Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar paraditen e kësaj të marte një diskutim me sipërmarrjen mbi nismën e re të qeverisë për një rishikim tërësor të procedurave administrative të biznesit.
Gjatë diskutimit, një nga ndërtuesit debatoi me kreun e qeverisë duke thënë se ai nuk kundërshtonte rritjen e çmimit të referencës, por rritjen e taksave në mes të vitit pasi kjo mund t’i çojë ndërtuesit e papërgatitur në falimentim.
Rama iu përgjigj se taksat nuk janë rritur në mes të vitit pasi ndërtuesit i paguajnë taksat në momentin që marrin lejen e ndërtimit, ndërsa shtoi se në rast se është i papërgatitur, ta nisë ndërtimin vitin tjetër. Por, ndërtuesi i tha se vitin tjetër përfundon leja e ndërtimit dhe sërish e kanë të pamundur.
DEBATI:
Ndërtuesi: Nuk ka pse të ketë lidhje direkte çmimi i referencës që ka një objektiv, që ne e kemi mirëpritur dhe nuk kemi kundërshtime, me dyfishimin në mes të një viti që ne do të paguajmë sot. Nëse në Bashkinë e Tiranës, paguanim 1650 euro për metër katror, me këtë ndryshim referencë ne paguajmë 150 euro më shumë për metër katror. Kjo të falimenton se t’i duhet të gjesh 1 milionë euro për një ditë, në mes të një viti fiskal. Këtë kundërshton shoqata e ndërtuesve. Pse duhet të kontribuojë vetëm sektori i ndërtimit për të pastrehët? Bizneset e tjera nuk e kanë këtë detyrë?
Kryeministri Edi Rama: Jo!
Ndërtuesi: Po me kushtetut e ka Republika e Shqipërisë të merret me të pastrehët, jo ndërtuesit.
Kryeministri Edi Rama: E ka republika e Shqipërisë me Kushtetutë, ndërtuesit kanë vetëm strehimin me çmime të kripura?! Po ju në kë republikë jetoni?
Ndërtuesi: Të gjithë bizneset jetojnë në Republikën e Shqipërisë, jo vetëm ndërtuesit.
Kryeministri Edi Rama T’i kërkojmë edhe këtyre të turizmit? T’u japin një kat?
Ndërtuesi: Po ti rritësh taksën në mes të vitit ndërtuesve është normale? Nuk kundërshtojmë çmimin e referencës, por dyfishimin e taksës në mes të vitit.
Kryeministri Edi Rama Çfarë takse në mes të vitit? Ju e paguani taksën kur merrni lejen. Përgatituni për vitin tjetër, s’ka problem. Ndërto vitin tjetër.
Ndërtuesi: Po digjet leja.
Kryeministri Edi Rama S’ka gjë e bën prap.