Janë zbardhur detaje të reja nga urdhër-arrestetet e lëshuara nga prokurorët e SPAK, Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili në lidhje me tenderin abuziv të sterilizmit me vlerë 100 milionë euro.
Burime bëjnë me dije se urdhër-arrestetet janë firmosur nga GJKKO, rreth dy muaj më parë, që në Qershor, por vetëm ditën e djeshme i janë dërguar Policisë së Shtetit për ekzekutimin e tyre. Mësohet se SPAK ka qenë në pritje të ardhjes në Shqipëri të biznesmenti Ilir Rrapaj, i cili jetonte në Itali, për ekzekutimi e arresteve, i cili është ndaluar në Dhërmi.
Po ashtu, mësohet se hetimi për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj vijon, por, çështja për të është ndarë dhe po hetohet më vete. Ai po hetohet edhe për tenderin e Check-Up me vlerë 130 mln euro dhe hetimet pritet të mbyllen brenda muajit gusht. Ditët në vijim ai pritet të thirret sërish në SPAK për të dëshmuar.
Ai është marrë në pyetje më herët nga prokurori Edvin Kondili, ku ka dëshmuar për mbi 8 orë në lidhje me koncesionin e sterilizimit, ku “shiti” ish-vartësit e tij. A ka thënë se ka pasur rol vetëm në nxjerrjen e urdhrit për hapjen e procedurës koncesionare. Edhe pse ka pranuar se firmën mbi kontratë e ka hedhur vetë ai, Beqaj ka sqaruar më tej se kushtet dhe përmbajtja e marrëveshjes koncesionare janë përcaktuar nga një ekip i përbashkët i Ministrisë dhe bashkimit të kompanive fituese.
Po ashtu, për sterilizimin ka dëshmuar dy herë edhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj (tashmë i arrestuar), ish-ministrja e Ekonomisë, Anila Denaj, si dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i cili u thirr edhe ditën e sotme për të dëshmuar. Mësohet se ai do të pyetet si person që ka dijeni në lidhje me këtë koncesion dhe për të dhënë shpjegime ne lidhje me një shkresë të firmosur nga Ministria e Financave në 2015 që ka lidhje me këtë tender.
Prokurorët e SPAK, Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili kanë lëshuar 8 urdhër-arrestete në total. Më kolnkretisht: masat “arrest me burg” për ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, si dhe biznesmenin që ka fituar koncesionin Ilir Rrapaj. Gjithashtu, janë caktuar masat “arrest shtëpie: për: Saimir Kadiu, Drejtor Ekonomik, dhe Marsela Serjanaj, Drejtoreshë Juridike. Si dhe masat “detyrim paraqitje” për: Arben Gjata, Pertef Mersini, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi.
Prej tre vitesh SPAK ka nisur një hetim në lidhje me kete koncesion. Mësohet se nga hetimet e kryera deri më tani rezulton se ky koncension është dhënë në kundërshtim me ligjin dhe bëhet fjalë edhe për shkeljet të tjera të rënda.
Gjatë kohës që Beqja drejtoi Ministrinë e Shëndetësisë, dha me koncesion shërbimin e sterilizimit. Ky koncesion prej 100 mln eurosh është fituar nga “Sani Service” e biznesmenit Ilir Rrapaj, i cili sipas të dhënave rezulton mik i Beqjas.
Në vitin e parë të kontratës nga buxheti i shtetit janë paguar 17 mln euro, nga 12 që parashikonte kontrata. Koncesioni i sterilizimit është në hetim prej 3 vitesh.
Një pikëpyetje e madhe në lidhje me aferën e sterilizimit, përveç kostos së lartë, ka qenë kompania fituese me pronar emigrantin shqiptar në Itali, Ilir Rrapaj.
Në vitin 2000 ai kishte themeluar në Peruxhia një kompani me kapital të vogël prej 1500 eurosh, por pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e qershorit 2013, biznesmeni me origjinë nga fshati Rexhepaj i Vlorës u kthye në Shqipëri, ku sipas BIRN, vendosi kontakte me kreun e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Fituesi i koncesionit së bashku me disa biznesmenë italianë, kanë pasur disa takime e kontakte me titullarin e shëndetësisë.
Pas kthimit në Shqipëri, nëpërmjet kompanisë së tij Investital LLC, me kapital 1000 euro të regjistruar në Prishtinë me vetëm një të punësuar, Rrapaj zotëroi 40 % të aksioneve në një bashkim kompanish, të cilat fituan tenderin për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.
Ortakët e Rrapajt në këtë bashkim, tri kompani nga rajoni i Umbrias.
Në vitin 2015, ish-ministri Beqaj u pyet nëpërmjet telefonit për marrëdhënien e tij me Ilir Rrapajn, por në fillim mohoi ta njihte. Pasi BIRN i dërgoi Ministrit disa fotografi ku ai shfaqej me biznesmenin, Ilir Beqaj ka pranuar se “kishte njohje me z.Ilir Rrapaj.”
Procedura e koncesionit 10 vjeçar me vlerë 9.6 miliardë lekë është hapur në 13 shkurt 2015, me vendim të Ilir Beqaj. Për shkak të kostos së lartë që u bë shkak për reduktimin e numrit të operacioneve në disa spitale, kontrata me kompaninë në fjalë u rishikua pas 5 vjetësh funksionimi në vitin 2020.
Deri në vitin 2021, sipas të dhënave të raportuara nga Ministria e Financave, buxheti i shtetit shqiptar e ka paguar subjektin “Sani Servis” që përmban bashkimin e kompanive fituese të koncesionit me rreth 58 milionë euro, ose 57% të vlerës së rishikuar të kontratës prej 12,3 miliardë lekësh. Investimi i Ilir Rrapajt nëpërmjet Investital Llc për të kontrolluar 40 % të kompanisë me koncesionin 100 milionë dollarësh është vetëm 8 mijë e 500 euro.