Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, u ka kërkuar drejtuesve të degëve, që të bëjnë gjithçka për një hapje sa më të plotë dhe cilësore të partisë.
Ai kërkoi dhe se në çdo analizë të shqyrtojnë çdo dobësi dhe të metë të punës organizative dhe problematikat e partisë, në mënyrë që t’i përsosin dhe t’i korrigjojnë. Berisha deklaroi se do të bëjnë gjithçka për të krijuar një front opozitar, sa më të gjerë.
“Ju ftoj që në çdo analizë të shqyrtojmë çdo dobësi dhe të metë të punës sonë organizative dhe problematikat e partisë, në mënyrë që ato t’i përsosim dhe t’i korrigjojmë. Ju ftojmë të bëjmë gjithçka për një hapje sa më të plotë dhe cilësore të partisë. Të tërheqim, të afrojmë në anët tona, të zgjerojmë radhët tona me individët, me vajzat, djemtë, burrat dhe gratë, të cilët janë të shumtë, të cilët edhe në këto kushte, u faktuan mbi gjysmë milionë. Nuk ka forcë tjetër politike që nuk mund t’i përgjigjet kësaj përgjegjësie. Nëse PD nuk i përgjigjet kësaj përgjegjësie, ajo të ardhme nuk meriton. Sepse të gjithë këto zhvillime nuk erdhën për një ditë, as edhe për një vit, këto kanë ardhur nga zgjedhjet në zgjedhje, gjithnjë në përkeqësim. Por PD ka ulur kokën, për fatin më të keq. Nuk i fitoi Rama zgjedhjet e vitit 2021. Nuk i fitoi se ndau në mes të fushatës 130 milionë euro në Durrës, Tiranë, Krujë, Lezhë, Kavajë. Por duhet bërë një punë shumë, shumë e madhe. Ideja se ky i vjedh, po ne ç’bëjmë, ne nuk i mbrojmë me armë, se ajo çon në luftë civile. Nuk jemi ne për luftë civile. Ne u dalim zot. Mbrojtja e votës është një proces dhe ky është një proces, të cilit ne duhet t’i dalim në krye.
Në analizën tonë ne kemi statutin për bazë, ndaj jeni të ftuar që në përputhje me statutin, duke pasur parasysh se asnjë analizë e jona nuk mund të errësojë faktin që kjo farsë elektorale nuk mund të njihet, nuk mund të pranohet. Po të pranojmë këtë farsë ne, e ulim kokën, futemi nën tavolinë. Ne do ngrihemi. Do bëjmë atë që nuk e kemi bërë gjer më sot. Ky ka kapur çdo pushtet, çdo gjë. Kjo e vështirëson, por nuk e bën të pamundur misionin tonë. Ne do bëjmë gjithçka për një front opozitar, sa më të gjerë. Natyrisht me partitë politike opozitare të vërteta, me grupe, me organizata, me individë influentë. Por një front opozitar është i domosdoshëm, qoftë për përmbysjen e këtij regjimi në një lëvizje të fuqishme demokratike, qoftë për një proces zgjedhor gjithëpërfshirës të gjerë të frontit opozitar, ku opozita të rikthehet në pushtet. Është gusht, fundi i kohës se fillon e ngjitet. Por ne duhet të bëjmë gjithçka që të mos humbasim asnjë kohë sepse detyrat i kemi jo të lehta, por absolutisht të përballueshme.” – deklaroi Sali Berisha.
