Në qarkun e Lezhës vetëm në dy vite u shënuan 837 vatra zjarri në pyje e kullota, duke djegur plotësisht rreth 800 hektarë. Autoritetet pranojnë se, ndonëse një pjesë e konsiderueshme e zjarreve janë të qëllimshme për të hapur troje ndërtimi apo për kullota të reja, vepra penale e zjarrvënies mbetet e pandëshkuar, pasi e kanë të vështirë të sigurojnë prova.
Fshati Piraj në njësinë administrative Blinisht, në Lezhë thuajse u dogj plotësisht gjatë verës së kaluar. Zjarri, që ra pasditen e 22 korrikut të vitit që lamë pas, i favorizuar nga era e fortë, shkrumboi vreshtat, ullishtat, trasenë e hekurudhës, madje u rrezikuan edhe varrezat. Flakëve iu shpëtoi vetëm kisha e fshatit.
Jak Zefi, banor i fshatit Piraj, ende e ka të freskët frikën që përjetuan nga flakët e zjarrit, që po përpinte gjithçka.
“Ishte një tmerr i paparë. Të paktën shpëtoi kisha dhe varrezat, sepse gjithçka tjetër është bërë shkrumb”, – rrëfen ai, duke mos e fshehur tronditjen që iu shkaktoi ajo natë korriku.
Banorëve iu erdhën në ndihmë edhe zjarrfikësit, por pa mundur të bënin gjë.
Çdo vit qindra zjarre shkrumbojnë hektarë të tërë me pyje në Bashkinë e Lezhës, por edhe në të gjithë qarkun, që përfshin edhe Bashkinë e Kurbinit dhe atë të Mirditës. Vetëm gjatë vitit 2021 dhe 2022 në këtë qark janë shënuar 837 vatra zjarri në pyje e kullota, të cilat kanë përshkuar rreth 1700 hektarë dhe kanë djegur plotësisht rreth 800 hektarë.
Autoritetet pranojnë se, ndonëse një pjesë e konsiderueshme e zjarreve janë të qëllimshme, për të hapur troje ndërtimi apo për kullota të reja, vepra penale e zjarrvënies mbetet e pandëshkuar.
Bashkitë dhe Emergjencat Civile luftojnë me mjete të pamjaftueshme dhe tejet të vjetruara, ndërsa organi i akuzës e ka të vështirë të sigurojë prova, për t`i çuar pas hekurave “piromanët” e pyjeve.
“Unë i bëj apel drejtorit të Policisë Vendore në Lezhë dhe Policisë së Shtetit që të bëjnë të pamundurën për evidentimin e personave përgjegjës, pasi këto janë zjarrvënie të qëllimshme. Kjo është një vepër e rëndë, penale. Nuk flitet vetëm për dëmtim të pyjeve, por është kriminale, sepse rrezikon jetën e njerëzve dhe pasurinë private e publike”, – thotë Gjergj Prendi, prefekti i Lezhës.
Piromanët i shpëtojnë drejtësisë
Mali në Balldre, vetëm 2 km larg qytetit të Lezhës, u dogj çdo verë gjatë tre viteve të fundit. Për pasojë kurora me pisha në këtë zonë është reduktuar, por shanset, që zjarri të mos përsëritet, janë minimale. Verën e një viti më parë zjarri vuri në rrezik edhe banesat, që ndodhen në lagjen “Nënë Tereza” të qytetit të Lezhës, pasi flakët dolën jashtë kontrollit, të ndikuara edhe nga era e fortë. Ndërhyrjet nga zjarrfikësit, ushtria dhe vetë banorët me mjete rrethanore ndihmuan në shuarjen e flakëve, por nuk u krye asnjë hetim dhe nuk u gjet asnjë fajtor.
Kështu ndodhi edhe në zonën e Molungut në Manati. Zjarri dogji dhjetëra hektarë pyje dhe dyshimet, se ishte zjarrvënie e qëllimshme për të hapur kullota, nuk u shoqëruan me hetime.
