• Kontakt
Saturday, June 28, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi RAJONI

Eksperti: Kosova më afër konfliktit të hapur sesa Bosnja

08:32 : 10/07/2023
në RAJONI

Udhëheqësit e NATO-s pritet të konfirmojnë në samitin në Vilnius se situata në Kosovë është serioze dhe se misioni i NATO-s, KFOR, është atje për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe të pakicës serbe në veri, thotë Milan Niç, nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë.

Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Niç thotë se telashet do të ishin shumë më të mëdha nëse NATO-ja nuk do të ishte në Kosovë.

“Mendoj se [Kosova] është më afër një konflikti të hapur sesa Bosnja. Dhe është një nivel ndryshe i konfliktit, sepse keni sulme fizike ose konfrontime në veri, keni struktura paralele, keni shpërthime, ku një incident i vogël mund të çojë në diçka më të madhe”, thotë Niç, ekspert për Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin e NATO-s.

Duke u ndalur te Serbia, ai thotë se presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq, mund ta luajë edhe për kohë të gjatë lojën “edhe Perëndimi, edhe Rusia”.

Lexo edhe:

Thirrje “Kosova është Serbi” në Gazimestan, policia ndalon një serb në Festës e Vidovdanit

Serbët shënojnë Vidovdanin në Gazimestan, Kurti: Ka rrezik për incidente

Radio Evropa e Lirë: Dua të nis me Ukrainën. A do të marrë ajo garanci për sigurinë në samitin e NATO-s në Vilnius?

Milan Niç: Varet se çfarë nënkuptoni me garanci të sigurisë. Ukraina mund të shpresojë të ketë diçka më shumë nga samiti i Vilniusit, por jo anëtarësim të plotë. Diplomatët kanë punuar për formulime të sakta, që do të mirëpriten nga të gjitha vendet anëtare, sepse ka opinione të ndryshme për hapat e ardhshëm ndaj Ukrainës. Nga Vilniusi do të dalë një “Bukuresht Plus”, por se çfarë do të jetë saktësisht, është çështje e diskutimeve diplomatike. [v.j. në samitin në Bukuresht në vitin 2008, NATO-ja i ka mirëpritur aspiratat euro-atlantike të Ukrainës dhe ka rënë dakord që ky vend do të bëhet anëtar i NATO-s].

Radio Evropa e Lirë: Po Suedia? A do t’i bashkohet NATO-s?

Milan Niç: Shpresoj shumë për vitin e ardhshëm. Fatkeqësisht, qëllimi që të gjitha vendet anëtare ta ratifikojnë anëtarësimin e Suedisë përpara samitit të Vilniusit, nuk është arritur, sepse Turqia nuk e ka hequr veton e saj dhe Hungaria, po ashtu, e ka shtyrë ratifikimin deri në vjeshtë. Gjërat po lëvizin, ka shumë presion mbi Turqinë, por presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, insiston se jo të gjitha kushtet janë përmbushur.

Pres që nga samiti i Vilniusit të ketë një sinjal të fuqishëm politik, që do të nënvizojë se Suedia është pothuajse në NATO, se të gjithë anëtarët – përveç dy – e kanë ratifikuar anëtarësimin dhe se aleanca mund ta mirëpresë Suedinë si anëtare me të drejta të plota.

Radio Evropa e Lirë: A ka treguar lufta në Ukrainë se NATO-ja është garanci për sigurinë?

Milan Niç: Unë mendoj shumë kështu, sepse Ukraina është sulmuar për faktin se nuk ka qenë në NATO. Rusia, qartazi, shënjestron vendet më të dobëta.

Shikojeni edhe Ballkanin Perëndimor. Është e rëndësishme që tri nga gjashtë vendet e këtij rajoni janë në NATO. Dhe, mund të imagjinojmë se çfarë do të ndodhte, për shembull, në Kosovë sikur të mos e kishte atë kornizë të sigurisë që ka, pra KFOR-in [misionin paqeruajtës të NATO-s].

