Nga Basir Çollaku
Me atë çka tha Jemin Gjana dje, njeriu zgjedhor në seksionin “Basha” të PD, u mor vesh se 50 mijë anëtarë të Partisë, klasifikohen “armiqtë e kandidat kryetarit” në përpjekje për të rimarrë vulën, e kostot e saj favorizuese në marrëdhënie me qeverinë. Kandidati tjetër në garë zoti Hani, nuk ka thënë deri më tani asgjë për këtë krasitje me motosharrë si vepër teknike, duke dëshmuar se nuk ka interesin e duhur për procesin, nuk sillet si rival as formalisht, madje mund të gjendet mes të përjashtuarve, si qortues në episode të mëhershme.
Kështu me 20 sekonda sinkronë televizive, e 30 sekonda firma të 17 personave të emëruar si Kryesi, e jo votuar si Kryesi, duke shpërfillur çdo lloj forumi e statuti, bëhet lajm se janë përjashtuar 50 mijë demokratë, me etiketën “joaktivë”. Këtë e ka vendosur kryesia thotë Komisioneri Gjana. Ky standard përflitet shpesh kur udhëheqësit janë në siklet, ose kur duan të shoshitin hesapet individuale, njerëzit me funksion, mandat e pushtet brenda partisë, për të ruajtur karriget e privilegjeve. Nuk pjerdhin fare për anëtarësinë. As u kërcet hiç. Duhet ti besojmë kryesisë, pavarësisht trazirave të shumta të ndryshimeve të saj me përjashtime të shumta e zëvendësimeve nëpërmjet emërimeve të besnikëve të kandidatit?!. Edhe unë po prirem tu zë besë qorrazi. Po pak tejdukshmëri nuk na bën dëm.
Mblidhuni. Merrni kamerat. Debatoni dhe shpjegojeni votën. Jo të dalin copëza statuse facebooku se qenkeni marrë vesh e rënë dakord për përjashtime masive. Po 50 mijë persona edhe nëse nuk janë aktivë sipas formulës “Gjana” janë një qytet, janë një miting më vete kundër qeverisë, kundër pushtetit, të cilët sërish do dalësh tu thërrasësh kur të vijë momenti të hedhësh ndonjë kokërr vote në kutitë zgjedhore. Madje do turresh ti vësh në sedër tu thuash se ju jeni anëtarë partie të vjetër, asete e ikona, e përralla mashtruese të ngjashme.!!!! Me gjyqin publik duke shpërfillur fyer, as begenisur pak sekonda për angazhimet në dekada, ke poshtëruar veten dhe partinë. Sepse shkaqet dihen, dhe vlojnë nga serioziteti i munguar. Pas largimit të supozuar me 21 mars 2022, Lulzim Basha la një rrëmujë pas, autorizoi Enkelejd Alibeajn pa hequr emrin e tij në Gjykatë, pastaj humbi duke mos qenë askund afër, rrotull as brenda PD, në zgjedhjet e 14 majit.
Nuk mori pjesë asnjë ditë në fushatë dhe kjo është arsye e mjaftueshme statusore për ta bashkuar Lulzim Bashën, me 50 mijë anëtarët e larguar të Jeminit, e kryesisë së ngatërruar e të emëruar ku mes tyre ka jo pak omgj. Sepse ka qenë inaktiv në kulmin e zhvillimeve politike të partisë, ka munguar në fushatë elektorale, nuk ka qenë asnjë sekondë. Zero sekonda. Statuti largon indiferentë të tillë nga struktura e pretendimet. Masat disiplinore që mund të merren ndaj anëtarëve janë: paralajmërimi, pezullimi dhe përjashtimi. Këto masa merren sipas rastit nga Kryesia e Degës ose Kryesia e PDSH-së, dhe konfirmohen dhe/ose mund të apelohen përpara Komisionit të Apelimit, Etikës dhe Integritetit. Ato mund të bëhen publike”, thotë pika 2 e nenit 27 të statutit të PD. Atij për të cilin kanë referencë vendimmarrësit. Edhe nëse ka ndodhur kjo histori me pëlqim-votim Kryesie, ku shfaqjet e publikuara së fundmi flasin për një kaos firmash aspak serioze, si munden 17 vetë të marrin vendime për 50 mijë anëtarë pa mbledhur Këshillin, Kuvendin, pa debatuar e përballur me vendimmarrjen. Madje pa dëshmuar se janë mbledhur edhe vetë. Asnjëri nuk paska qenë kundër. Asnjëri nuk paska kërkuar reflektim dhe maturi në këtë vendim marrëzie. Po ata që kanë qenë më kandidatët e demokratë në zgjedhje, por rrotullohen tek-tuk afër Bashës, ata cilësohen të penduar?!