Opozita nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve të 14 Majit dhe këtë gjë e ka përsëritur edhe Berisha gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar. Lideri demokrat deklaroi se ata që mendojnë se Edi Rama fitoi zgjedhjet, mashtrojnë veten dhe përligjin një farsë të shëmtuar
“Vlera e votës, çmimi i votës në qendrat ku duhej përmbytur rezultati, arriti deri në 600 euro. Në blerjen e votave, qeveria angazhoi me dhjetëra dhe qindra biznese, duke iu ngarkuar bizneseve në patronazh, qendra votimi. Sikundër, mobilizoi të gjitha klanet e drogës me favore dhe ato derdhën sasi të mëdha parash në këtë proces. Tani, miqtë e mi, të gjithë ata të cilët mendojnë se Edi Rama fitoi zgjedhjet, për fat të keq mashtrojnë veten dhe përligjin një farsë të shëmtuar. Unë u shtroj atyre pyetjen: cili ishte efekti mbi votën i 50-mijë lekëshit te 638 mijë pensionistë? Cili ishte efekti mbi votën i rritjes së rrogave në mes të fushatës te 183 mijë punonjës? Cili ishte efekti te votën i miliarda lekëve të shpërndara për ndihmë ekonomike, për aftësira të kufizuara dhe qëllime të tjera? cili ishte efekti mbi votën i mijëra e mijëra lejeve ndërtimi dhe legalizimeve? E them këtë sepse ju, unë dhe të gjithë ne së bashku, takojmë çdo ditë edhe demokratë, që pa asnjë të keq, i fitoi thonë. Nuk fitoi, përkundrazi i grabiti dhe nuk ka mëkat më të madh se sa të përligjësh një farsë zgjedhore. Të dokumentuar si të tillë. Ishte vetëm kjo? Jo, kjo është njëra shtyllë. Kjo është industria e blerjes së votës. Por e dyta, është makineria gjigante e shtetit elektoral, që ishte më agresive se asnjëherë tjetër ndaj zgjedhësve shqiptarë. Ata të cilët, që i njohin fitoren Edi Ramës, u shtroj një pyetje: çfarë zgjedhjesh janë ato kur një gjigant përdor të gjithë potencialin e shtetit, në një kohë kur një parti politike në anën tjetër nuk ka një qindarkë financimi? Në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Kushtetutën, Edi Rama shndërroi shtetin në makineri gjigante elektorale. Administrata e shndërruar në një polici politike ushtroi terror në mbarë Shqipërinë ndaj zgjedhësve shqiptarë. Terrorizuan gjer në kërcënim me jetë të votuesve, në mënyrë që t’i detyrojnë të votojnë për PS-në.” – tha Berisha.
Sipas kreut të PD-së, zgjedhjet e 14 Majit ishin më të pabarabartat në histori dhe se rezultati nuk duhet dhe nuk mund të pranohet kurrë.
“Këto zgjedhje ishin më të pabarabartat në histori, pasi Edi Rama refuzoi regjistrimin e kryetarit të koalicionit opozitar. Këto zgjedhje ishin më të pabarabartat në historinë e pluralizmit, pasi partia kryesore e opozitës, nuk pati asnjë anëtar në komisionet e votimit dhe numërimit të votave. Këto zgjedhje ishin zgjedhjet më të pabarabartat, pasi PD me 61 kandidatët e saj në mbarë vendin, pati zero financime nga buxheti i shtetit, përkundrejt 1.2 milionë euro që mori paterica e Ramës, Brava-Alibasha me 12 kandidatë. Por, para se të kalojmë në aspekte të tjera të farsës zgjedhore, unë këtu para jush u them demokratëve dhe mbarë shqiptarëve se mjafton kjo pabarazi ekstreme për të cilën fola më sipër, që çdo proces zgjedhor të shndërrohet në një farsë elektorale. Rezultati nuk duhet dhe nuk mund të pranohet kurrë.
Ua them këtë këtu, sepse unë dhe ju, ndeshemi rëndom me pyetjen: këta na i vjedhin, po ne çfarë bëjmë? Ua them këtu sepse rëndom, për fatin më të keq, janë jo të paktë ata, të cilët pranojnë fitoren kallp si fitore të vërtetë. Edhe njëherë u them, mjafton dhunimi i këtyre kritereve për të asgjësuar një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Në këtë farsë, pabarazia ekstreme, që unë u ndala më sipër, është vetëm njëri aspekt. Dy makineri gjigante funksionuan gjatë kësaj farse elektorale sa kurrë ndonjëherë për shkatërrimin e zgjedhjeve dhe blerjen e votave. Njëra ishte blerja e votës. kësaj here, siç jeni dëshmitar, pasi e shpalli Kodin Zgjedhor si kinezëri, Edi Rama përdori zarfin me 50 mijë lekë për 683 mijë pensionistë. Përveç kësaj, shpalli rritjen e rrogave për 187 mijë punonjës. Pra, me vendim zyrtar, kreu i ekzekutivit preku haptas, publikisht 867 mijë votues. Me para.