Pasi Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, nuk ka më oreks për paqartësi apo zona gri në Evropë. Ose jeni në rrugë drejt NATO-s, ose në NATO. [Në të kundërtën] jeni të cenueshëm ndaj kërcënimeve hibride ruse.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të ndodhte nëse NATO-ja nuk do të ishte në Kosovë?

Milan Niç: Do ta them me një fjali: Telashet do të ishin shumë më të mëdha.

Radio Evropa e Lirë: E keni përcjellë krizën e fundit në veri të Kosovës…

Milan Niç: Kam ndaluar së numëruari krizat midis Kosovës dhe Serbisë. Nuk janë të mira për asnjërën prej palëve. Po ua humbin durimin edhe Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë. Sepse, është një shpërqendrim nga gjëja kryesore që po ndodh në Evropë [lufta në Ukrainë] e që do ta përcaktojë edhe të ardhmen e Serbisë dhe Kosovës. Pra, është për keqardhje. Por, është edhe çështje e zgjedhjeve politike të të dy liderëve [Kosovës dhe Serbisë] se sa larg do të shkojnë me këto tensione dhe me veprime të njëanshme. Veprimet e njëanshme kanë ardhur më shumë nga Beogradi, por gjatë vitit të fundit edhe nga Prishtina.

Radio Evropa e Lirë: Për shkak të krizës në veri, Kosova është përjashtuar nga një stërvitje e madhe ushtarake, e udhëhequr nga SHBA-ja dhe aleatë të tjerë të NATO-s. Çfarë mesazhi ka qenë ky për Kosovën?

Milan Niç: Shtetet e Bashkuara, thjesht, kanë dashur të dërgojnë një sinjal se nuk mund të rrezikosh më shumë tensione pa pasoja.

Radio Evropa e Lirë: Sa larg mund të shkojë NATO-ja me Kosovën, meqë misioni i saj është përgjegjës për sigurinë…

Milan Niç: Nëse flasim për samitin në Vilnius, mendoj se do të ketë një rikonfirmim në deklaratë se situata është serioze dhe se NATO-ja është atje për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve, përfshirë këtu edhe pakicën serbe në veri.

Është çështje e Qeverisë së Kosovës se deri në çfarë mase do që të jetë në aleancë me mbështetësit e saj kryesorë në Perëndim dhe t’i bashkërendojë me ta hapat diplomatikë edhe ndaj Serbisë. Sepse, në fund të fundit, ka të bëjë me koordinimin dhe ndërtimin e aleancave. Dhe historia e Qeverisë aktuale të Kosovës në këtë drejtim nuk është shumë e mirë.

Radio Evropa e Lirë: Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO. Sa reale është kjo?

Milan Niç: Bosnja është shumë më përpara. Në fakt, Bosnja është edhe më përpara se ajo që Ukraina pritet të marrë nga samiti i Vilniusit, edhe më përpara se Gjeorgjia, e cila po ashtu ka kërkuar anëtarësim. Të mos harrojmë që Bosnja ka një plan veprimi për anëtarësim, edhe pse quhet me një emër tjetër. Por, hapat e ardhshëm të saj i ka bllokuar mungesa e unitetit midis Sarajevës dhe Banjallukës. Udhëheqja aktuale e Republikës Sërpska e ka bërë të qartë se nuk do më shumë përparim dhe më shumë integrim në NATO.

Rasti i Kosovës është më i komplikuar, sepse janë katër vende të NATO-s që nuk e njohin ende Kosovën si shtet. Por, gjithashtu, ajo ka bashkëpunim intensiv me NATO-n, por që tani është pauzuar, për shkak të veprimeve të përgjithshme të Qeverisë së Kosovës, në përgjigje të ngjarjeve të shëmtuara në veri.

Radio Evropa e Lirë: NATO e ka identifikuar Bosnjën si zonë të mundshme për aktivitetet ruse. Sa është Kosova e brishtë ndaj tyre?

Milan Niç: Është me një nivel tjetër, krejtësisht të ndryshëm të brishtësisë. Mendoj se është më afër një konflikti të hapur sesa Bosnja. Dhe është një nivel ndryshe i konfliktit, sepse keni sulme fizike ose konfrontime në veri, keni struktura paralele, keni shpërthime, ku një incident i vogël mund të çojë në diçka më të madhe.