Qarku i Lezhës gjatë dy dekadave të fundit ka humbur rreth 9 mijë ha pyje nga zjarret. Nëse në vitin 2005 ky qark kishte një sipërfaqe pyjore prej 115.644 ha, në vitin 2022 pyjet u reduktuan në 106.880 ha.
Kryeministri Rama iu bëri apel pak ditë më parë prokurorëve e gjykatësve në rrethe, që të zbatojnë me përgjegjshmëri ligjin, i cili parashikon deri në 15 vjet burg për zjarrvënie të qëllimshme, por dëshmitë dhe intervistat e vetë autoriteteve për Investigative Network Albania dëshmojnë se për këtë vepër penale është e vështirë të gjenden prova, për pasojë askush nuk dënohet.
“Zjarrvënia është vepër penale, por unë nuk di, të paktën në katër vitet e fundit, kur janë djegur mijëra hektarë pyje, të jetë vendosur ndonjë person para kësaj përgjegjësie penale”, – tha Gjergj Prendi, kryeplak i Milotit, gjatë një takimi të thirrur nga prefekti i Lezhës për mbrojtjen nga zjarri.
Me sytë nga policia, organet e drejtësisë pranojnë se kanë vështirësi në identifikimin e këtyre “keqbërësve”.
“Ka raste, që kemi arrestuar autorët, por jo të gjithë zjarrvënësit mund të zbulohen. Zjarret identifikohen në zona të thella dhe për shkak të terrenit të thyer është e vështirë ndërhyrja”, – thotë Alfred Elezi, kreu i komanduar i policisë për qarkun e Lezhës.
Bashkia e Lezhës ka një sipërfaqe prej 18.070 ha pyje. Përgjatë viteve 2020-2021 sipërfaqja e përshkuar nga zjarri ishte 548.5 ha, ndërsa u dogjën plotësisht 149.8 ha.
Pavarësisht dëmit kolosal, numri i atyre që kanë shkuar para drejtësisë është krejt i papërfillshëm. Në Drejtorinë Vendore të Policisë së Lezhës bëjnë të ditur se, për zjarrvënie të qëllimshme përgjatë viteve 2020-2022, janë proceduar penalisht në total 15 shtetas; nga këta vetëm 3 janë arrestuar, 1 është shpallur në kërkim dhe 11 janë proceduar në gjendje të lirë.
Të gjithë këta persona janë autorë të dyshuar të shkaktimit të zjarreve për veprat penale “Shkatërrim prone me zjarr”, “Shkatërrim nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe mjedisit pyjor” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”, parashikuar nga nenet 151, 206/a dhe 206/b të Kodit Penal.
Policia, si një nga hallkat për kapjen e autorëve, thotë se pjesa më e madhe e zjarreve janë në zonat malore, ku policia nuk është e pranishme me gatishmëri 24 orë, si dhe nuk janë zona të banuara. Kjo e bën zjarrvënien një vepër penale që ka vështirësi në administrimin e provave e më tej Policia e Shtetit nuk e dokumenton dot veprën penale.
“Kjo është një vepër penale, që nuk lë gjurmë për ta dokumentuar faktin dhe për ta depozituar në prokurori. Ka informacion dhe për këtë arsye persona konkretë mbahen nën mbikëqyrje, por gjithsesi do të jetë e vështirë të provohet fajësia”, – thotë Pashk Pervata, shef i Sektorit të Rendit Publik në DVP, Lezhë, i cili sqaron se vitin e shkuar kanë regjistruar 6 procedime.
Por, puna e policisë apo masat e marra ndaj personave të dyshuar si zjarrvënës të qëllimshëm në pjesën dërmuese të rasteve rrëzohet nga prokuroria dhe më tej edhe nga gjykata, e cila kërkon mbylljen e hetimeve për mungesë provash dhe dëshmitarësh, që faktojnë pretendimet.
Zëdhënësi i prokurorisë së Lezhës, Françesk Ganaj, thotë se në asnjë rast nuk ka patur persona të denoncuar për këtë vepër penale. Sipas tij, “edhe në rastet kur është dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme, janë zhvilluar hetime, por më pas në gjykatë është kërkuar pushimi i tyre, pasi nuk kishte persona të akuzuar”.
