Për pedagogun Erlis Çela, nga Universiteti Bedër, një nga pasojat kryesore negative që mund të sjellë përdorimi i Inteligjencës Artificiale në sistemin arsimor është ulja e interesit te nxënësit dhe studentët për të zhvilluar aftësi analitike dhe kritike, në raport me informacionin. Sipas z. Çela, përdorimi i këtyre aplikacioneve mund t’i bëjë studentët edhe më sipërfaqësorë dhe më pak kritikë. Ai nuk e përjashton edhe faktin që aplikacionet si ChatGPT ofrojnë komente dhe sugjerime në kohë reale për mësuesit dhe pedagogët, gjë që do të shërbente për ta bërë më interaktive një orë mësimi.
A keni hasur raste të përdorimit të ChatGPT te studentët apo nxënësit e sistemit universitar dhe nëse po, për çfarë arsye përdoret ajo?
Mendoj se ChatGPT dhe aplikacione të tjera të Inteligjencës Artificiale janë tashmë një realitet i pamohueshëm në përditshmërinë e të gjithëve. Ne jemi ende në fillimin e marrëdhënies sonë me Inteligjencën Artificiale. Besoj se kemi një rrugë shumë të gjatë përpara për të eksploruar limitet e kësaj marrëdhënie.
Ashtu si në shumë fusha, edhe në sistemin e arsimit ka raste të përdorimit të ChatGPT. Është tunduese për gjithsecilin të jetë përpara një aplikacioni që mund t’i ofrojë informacion të përmbledhur në kohë rekord dhe t’i kursejë shumë kohë.
Ajo që vihet re është se studentët, të cilët e kanë pjesë të rutinës së tyre të angazhimit kërkimin në internet gjatë periudhës së edukimit, e shohin ChatGPT si një mundësi shumë më të avancuar për të kërkuar informacion për tematika të caktuara.
Kjo nuk është e vlefshme thjesht për studentët, por edhe për nxënësit e sistemit parauniversitar. Mendoj se problemi kryesor nuk qëndron në përdorimin e ChatGPT nga studentët dhe nxënësit. Sigurisht që sistemet arsimore në mbarë botën janë përballë një sfide të madhe me Inteligjencën Artificiale.
Disa vende janë treguar mjaft të shpejta në marrjen e masave parandaluese ndaj përdorimit të Inteligjencës Artificiale. Në këndvështrimin tim, problematika qëndron në vlerat etike që ne kultivojmë te nxënësit dhe studentët tanë.
Me këtë dua të them se një student apo një nxënës, që nuk ka mësuar që përfitimi, i arrirë përmes plagjiaturës është diçka afatshkurtër dhe që kjo është diçka jo etike dhe jo e ndershme, atëherë është shumë e vështirë të marrim masa parandaluese.
Nga ana tjetër, një shqetësim i madh qëndron te niveli i njohurive dixhitale që kanë stafet akademike dhe pedagogjike në sistemin tonë arsimor.
Gjykoj se ne kemi një trupë akademike dhe pedagogjike me nivel të ulët të njohurive mbi teknologjinë dixhitale. Këtu e kam fjalën për konceptin e digital literacy.
Edukimi dhe njohuria dixhiale i referohet aftësisë së dikujt për të përdorur teknologjinë dixhitale për të gjetur, për të vlerësuar, për të krijuar dhe për të komunikuar informacion.
Cilat do të jenë efektet negative të përdorimit të tij? A mund të shkaktojnë dembelizëm te të rinjtë për të studiuar, pasi p.sh. një ese mund ta kenë gati, pra një makineri që e pyet dhe di gjithçka?
Unë nuk bëj pjesë në grupin e njerëzve që mendojnë se Inteligjenca Artificiale do të jetë fundi i gjithçkaje. Kjo për faktin e thjeshtë se një lloj fobie ndaj teknologjive të reja dhe ndikimit që ato sjellin në shoqëri, ka ekzistuar sa herë që njerëzimi është njohur me këto teknologji.
Historia është e mbushur me njerëz, qofshin këta studiues apo profesionistë që kanë ngritur alarmin për ndikimin fatal që sjell kjo teknologji.
Thënë këtë, nuk e nënkuptoj faktin se në një shoqëri me një nivel të ulët të edukimit mbi informacionin dhe median, ndikimi i përdorimit të ChatGPT nuk do ketë pasoja negative.
Një nga pasojat negative që mund të sjellë përdorimi i Inteligjencës Artificiale, sidomos në sistemin arsimor, është ulja e interesit te nxënësit dhe studentët për të zhvilluar aftësi analitike dhe kritike në raport me informacionin. Ne e dimë që të shkruarit është një mënyrë për të mësuar se si të mendosh.
Nisur nga ky fakt, atëherë frika qëndron në faktin nxënës dhe studentë që nuk shkruajnë, mund të dëmtohen në zhvillimin e të menduarit kritik. Në njëfarë mënyre, këto aplikacione mund t’i bëjnë studentët edhe më sipërfaqësorë dhe më pak kritikë.
Mungesa e njohurive rreth Inteligjencës Artificiale mund të ndikojë negativisht në kreativitetin e të rinjve.