Nuk ishte vetëm kjo. Në kontekst të blerjes publike të votës, u shtuan në ndihmën ekonomike me dhjetëra mijëra qytetarë. Vetëm në rrethin e Peshkopisë, Belinda Balluku mori dhe shpërndau për të blerë votat nga buxheti i shtetit 400 milionë lekë për personat me aftësi ndryshe. Në gjithë Shqipërinë, kjo faturë shkon në miliarda lekë. Për të blerë votën publikisht, u përdorën mijëra leje ndërtimi, leje legalizimi dhe licenca. Të gjitha këto në shkelje flagrante të Kodit Elektoral dhe Kodit të Venecias. Për të blerë votën u shpenzuan qindra milionë euro në asfalt elektoral, zhavorr elektoral, tubacione elektorale. Paraja nën dorë u përdor sa asnjëherë më parë. Nisur nga partia e Tom Doshit, paraja nën dorë, ka pasur një efekt të tmerrshëm toksik mbi votën.” – deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së iu ka kujtuar anëtarëve të Këshillit se aty janë dakordësuar se me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka dhe se misioni i tyre kryesor është rikthimi i votës së lirë për shqiptarët. Sipas tij, ata u zotuan se do të mbronin votën duke e denoncuar çdo shkelje e çdo abuzim me votën e shqiptarëve. Ai përsëriti edhe një herë akuzat për mazhorancën mbi manipulimin e procesit zgjedhor të zgjedhjeve lokale të 14 Majit.
“Ne me këtë mbledhje, hapim siparin e një etape të re në jetën e PD-së. Dhe në fakt, ne hyjmë në njërat nga periudhat më jetike, më të vështira, të jemi realiste, por edhe më vendimtare për rolin e kësaj partie. Po në këtë sallë muaj më parë, së bashku kemi qenë plotësisht dakord se me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka dhe se misioni ynë kryesor është rikthimi i votës së lirë për shqiptarët. Por, kemi qenë njëkohësisht dakord që ne të angazhoheshim me të gjithë potencialin tonë në fushatën elektorale të zgjedhjeve vendore 14 maj 2023. U angazhuam publikisht se ne do mbrojmë votën, në kuptimin që ne sigurisht nuk do mbronim me armë votën, por do bënim gjithçka për të konstatuar, për të denoncuar çdo shkelje, çdo abuzim me votën e shqiptarëve. Gjatë fushatës elektorale ju, shtabet elektorale, kandidatët, kanë bërë një punë shumë të mirë, që krahas shpalosjes së programeve, ata kanë evidentuar me vërtetësi të gjitha problematikat e mëdha të farsës që kaloi.
Pas kësaj, një komision i ngritur këtu në qendër, ka kryer një punë të pashoqe, të pashembullt në 32 vite. Këtu kemi raportin, i cili shkon mbi 600 faqe, do publikohet në dy vëllime, i cili është nisur me pjesë e kapituj në qendrat e specializuara të zgjedhjeve të lira dhe do paraqitet dhe shpërndahet kudo në botë si dëshmi se zgjedhjet e 14 majit ishin farsa më e shëmtuar elektorale në historinë e pluralizmit shqiptar.
Ato ishin zgjedhjet e para, në të cilat për herë të parë armiku i egër i votës së lirë të shqiptarëve, shpalli publikisht si kinezëri Kodin Zgjedhor, asgjësoi çdo mbrojtje që ky kod u garanton pjesëmarrësve në garën elektorale. Së bashku me Kodin Zgjedhor, Edi Rama shkelmoi të gjithë kriteret dhe parimet kushtetuese. Edi Rama vendosi pabarazinë më ekstreme mes subjekteve zgjedhore në farsën elektorale. Ai i mori PD-së vulën dhe logon me një vendim antiligjor dhe ia dha patericës së tij, Brava-Alibeaj.” – u shpreh Berisha.