Dhuna që djali dhe familjarë të deputetit socialist, Rrahman Rraja, ushtruan ndaj dy shtetasve në Fushë-Krujë provokoi në fundjavë ndryshimin e ministrit të brendshëm.
Analistë të politikës mendojnë se ngjarja nuk është një episod rastësor, por është vetëm maja e ajsbergut të krizës që ka mbërthyer jetën politike dhe ekonomike të Shqipërisë.
Ndryshimet në ministrinë e punëve të brendshme shprehin, sipas tyre, pafuqinë e Partisë Socialiste për të bërë reforma themelore të kërkuara nga procesi i integrimit europian.
Ata mendojnë se Partia Socialiste nuk zbaton kritere të meritokracisë profesionale, integritetit dhe dekriminalizimit të personave, që fut në politikë dhe në institucione, si dhe nuk heton rekordet negative të këtyre individëve, para se ata të kandidojnë për poste shtetërore.
Dhuna e organizuar kundër dy shtetasve në Fushë Krujë nga djali dhe vëllezërit e deputetit socialist Rrahman Rraja provokuan dorëheqjen e këtij nga politika si dhe shkarkimin e ministrit të punëve të brendshme Bledar Çuçi.
Ekspertë dhe studiues të jetës politike në vend mendojnë se kjo ngjarje nuk është një rrufe në qiell të hapur, por vetëm një shenjë e vogël sipërfaqësore e krizës politike, sociale dhe ekonomike të Shqipërisë, që po qeveriset prej 10 vjetësh, në mandatin e mandatin e tretë nga Partia Socialiste.
Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, dr. Afrim Krasniqi, thotë se Partia Socialiste po paguan çmimin e përfshirjes në politikë me zgjedhje parlamentare dhe vendore të kandidatëve të fortë, që sigurojnë vota me forcë, si në rastin e kryetarit të bashkisë së Kukësit, deputetit të Krujës dhe në disa raste të tjera, kur individë pa meritokraci, pa integritet kanë marrë poste të larta përfaqësuese.
Sipas tij, qeverisja nuk ka përmbushur ende pritshëmritë e larta të publikut reforma europiane dhe goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Shqipëria qysh kur ka nisur negociatat me Bashkimin Europian nuk ka kryer asnjë reformë të rëndësishme. Reforma në drejtësi po vazhdon, ndonëse me ritme të ulëta, reforma zgjedhre ka mbetur në vend, reformat e mëdha antikorrupsion nuk kanë arritur të japin rezultate. I gjithë sistemi antikorrupsion ka dështuar dhe vet kryeministri Rama e pranoi në rastin e fundit për Kadastrën si një dështim i madh, prandaj u nis të provohet një sistem online. Nevojat e vendit për reforma, për antikorrupsion, për vende të reja pune, për progress të shtetit dhe të shoqërisë dhe për stabilitet më të madh, për ta bërë Shqipërinë një vend më tërheqës për brezin e ri që kërkon punë dhe për qytetarët që kërkojnë një të ardhme nuk janë përmbushur ende”, thotë zoti Krasniqi.
Analistët mendojnë se vendimet për të ndërruar një ministër, për të zëvendësuar një deputet apo një kryebashkiak, janë vendime për të mbyllur plagët dhe nuk i shërbejnë forcimit të institucioneve, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Dhuna në Fushë Krujë është një tronditje për autoritetin e shtetit dhe ligjin në Shqipëri, dhe shënon një tronditje thelbësore për qeverisjen e kryeministrit Rama, thotë analisti Aleksandër Çipa, sepse dëshmoi që autoriteti fisnor mbizotëron ndaj sundimit të ligjit në Shqipëri.
“Ky episod dëshmoi se kriminalizimi ka dimensione shumë më thelbësore nga sa shpërfaqet. Akuzat e bëra jo vetëm nga kundërshtarët politikë, por në mënyrë të veçantë prej reporterëve investigativë, që mbulojnë raportimin kriminal në vend, është folur më herët për familje kriminale të cilat kanë pushtet dhe ndikime të fuqishëm. Ajo që ekspozoi ngjarja e Krujës ka të bëjë edhe me ushtrimin selektiv të autoritetit të shtetit dhe të ligjit”, thotë drejtuesi i Unionit të Gazetarëve dhe pedagogu Çipa.
Vëzhguesit e jetës politike vërejnë se protagonistët e ngjarjes në Fushë Krujë dhunan dy qytetarë, dhe guxuan të publikojnë videon e dhunës së tyre, institucionet nuk reaguan as për të marrë dëshmitë e viktimave aq më pak të vepronte ndaj agresorëve , por ishte zemërimi i qytetarëve që nxiti kapjen e disa prej agresorët, dorëheqjen e deputetit, shkarkimin e postës policore dhe të ministrit të punëve të brendshme. Pedagogu i gazetarisë, Lutfi Dervishi, thotë se barazia para ligjit është në Shqipëri vetëm një slogan elektoral,por ishte media që nxiti reagimin qytetar.
“Publiku shqiptar ka nevojë për një polici të depolitizuar, që nuk trembet nga njerëzit, që janë të lidhur me politikën. Veprimet e mëpasme të policisë në Krujë treguan se policia I ka edhe kompetencat ligjore edhe kapacitetet për të vepruar, por ajo nuk vepron kur përballë lidhje të politikës me krimin. Ngjarja e Krujës tregoi po ashtu që nëse videoja nuk do të ishte bërë publike, nuk do të ndodhte asgjë. Në mungesë të veprimit të institucioneve, në mungesë të veprimit të drejtësisë, është zëri i qytetarëve që bën të mundur ndryshimin”, thotë zoti Dervishi.
Analistët shprehen se operacioni që duhet kryer pas kësaj ngjarje nuk duhet të jetë politik, por i thellë dhe shumëpërmasor, për të rikthyer në detyrë autoritetet kontrolluese mbi qeverisjen, rendin, sigurinë dhe zbatimin e ligjit.
Partia Socialiste pritet të ndërrojë nesër një ministër dhe një deputet, kryetari e grupit parlamentar të saj u propozua për ministër të brendëhsm, por sfida më e madhe për shumicën në pushtet, pohojnë ekspertët, mbetet që të garantojë sundimin e barabartë të ligjit për çdo qytetar, pavarësisht nga statusi i tij.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se ka bërë zëvendësimin e ministrit të brendshëm, Bledi Çuçi, të cilin e vlerësoi “për punën e tij si gjithnjë korrekte edhe në këtë detyrë”.
Ndërsa ky i fundit i uroi sukses ministrit të ri, Taulant Balla, “në sfidën e re, për të vijuar me reformat transformuese në këtë ministri e veçanërisht në Policinë e Shtetit”.
Ministri Çuçi theksoi përmes një mesazhi në rrjetet sociale se për dy vite e gjysmë “punoi në këtë detyrë të vështirë me integritet dhe bashkë me skuadrën e Ministrisë së Brendshme”, duke përballur shumë sfida që lidhen me sigurinë, rendin publik, emigracionin, gjendjen civile dhe pushtetin vendor.
Propozimet e kryeministrit Rama për të zëvendësuar zotin Çuçi me ministrin e ri Taulant Balla pritet të dorëzohen të hënën tek Presidenti i Republikës.
Partia Socialiste pritet të mbajë një mbledhje të grupit parlamentar, pasi në radhët e tij po shënohen dy ndryshime; deputeti Rrahman Rraja, pasi i bëri thirrje djalit të arratisur që të dorëzohet, ka dorëzuar mandatin dhe duhet zëvendësuar, ndërsa kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla, është propozuar për ministër të brendshëm./VOA