KFOR-i mund të jetë aty për ta parandaluar shndërrimin e këtyre incidenteve në diçka më të madhe. Por, dua të theksoj se, pavarësisht krizës së re në Bosnje e Hercegovinë dhe të gjitha tensioneve, atje nuk ka konfrontime fizike.

Radio Evropa e Lirë: Po Serbia? A mund të vijë një moment që, sikurse Finlanda dhe Suedia, ta ndryshojë mendjen për NATO-n?

Milan Niç: Jo, Serbia po luan me kartën e vendit neutral. Ajo e fsheh faktin se ka bashkëpunim mjaft intensiv me NATO-n, në interes të përbashkët. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka zotëruar këtë lojë, duke u sjellë si neutral, por, në të njëjtën kohë, duke forcuar marrëdhëniet me SHBA-në dhe duke qenë mjaft i cenueshëm ndaj ndikimit rus.

Radio Evropa e Lirë: Edhe për sa kohë mund ta luajë Serbia këtë lojë?

Milan Niç: Mendoj se mund ta luajë shumë gjatë, sepse nuk varet vetëm prej saj, varet edhe prej situatës globale. Nëse lexoni analiza për ndikimin e luftës ruse në rendin global, ajo është një shtytje e madhe për të ashtuquajturat fuqi të mesme, si Turqia dhe Izraeli, pasi mund ta rrisin – në njëfarë mënyre – hapësirën e manovrimit midis Perëndimit dhe Rusisë. Nëse nuk jeni një vend shumë i vogël dhe keni rëndësi strategjike, mund ta luani këtë lojë. Pra, hapësira e manovrave strategjike të Vuçiqit është rritur dhe kjo është ajo që [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti e ka nënvlerësuar.

Serbia, prej fillimit, ka dërguar municione në Ukrainë përmes palëve të treta. Nëse gjëja më e rëndësishme në Evropë tani është ndihma për Ukrainën, edhe vendet si Serbia – në mënyrë paradoksale – mund të kontribuojnë në këtë përpjekje./Rel

Etiketa: bosnje hercegovinekonflikt i hapurKosovaMilan Niç

Lajme të lidhura

RAJONI

Thirrje “Kosova është Serbi” në Gazimestan, policia ndalon një serb në Festës e Vidovdanit

14:44 : 28/06/2025
RAJONI

Serbët shënojnë Vidovdanin në Gazimestan, Kurti: Ka rrezik për incidente

11:14 : 28/06/2025
RAJONI

Kurti i përgjigjet Vuçiçit: Ushtria jonë e pathyeshme, më e pajisur se kurrë më parë

22:47 : 27/06/2025
BOTA

Trump: Nëse Serbia sulmon Kosovën, nuk bën tregti me SHBA

19:39 : 27/06/2025
RAJONI

Deputeti gjerman: BE të njohë Kosovën dhe ta anëtarësojë në KiE

17:30 : 27/06/2025
RAJONI

REL: Çfarë rrezikon Kosova në mungesë të institucioneve të reja?

08:13 : 27/06/2025
Para

3 muaj në shtratin e spitalit, humb jetën futbollisti shqiptar në Itali

TË GJITHA

Aksident me 3 të plagosur në Pogradec

21:02 : 28/06/2025

SHBA/ “Shi” kartëmonedhash në Detroit, shoferët braktisin makinat dhe mbledhin paratë

20:54 : 28/06/2025

WhatsApp lançon një veçori të re

20:40 : 28/06/2025

Bardhi kundër largimit të Berishës me statut

20:21 : 28/06/2025

Aksident i 6-fishtë në Laprakë, tre të plagosur

20:01 : 28/06/2025

ChatGPT e “shkatërron” trurin e njeriut! Studimi i ri publikon rezultatet shqetësuese

19:53 : 28/06/2025

Era e fortë në det u rrezikon jetën 16 pushuesve në Qeparo – VIDEO

19:43 : 28/06/2025


RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com