Nga BoldNews.al
Skandali i koncesionit të Akuaromit thellohet edhe më tej. Disa javë më parë, BoldNews.al publikoi investigimin se Bashkia e Tiranës, me në krye Erion Veliajt, do të jepnin me qira 20 vjeçare Akuadromin e Tiranës, një super pronë në zonën më të kërkuar dhe në zhvillim në kryeqytet. Çmimi i qirase mujore ishte qesharak. Por, pa kaluar shumë kohë nga ky njoftim, Bashkia e Tiranës ka shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik një tjetër njoftim.
Jo për dhënie me koncesion, por tender për të rregulluar pikërisht pronën që do t’ia japin privatit. Sipas dokumenteve që disponon redaksia e BoldNews.al, Veliaj ka hapur një tender, ku do të shpenzojë plot 300 mijë euro për të rregulluar Akuadromin. Një tender qesharak, ku me paratë e taksapaguesëve të Tiranës do të rregullohet një pronë që do t’i jepet privatit. Një mega aferë e Veliajt, në mandatin e fundit, ku pasuritë e të gjithëve po i merr vetëm një “grusht njerëzish”.
Sipas dokumenteve që disponon BoldNews.al, Qendra Sportive Tirana, një institucion në varësi direkte nga Erion Veliaj ka hapur një tender me objekt “Rehabilitimin e ambienteve tek kompleksi ‘Dajti’ dhe tek kompleksi ‘Fushat Sportive Pishinat’”. Redaksia jonë do të merret me lotin e parëtë këtij tenderi, “Rehabilitimi i ambienteve tek kompleksi ‘Fushat Sportive Pishinat’, me një fond limit 28.023.943 lekë pa TVSH”. Me TVSH, shuma shkon në plot 300 mijë euro. Kohëzgjatja e këtyre punimeve është “3 muaj duke nisur nga data e lidhjes së kontratës”. Mësohet se tenderi do të realizohet në datën 28 gusht 2023, teksa në këtë rast është përdorur “kokë turku” drejtori Fatjon Dhuli.
BoldNews.al shfletoi dokumentet e këtij tenderi, ku Bashkia e Tiranës thotë se restaurimi është për një objekt ekzistues që ofron hapësira dhe ambiente për ushtrimin e sporteve të ndryshme. Ky kompleks është përdorur gjatë viteve si një qendër e rëndësishme sportive në rajon, por aktualisht përballet me sfida në infrastrukturën e tij dhe nevojën për përmirësime. “Ky propozim për restaurim synon të rrisë aftësitë e kompleksit për të ofruar shërbime më të mira dhe për të përmbushur nevojat e përdoruesve të tij” thuhet në dokumente. Më tej sqarohet se rikonstruktimi i godinës së kompleksit te fushave sportive Aquadrom do të përfshijë ndërhyrje të ndryshme për të përmirësuar strukturën dhe funksionalitetin e saj.
“Këto ndërhyrje do të përfshijnë ndërhyrje në strukturën e kompleksit për të siguruar qëndrueshmërinë dhe sigurinë e saj” vijojnë dokumentet, teksa shkruhet se synohet që të ketë ndikim pozitiv në ekonomi, duke tërhequr më shumë investime, turistë dhe ngjarje sportive të mëdha.
Disa javë më parë, BoldNews.al publikoi investigimin me titull “Afera Veliaj, ‘Akuadromi i Tiranës’
jepet me koncesion 20 vjeçar”. Redaksia ktheu në vëmendjen e publikut një deklaratë të vetë Veliajt, të dhënë në muajin maj të vitit 2022, ku kryetari i shoqëruar nga një drejtor dhe dy drejtoresha bukuroshe të Bashkisë së Tiranës, jepte gjithë kompozitet lajmin se “kompleksi i pishinave iu rikthye për administrim Bashkisë së Tiranës”.
Madje, me letra në duar, ai tha se bashkia do t’i menaxhojë më mirë se privati, i cili i kishte nën administrim prej më shumë se 20 vitesh. “Mjediset do të vihen në shërbim të qytetarëve dhe fëmijëve, me kampet verore dhe aquapark” tha Veliaj.
Por, 14 muaj më vonë, vetë Veliaj ka ndërruar mendim, duke nxjerrë në ankand të gjithë sipërfaqen e “Akuadromit të Tiranës”. Në atë shkrim, ne publikuam dhjetëra dokumente nga Agjencia e Prokurmit Publik apo të vetë Bashkisë së Tiranës, për “Fillimin e procedurës për dhënien me qira me konkurrim të një sipërfaqeje prej 1284 m2, lloji truall funksional dhe ndërtesë nga të cilat 521 m2 sipërfaqe ndërtesë dhe 763 m2 truall funksional me emërtim ‘Akuadromi i Tiranës’, Rruga ‘Dora D’istria’, Tiranë, në pronësi të Bashkisë Tiranë, në administrim të Qendrës Sportive Tirana”.