Nga Boldnews.al
Taulant Tushe ka qenë “syri dhe veshi” i kryebashiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në Komisionin e Koncesionit për landfillin e Sharrës në Tiranë.
Dhe, me shumë mundësi, Tusha do të shërbejë si “siguresë” e parë që do të digjet, para se Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion të shkojë tek shefi i tij politik, në rast se prokurorët e posaçëm do të vlerësojnë të hetojnë seriozisht rolin e Bashkisë së Tiranës në kontratën me kosto koncesionare 128 milionë euro, por që do t’u kushtojë një shifër shumë herë më të lartë banorëve të kryeqytetit.
Tusha ka qenë ngjitur me Veliaj, që në ditët e para të pushtetit të Rilindjes. Në vitin 2013, Taulant Tusha mbante postin e Drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë për Çështje Sociale dhe Rinisë, të drejtuar nga Veliaj.
Ai emërohet Drejtor i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, sapo Veliaj u zgjodh kryebashkiak, dhe vijon ta mbajë ende këtë detyrë.
Ndërkohë, Taulant Tusha ka drejtuar edhe Bordin Drejtues të Ujësjellësit të Tiranës.
Pas këtyre benefiteve profesionale, Tusha emërohet si “mëkëmbës” i Erion Veliajt në komisionin e koncesionit për landfillin e Sharrës, një procedurë tejet e dyshimtë dhe që aktualisht është nën hetim nga SPAK.
“Boldnews.al” ka raportuar më herët për “firmën inkriminuese” të Veliajt, i cili u shpreh “parimisht dakord” për koncesionin e Sharrës, megjithëse ky qëndrim ishte në tagrin e Këshillit Bashkiak dhe kërkohej miratimi i të gjithë bashkive të Qarkut Tiranë.
Në “dakordësinë në parim” të Veliajt, me shumë mundësi ka një rol të dorës së parë edhe Taulant Tusha.
Tusha dhe landfilli
Në 5 Shtator 2016, Ministri i Mjedisit i asaj kohe, Lefter Koka, miraton ngritjen e Komisionit për procedurën koncesionare për Zonën e Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë, bazuar mbi një “propozim të pakërkuar”, të paraqitur nga tre kompani: “Integrated Technology Service” e Klodian Zotos, si edhe dy shoqëritë italiane “Paul Wurth” dhe “Energy Recuperator”.
Këto kompani kishin krijuar një entitet të vetëm në Hollandë, me emrin “Integrated Energy bv”. Në komisionin për koncesionin prej 7 anëtarësh marrin pjesë dy anëtarë të propozuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Njëri prej tyre është “njeriu i afërt” i kryebashkiakut, Taulant Tusha. Në 20 Shtator 2016 është zhvilluar mbledhja e dytë e këtij komisionit, ku ka qenë i pranishëm edhe përfaqësuesi i kompanive propozuese. Në këtë mbledhje, sipas proces-verbalëve të administruar nga SPAK-u, rezulton se dy përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës, njëri prej të cilëve, Tushe, kanë ngritur problemin e mungesës së të ardhura nga institucioni për të përballuar kostot e implementimit të projektit.
E, megjithatë, siç rezultoi në fund, kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, e aprovoi “në parim” projektin e koncesionit të Sharrës, ku përfshiheshin edhe pagesa e tarifave, vetëm pak muaj më vonë, në mars 2017, ndërkohë që nuk kishin mundësi financiare.
Në 4 nëntor 2016, Komisioni i Koncesionit, ku bën pjesë edhe Taulant Tusha, zhvillon mbledhjen e pestë. Në këtë mbledhje diskutohet dhe vendoset që t’i propozohet Ministrisë së Mjedisit dhe kjo e fundit të dërgojë në Këshillin e Ministrave projektin për dhënien e bonusit prej 8 pikësh për operatorin që ka paraqitur “propozimin e pakërkuar”. Komisioni arriti në këtë konkluzion, pasi kishte shqyrtuar më herët dokumentacionin teknik dhe financiar të “Integrated Energy bv”.
Pra, Komisioni, si rregull, duhet të ketë shqyrtuar edhe mundësitë financiare të “Integrated Energy bv”, e konkretisht disponibilitetin e një shumë prej të paktën 128 milionë euro, që ishte kosto e ndërtimit të impiantit të plotë. Në bazë të këtij propozimi, Këshilli i Ministrave miratoi në Dhjetor 2016 dhënien e bonusit prej 8 pikësh për Integrated Energy bv. Por, siç u zbulua më vonë nga hetimet e SPAK-ut dhe hulumtimet mediatike, kompania që mori bonusin nuk kishte as staf, as eksperiencë dhe, mbi të gjitha, as financimin e nevojshëm. Mungesa e financimit u konfirmua së fundmi edhe nga një prej pronarëve “në letra” të shoqërisë holandeze “Geogenix”, e cila zotëron kompaninë koncesionare të landfillit të Sharrës, “Integrated Energy bv”.