Ngërçin në procesin hetimor të kësaj vepre penale e tregojnë edhe çështjet që shkojnë në gjykatë. Në Gjykatën e Shkallës së Parë në Lezhë prej vitit 2022 dhe deri në 5-mujorin e parë të vitit 2023, rezulton që është dhënë vetëm një vendim fajësie për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, parashikuar nga neni 15 i Kodit Penal. Në vitin 2021 ka patur dy çështje, për të cilat është kërkuar pushimi i çështjes nga vetë prokurori, pasi nuk është bërë e mundur të identifikohen autorë të mundshëm. Megjithëse pati zjarre të mëdha gjatë vitit 2022, në gjykatë nuk u regjistrua asnjë procedim penal e kështu vijoi edhe gjatë vitit 2023.
Autoritetet e pranojnë: Zjarre të qëllimshme
Preç Ndoj rrëmbeu një lopatë dhe u nis me nxitim të ndihmonte banorët për të shuar zjarrin, që përfshiu një sipërfaqe të madhe me pemë frutore në fshatin e tij, Troshan të Lezhës. Zjarrfikësit nuk mundën t’iu vinin në ndihmë, pasi ishin në një tjetër vatër zjarri në Zejmen.
“Dy veta kemi ardhë të parët për të ndërhyrë dhe kemi dalë derë më derë, duke lajmëruar. Unë i falënderoj të gjithë ata që dolën për të shuar zjarrin me mjete rrethanore dhe e vumë nën kontroll”, – tregon Preç Ndoj.
Zjarri, i ndihmuar nga era e fortë, shkatërroi qindra hektarë me të mbjella, si pasojë dëmet ishin kolosale.
“Brenda dy orëve u dogjën 60 hektarë të mbjella; janë mbi 1700 pemë të ndryshme, si ullinj, shegë, arra dhe fiq, pra gjithçka që kishin mbjellë fshatarët. Dëmet janë kolosale, veç ishalla na ndihmon Zoti dhe shteti për t`i rikuperuar”, – rrëfen ai.
Zjarret janë shkaku kryesor i reduktimit të pyjeve në Lezhë. Vetë autoritetet e pranojnë se kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme në shumicën e rasteve, por përgjegjës nuk ka.
“Ka të bëjë me mungesën e provave që paraqiten për personat e proceduar. Kjo, sepse në terren nuk ka persona që të kujdesen apo që t`i monitorojnë pyjet”, – thotë zyrtarisht prokuroria.
“Shërbimi Pyjor rri në zyrë, pasi për shkak të mungesës së mjeteve dhe të stafit të pamjaftueshëm e kanë të pamundur të kontrollojnë në mënyrë të vazhdueshme”, – vë gishtin mbi plagë shefi i Emergjencave Civile, Ndrek Mhillaj.
Nikoll Tusha, përgjegjës i Sektorit të Emergjencave në Prefekturën e Lezhës, është i bindur se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme.
“Vetëm gjatë vitit 2022 kemi patur 388 vatra zjarri në pyje e kullota, disa prej të cilave shumë të rrezikshme, siç ishin ato në Mirditë, në Malin e Shëngjinit apo edhe në Kurbin. Zjarrvënia e qëllimshme është shkaku kryesor për këtë situatë, që lidhet me hapjen e kullotave të reja apo edhe për veprime të tjera (që nënkupton ndërtimet)”, – pranon Nikoll Tusha, përgjegjës i Sektorit të Emergjencave në Prefekturën e Lezhës.
Edhe në Bashkinë e Lezhës nuk hezitojnë të flasin për zjarrvënie të qëllimshme. E vetmja zgjidhje e ardhur ka qenë përmirësimi i logjistikës, kryesisht veshjet për zjarrfikësit, por pa mundur të minimizojë zjarret apo të ndihmojë në identifikimin e autorëve.
“Zjarret e qëllimshme janë një problem, i cili është më i dukshëm në muajt korrik dhe gusht. Për interesa personale apo për çdo lloj arsyeje ky është një krim dhe si i tillë duhet të ndëshkohet maksimalisht nga ligji”, – thotë Ermal Paci, nënkryetar i Bashkisë së Lezhës.
