit dhe prodhimi vendas është minimizuar” thotë eksperti i Qendrës Altax Eduart Gjokutaj.
“Çmontimi i ARMO-s është piëkpyetje e madhe se përse nuk investojmë për të përmirësuar ciklin e përpunimit të naftës. Shqipëria zotëron 40% të rezervave të naftës bruto në të gjithë Ballkanin, vetëm ne dhe rumunët zotërojmë miliarda fuçi nafte nëntokë”, thotë Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike.
Shpresat e shqiptarëve se do të kenë përfitime nga nëntoka e pasur me këtë lëndë kanë mbetur vetëm shpresa. Fusha më e madhe naftëmbajtëse dhe më rentabël i është dhënë me koncesion Bankers Petroleum, ndërsa rafineria që përpunonte naftën bruto u shkri për skrap. Kompania shtetërore e prodhimit të naftës Albpetrol, në dy dekadat e fundit nuk ka hapur asnjë pus të ri, dhe nga viti në vit po akumulon miliona euro humbje. Sipas të dhënave të siguruara nga Kronos, humbjet e akumuluara në fund të vitit 2022 për Albpetrol kapën vlerën 108 milion euro. Vitin e shkuar Albpetrol arriti të siguronte një fitim modest në vlerën 150 mijë euro, por i gjithë ky fitim i dedikohet më së shumti shitjes së energjisë elektrike dhe jo aktivitetit të naftës.
Albpetrol merr energjinë nga OSHEE dhe ia shet si ndërmjetës koncesionarëve të naftës duke siguruar fitime nga ky transkasion, pasi bazohet në çmimin e bursës. Në bilancin kontabël këto para shënohen si të ardhura, por në zërat e shpërndarjes së bilancit një pjesë e mirë e tyre ende nuk janë arkëtuar.
Lista me kontratkëtorët që i kanë borxh Albpetrolit për energji të papaguar është e gjatë dhe fillon me Bankers Petroleum. Bankers i detyrohet 5.4 milion euro për energji të papaguar dhe 1.2 milion euro ka kompania Anio Oil&Gas që operon në puset Ballsh -Hekal. 2.2 milion euro janë energji e palikuiduar nga kompania Terra Oil SWiss dhe të tjerat në shuma më të ulta ndahen me firmat e tjera koncesionare. Në total bëhet fjalë për 17.5 milion euro energji të palikuiduar.
Në një auditim të ushtruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, është konstatuar se Albpetrol nuk ka lidhur kontratë për shitjen e energjisë me kompanitë koncesionare të naftës çka rrezikon në të ardhmen vjeljen e këtyre detyrimeve.
“Shoqëria Albpetrol nuk ka marrë asnjë masë shtrënguese për arkëtimin e detyrimeve të energjisë elektrike të konsumuar nga shoqëritë koncesionare. Ky veprim përbën risk të lartë për të për shumën 3 miliard lekë së bashku me kamatëvonesat, pasi në rast falimentimi ose largimi të ndonjë prej shoqërive koncesionare, detyrimet për energjisë i mbetin për likujdim shoqërisë Albpetrol. Kjo e bën më të vështirë sidomos për ato shoqëri koncesionare që nuk kanë kontratë shitje energjie për të kërkuar në gjykatë detyrimet, duke rënduar situatën financiare të kompanisë”,thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Albpetrol është në mosmarrëveshje me koncesionarët edhe për pagesën e rentës që jepet në formën e lëndës që nxirret nga nëntoka si prodhim paraekzitues. Me kompaninë Bankers Petroleum çështja po gjykohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ndërsa diskutimet për marrjen e sasive vazhdojnë dhe me koncesionarët e tjerë. Për vitin 2022 Albpetrol pretendonte se kompanitë koncesionare nuk i kishin dhënë 80 mijë ton naftë duke e interpretuar gabim formulën, sasi që vitin e shkuar mund t’i çonte Albpetrol të paktën 30 milion euro të ardhura.
“Albpetrol ka në shfrytëzim puse të rëndësishme, që po të shfrytëzoheshin me ekonomi do të dilnin me fitim, por aty ka keqmenaxhim”,thotë eksperti i ekonomisë, Pano Soko.
Sasitë e naftës që Albpetrol prodhon në vit janë 70 mijë ton, ndërsa afërsisht 40 mijë të tjera merren nga tarifa që derdhin në natyrë kompanitë që kanë marrëveshje hidrokarbure. Këtë sasi Albpetrol e shet në tregun vendas te disa kompani lokale, ku dy prej tyre Al Global dhe Europetrol Durrës operojnë në tregun e shumicës dhe pakicës së shpërndarjes së karburanteve.
Vitin e shkuar Albpetrol shiti gjatë një ankandi 120 mijë ton naftë bruto për kompanitë Europetrol Durrës dhe RBH Belinë, por sipas asaj që ka gjetur Kontrolli i Lartë i Shtetit, formula e përdorur është e gabuar pasi janë llogaritur kosto fiktive të shpenzimeve që mund t’i kenë vetëm kompanitë ndërkombëtare, siç janë kostot e transportit me autobotë deri në port, depozitimi i lëndës apo shpenzimet për ngrohjen e naftës. Në procedurën e ankandit të vitit të shkuar kostoja e gabimeve në formulë ka çuar në xhepat e kompanive private 2.63 milion euro, 2.3 milion euro kanë shkuar gabimisht dhe vitin që shkoi, ndërsa për sasitë e shitura për vitet 2021 dhe 2022 kompanitë Europetrol Durrës dhe RBH Belinë kanë marrë nga Albpetrol 5.8 milion euro për shpenzime që nuk i kanë kryer.
Albpetrol ka shitur naftë me një çmim mesatar prej 480 euro gjatë vitit të shkuar, vit që kishte dhe çmimin më të lartë historik të naftës brent në tregjet ndërkombëtare. Pavarësisht kësaj, për të njëjtën sasi 120 mijë ton që Albpetrol ka shitur vitin e shkuar, Bankers Petroleum e ka shitur më shtrenjtë duke fituar në një transaksion të ngjashëm 5 milion euro më shumë.
“Më vjen keq ta pranoj që Albpetroli është parë si një pishinë votash dhe jo që ka për qëllim fitimin. Është parë si hambar votash ku punësohen njerëz ëpr kontribut politik dhe sigurohet kontribut politik në të ardhmen”,sqaron Soko.
Nëse do të ktheheshim pas në të shkuarën, administrimi shtetëror i të gjithë zinxhirit të naftës që nga prodhimi, përpunimi dhe shpërndarja funksionin thuajse në mënyrë perfekte. Çmimet e naftës në treg ishin të ulta dhe kompanitë rentabël, por prishja dhe shkatërrimi i pasurive duke i dhënë një pjesë përmes koncesioneve privatëve dhe lënien e rafinimit në duart e privatizueseve që e çuan drejt falimentit, kanë sjellë sot një treg të ri që dominohet nga një grusht kompani që operojnë në kushtet e oligopolit. Në gjithë këtë histori 30 vjeçare të tregut me vlerë 3 miliard euro në vit të naftës, të humbur janë vetëm qytetarët!
/Emisioni “Kronos”