Ministrja e Arsimit, Evis Kushi paralajmëron “kolaps” në sistemin e shëndetësisë nga mungesa e mjekëve.
Projektligj i qeverisë që synon parandalimin e eksodit të mjekëve të rinj u diskutua këtë të martë në komisionin parlamentar të Shëndetësisë.
Nisma ligjore parashikon një marrëveshje paraprake me studentët e Mjekësisë që të punojnë deri në 5 vite në vend pas mbarimit të studimeve. Kjo është kundërshtuar nga studentët e Universitetit të Mjekësisë që shprehen se qeveria po përgatit një lloj burgu për ta, duke i detyruar të mos largohen nga vendi.
Në seancën e sotme, duke iu përgjigjur akuzave nga deputetë të opozitës së vendi është në krizë për mjekë për shkak të emigrimit masiv, ministrja Kushi tha se sot nuk jemi në emergjencë. Por, ajo paralajmëroi se kjo ditë mund të jetë jo e largët.
Sipas saj, parandalimi i këtij skenari është arsyeja e projektligjit që kundërshtohet masivisht nga studentët, të cilët kanë zhvilluar edhe protesta.
“Ne nuk jemi tani në emergjencën ekstreme, por ne kemi parë statistikat, ne kemi parë shifrat dhe nëse trendi do të jetë i tillë atëherë pas pak vitesh mund të jemi në atë emergjencë, në atë kolaps. Por ne nuk mund të reagojmë atëherë, sepse ne e dimë që shkollimi diplomimi, për mjekësi është i gjatë. Minimumi 6 vite. Pra ne nuk mund të reagojmë pas 6 viteve, sepse atëherë do të jetë shumë vonë dhe politika jonë nuk do të ketë efekt. Ne duhet ti paraprimë që tani dhe prandaj ne e sjellim tani këtë projektligj në mënyrë që nesër të mos jetë vonë”, tha ajo.
Megjithatë, për deputetët e opozitës kjo lloj forme që parashikon të vendoset në veprim nga qeveria nuk është një zgjidhje efikase. Madje u cilësua antikushtetuese në aspektin e ndalimit të lëvizjes së lirë. Deputetja demokrate Abana Vokshi propozoi që projektligji të mos kalohet me procedurë të përshpejtuar, qeveria të bëjë konsultime me studentët e mjekët, si edhe opozita të japë propozime. Vokshi u shpreh se qeveria nuk mund t’ia faturojë studentëve dështimin në sistemin shëndetësor.
Një nga argumentet që është përmendur nga qeveria për mbrojtën e projektligjit janë edhe takat që paguhen nga qytetarët për studentët. Kësisoj, sipas mbrojtësve të nismës, këta studentë duhet ti shërbejnë popullit dhe jo të emigrojnë.
Argument ky që në mbledhjen e sotme të komisionit u hodh poshtë nga deputeti i PL-së Petrit Vasili. “Ne kemi të qartë në Kushtetutë që thotë: arsimi i lartë mund të kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie. Kushtetuta e Shqipërisë nuk lejon asnjë hapësirë për kushtëzim tjetër. Po hajde të ndërronim një herë vendin? Po ta kishte bërë ky krahu tjetër këtë gjë? Si mund të krijojmë një ishull, që ti që vazhdon mjekësinë mban disa barra të rënda, se ai që mbaron Stomatologji nuk i ka këto kufizime. Në të gjithë botën, se ju e dini mirë, ajo Gjermania e ka hallin se nuk duan më studentët të vazhdojnë mjekësinë. Se është arsimimi më i gjatë në të gjithë globin. S’ja paguan shteti fjetjen atyre. Taksat i kemi detyrim t’i paguajmë. Do paguajnë t’i mbajnë fëmijët në shkollë, do paguar dhe tarifat. Ndërroni vendin, hajdeni në vendin tonë. Lëreni partinë! Ligj po miratoni, një ligj që e ka fuqinë 5 vite. Ky është vizioni? Zemra e problemit është pagesa? lërini përrallat! Njerëzit kanë dalë në rrugë se duan sa pagat e Kosovës”, tha Vasili.
Lidhur me fenomenin e emigrimit të bluzave të bardha, ministrja Kushi e gjen më shumë fajtorin te kushtet më të favorshme për mjekët te vendet e Europës perëndimore, sesa te politikat e qeverisë për mjekët.
“I kanë liberalizuar të gjitha procedurat për t’i punësuar mjekët që vijnë nga vendet e tjera. Edhe para 10 vjetësh, 15 vjetësh, 5 vjetësh kishte mjekë apo edhe qytetarë që donin të shkonin drejt këtyre vendeve. Sepse ne nuk mund ta konkurrojmë as Gjermaninë, SHBA-në, sado t’i rrisim pagat apo mirëqenien”, tha ajo.