“Një zjarr, që ndizet në orën 1 pas mesnate, nuk është natyror. Kur shfaqet një vatër zjarri pa asnjë shkak, afër një stani apo një shtëpie të vjetër, nuk mund të mos mendojmë që është shkaktuar nga persona të papërgjegjshëm. Një pjesë e zjarreve janë qëllimshme”, – këmbëngul Ndrek Mhillaj, ish-përgjegjësi i Emergjencave Civile në Lezhë.
Pingpong përgjegjësish
Me stafe të reduktuara dhe kompetenca të mbivendosura institucionet ia kalojnë përgjegjësinë njëri-tjetrit për dështimin e identifikimit të autorëve.
Emergjencat Civile përballen me mjete të kufizuara në luftën kundër zjarreve, Prefektura ankohet se s`ka mjetet e nevojshme, ndërsa pushteti vendor, i cili është edhe pronari i pyjeve, ndihet i braktisur nga të gjithë.
Me një sipërfaqe pyjore prej 11. 810 ha, Emergjencat Civile në Bashkinë e Kurbinit luftojnë me flakët me një zjarrfikëse 50-vjeçare.
“Ne kemi një mjet të vitit 1975 dhe gjërat po bëhen vullnetarisht nga ana jonë, sepse riparimi i mjetit nuk është zgjidhje”, – thotë Paulin Lleshi, komandant i zjarrfikësve të Kurbinit.
Për ta pushteti vendor nuk po kryen “detyrat e shtëpisë”, duke sjellë rritje të kostos së dëmeve të shkaktuara nga zjarret.
“Bashkitë duhet ta marrin më seriozisht këtë situatë. Nëse nuk ka rrugë për të shkuar në mal, nëse mungojnë mjetet për ndërhyrje të shpejta, nëse nuk ka brazda e nuk pastrohen pyjet, kjo kalon jashtë kompetencave tona dhe këtë bashkitë nuk po e vlerësojnë. 154 ha pyje të djegura një vit më parë janë një kosto më e lartë sesa blerja e mjeteve dhe ndërhyrjet parandaluese”, – shpjegon komandanti i zjarrfikësve në Kurbin, Paulin Lleshi.
Problemet në kapacitetet e ndërhyrjes në raste zjarresh i pranojnë edhe shërbimet e zjarrfikëses në Mirditë. Sipas tyre, mungesa e infrastrukturës, e mjeteve dhe e personelit të mjaftueshëm janë shkaqe, që e bëjnë ndërhyrjen më të vështirë; për vullnetarë as që bëhet fjalë, pasi zonat më problematike janë zonat malore, të cilat janë braktisur në një masë të madhe dhe banohen kryesisht nga pleq.
“Zjarret, që janë larg stacioneve, marrin përmasa të mëdha, pasi nuk ka infrastrukturë për të mbërritur deri atje për shkak të terrenit të vështirë. Me mjete rrethanore nuk mund të shuhet zjarri. Në Mirditë ka më shumë mjete se personel dhe kërkesave tona nuk i është përgjigjur Ministria e Brendshme dhe ajo e Financave”, – thotë Agim Lleshi, komandant i Sektorit të Zjarrfikësve, Mirditë.
Bashkia e Mirditës zotëron sipërfaqen më të madhe të pyjeve në qarkun e Lezhës. Ajo është pronare e 77.000 ha. Në vitin 2021 plot 1884 ha u përshkuan nga zjarri, ndërsa u dogjën 264 ha.
“Pushteti vendor duhet të ketë struktura për identifikimin apo edhe njoftimin, por që pak veprojnë. Ka një VKM, që lejon rekrutimin e vullnetarëve në këtë betejë më zjarret, por që në fakt pak aktivizohen”, – thotë Nikoll Tusha, përgjegjës i Sektorit të Emergjencave në Prefekturën e Lezhës.
Emergjencat Civile mendojnë se ky është momenti për t`iu kërkuar organeve ligjzbatuese, që të jenë më këmbëngulëse për nxjerrjen e personave para përgjegjësisë, pasi nuk mund të shkojnë më tej me pandëshkueshmëri dhe me indiferencë ndaj kësaj situate.