Ke përjashtuar 80 për qind të anëtarësisë dhe duket sikur ke kapur graalin e shenjtë. Çmenduri e pahasur kund nëpër parti politike nëpër botë. Kur u verifikua mosangazhimi i tyre. Nëse janë 25 mijë anëtarë si u morën 650 mijë vota në 2021, e tani nuk kanë numra as për të hapur qendra votimi??!!
Kur heq 50 dhe lë në valle 25, realisht ke publikuar rezultatin humbës me diferencë 70 për qind e më tepër. Një garues i të “përjashtuarve”, kushdo qoftë ai, e ka fitoren të garantuar ndaj 25 mijë të seleksionuarve, mes të cilëve ashtu siç janë hermetizuar të dhënat, me bindje do të ketë shumë majtistë të përkohshëm një ditorë, sa për të ngrënë si qokë drekën e së shtunës. Nën logon e PD për të cilën lënë kokën ri-kërkuesit e vulës, kanë emëruar socialistë, punëtorë bashkiakë të Veliajt, si komisionerë, vëzhgues, numërues në zgjedhjet e 14 majit. Janë filmuar në komisione e qendra votimi. Njihen kollaj. Këto do të jenë anëtarët e rinj për të votuar me 29 korrik ? Sepse ata kanë dëshmi që janë duke u angazhuar për PD të dielën e 14 majit e të hënën janë kthyer te Rama dhe Veliaj. Këta qenkan më aktivë se demokratët?? Misioni asgjësues të PD e kryejnë me veprime ata që presin qeverisjen me Ramën në vjeshtë dhe nxitojnë të kenë një kartë të dhuruar po nga ai. Vula humbi në mëngjes u bë tjetra pasdite, duke falsifikuar e nxituar verbërisht.
Transparenca e modelit 5004 është 1985 ka shembur ligje shkencore e politike, duke kalamanëzuar në mënyrën më tallëse të mundshme, aksionin elektoral me përjashtime të përditshme nga të gjithë forumet, nëse ata nuk janë në anën e yes-menëve. Kjo është poshtërsi ndaj demokratëve. Mosrënia dakord, kundërshtia, ka shtigje për tu negociuar. Sapo Gazmend Bardhi u soll njëlloj në raport me statutin e partisë, ata që e bënë hero dje, desh e vranë sot. Partia Demokratike nuk është vulë, nuk është stallë, nuk është leje ndërtimi, nuk është aksione në Portin e Durrësit, nuk është kate dhuratë në Kullat sipër Teatrit Kombëtar, nuk është dëmshpërblim pallati në buzë deti, nuk është tender oborrtarësh deputetësh, nuk është leje biznesi, nuk është vila në resorte turistike, nuk është call center, as bitcoin, as ofshor. Me cilën vulë do i gjeni nesër këta joaktivët e larguar sot??! Kur nuk keni anëtarë as për një qendër votimi gjoja partiak??!!! Mbase janë gjetur me aplikim te e-albania. Ka Rama boll, jep me qira, sipas kushteve të tij.