Banorët e qytetit të Durrësit ishin në protestë pak ditë më parë përpara bashkisë përshkak të mos marrjes së bonusit të qerasë së familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019. Sipas deklaratave të qytetarëve ato kishin më shumë së 4 muaj pa marrë bonusin e qerasë dhe kjo ka sjellë që të enden nëpër apartamente me qera.
Ndërkohë në prag të 4 vjetorit, nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019, i cili solli dëme kolosale në ndërtesat e banorëve të qyteteve Durrës, Krujë, Shijak, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Vorë dhe Lezhë, por edhe në bilancin e personave ku humbën jetën 51 persona dhe që u plagosën me dhjetëra persona, procesi i rindërtimit zyrtarisht ka përfunduar.
Një ndër bashkitë që ka hasur probleme nga procesi i rindërtimit është ajo e Durrësit. Edhe pse janë rindërtuar disa nga pallatet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, aktualisht nuk është bërë kolaudimi i të gjitha pallateve pas rindërtimit të tyre.
Romina Morina, banore në qytetin e Durrësit, tregon për “Sinjalizo” kalvarin e gjatë dhe problemet që hasi gjatë procesit të rindërtimit të pallatit, ku jetonte së bashku me familjen e saj.
“Prej disa vitesh kam jetuar në lagjen nr.17, deri në momentin e tërmetit të 26 nëntorit 2019. Pallati pati dëmtime të mëdha dhe në akt ekspertizën e thelluar, të realizuar nga Instituti i Ndërtimit, u klasifikua me dëme të kategorisë DS4.”
Prej 1 viti, Bashkia Durrës iu heq bonusin e qirasë, të prekurve nga tërmeti
Romina tregon që bonusi i qirasë iu ndërpre nga bashkia e Durrësit në muajin gusht të vitit 2022, edhe pse pallati ku jetonte akoma nuk i kishte përfunduar punimet, e si rrjedhojë nuk ndihej e sigurt që të vendosej së bashku me familjen e saj në atë banesë.
“Nga momenti që ra tërmeti e deri sot vazhdoj të jetoj me qira. Apartamentet, duke qenë se jemi detyruar të ndryshojmë disa, i kemi gjetur vetë. Jemi trajtuar me bonus qiraje deri në muajin gusht 2022. Pas këtij muaji, bashkia e ndërpreu bonusin, me justifikimin se firma e cila kishte tenderin për realizimin e punimeve, kishte njoftuar bashkinë për përfundimin e punimeve.”
Banorja tregon që edhe pse firma e punimeve kishte lajmëruar bashkinë që pallati ishte përfunduar, kjo gjë nuk ishte e vërtetë, për shkak se ky i fundit vazhdonte punimet edhe pas lajmërimit.
“Gjatë kësaj kohe, firma vazhdonte punën në objekt me një zvarritje të jashtëzakonshme, madje dhe pse pretendonin për përfundimin e punimeve, në dyert e pallatit vendosnin njoftime për punime që do kryeshin në tarracë me data të përcaktuara, duke rënë në kontradiktë me veten dhe gjithë dokumentat fiktive që bëjnë. Jam njoftuar nga firma dhe kam marrë në dorëzim çelësat e apartamentit me datë 3 qeshor 2023, gati një vit më vonë nga momenti i ndërprerjes së bonusit”-shprehet Romina, banore në qytetin e Durrësit.
Romina tregon për “Sinjalizo” që bashkia nuk ka bërë asnjëherë kontroll se cilët banorë janë rikthyer në pallat në mënyrë që këtyre t’ju ndërpritej bonusi i qirasë.
“Kanë marrë bonus të gjithë, pavarësisht se jetonin me qira apo në apartamentet e tyre. Ndërkohë që shpërdoruan fonde pa kriter, vendosën të ndërprenin bonusin, pa patur as interesimin më të vogël se cilat familje realisht janë kthyer në banesat e tyre, e cilat jo. Momentalisht, vazhdoj me qira, duke qenë se jam në proces gjyqësor me bashkinë dhe firmat përkatëse.”