“Është e pamundur që kjo situatë të zgjidhet nga një kryeplak apo nga një administrator, pasi duhet një angazhim më i madh i të gjithë aktorëve dhe faktorëve”, – thotë më tej Tusha.
Përveç Policisë së Shtetit, njësitë e qeverisjes vendore janë përgjegjëse për masat. Prefekti, Gjergj Prendi, është i bindur se bashkitë i kanë kapacitetet për ta evidentuar shpejt një vatër zjarri dhe të për të ndërhyrë vetë, pa ngecur në burokracinë e procedurës.
“Në rastet e zjarreve bashkitë i kanë kapacitetet dhe mjetet e nevojshme për eliminimin e vatrës së zjarrit, pasi, nëse përhapet, pastaj është vonë. Bashkitë i kanë fondet, strukturat, mjetet e nevojshme për të ndërhyrë. Nuk duhet që të kërkojnë ndihmë, pa konsumuar më parë kapacitetet e veta, pasi Prefektura nuk i ka këto struktura e mjete”, – largon në njëfarë mënyre përgjegjësinë nga institucioni, që ai drejton, prefekti Prendi.
Identifikimi dhe vendosja para përgjegjësisë e autorëve është ajo çfarë sheh të nevojshme në këtë situatë edhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako. Ai drejton gishtin e kauzës drejt bashkive dhe iu kërkon këshillave të qarqeve, që të rrisin investimet për këtë sektor.
“Duhet të identifikojmë autorët dhe t`i vendosim para përgjegjësisë ligjore. Dëmi me djegien e 933 ha pyjeve përllogaritet në vlerë ekonomike në miliona euro. Bashkitë të mbajnë përgjegjësitë e tyre, se janë votuar. Këshillat e qarqeve të dakordësojnë e të miratojnë investime të drejtpërdrejta për mbrojtjen civile”, – thotë Haki Çako, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, duke iu kujtuar bashkive se ato kanë në dispozicion një buxhet të kushtëzuar pikërisht për uljen e riskut nga fatkeqësitë natyrore.
Zjarret në pyje, dëme në miliona euro
Ekspertët përllogarisin se vetëm për vitin 2022 në Lezhë dëmi ekonomik, i shkaktuar nga zjarret në pyje, arrin në rreth 1 milion euro. Gjatë atij viti u dogjën rreth 150 ha pyje, duke u bërë viti me sipërfaqen më të ulët, pyjore që është djegur.
Inxhinieri i pyjeve, Abdulla Diku, shpjegon se dëmi ekonomik nga djegia e pyjeve përllogaritet të jetë 7200 euro/ha.
“Nëse llogarisim që vlera e lëndës drusore, që digjet, është e barabartë me 20 euro/m3*50m3/ha = 1000 euro/ha, vlera e shërbimit në ekosistem është 10 euro/ha/vit për 100 vite = 1000 euro/ha kapja e CO2 nga atmosfera, kosto e degradimit të tokës = 200 euro/ha/vit, ky dëm shkon në total 7200 euro/ha”, – shpjegon eksperti, Abdulla Diku.
Por, një pyll, që digjet, e ka të vështirë të rikuperohet. Artan Palushi, përgjegjës i pyjeve në Bashkinë e Lezhës, thotë se zhdukja e biomasës së gjelbër dhe e faunës përbëjnë një dëm kolosal, që kërkon kohë rikuperimi.
“Me djegien e pyjeve shkatërrohet i gjithë mjedisi në tërësi, aty ku ndodh zjarri. Digjet nën-pylli me gjithçka që ka, si dhe habitati i faunës së egër dhe pasardhësit e tyre. Vetëm dëmi drusor, i krijuar në Lezhë gjatë vitit 2022, është rreth 750 mijë lekë, ndaj duhen gjetur përgjegjësit dhe kostot t`iu faturohen atyre”, – mendon Artan Palushi, përgjegjës i pyjeve në Bashkinë e Lezhës.
/INA MEDIA