Studiuesit janë të ndarë në opinion për sa i përket ndikimit negativ apo pozitiv që do të ketë Inteligjenca Artificiale.
Një pjesë e tyre bëjnë një analogji me përfshirjen e makinës llogaritëse në klasë, e cila pavarësisht frikës dhe skepticizmit që pati në atë kohë, nuk çoi në heqjen e llogaritjes bazë matematikore nga programi mësimor.
Për disa të tjerë, kjo analogji nuk qëndron, pasi Inteligjenca Artificiale përbën kulmin e zhvillimit teknologjik. Koha do të na tregojë se çfarë ndikimi do të ketë ChatGPT dhe aplikacione të tjera si ajo.
Për sa i përket rolit pozitiv tek arsimi, cili do të ishte nëse përdoret ChatGPT? Cilat do të ishin efektet tek edukimi i brezit të ri?
Padyshim që si çdo zhvillim i ri teknologjik, edhe ChatGPT ofron mundësi të mëdha për të përfituar pozitivisht. Një shembull në këtë drejtim është dhe nisma e Universitetit të Harvardit për të integruar Inteligjencën Artificiale në përgatitjen dhe zhvillimin e kurseve për studentët e shkencave kompjuterike.
Shumë universitete, kryesisht në SHBA, siç janë Universiteti i Stanfordit, Universiteti i Miçiganit dhe shumë të tjerë, kanë zhvilluar programe studimi të fokusuara tërësisht në Inteligjencën Artificiale.
Nga ana tjetër, Inteligjenca Artificiale ofron mundësi për të mbështetur mësuesit, apo pedagogët të përmirësohen në njohuritë dhe aftësitë e tyre, duke u ofruar atyre të dhëna për reagimin e studentëve.
Aplikacione si ChatGPT ofrojnë komente dhe sugjerime në kohë reale për mësuesit dhe pedagogët siç janë p.sh. pyetje që mund të shtrohen gjatë orës së mësimit, dhe që mund ta bëjnë atë më interaktiv.
Në këtë mënyrë, Inteligjenca Artificiale shërben si një bankë këshillash të drejtpërdrejta bazuar në pedagogjinë e ekspertëve.
Po në lidhje me median, a dini raste të përdorimit të tij nga redaksitë?
Pa dyshim, që edhe në media ka filluar të përdoret ChatGPT. Në mbarë botën po flitet shumë për përdorimet e Inteligjencës Artificiale në media dhe gazetari, si dhe mbi ndikimin që mund të ketë ky përdorim.
Nga vëzhgimet dhe bisedat e mia me njerëz të medias, di që edhe në rastin e medias shqiptare, përdorimi i ChatGPT është i madh.
Sigurisht që jam i mendimit se për momentin, përdorimi mbetet në nivele bazë dhe nuk kemi të bëjmë me përfshirjen e Inteligjencës Artificiale në proceset e prodhimit apo shpërndarjes së përmbajtjes.
Megjithatë, gazetarët janë duke u familjarizuar me përdorimin e këtij aplikacioni. Një pjesë e tyre e përdorin për të gjeneruar informacion mbi ngjarjet që kanë ndodhur në të kaluarën, duke kursyer kohë të vlefshme.
Nëse më parë do t’u duhej të lundronin në faqe të shumta në internet dhe në arkiva për të gjeneruar informacion mbështetës për historitë e tyre, tashmë ChatGPT i ndihmon ta bëjnë këtë shumë shpejt.
Jam i mendimit se problemi më i madh i përdorimit të këtij aplikacioni në media ka të bëjë me mungesën e udhëzuesve dhe manualeve të posaçme që i ndihmojnë gazetarët.
Unë përmenda pak më lart përdorimin e ChatGPT për të gjeneruar informacion për ngjarjet e së shkuarës, por gazetarët nuk kanë njohuri mbi mënyrën sesi algoritmi i aplikacionit i vlerëson burimet nga ku gjeneron informacion. Ata nuk marrim trajnimet e nevojshme për të kuptuar më shumë për rreziqet dhe dilemat etike të përdorimit të Inteligjencës Artificiale.
A mundet një ChatGPT të bëjë një lajm sipas rregullave të gazetarisë dhe të zëvendësojë ChatGPT gazetarët apo redaktorët në Shqipëri?
Teorikisht besoj se kjo mundësi ekziston. Pavarësisht kësaj, ChatGPT ka kufizimet e veta në gjenerimin e informacionit.
Historitë që gazetarët i përcjellin audiencës, nuk janë thjesht copëza informacioni të bashkuara në mënyrë mekanike. Historitë e lajmeve kanë të rëndësishme kontekstin në të cilin rrëfehen dhe sigurisht emocionin që përcjellin.
Ndaj, mendoj se elementi njerëzor nuk mund përjashtohet nga procesi i prodhimit të lajmit. Inteligjenca Artificiale mund të ndikojë në transformimin e rutinave dhe proceseve të brendshme në media dhe gazetari, por kurrsesi nuk mund të flasim për zëvendësimin e plotë të elementit njerëzor./Monitor