Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar sërish pas arrestimit të ish-zv/ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj i akuzuar për ‘shpërdorim detyre’ dhe Ilir Rrapajn i akuzuar për “mashtrim me pasoja të rënda” për koncesionin e sterilizimit.
Gjatë një reagimi në rrjetet sociale, Berisha hedh akuza ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqajt për të cilin thekson se ka zhdukur kontratata origjinale të koncesionit të sterilizimit në spitale. Berisha shkruan se Ilir Beqaj kërkon të zhdukë gjurmët e krimit.
Gjithashtu gjatë shkrimit Berisha i bën thirrje qytetarëve se revolta qytetare dhe protestat janë e vetmja rrugë për të rrëzuar nga qeveria Edi Ramën.
Reagimi i plotë nga Sali Berisha:
“Zhdukja e kontratës origjinale të sterilizimit nga Beqaj është banditizëm ekstrem. Ky akt ngjason me atë të vrasësit, që për të zhdukur gjurmët e krimit djeg trupin e viktimës pasi e ka ekzekutuar atë.
Të dashur miq!
Kriminel me mandat ministri, anëtarë qeverie si Beqaja, për të fshehur gjurmët e vjedhjeve të tij të tmerrshme, prej qindra milionë euro me koncesionet e tij, ka zhdukur origjinalin e kontratës së sterilizimit. Zhdukja e origjinalit të kontratës së sterilizimit, por dhe kontratave të tjera nga kasaforta e ministrit, që e ka firmosur atë pasi gjendet se vetëm me sterilizimin ai ka vjedhë dhjetëra milionë euro, është një akt kriminal i shëmtuar, i ngjashëm me atë të një vrasësi, që për të fshehur vrasjen dhe zhdukur gjurmët e krimit të vet, djeg kufomën e viktimës së tij.
Me zhdukjen e kontratës origjinale dhe zëvendësimin e saj me një kontratë të falsifikuar, Beqaj kërkon të fsheh të gjitha klauzolat e kontratës, në të cilat është bazuar vjedhja e hapur e parave publike nga koncesionari i tij.
Të dashur qytetar dhe qytetare, shikoni pra se kush janë ata që drejtojnë Ministritë e vendit dhe ulen në karrigen e anëtarit të qeverisë. Duke dënuar me forcën më të madhe këtë akt të rëndë kriminal shtetëror, ju bej thirrje qytetarëve shqiptarë, që të ngrihemi sot ose kurrë kundër kësaj organizate kriminale, që quhet qeveri dhe kryesohet nga Edi Rama dhe nuk ndalet para asnjë krimi për plaçkitjen e qytetarëve shqiptarë.
Vetëm revolta qytetare e qëndrueshme gjerë në dëbimin nga pushteti të këtyre kriminelëve me mandat, është rruga e vetme e shpëtimit të çdo qytetari të ndershëm dhe Shqipërisë nga kthetrat e tyre“, shkruan Berisha.
- Skandali i koncesionit të sterilizimit
Koncesioni i sterilizimit është kontrata më e shtrenjtë e partneritetit publik privat e qeverisë ‘Rama’ në sektorin e shëndetësisë, e cila u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 76 milionë euro deri në fund të vitit 2022.
Pasi hetoi për 3 vjet, Prokuroria e Posaçme, SPAK, kërkoi në gjykatë arrestimin e ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj dhe masa më të buta sigurie për gjashtë anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit.
Emri i Ilir Beqjajt mungonte në kërkesën e SPAK, por pasi shqyrtoi provat, gjyqtari Erion Bani i Gjykatës së Posaçme çmoi se shkeljet e akteve ligjore dhe nënligjore ngrihen në nivelin e përgjegjësisë penale për ish-ministrin e Shëndetësisë.
Ai vlerësoi gjithashtu se hetimet ishin të paplota dhe ndjekja penale duhet të zgjerohej edhe ndaj ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani dhe katër anëtarëve të Komisionit të Prokurimeve Publike, KPP, që kishin rrëzuar më parë një ankesë ndaj fituesve.
Sipas vendimit, shkeljet e ligjit në procedurat e dhënies së koncesionit ishin bërë me “qëllimin e vetëm për shpalljen fitues” të kompanive që u përkasin Ilir Rrapajt dhe ortakut të tij italian, Umbro Staccini.
Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrjepajt si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Rrapajt si përfitues i tij.
Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.
Gjykata çmon gjithashtu se dy prokurorët e çështjes, Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi kanë qenë dorështrënguar edhe me veprat penale; ndërsa vlerëson se ka indicie të mjaftueshme për të hetuar për korrupsion aktiv dhe pasiv si dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
“Nga ana e prokurorisë duhet të bëhet një hetim i plotë dhe i gjithanshëm në këtë drejtim, fakt i cili nuk rezulton nga fashikulli hetimor,” arsyeton gjyqtari Bani, i cili sugjeron se “për këtë nevojitet hetim pasuror”.
