Nga Gentjan Progni
Pse AMP lajmëroi dje?
Në 29 mars këtë vit në media doli lajmi si Gjykata e Tiranës dënoi dy ish-zyrtaret e IT të Drejtorisë së Tatimeve, Eni Qirjakon me Andi Agaraj për “shpërdorim detyre” se nxorën të dhënat e pagave të 630 mijë shqiptarëve nga databaza e “Sistemit Cats” të tatimeve dhe i shitën.
Sa u dënuan pas dy vjet hetime?
Eni Qirjako me 32 muaj shërbim prove. Andi Agaraj me 4 vjet shërbim prove. Shefi i tyre Ervin Muça nuk u prek fare, e as nuk u akuzua se, “sdinte gjë”.
Ja sa e thjeshtë është me shpëtu pa u lag po vodhe serverat e Tatimeve pastaj ato të Policisë së Shtetit kur ke drejtor Ervin Muçën. Nuk të gjen gjë, s’të prek shteti as gjykata.
Nuk bën hiç burg max ca shërbim prove me punë detyruese, pastron Lanën.
Shërbimi i provës me mbikqyrje elektronike ka dalë nga loja, ka shtatë vjet që s’funksionon fare, që kur tenderin për byzylykët elektronik e fitoi “Soft & Solution” e Ermal Beqiri, shefit të Ervin Muçës.
Media dha alarmin në janar 2022 kur doli lista me paga që u shpërnda virale brenda ditës me Ëhatsap. Doli dhe lista me 900 mijë numra celulari dhe një me 530 mijë targa makinash. Prokuroria dhe policia u ngrit në këmbë me konferenca shtypi sepse opinioni publik u nxeh shumë nga kjo rrjedhje të dhënash. Duhej një zgjidhje që mos prekeshin autorët e vërtetë, Muça me shefat lart tij. U “kapën” dy autorët që nxorën listën e pagave të Tatimeve. Ata pranuan fajin dhe u bënë bashkëpuntorë të drejtësisë dhe me kaq skandali u mbyll. Shërbim prove 32 muaj për Qirjakon dhe 4 vjet shërbim prove për Agaraj. Punonjësit e Tatimeve e dinin të vërtetën kur vinin hetuesit, por asnjë nuk foli. Nuk foli njeri pse dhe si ndodhi por u mbajt versioni “u shitën” për 200 mijë lek te dy tipa që i donin për punë biznesi kredie përmbarimi.
Eni Qirjako nga frika kur e arrestuan në fillim tregoi në polici të vërtetën.
“Kam njoftuar drejtorin Ervin Muça se emri i user-it nga i cili kanë dalë të dhënat mbante emrin Moza Seraj. Unë kërkova ndryshimin e user-it me emrin Moza Seraj te shefi, por ndryshimi nuk u bë prej tij.”
Deklarimi i Eni Qirjakos e fuste në valle përgjegjësie Ervin Muçën ndaj në gjykatë ajo i ndryshoi deklarimet.
Kështu po kërkohet të përfundoj edhe vjedhja e TIMS-it nga banda e Mirlinda Karacanaj që solli në polici Ervin Muçën, si drejtor të IT-s. Po përpiqen ta mbyllin me heshtje dhe zvarritje. Tre javë kaluan. Pas një viti a dy “hetime” do dali ndonjë viktimë të dënohet me shërbim prove. AMP e Ard Veliut erdhi me vrull në 4 gusht pasi media dha alarmin e grabitjes së TIMS. Bllokoi dyert e Kom 3 ku janë zyrat dhe serverat e policisë.
Në fillim u duk sikur po bëhej name, sikur do arrestoheshin të gjithë që të dilte e vërteta, por u desh vetëm fundjava 5, 6 Gusht që të “zbutej” Ard Veliu me gjithë Met Rrumbullakun. Diku i thirrën të dy dhe i orientuan si do bënin. Kthyen për tre ditë në punë Ervin Muçën. Denoncuesit që ngritën alarmin e vjedhjes së TIMS u kërcënuan me jetë gjatë asaj fundjave dhe që atë ditë s’dihet ku janë fshehur.
**AMP e përcolli që më datë 10 gusht çështjen për prokurori dhe jo dje më 22 si ja shitën medias sikur ishte lajm dite. AMP e dërgoi “lajmin” nga halli i medias që e hapi përsëri këtë skandal kur mori vesh se Ervin Muça ishte akoma në polici edhe pse për skandalin foli dhe amabasada para ca ditësh.
Prokuroria s’ka filluar asnjë çështje ka dhjetë ditë. Në gusht janë pushim s’ka short as prokuror që të merret me çështjen që përcolli AMP e Ard Veliut. Met Rrumbullaku “mori” lejen këtë periudhë, që mos ishte aty… thashethemet thonë që e kërcënoi Mirlinda Karcanaj ta shkarkonte direkt po nuk i hoqi pezullimin Ervinit.
Ervin Muça vazhdon i qetë punën sikur s’ka ndodhur skandali. Duke qenë në zyrat e policisë manipulon provat dhe punonjësit derisa të vijë shtatori kismet do ketë ngjarje të tjera dhe do harrohet dhe kjo. Do harrohet si u shkarkuan nga serverat e Policisë së Shtetit të dhënat e TIMS nga civilët me hardisk të jashtëm USB në xhep. Ata u futën në Komisariat nga Ervin Muça serbes serbes, pa u ndaluar nga askush. Ata s’janë ndaluar ose arrestuar më pas.
USB që kopjoi të dhënat e TIMS s’dihet ku është tani, a është në Qipro apo ndonjë kopje ka përfundu në Dubai…