Biznesmeni italian, Alberto Presezzi, ka deklaruar për prokurorët e SPAK-ut se është përfshirë si aksioner maxhoritar i “Geogenix bv”, së bashku me bashkëpunëtorin e tij zviceran, “ICARE”, në Prill të vitit 2022. Aksionet e këtyre dy kompanive tek “Geogenix” janë me kusht. Kushti për aktivizimin e këtyre aksioneve është sigurimi i financimit 100 milionë euro për inceneratorin e Sharrës. Meqenëse ky financim ende nuk është gjetur, atëherë aksionet e tyre janë “të fjetura”.
Ky deklarim konfirmon se kompania që fitoi bonusin prej 8 pikësh nuk i ka pasur dhe nuk i ka ende edhe sot fondet për ndërtimin e inceneratorit. Kjo situatë vë në dyshim vendimmarrjen e Komisionit të Koncesionit, pjesë e të cilit ishte edhe Taulant Tusha i Bashkisë së Tiranës. Më tej, SPAK konstaton se Komisioni i Koncesionit ka hartuar dhe mënyrën e llogaritjes së çmimit 29 euro për ton mbeturina që do të depozitohen në landfillin privat. “Por, – siç konstatojnë prokurorët e posaçëm, – pasqyrimi i mënyrës së përllogaritjes së tarifës mungon në studimin e fizibilitetit që i është bashkëlidhur kontratës koncesionare të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy bv”.
SPAK nuk jep asnjë koment më tej mbi këtë situatë, por fakti që e ka përmendur në materialin hetimor krijon përshtypjen se prokurorët po verifikojnë vërtetësinë e akteve që thuhet se janë hartuar nga Komisioni i Koncesionit.
Kontaktet me Zoton
Në 31 gusht 2017, Ministria e Mjedisit që përfaqësonte qeverinë shqiptare dhe “Integrated Energy bv” nënshkruajnë kontratën koncesionare për impiantin e përpunimit të mbetjeve të Sharrës, në Tiranë. Në vijim, institucionet qeveritare nisin diskutimin shkresor për përdorimin e fondeve buxhetore për vitin 2018, për financimin e bashkive të qarkut Tiranë për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kontrata koncesionare për Sharrën.
Këshilli i Ministrave miraton vendimin për financimin e bashkive të Qarkut Tiranë në 31 Maj 2018. Por, Klodian Zoto, i cili ishte njeriu që “fshihej” pas kompanisë koncesionare të Sharrës, kishte informacion në “kohë reale” për diskutimet qeveritare dhe për planin e financimit të bashkive të Qarkut Tiranë, përpara se vendimi të merrej në Këshillin e Ministrave. Dhjetë ditë para mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Zoto merr me e-mail planin e financimit. Këtë e-mail ia kishte dërguar, as më shumë e as më pak, por Taulant Tusha, drejtori i rëndësishëm në Bashkinë e Tiranës.
Tusha nuk ishte kryetar i Komisionit të dhënies së koncesionit dhe nuk kishte më detyrime për t’u marrë me këtë çështje, pasi kontrata ishte nënshkruar. Por ai sërish komunikon me Klodian Zoton, duke ngritur pikëpyetje mbi rolin e tij të vërtetë në procedurat paraprake për dorëzimin e kontratës koncesionare tek “bosi i plehrave” dhe bashkëpunëtori tjetër i tij, Mirel Mërtiri.
Kallëzimet kundër Taulant Tusha
Taulant Tusha është një prej drejtorëve më të rëndësishëm të Erion Veliajt, por gjithashtu një prej zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës më të kallëzuar penalisht. Ai është kallëzuar penalisht për çështjen e inceneratorit të Tiranës, nga përfaqësuesit e opozitës në Komisionin Hetimor Parlamentar, të ngritur për aferën e Djegësve.
Po ashtu, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e ka Taulant Tushën në listën prioritare të të kallëzuarve për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar, ngjarje e ndodhur në errësirën e 17 Majit 2020. Gjithashtu, përfaqësues të opozitën kanë kallëzuar Taulant Tushën, si një ndër personat përgjegjës për faturën e fryrë financiare për ndërtimin e shkollës së mesme “Sami Frashëri”. Pas kryetarit të tij, Erion Velija, Taulant Tusha është një ndër zyrtarët bashkiakë të referuar më së shumti në Prokurori, për shkelje të ndryshme. Tashmë, është në dorë të SPAK-ut për të vlerësuar nëse Tusha ka përgjegjësi penale dhe, nëse po, deri ku arrin përgjegjësia e tij.