Ajo tregon që pallati ku jetonte në informacionet që ajo ka, nuk është kolauduar. Madje ajo tregon se në atë objekt janë lejuar të qëndrojnë banorët një javë pas tërmetit të 26 nëntorit, duke rrezikuar kështu jetën e tyre.
“Nuk kam asnjë informacion zyrtar. Deri në maj, aty vazhdonin punimet. Kolauduar apo jo, në atë objekt janë lejuar të jetojnë banorë që në javën e parë pas tërmetit. Pavarësisht katastrofës që mund të kishte ndodhur në rast të ndonjë tërmeti të radhës”, përfundon së treguari, Romina.
Bashkia e Durrësit u shpreh për “Sinjalizo” se në kuadër të proçesit të rindërtimit janë rikonstruktuar/përforcuar: 500 objekte ds1-3 përfunduar dhe kolauduar, 94 objekte pallat ds4 nga të cilat 6 të kolauduara.
Për koston e rindërtimit të këtyre pallateve,bashkia tregon se vlera ndahet sipas nivelit të dëmtimeve të banesave.
“Për objektet me nivel dëmi ds1-ds3 vlera e të gjitha kontratave të lidhura midis Bashkisë Durrës në cilësinë e Autoritetit Kontraktor dhe subjekteve përkatëse është 1,457,523,081 lekë pa tvsh. Për objektet me nivel dëmi ds4 e të gjitha kontratave të lidhura deri tani midis Bashkisë Durrës në cilësinë e Autoritetit Kontraktor dhe subjekteve përkatëse është 5,702,154,264 lekë pa tvsh.”
E pyetur nga “Sinjalizo”nëse vazhdon të jepet bonusi i qirasë për familjet e prekura, bashkia përgjigjet se;
“Bashkia Durrës në zbatim të Aktit Normativ nr.8 datë 07.12.2019 “Për përdorimin e procedures së përshpejtuar për subvencionimin e pagesës së qirasë së banesës për familjet e mbetura të pastreha, si pasojë e fatkeqësive natyrore, tërmeti të datës 26.11.2019” do të kryejë në ditët në vazhdim likujdimin e subvencionimit të bonusit të qirasë për familjet e mbetura të pastreha.”
Probleme edhe në Bashkinë Tiranë
I njëjti problem është dhe në bashkinë Tiranë ku pallatet e rindërtuara nuk janë kolauduar. Fatmiri, banues në zonën e Yzberishtit, konkretisht në zonën e ashtuquajtur “Vila L” tregon që pallati i tij u dëmtua nga tërmeti e pas procesit të rindërtimit pallati u rregullua, por nga komunikimet me firmën e ndërtimit pallati nuk është kolauduar.
“Pallati ku banoja unë u dëmtua nga tërmeti, në shkallën ds3 në mos gabofsha. Më pas u rindërtua nga firma e ndërtimit edhe iu dorëzua dhe njëherë bashkisë për kolaudim, por me aq sa kam komunikuar unë me administratorin, pallati nuk është rikolauduar më, pas punimeve. Firma e ndërtimit kur i kam kërkuar arsyen më është shprehur se presin të vijë ekspertët nga ana e bashkisë që deri më sot nuk kanë ardhur.”
Ndërkohë Fatmiri tregon që është futur në pallat edhe pse ky i fundit nuk është kolauduar, për shkak se bonusi i qirasë është ndërprerë e nuk ia dilte dot me shpenzimet.
“Jam futur në pallat direkt pasi u rindërtua pallati se mu ndërpre bonusi i qirasë e nuk ia dilja dot të paguaja dhe qiranë, edhe të blija gjërat për shtëpinë që mi shkatërroi tërmeti. Ndaj u detyrova të futesha brenda, uroj që të mos ketë më këto fatkeqësira. Tani ça të them, qofshim në dorë të Zotit.”
“ Sinjalizo” i dërgoi një kërkesë për informacion bashkisë Tiranë lidhur me këtë problem, por deri në momentin e publikimit të shkrimit nuk ka ende një përgjigje.
/ Albanian Center for Quality Journalism