- Provat kundër ish-ministrit Beqaj
Në shkurt të vitit 2014, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj mori një kërkesë nga drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu – sot ministre e Shëndetësisë, për të vënë në punë një qendër moderne sterilizimi që flinte prej vitesh në spitalin e ri të urgjencës, por kërkesa mbeti pa përgjigje.
Kapaciteti i qendrës së sterilizimit mbulonte rreth 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale në vit nga 50 mijë që raportoheshin se ishin kryer në vitin 2013, por nuk ishte vënë në punë për shkak se nevojitej trajnimi i stafit mbështetës.
Por edhe pse u vu në dijeni për investimin e kryer, ministri Beqaj i hapi dritën jeshile vazhdimit me procedurat e koncesionit. Sipas një auditi të mëvonshëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit, qendra publike e sterilizimit parashikohej të funksiononte me 96 milionë lekë në vit ose gati 5 herë më pak nga vlera prej 558 milionë lekësh që kompania koncesionare faturoi në vitin 2016 për të njëjtin shërbim.
Sipas Gjykatës së Posaçme, Beqaj nuk mori asnjë masë për vënien në punë të qendrës së sterilizimit, pasi e kishte marrë paraprakisht vendimin për dhënien e shërbimit me koncesion.
“Nga analiza e të gjithë provave të para në unitetin e tyre, gjykata çmon se ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në bashkëpunim me personin në hetim, Klodian Rrjepaj e kishin marrë vendimin e dhënies së shërbimit të sterilizimit me koncesion dhe kishin përzgjedhur paraprakisht se kush do ta fitonte këtë koncesion…,” arsyeton gjyqtari Bani, duke shtuar se fituesit e paracaktuar ishin Ilir Rrapaj dhe shtetasi Italian Umbro Staccini.
Sipas dosjes, Beqaj ishte në dijeni të marrëdhënies së ngushtë miqësore mes zëvendësit të tij dhe Rrapajt si dhe të përfshirjes së këtij të fundit në përgatitjen e studimit të fizibilitetit, që i hapi më pas rrugën fitores së tij.
Nga sekuestrimi i postës elektronike të Rrjepajt, hetuesit veçojnë dy emaile të dërguara nga Ilir Rrapaj në shkurt dhe mars të vitit 2014, përmes së cilave i dërgon dy studime të universitetit të Peruxhias, që u përfshinë më pas në studimin e fizibilitetit.
“I dashur Fra’! Ky është teksti që të paralajmërova, për të cilin Vanesa më shkruante. Hidhi një sy dhe na çoni haber. Shpresoj të të ketë lëshuar sadopak dhimbja e veshit tanimë,” i shkruante Rrapaj zv.ministrit Rrjepaj.
Në të njëjtën ditë, më 17 mars 2014, zv.ministri ia pason emailin shefit të tij, Ilir Beqaj në emailin zyrtar dhe atë privat.
Gjithashtu brenda një jave në qershor 2014, Rrapaj dhe ortaku i tij Italian kanë ardhur në Tiranë dhe janë kthyer në Itali, ndërsa dy krerët e Ministrisë së Shëndetësisë, Beqaj dhe Rrjepaj kanë udhëtuar gjithashtu drejt Italisë.
Më 15 qershor 2014, Beqaj, Rrjepaj dhe Rrapaj janë kthyer së bashku në Tiranë nga Roma me të njëjtën linjë avioni.
“Vetëm një muaj pas udhëtimit me avion, Rrapaj krijon në Prishtinë shoqërinë Investital, e cila do të bëhej më pas fituese me 40% e koncesionit. Kjo kompani u themelua gjithashtu vetëm një muaj përpara se të dilte urdhri i Ministrit të Shëndetësisë “Për ngritjen e komisionit të dhënies së koncesionit” dhe ka pasur vetëm një të punësuar, Ilir Rrapajn,” thuhet në vendim.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu komunikime dhe udhëtime të përbashkëta të ministrit Beqaj me përfituesit pas dhënies së koncesionit, që sipas gjyqtarit Bani duhej të përbënin indicie për hetime të mëtejshme në drejtim të veprës penale të korrupsionit.
Më 25 shtator 2016, ish-ministri Beqaj dhe administratori i kompanisë koncesionare, Almir Daca kanë udhëtuar me të njëjtin avion të “Austrian Airlines” drejt Vienës, ndërsa më 23 maj 2017, Beqja dhe Rrjepaj janë kthyer në Shqipëri nga Roma me të njëjtin avion me Ilir Rrapajn dhe Umbro Staccini.
Udhëtimi i fundit në dosje është identifikuar më 13 mars 2018, kur Beqaj, Rrjepaj, Rrapaj dhe Staccini kthehen me të njëjtën makinë nga dogana e Morinit mes Shqipërisë dhe Kosovës.